E premte, 19.04.2024, 06:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Sylejman Salihu: Ditari si shprehësi dokumentare

E diele, 26.06.2016, 10:05 AM


Ditari si shprehësi dokumentare

(Abdullah Musliu, Ditar, 1941-1945, Ferizaj, 2016)

Nga Sylejman Salihu

Sapo mbarova së lexuari kujtimet e Abdullah Musliut, ku njoha frymën dhe jetën e tij.Ky njeri idealist , i veçantë në racën e tij dhe në kohën e tij, ishte shpeshherë personazh i bisedave tona në qytetin e Ferizajt dhe duke qenë tepër i përmbajtur në paraqitjet e tij publike, kurrreshtja për ta njohur atë sikur shtohej edhe më shumë .Por ja vjen dita, më në fund, dhe ne e kemi Abdullah Musliun me rrëfimet e tij për luftën, krahu dhe mendja e të cilit kishin lënë gjurmë.Një jetë të tërë në luftë për liri, për atdhe.Sa herë i burgosur, sa herë i liruar dhe prapë i burgosur, e prapë i liruar dhe sërish i burgosur, pambarimisht deri në lirimin e plotë apo të mbetjes gjallë.Dhe sërish kryeneq në idealin e tij, vazhdoi në jetë të kërkojë lirinë e munguar, jo atë personale, por atë kolektive për kombin e tij, për atdheun e tij.Një jetë të tërë nën pranga, një jetë të tërë i përndjekur.Sado ai kishte një besim, megjithatë ai gjithmonë u godit nga zhgënjimet.Që i ri u përball me jetën dhe që i ri hyri në jetë me të gjitha përplasjet dhe goditjet që iu dhanë nga të gjitha anët.Bonjak, pa të atin, ai ishte bonjak edhe pa lirinë e atdheut të tij.Jeta i kërkoi sakrifica , por atdheu dhe liria sikur e deshën në ballë Abdullah Musliun.Dhe ai nuk përtoi.Madje ishte krenar.Mori mbi shpatullat e tij të njoma gjithë atë barrë të rëndë.Bëri ç’iu kërkua, bëri edhe ç’kërkoi vetë.Kishte bërë shkollë në Shkup bashkë me shumë intelektualë të kohës, që për kohën ishte shumë dhe bashkë me shokët e idealeve të tij hyri në rolin që ia diktoi drama e madhe e atdheut.Këtë rol ai e luajti mirë, me pasion, me zemër, me dashuri, me mençuri, me sakrificë.Që kur nisi të bënte flamuj me tush të zi dhe duke prerë kartona me shpendin me dy koka, aq sa prente edhe gishtat me gërshërë,  ai e vazhdoi rrrugën e tij gjithmonë dhe pandalshëm edhe atëherë kur po kthehej kinse në „tokën e lirë“, kur po atë flamur të bërë sërish vetë në Austri, partizani i Jugosllavisë kinse të lirë në Slloveni ia shkeli dhe ia përplasi përtokë, goditje fatale kjo për një atdhetar si Abdullah Musliu.Duke i besuar idealit komunist dhe duke lexuar edhe ato libra që kishte në bibliotekën e Shkupit, tek punonte, ai u mbush me kulturë, ideologji dhe ndjesi komuniste duke shpresuar në teorinë e tij, se popujt pa dallim do të fitojnë lirinë dhe mëvetësinë sociale e nacionale.I shkathtë, me plot elan, me plot ëndrra, por edhe praktik në jetë, ai hyri në të gjitha organizimet politike që koha i kërkoi dhe nuk përtoi të jetë në ballë edhe të ilegales, edhe të flasë përpara tribunave dhe të kërkojë liri për të gjithë popujt, ndaj edhe për popullin e tij.Dhe kjo s’ishte e lehtë.Në Shkup ua mbushi mendjen shqiptarëve se mbi kokat e tyre vihet plisi i lashtë dhe hiqet fesi, kjo leckë e huaj.Madje porositi që qeleshepunuesit të bënin plisa sa më shumë dhe në kohën që Bullgaria kishte pushtuar Shkupin deri në Kaçanik si për inat u shtuan plisat.“Vlojshin tue bisedue afër, të gjithë ishin me plisa të bardhë si bora, por edhe qyteti ishte mbushë me plisa të bardhë“(f.41).Abdullah Musliu e donte hapësirën shqiptare autoktone edhe me simbole autoktone nacionale.Kur qeveria bullgare në Shkup po forcohej, Abdullah Musliu mund ta kishte pisk punën, prandaj niset këmbë për në Kosovë, atje ku i rrihte zemra.Ndalon në Ferizaj.Sheh se si kolonistët serbomalazezë dridheshin dhe frikësoheshin, se e dinin që janë në toka të shqiptarëve, vazhdon me shpërndarjen dhe shumëzimin e flamurit shqiptar, njeh miq të tjerë dhe ndjen frymë të re, se një kinse liri kishin sjellë italianët në vend.“Kosovarët fluturojshin pa krah.Flamujt gjithkund valojshin“(65).Ministri Ernest Koliqi po dërgonte mësues që të hapeshin shkolla dhe kjo i solli shumë të mira Kosovës.Abdullah Musliu e donte popullin e vet të përvuajtur e të robëruar, ndaj edhe luftonte për të, por te Abdullah Musliu nuk mungoi as ndjenja internacionaliste dhe njerëzore, pa dallim racash e nacionalitetesh.Si e dëshmoi këtë?Po, me paraqitje publike demonstroi vlerat e veta.Kur çetnikët serbë kishin masakruar boshnjakët dhe transportimi i tyre kishte ndaluar edhe në Ferizaj, ai me shumë të tjerë i kishin pritë bujarisht sipas zakonit të vendit me bukë e kripë e zemër dhe fjalët në gojë“Rrnofshin vëllaznit muslimanë, mirë se na keni ardhë“(82).Por prapa kësaj lirie të brishtë, fshihej robëria, ndjekja, burgu për të.Dhe vijnë njëra pas tjetrës:burgu, lirimi nga burgu, sërish burgu, kërcimi nga treni, punësimi, aksionet e para partizane etj.Por burgut nuk i ikën dot përsëri.Nga Prishtina, sikur nuk mjaftonte kjo e dërgojnë në Shqipëri, tek e sheh për herë të parë nëpër vrimat e kamionit , që i transportonte të burgosurit “vendin ma të dashun në jetë“(135).Por ai këtë vend e sheh me syrin e një të burgosuri e jo të një njeriu të lirë që e shijon bukurinë e atdheut, sepse Abdullah Musliun me shokë e priste Porto Romano.Aty kampi po ziente nga të burgosurit e lodhur e të rraskapitur.Por Abdullah Musliu edhe aty lëviz gurët e tij.Ideali i çlirimit e çon më tutje drejt organizimit politiko-partiak, sado një zemërim i vjen krejt papritur ëndërrimtarit dhe idealistit komunist.Njëfarë Bari Beu i tha një ditë:“Ne Kosovën nuk e dojmë, Jugosllavisë kemi me ja dhanë bakshish që ta mbaj Kosovën“(177).Ç’mund të ndjente shpirti i luftëtarit teksa dëgjon nga goja e një shqiptari çapaçul këto fjalë vrasëse të stërnipit të Ahmet Zogut? Por ndodh pendesa e të parit dhe i jep zemër që të falë, të dytit.Rruga e krajatave dhe e dritëhijeve të tij vazhdon.Kthimi i sërishëm në Ferizaj dhe dekretimi i tij si kryetar komune në Talinoc i japin vullnet për ta çuar përpara vendin dhe lëvizjen, për të cilën tashmë ishte pjekur edhe më shumë.Në këto ditë formojnë celulën e parë komuniste me Halit Ibishin dhe Tefik Çangën, kapitenin e celulës, patriotin komunist, me ide revolucionare, me të cilin pati një besim dhe një lidhje të fortë politike dhe ideologjike , aq sa flinin edhe bashkë:“„që të dy flejshum në një krevet, hajshim vetëm bukë e qumësht dhe asgja tjetër“(223). Punën e kryetarit e kryen me shumë korrektësi dhe përgjegjësi, duke mos lejuar asnjë formë korrupsioni apo keqpërdorimi dhe duke mbrojtur si internacionalist minoritetin serb kudo që ishte. Por një ditë ndodh gjëma:zihet Tefik Çanga dhe pas shumë torturave edhe pushkatohet.Abdullah Musliut i thyhet njëri krah.Po ai ku mbeti? Ç’mund të bënte?Abdullah Musliu u zu edhe ai me të tjerë dhe e dërguan në llogorin famkeq gjerman të Prishtinës.Pastaj nisja për një rrugë më të gjatë, për në kampin e Mathausenit, afër Vjenës, atje ku „12 krematoriume po punojshin hiq pa pushu“(235)siç shkruan ai në ditarin e tij.Një rrugë e largët, tepër e largët për një atdhetar, se kushedi a do të kthehet më?Atje po vazhdonte tmerri tjetër hitlerian për të gjithë të burgosurit, që ishin grumbulluar gjithandej.Fillojnë goditjet.Shoku i tij i luftës dhe i idealve Halit Ibishi zhduket pa gjurmë, kurse kërkesa e Abdullah Musliut bërë Rexhep Mitrovicës, që po rrinte në hotelin „Grand“në Lluna Park të Vjenës sikur hasi në vesh të shurdhër.Te Abdullahu ndodh zhgënjimi:asnjë mundim për të gjetur gjurmët e shokut të tij komunist, asnjë lëvizje për të ditur për fatin e tij.Pastaj fillon ndryshimi por tmerri rritet.Qielli vjenez mbulohet me aeroplanë anglezë e amerikanë dhe breshëria e bombardimeve godet fuqishëm edhe të pafajshmit, që po silleshin si nëpër ferrin e Dantes.Bombardime dhe bombardime pa fund, për ta goditur fashizmin hitlerian.Plumba dhe bomba binin si shiu.Pastaj ç’mund të thotë ai?“Në qiell as dielli nuk u shifte prej aeroplanëve“, “tue i pa origjinal shtëpitë si bishin, si me qenë prej kartonit“(254).E veç këtyre edhe uria bënte të veten dhe pothuajse nuk iu nda për asnjë moment Abdullah Musliut me shokë, se të gjitha ishin me gramë dhe të peshuara si në peshoren e farmacisë, aq sa barkuriturit detyroheshin të mblidhnin edhe hithra e t’i hanin , madje edhe kur u mungonte kripa.Sa punë të rënda fizike, sa përçmime njerëzore e nacionale përjetoi ai me shokë?Po ç’pati një ushtar gjerman që e kishte goditur pa asnjë pikë faji dhe këtij nuk i kishte mbetur tjetër veçse ta pyeste përse e torturon me fjalët “Warum bitte“(Përse, të lutem), të cilën gjuhë Abdullah Musliu e kishte mësuar në shkollë dhe e fliste mirë.Punë të rënda fizike, bartje kufomash, hapje kanalesh, bartje shinash edhe në të ftohtë sa hekuri u ngjitej për duarsh.Pastaj sa herë nën breshërinë e bombardimeve e kishte parë vdekjen me sy?Apo në një bodrum kur gjatë një bombardimi tmerrësisht të fuqishëm, humbi edhe rrobat e trupit, bashkë me këmishën dhe xhemperin e shokut të tij dhe të idealit , tashmë të pushkatuar, Tefik Çanga.Më në fund sikur shfaqet një dritë në horizont:vijnë brigadat e kuqe ruse, pas një kaosi të madh, dhe fillon shpëtimi i të internuarëve të mbijetuar.Ku do të shkonte ai me shokë?Po ku tjetër veç në vendin e tij.Dhe vjen çasti i lumtur, të ktheheshin , duke pasur një qëllim dhe një ëndërr, që Kosova do t’i takojë Shqipërisë.Sepse edhe vetë e thotë „krejt jetën time prej moshës 10 vjeçare e deri në fund u përpjeka që të realizohet ky ideal shpirtnor“(296).Dhe nis kthimi me tren nga Graci i Austrisë me të vetmën pasuri, flamurin, të cilin e bëri me duart e veta, por kur kalon kufirin jugosllavo-austriak i zbresin nga vagonat dhe atij ia shkelin dhe ia përdhosin flamurin.Ç’mund të ishte kjo për të?Sikur t’ia kishin shkelur zemrën dhe shpirtin vetë atij.Sheh se armiku qenka ende aty tash me emër tjetër, dhe se vetëm uniformat paskan ndryshuar bashkë me gjuhën.Dhe kujt?Internacionalistit proletar, njeriut komunist, që i besoi një utopie, sado ajo utopi nuk do të duhej të ishte.Pastaj herë në këmbë e herë me tren, më në fund arrinë në Shkup me 20 maj 1945.Fatkeqësisht ideali për të cilin ai luftoi nuk eci rrugës së mbarë, se tash vazhduan vuajtje të tjera dhe se kalvari ende nuk kishte marrë fund.E dënojnë me dhjetë vjet burg, se kryengritësi i rebeluar mohoi „parajsën komuniste“ dhe idealet e veta tash i shihte në NDSH-në, e cila udhëhiqej nga burra patriotë, por që u vranë e u shpartalluan nga pushteti i ri që kurrë nuk qe i shqiptarëve.

Kujtimet e Abdullah Musliut janë me interes për memoaristikën shqiptare dhe ndihmojnë për zbardhjen e rrjedhave dhe ngjarjeve historike të LNÇ-së, nëpër të cilat ka kaluar Kosova e atyre viteve.Kolona e gjatë e personazheve dhe bashkëpuntorëve, si edhe e kundërshtarëve dhe armiqëve të tij dhe të popullit të tij është e gjatë dhe mund të shërbejë si burim i ri në fushën e historiografisë krahasuese.Autori herë-herë shfaqet me tone të ngritura dhe emocione të forta, të cilat janë rrezultat i rrethanave nëpër të cilat ai vetë kaloi, por gjithnjë duke bërë përpjekje për të paraqitur objektivisht periudhën kohore për të cilën ai shkruan në kujtimet e veta, sado edhe mund të ketë ndonjë lajthitje, kur jep vlerësime të pabazuara në fakte, mbase të ndikuara për figura të caktuara historike të historisë kombëtare, i prirur si shumë të tjerë t'u besojë thashethemnajave politike të odave të kohës.

Vlen për t’u theksuar se për të parë dritën ky ditar i Abdullah Musliut, meritojnë çdo nderim ruajtësi Hysni Agushi dhe veçanërisht redaktori Haki Shaqiri, i cili i rishkruajti kujtimet dhe i përgatiti për botim, duke dhënë edhe në fusnota shpjegimet eventuale për shumë nga personazhet e përmendur të këtij ditari.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora