E premte, 03.12.2021, 09:44 AM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: Teki Muka jetoi e iku në këmbë

E marte, 28.06.2016, 08:49 AM


TEKI MUKA, VETERANI QË JETOI E IKU NË KËMBË

Nga Albert HABAZAJ

Para pak ditësh, në një takim me kryetarin e Komitetit të Veteranëve të Vlorës Seit Jonuzaj dhe sekretarin e këtij komiteti Balil Banushaj, më thonë, që për nder të 20 korrikut, Ditës së veteranëve, të bëj një shkrim portret për gazetën tonë “Kushtrim brezash” kushtuar veteranit të dalluar Teki Muka - shembull i përparuar në lagje dhe qytet për edukimin e brezit të ri me ndjenjat e nderimit sipëror për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por s’qe e thënë ta botoja ashtu siç e kishim menduar. Xha Tekiu iku. S’është më me ne fizikisht. Veterani Teki Muka jetoi në këmbë, vdiq në këmbë, lastar kolloz. Lum ai! Duke folur dhe në emër të Komitetit të Veteranëve të Vlorës, dhe në emër të Universitetit “Ismail Qemali”, e kam të vështirë të them fjalët e lamtumirës për këtë vigan fisnik, që po përcjellim sot. Ç’të përzgjedh nga fjalët më të mira të Fjalorit të gjuhës sonë për të shprehur me dhembje, sinqeritet e respekt paharrimin tonë për të mirin Teki Muka, që s’do ta kemi më midis nesh, dhe aq aktiv, dhe aq të ri e vital. Çdo ditë e zakonshme e jetës së tij ishte një ditë e zgjedhur për të tjerët, një ditë model për qytetarët. Teki Ahmet Osman Muka do të ngelet në kujtesën tonë si zjarr i ndezur e i pashuar përparimi e mirësie, që ngrohte aq bujarisht shoqërinë, që e mbajti me nder emrin e vatrës familjare nga rridhte - një shembull i gjallë atdhetarie në qytetin e Vlorës. Më tronditi lajmi i Donit mbrëmë vonë: “Xha Tekiu na la”. Me lot në sy, por me kokën lartë e shikimin përpara u takon të qëndroni, të dashur nëna Leta, Doni, Elvira dhe ju dy nipërit e tij si yje Arges e Klevis. Dje mbrëma, të premten e 24 qershorit 2016, në moshën 83 vjeçare, si legjendë bujarie fluturoi qiejve hyjnorë të galaktikës shpirti i bukur i këtij burri të lartë me emrin e artë Teki Muka. Iku si të qe një ëngjëll 38 vjeçar, me shpirt të pastër, i butë, i dhembshur, altruist, që falte dashuri dhe edukatë, që dhuronte dituri e ëmbëlsi; i dashur si ai, njeri me bukuri të kulluar, duke na lënë pas emrin e mirë dhe imazhin e dritës së ndezur. I lindur më 8 Gusht 1933 në lagjen me histori Topana, një jetë të tërë në shërbim të Vlorës dhe të Shqipërisë, mbylli sytë pas 83 vitesh në këmbë, në lëvizje, në punë, me shikimin përpara. Xha Tekiu është një nga të paktët njerëz, që për vlerat dhe virtytet e tij të rralla, iu botua libër sa qe gjallë dhe pikërisht monografia “Skalitje  nga jeta”: Tiranë; “Albin”, 2008, me 136 faqe, në nderim të 75 vjetorit të lindjes së tij, me autor Mato Kollozin, redaktor prof.dr. Bardhosh Gaçe, recezent unë, Albert Habazaj. Debatikas në çlirimin e Tiranës, duke çuar ushqime partizanëve, ku dhe u plagos në këmbë e në dorë nga një predhë e armikut, më 1943, kur ishte vetëm 10 vjeç, Teki Muka pati fatin ta gëzonte bashkë me partizanët çlirimtarë dhe gjithë popullin liridashës shqiptar Ditën e Madhe të Çlirimit të Atdheut, 29 Nëntorin e lavdishëm të vitit 1944…

Nuk do t’i bëj biografinë xha Tekiut, se është e gdhendur në libër dhe ia di gjithë qyteti, që e respketon kaq shumë dhe sot, që s’është, por dua të them se Teki Muka, si drejtues i disa institucioneve të rëndësishme në Vlorë, qe babaxhan, i drejtë, korrekt, që mësonte dhe edukonte, që falte dhe nuk dënonte, që, kur kishte mundësi, vartësit të rimerrnin rrugën e mbarë në punë dhe në jetë. Teki Muka u bë sinonim i progresit në Fabrikën e Çimentos, në TEC, në Fabrikën e Llambave, në Parkun e Mallrave e, sidomos, me kontributet për hidrocentralin e Smokthinës, duke u bërë simbol i elektrifikimit të Labërisë dhe Sarandës, duke tejkaluar ditët, muajt, vitet, kohën që jetoi. Ai njeri s’njohu pushim. Ai burrë s’doli kurrë në pension. 15 vite ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, si pakkush tjetër, duke u ngritur në kuotën e simbolit të humanizmit e solidaritetit prindëror për të ndihmuar studentët me urtësi e dashamirësi të ecnin përpara në mësime, në detyra kursi, në provime, në mbrojtje diplomash. Prandaj vijnë me ne ta nderojnë kujtimin e mikut të mirë ish rektori i Universitetin “Ismail Qemali” prof.dr. Bilal Shkurtaj (sot zëvendës rektor), ish- zëvendës rektori prof. dr. Spiro Çaushi (sot në pension), prof. as. Vitori Hasani (sot në pension), Aneta Xhelili, Petraq Truja e pedagogë dhe miq të tjerë të atij njeriu të mirë. Në përcjelljen e të paharruarit tonë Teki Muka, nderon me pjesëmarrjen e saj dhe kryetarja e këshillit të Bashkisë Vlorë, zj. Vojsava Shkurtaj. Asnjëherë nuk u mburr xha Tekiu me meritat e babait të tij, Ahmet Muka, burrë me mend e luftëtar lirie, apo  për gjyshin e tij Osman Muka, Myftiu i Vlorës, në vitet 1920, mbështetës i kësaj epopeje çlirimtare dhe që luftoi me armë në det për të hedhur në det Perandorinë 40 milionë. Dhe për ndihmesën e tij në në çlirimin e Tiranës, ai asnjë fjalë nuk na ka thënë, se ishte tip i veçantë, shumë i thjeshtë dhe i qeshur, shokët na kanë treguar për kontributet e tij në ndihmë të LANÇ, edhe pse shumë i ri. Gjithë familja e tij qe lidhur ngushtë me Luftën dhe shtëpia e tyre qe bazë lufte. Dhe kur pema është e shëndetshme, dardha nën dardhë bie. Komitetit të Veteranëve të Vlorës e kishte një nga anëtarët më dinjitozë për ruajtjen e vlerave të florinjta të LANÇ dhe transmentimin brezave me thjeshtësi e krenari. Xha Teki Muka do të ngelet në kujtesën e shoqërisë si model i veprimtarit të shquar dhe idealist, kryetari historik, vërtet legjendar për veprimtaritë cilësore që kreu në drejtim dhe frymë kolegjialiteti për shoqatën e miqësisë Shqipëri - Kinë, dega Vlorë, shembullore në rang Republike. Veprimtar i shquar shoqëror, duke merituar të gjitha dekoratat, urdhërat e medaljet nga Bashkia dhe Qarku i Vlorës, apo Shoqata Kulturore Atdhetare Mbarëkombëtare “Labëria” , respektin e kishte të shenjtë në jetë, se zemërbadhi qe model i njeriut të punës. Xha Tekiu nuk nderoi vetëm nënë Melon me halle, duke ecur në gjurmët e gjyshit e të babës, por bashkë me mësuese Violetën, vajzën fisnike të Miço Papajanit, familje e njohur me emër të mirë në Vlorë, ndërtuan jetë e 60 vjet shkuan lumturi mbi det me dallgë, furtunë e lule. Bënë dhe dy djem, por Xhili, djali i madh mbeti një lule e pavyshkur përjetësusht 26 vjeçar Prandaj Doni, drita e syrit të xha Tekiut dhe nëna Letës ndjen dy herë dhembje. Le të jetë dy herë krenarë, sepse xha Tekiu qe baba, shok,  mik, vëlla edhe për ne të tjerët, sepse Teki Muka u bë metaforë e sakrificës, sepse Teki Muka qe një nga ata burra që rindërtuan Vlorën e re.

[Fjala e përcjelljes në banesën e fundit, Babicë, Vlora; e shtunë, 25. 06.2016, ora12. 00]



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora