E premte, 03.12.2021, 10:54 AM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Arti botë e gënjeshtrës

E marte, 28.06.2016, 07:28 PM


Arti botë e gënjeshtrës

Nga Ilir Muharremi

Artisti thellë në instinktin e tij dëgjon një britmë, një ulërimë dhe në skaj të kësaj takohet me revoltën. Të revoltohesh do të thotë t’i revanshohesh padrejtësisë. Veprat më të mëdha kanë lindur nga revolta. Në kohën tonë, njeriu, ashtu dhe artisti bënë jetë ndërmjet një lufte të brendshme: “Unë jam artist”, ose shumë herë “Unë nuk jam artist”. E kam fjalën për shumë krijues, madje edhe për veten time. Kjo luftë zhvillohet ashpër dhe e shohë si çështje serioze, derisa të tjerët nuk e shohin shumë seriozisht. Ne artistët vuajmë jo pak, nganjëherë një dritë melankolie na sjell pakëz lumturi dhe na lëviz përpara. Ka shumë të tjerë që nuk brehen  nga lufta e brendshme, sigurisht çdo gjë e kalojnë më lehtë, por individualiteti i tyre zhvillohet më pak krahas me artistët. Nëse diçka përbrenda fillon të pëshpëritë: “Ti nuk je artist”, Van Goghu do të përgjigjet: “Viju punës pa vonesë”. More artist i sinqertë, vetëm kështu do ta obligosh atë zë të heshtë. Andaj, ky artist i përvishet miqve ndër të cilët duhet të zgjedh vetëm ata si ai që i përvishen luftës dhe punës, sepse nxisnin njëri tjetrin për veprimtari. Artisti tek revolta duhet të luftojë me durim dhe bukur klithë Dore “Kam durim gomari”. Në këtë thënie gjej diçka të mirë, bindje dhe ndershmëri.  Ky njeri me durim qe shumë i përmbajtur. Sa e pamëshirshme do të ishte që një piktor të pohonte: “Unë jam piktor”, ose një poet, aktor, filozof.... Duhet të jemi të durueshëm, durimi vjen nga natyra, ngadalë piqet çdo gjë në natyrë dhe rritet ngadalë. Artisti paska marr fund sepse më nuk rritet me vetëpohim: Unë jam artist. Përse ky njeri me paramendim pengon zhvillimin dhe rritjen e vet? “Që të rritesh, duhet t’i kesh të futura thellë në tokë rrënjët”, klithë Van Goghu.  Pritja e Van Goghu-t për të lulëzuar shprehë forcën e sundimit dhe shkëlqimit. Ai prapë dëshiron të lulëzoj duke i dhënë fund vuajtjeve të veta, por pa fuqinë e vuajtjeve nuk ka rëndësi lulëzimi. Vetë ky artist është zhgënjimi më i madh i gjithë artistëve, madje kur pohon se “Mund të heqë dorë nga Zoti i madh, por duke vuajtur nuk mund të heqë dorë nga diçka që është më e madhe se unë, që është jeta ime”. Aty ai fshehë fuqinë për të krijuar dhe nuk gabon vetëm se revolta e artisti kundër të vërtetës bëhet pak e dyshimtë për revolucionin totalitar të kohës. Kjo revoltë përmban të njëjtën esencë sikurse ajo e të shtypurit. Vetë koha e zbuloj se në art përveç refuzimit kishte edhe pranim, sepse duhej të balancohej veprimi, bukuria dhe padrejtësia. Bukuria në vetvete ishte një padrejtësi dhe nuk kishte shpëtim.

Konceptimi i artit, synimi dhe qëllimi si duket në fshehtësi mban realitetin e zymtë e jo shumë të këndshëm. Arti është një tip pesimizmi, kontrast i një bote reale, posedon vetëm një botë, atë të gënjeshtrës, shumë herë edhe të pakuptimtë. “Një botë e tillë është një botë e vërtetë”, shkruan Nietzsche. Por, edhe ai kishte nevojë për gënjeshtrën, për ta sfiduar realitetin, ose për ta jetuar atë. “Fakti që gënjeshtra është e nevojshme për të jetuar bën pjesë në këtë karakter të tmerrshëm të ekzistencës”, vazhdon ai. Atëherë, ekzistenca ndjen nevojë vazhdimi tok me gënjeshtrën dhe rreziku është se bëhet dominuese dhe në fund udhëheq botën. Nietzsche-ja mund ta refuzonte çdo gënjeshtër, qoftë ajo morale ose hyjnore. Por, ndoshta ka bukuri të gjallë e cila mund të na premtojë ta duam këtë botë të vdekshme dhe të kufizuar. Atëherë, vetë arti na dërgon në kufijtë e revoltës, dhe kjo revoltë i kthehet origjinave, pastaj arti pretendon t’i jap një formë, e cila zhvillohet përhershëm. Artisti këtu ndjen dhe rrëmben nga historia. Nietzsche nga antika, Camus nga Nietzsche, antika, historia e artit, Picasso nga historia dhe koha, por prapë shërbehej nga origjinat...

Artin e dhimbjes dhe të dëshpërimit e shohë si çështje force, aty ku gjykohet e bukura, sepse vetë Nietzsche-ja kishte pasion për ndjenjën e fuqisë e cila shprehë gjykimin e së bukurës. Këtu ai ndjente ndjenjën e plotshmërisë dhe forcës së grumbulluar. Ai distancohet nga i dobëti sepse i dobëti drithërohet. Si duket ai e provon në njërën anë dobësinë dhe në anën tjetër fuqinë. Artisti parapëlqen gjëra të tmerrshme dhe lënduese për shpirtin e tij. Këtu në një farë forme artisti është edhe filozof. Shija për dashamirësi dhe stoli (që e parapëlqejnë artistët mediokër) i përket vetëm të dobëtëve. P.sh nëse marrim tragjedinë (Eskilin, Sofokliun, Euripidin), vërejmë karaktere të forta, shpirtra heroik dhe këta shpirtra pranojnë veten në mizori ekstreme tragjike dhe fortësia e tyre ndjenë vuajtjen. Arti kërkon të shkundësh në vuajtje, madje edhe të  vdesësh për tu përjetësuar. (Rasti i vetëvrasjes së Van Goghu-t, London-it, Hemingway....)

Në anën tjetër, nëse të dobëtit do kërkojnë ndonjë art tragjik, dëshpërues për shijen e tyre, e dini se çfarë do të ishte kërkesa e tyre? Nietzsche-ja përgjigjet: Do të ndërhynin tek ajo për të interpretuar vlerësimet e tyre, triumfin e rendit të botës, ose doktrinën e mungesës së vlerës së ekzistencës, apo ftesën për nënshtrim. Emocione gjysme morale dhe ky art mund të stimuloj nerva tek të dobëtit. Artin e dëshpërimit dhe tragjik e shohë si ndikim total plot unitet edhe tek të dobëtit, por edhe tek të fortit. Për këtë arsye sot çmohet arti i Mozart-it, Bethoven-it, Vagneri, pastaj, anglezët e sotëm Pink Floyd.... Secili nga ne mund vetes t’ja veshë karakteret e tmerrshme enigmatike dhe në fund kërkon zgjidhje.

Artistët jetojnë në pesimizëm, por të kundërt me pesimizmin moral ose religjioz, ngaqë ai prishë njeriun, kurse artistët pesimistë kërkojnë në këtë botë shpresë dhe zgjidhje. Gjithnjë ata që vuajnë dhe të dëshpëruarit nuk kanë besim të madh te vetja, edh në kohërat më të vjetra kishin vizione magjepsëse për ta duruar jetën. Këta njerëz qenë kundrejt jetës, dhe donin të strehoheshin në bukuritë e përkryera të formës, në çdo gjë të zgjedhur, sepse vetë natyra i ka përsosur. Dihet që artistët dashurojnë bukurinë, këtë e bëjnë nga aftësia për të ndjerë dhe parë dicka të bukur. Bukuria më e madhe është ajo sikurse në veprat e Rembrandt-it, Dali-it... në të cilat krijohet përshtypja se cdo fiksioni i tyre po bëhet realitet, atëherë cdo peizazh dhe personazh duket si i gjallë. Por, artistët më të fuqishëm janë ata që shprehin fuqitë e tyre të një clirimi personal, sepse aty gjejmë përvojën më intime.

Atëherë, a munden artistët ta zgjidhin kuptimin e jetës? “Jeta duhet të frymëzojë besim”, përgjigjet Nietzsche. Në këtë besim njeriu vetë nga natyra është gënjeshtar, sepse është artist. Artisti nuk ka nerva për realen, por asnjëherë nuk e mënjanon në tërësi. Vetë arti buron nga realja, por nuk e dhunon të vërtetën me gënjeshtra, vetëm se bënë përzierje dhe përmirësime personale. Pasi që çdo njëri është pjesë e realitetit, si mund të mos jetë edhe pjesëz e gënjeshtrës (artit)? Artistët shtojnë shumë gjëra edhe që nuk janë dhe nuk rruhen fare nga patetika e shpirtit. Arti si qëllim ka tundimin e ekzistencës, gëzimin dhe çdo njëri që ndjehet i tunduar, gjithnjë është njësoj në tundimin e tij, po ashtu edhe në gëzimin: ndjehet mirë si artist, ndjenë shijen e fuqisë, kënaqet me gënjeshtrën sikur të ishte e vërteta e tij. Më kot nuk thotë Nietzsche-ja se arti nuk është asgjë tjetër veçse art. Vërehet që bënë të mundur vazhdimin e jetës, krijon stimulimin dhe tundimin. “Arti është çlirimi i të përvuajturit, si rrugë drejt gjendjesh shpirtërore në të cilat vuajtja dëshirohet, shndërrohet, hyjnizohet, në të cilat vuajtja është një formë e ekstazës së madhe”, përfundon Nietzsche.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora