Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Përkujtoj mikun e penës Gani Xhafolli

| E diele, 26.06.2016, 12:00 PM |


Reportazh përkujtimor për mikun tim të penës: Gani Xhafolli (1945-2015)

QYSH KA DITUR ME E BË ZOTI KAQ BUKUR SHQIPËRINË

(Shtegëtime poetike nëpër Evropë).

NGA KALOSH ÇELIKU

Motin e Madh (2012), Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, grupi i krijuesve shqiptar nga të gjitha viset shqiptare me ndihmën financiare nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës me në krye Ministrin z. Ibrahim Makolli e gëdhiu me poezi mes bashkatdhetarve në Evropë. Rrugës poetike i printe kryetari i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar z. Reshat Sahitaj.

Ditën e hënë (01.11.2012), herët në mëngjes nëpër një mot me shi nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” fluturuam në qiell. Aeroplani dikur doli mbi mjegulla dhe e pa Diellin. Plot pas tre orëve fluturimi, aeroplani nëpër një mjegull të dendur mezi zbriti në Bruksel. Edhe këtu shi dhe erë hutaçe. Ose, siç këndoi dikur Dervish Shaqa me çifteli: “Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm Dimën...”

Në aeroprtin e Brukselit, kontrolluesi i pasaportave të disa shteteve pyet: Të gjithë jeni shqiptarë?! Po, i përgjigjet Reshati. Jemi nga Shqipëria e coptuar copë-copë: Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe Presheva. Hë për hë, na mungon Çamëria. Polici belg shkund kokën me çudi dhe rrudhë krahët.

Ne pasi i morëm valixhet, në aeroport na pret Gjergj (Qamil) Zekolli, një veprimtar i palodhur për çështjen patriotike shqiptare të Diasporës. I ngarkon valixhet dhe pasi ulemi nëpër karrige, nisemi të vizitojmë simbolin Atomium, në Bruksel. Posa zbritëm nga minibusi, Reshatit iu kujtua se nuk e ka telefonin celular. Me siguri, thotë më ka rënë në aeroport duke marr valixhen. Gjergji (Qamili) me telefonin e tij celular e kërkon numrin e telefonit të Reshatit. Matanë, i përgjigjet zëri i policit të aeroportit: Telefoni është te ne në aeroport, mund të vini dhe ta merrni në çdo kohë. Gani Xhafolli, duke mos e përmbajtur veten ndërhyn në bisedë: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Gjergji (Qamili) niset pas telefonit celular, ndërsa ne nëpër shi vazhdojmë të kërkojmë ndonjë restorant për strehim. Jo larg, pas disa hapave e gjejmë një dhe hyjmë brenda.

Kamarieri, pasi e ka dëgjuar bisedën tonë në gjuhën shqipe na thotë: Mirëse erdhët! Ne, pasi e shikojmë njëri - tjetrin pyesim veten: Edhe ky qënka shqiptar?! Po, përgjigjet kamarieri. Pronari është nga Peja. Në ndërkohë vjen edhe pronari: Urdhëroni vëllezër dhe mirëse keni ardhë! Për çka jeni, porositni edhe drekë, i keni falas nga shtëpia. Jo, i përgjigjemi ne gati njëzëri. Jemi një grupë i krijuesve nga të gjitha viset shqiptare: Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini dhe Presheva. Vetëm për pak kohë ikëm nga shiu dhe e presim një shok, jemi vetëm për kafe. Nuk shkon shumë kohë dhe kamarieri na i sjellë kafetë përpara mbi tavolinë. Në ndërkohë vjen edhe Gjergji (Qamili) me telefonin celular në dorë. Reshati do ti paguaj kafetë. Jo, i përgjigjet pronari, i keni nga shtëpia.

Ne, pasi iu faleminderuam dhe u pershëndetëm dolëm jashtë në oborr.

Shiu, kishte pushuar pak, nuk biente si me shtamba. I bëmë disa fotografi para simbolit Atomium, në Bruksel dhe u nisëm rrugës. Gjergji (Qamili), thotë: Mirë është ta vizitojmë edhe përmendoren e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Bruksel. Patjetër, i përgjigjemi ne, gati njëzëri. Dhe, pas disa minutave, gjëndemi përpara përmendores së Skënderbeut me gjithë shpatë në mes të Brukselit. Edhe këtu, i bëjmë disa fotografi. Dikushi shpreh dëshirën ta vizitojmë edhe Unionin Evropian. Nuk ka problem, përgjigjet Gjergji (Qamili). Nuk është larg nga këtu. Edhe atë, mund ta vizitojmë, bëjmë disa fotografi. Dhe, ende pa përfunduar bisedën, arritëm përpara Unionit Evropian. Vendit historik, ku shumë takime ishin zhvilluar e vendosur para dhe pas Luftës së Kosovës (1999) për çështjen ende të pazgjidhur shqiptare. Edhe këtu, i bëmë krah për krahu disa fotografi.

Reshati, pas gjithë kësaj ngjarje, propozoi që të kthejmë te vajza e tij në Bruksel për një kafe. Nuk ia prishëm dëshirën. Thamë, gati njëzëri: Mundet. Edhe, vazhduam rrugën poetike. Posa arritëm përpara shtëpisë, në derë na priste gati e gjithë familja: Mirëse erdhët! U përshëndetëm dhe hymë brënda në sallonin e pritjes të mysafirëve. Nuk shkoi shumë kohë, erdhi kafja, rakia e rrushit dhe uiski të shoqëruar me meze. Biseda miqësore e ngrohtë familjare u shtrua në sofër. Dikur, zonja e shtëpisë na thirri për drekë. Jo, e kundërshtuam ne gati njëzëri. Drekën e kemi paraparë ta hamë në tjetër vend. Kurrësesi, përsëri ndërhyri zonja e shtëpisë.

Tradita shqiptare është, mikun të mos e lëshojmë pa i shtruar bukë e kripë në sofër. Nuk ngulëm këmbë, shkaku se: të gjithë ishim shqiptarë, i dinim këto zakone brez pas brezi nëpër shekuj.

Pasdite, dolëm nga shtëpia mikpritëse dhe u nisëm drejtë hotelit ku duhej ta kalonim natën. Nesër, sipas programit na priste takimi i parë me bashkatdhetarët. Ashtu të lodhur nga rruga, pasi pushuam pak dolëm të shëtisim nëpër qytet.

Mbrëmjen e shfrytzuam duke vizituar qytetin. Sheshin e Brukselit plot me turistë. Kështjellat e vjetra të ndërtuara para pesë shekujve. Edhe vendbanimin e Viktor Hygos. Para pllakatës përkujtimore të tij, i bëmë edhe disa fotografi. Pak para se të bie mesnata, u nisëm drejtë hotelit. Unë dhe Haxhi Shabani duke kërkuar ndonjë birrë të marrim me vete udhës në dhomë, dalldisëm nëpër dyqane. Përinat tonin, në ballë të çdo dyqani në gjithë lagjen, shkruante “Hallall”. Hoqëm dorë, por tek tashti e pamë se e kishim humbur rrugën. Nuk mundëm kurrësesi ta gjejmë hotelin. Përmëtepër, nuk e dinim edhe si emërohej, në cilën rrugë. E marr Reshatin në telefonin celular, matanë më përgjigjet zëri: Tashti po ta dërgoj me mesazh emrin dhe rrugën e hotelit. Merrni një taksi! Nuk vonoi shumë, dhe erdhi mesazhi. Unë me frëngjishten time të çalë, e pyes kalimtarin e parë, një djalë të ri kalimtar rasti. Për fat tonin, ai e njihte gjuhën frënge. Ja, pas semaforëve, në anën e djathtë është hoteli.

Ecëm. Pas disa metrave, ne u gjëndëm para hotelit. Siç duket, ishim humbur në afërsi, na ishin ngatërruar rrugët.

Ditën e nesërme (02.11.2012), pas mëngjesit në hotel, në mbrëmje na priste aktiviteti latrar. Ora poetike me bashkatdhetarët. Pas shëtitjeve nëpër qytet dhe drekës, pushimit të domosdoshëm, u drejtuam në vendin e aktivitetit tonë latrar. Përçudi, aty i takuam edhe disa miq të vjetër: Agron Shele dhe Gani Azemin, mikun e studimeve në Prishtinë. Orën letrare me bashkatdhetarë e hapi kordinatorja e Shoqatës të Shkrimtarëve të Belgjikës, znj. Shqiponja Duro, e cila e çeli këtë sipar me vargjet e Ali Podrimjes: Kosova është gjaku im që nuk falet… Më shumë se kushdo tjetër të njoh Kosovë… Unë, biri yt etj. Më pas këtë takim poetik e përshëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës Z. Ilir Dugolli. Sipas programit u bë edhe përurimimi i librit “Dhimbë e bukur” (homazh për poetin Ali Podrimja), përgaditur nga autorët Reshat Sahitaj dhe Bagzad Baliu. Në vijim, gjatë kësaj nate lexuan poezi: Bahri Myftari, Gani Xhafolli, Kalosh Çeliku, Haxhi Shabani, Arsim Halili dhe Gjergj (Qamil) Zekolli.

Herët në mëngjes (03.11.2012), përsëri u nisëm për rrugë. Dihet, tashti më të freskët se ditën e djeshme. Përsëri, Gani Xhafolli posa shihte ndonjë vreshtë me rrush, kopsht me pemë, ose ndërtesë, e prishte qetësinë e rrugëtimit: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Ose, kur duhej të hanim drekë: A, prapë me hëngër?! Dada Hajri, pas një rruge kaq të gjatë për në Paris, përsëri e prishi qetësinë: Arritët në vendin e kërkimit. Zbritëm. Përpara nesh qëndronte hoteli “Ibis”. Nuk e di se kush nga ne e pagëzoi si Ibish. Hotel,

për të cilin do të na marr malli edhe në Cyrih të Zvicrës.

Erdhi koha e darkës, të cilën unë nuk e doja që nga koha e studimeve në Prishtinë. Gani Xhafolli, përsëri nuk duroi pa folur: A, prapë me hëngër?! Qeshëm. E gjetëm një restorant në afërsi të hotelit. Dhe, hëngrëm darkë. Pasmesnate, u kthyem në hotel.

Të nesërmen, dolëm nëpër Paris. Haxhi Shabani kishte dëshirë që ta vizitojmë Kullën e Ajfelit. Për mua nuk ishte kutadi çfarë “zbulimi” turistik, unë në Paris kisha qenë në vitet e shtatëdhjeta, falë tim vëllai që punonte dhe jetonte me vite në këtë qytet. Edhe atë, me të vetmin qëllim për të studjuar dhe punuar në Paris.

Përsëri, falë tim vëllai, që e kishte mik profesorin e Serbonës Abaz Ermeni, unë arrita të regjistrohem në atë Universitet. Im vëlla, pasi vetë nuk guxonte të vijë si “armik i shtetit” në Jugosllavi, përsëri vendosi për fatin tim të jetës: Nuk ka nevojë, më tha edhe ti të mbetesh në mërgim. Ne kemi pasuri në Katund. Ende i kemi gjallë Nënën dhe Babain. Patjetër, duhet të kthehesh prapë në vendlindje dhe të regjistrohesh në Universitetin e Prishtinës. Unë do të të mbajë dhe mbulojë shpenzimet e studimeve. Ashtu edhe ndodhi. Unë pas tre muajve, u ktheva në vendlindje dhe vazhdova studimet në Prishtinë. Ndoshta, edhe im vëlla pati të drejtë në atë kohë.

Ku ta di. E ka paraparë rrezikun, që unë si i ri mund të mbetem përgjithmonë në Paris. Megjithatë, tashti e shoh se mua nuk më doli keq të punoj, jetoj dhe korr suksese letrare edhe në vendlidje. Edhe pse, gjithë jetën e kalova në rrezik, eca tehut të thikës me dy të preme para syve të Qoftëlargut.

Lexues i nderuar, kërkoj falje që të largova pak nga qëllimi i këtij reportazhi letrar. Vështirë e kam, të kaloj shkel e shko mbi ato ditë të vështira që nga truri im nuk fshihen kurrë, gjithë jetën deri në vdekje. Kohë qorre, kur nateditë më rrinte një tokmak mbi kokë. Prandaj, le të kthehemi te vizita e Kullës së Ajfelit. Pajtohemi me propozimin e Haxhi Shabanit. Edhe, hymë në rreshtin e gjatë që priste për buleta. Dikur, nga mesi i rreshtit gjatë, kur pamë se duhet përsëri të presim me orë të hipim në ashensor, pastaj përsëri të presim radhën për të zbritur poshtë, u nervozuam dhe dolëm nga rreshti. U pajtuam me fatin, i bëmë vetëm disa fotografi përpara Kullës së Ajfelit.

Në mbrëmje erdhëm në lokalet e redaksisë së revistës letrare “LEksprit”, një ambient i bukur mes librash e revistash, në prani të filozofëve dhe poetëve francez ku marrin pjesë Olivier Mongin, drejtor i revistës, Antoin Garapon, Akademiku prof Dr Daniel Leuëers dhe shkrimtarë të tjerë francez e shqiptar, nën përkujdesjen e z. Musa Jupolli dhe përfaqësuesve të ambasadës së Kosovës në Francë, dhe konsullit Kadri Dadakaj. Edhe këtu bëhet përurimi i librit “Dhimbë e bukur”, përgaditur nga Reshat Sahitaj dhe Begzad Baliu dhe librit me poezi të zgjedhura “Jam Mbret i vogël” nga poeti Gani Xhafolli i përkthyer në gjuhën frënge.

Orën letrare e hapi Gjergj (Qamil) Zekolli dhe ia dha fjalën z. Oliver Mongin. Që, përçudi gjatë gjithë kohës nuk e di pse, ai përpiqej që Ali Podrimjen ta paraqes si poet nacionalist. E, në realitet ishte e kundërta. Ali Podrimja kulminacionin e tij artistik e arriti me librin e tij “Lum Lumi”, që nuk kishte të bëjë fare me nacionalizmin shqiptar. Tekefundit, pa qenë nacionalist, nuk mund të jesh internacionalist. Reshat Sahitaj reagoi në këtë moskuptim për poetin Ali Podrimja.

Dita tjetër (05.11.12), na gjeti në rrugë për në Berlin. Qytetin e dikurshëm historik, të ndarë në dy pjesë nga Lufta e Dytë Botërore. Dada Hajri, siç i thoshte Gjergji (Qamili) rrëfyeses së rrugës në minibus për në Berlin, dalëngadalë na afronte drejtë këtij qyteti.

Dada Hajri, pas një heshtje të gjatë e prishi qetësinë në gjuhën frënge: Arritët në Berlin. Ndonjërit nga ne, edhe ia prishi gjumin. Majtas. Djathtas. Rrugës drejtë. Dikur, tashti keni arritur në vendin e kërkuar, në oborr të restorantit “ La Gondola due” të djalit të Gani Xhafollit, Fatos Xhafolli.

Zbresim, djali i Ganiut - Fatosi bashkë me të shoqen na dëshirojnë mirëseardhje. Ganimetja, na e tregon vendin e rezervuar apostafat për ne si mysafirë. Urdhëroni, uluni! Kamarieri, pa vonuar me një shqipe të pastër na pyet: Çka dëshironi për të pi? Dikushi i përgjigjet kafe. Tjetri ujë të gazuar. i treti, raki rrushi. Unë, duke ia ditur vlerat e arrira birrës gjermane, një birrë. Gjergji (Qamili), porositi një shishe verë.

Dikur, na u shtrua edhe darka e pasur shqiptare. Unë, si joadhurues i darkës, kësaj radhe e prisha përbetimin. Lexuesi shqiptar, me siguri e di dhe ka lexuar ose dëgjuar se si, gjatë Mbrëmjeve të Poezisë Strugane, unë e kam shitur darkën për një birrë. I thashë vetes: Gjatë këtyre ditëve duhet prishur rregullat e organizmit. Përpiqesha tju ikë darkave, por e kisha vështirë mes kësaj begatie: rakisë së rrushit, birrës dhe verës. Ose, siç thoshte shpesh Gani Xhafolli: Qysh ka ditur me i bë Zoti kaq bukur?!

Natën e kaluam në periferi të qytetit. Qetësi e tmerrshme, mes zogjëve dhe gjelbërimit. Vërtet, si poetë kishim pasur nevojë për një ikje të këtillë nga “Liria”, larg nga zhurma e makinave. Ose, siç më ka mbetur ende në kokë një varg i Rilindasve: Larg rrëmujës, larg rrëmetit. Politika ditore. Ajëri i ndytë, që na ngulfatëte përditë mes mureve, na e zinte frymën. I hapa dritaret krah më krah. I bërtita qiellit dhe u ngopa me ajër, gjelbërim përpara syve. Fuqi të Zanave të maleve tona për këtë reportazh latrar.

Në mbrëmje, (06.11.2012) e gjetëm veten përpara bashkatdhetarve tanë në një ambient tipik shqiptar, “Oda shqiptare”, ku në ballë të oxhakut rrinin krah për krahu Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. Mes tyre flamuri kuqezi kombëtar shqiptar. Rreth tyre Ismail Qemali me Rilindasit shqiptar. Vërtet, një ambient i bukur i odave tona shqiptare. Në këtë Orë letrare morën pjesë edhe

Islam Spahiu, këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Kosovë Mula, i cili ishte vazhdimisht në bashkëshoqërimin tonë me përkrahjen e tij të parezervë. Edhe këtu, lexuam poezi për Atdheun. Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë. Aktivitetit tonë kulturor i bashkangjitet edhe grupi i këngëtarve të “Odës Shqiptare” me çifteli.

Darkën, atë natë e hëngrëm te restoranti “Nouva Maria”, në Berlin. Djalit tjetër të Gani Xhafollit, Labinot Xhafolli.

Ditën tjetër (07.11.2012) u ndalëm në Qendrën Kulturore Shqiptare të Shtutgardit. Takimin poetik e hapi moderatorja Gjyla Leci, sekretare e QKSH të Shtutgardit. Më vonë, ajo ftoi Vitor Spaqin, kryetar i Qendrës Kulturore Shqiptare të Shtutgardit për fjalën e rastit. Reshat Sahitaj përshëndeti të pranishmit e kësaj Ore letrare duke faleminderuar ish ambasadorin e Kosovës zotin Vitor Spaqin dhe Vilson Mirditën, që ishin si iniciatorë të organizimit të kësaj ore letrare. Poezi lexuan edhe krijuesit nga Shtutgardi: Miradije Gashi, Miriman Bajraktari, Asllan Dibrani, Asllan Koqinaj, Zef Preka, Zeqir Asllani, Ndue Lekaj dhe Sulejman Lulaj. Aktiviteti letrar i radhës (08.11.20120), na thërret në Gjenevë. Rruga e gjatë me qindra kilometra na lodhi shumë atë ditë. E sidomos shoferin tonë, Gjergj (Qamil) Zekollin. Më kot, Gani Xhafolli përpiqej të na e përzë lodhjen me atë fjalinë e tij të zakonshme: Qysh ka ditur me e bë Zoti këtë ndërtesë, këtë rrugë, këtë urë, këtë fushë, këtë mal, këtë dru, këtë përmendore... kaq bukur.

Rrugës u detyruam të ndalemi disa herë për pushim, një kafe. Lodhja e kishte bërë moti të veten si rrugaçe. Përsëri rrugë e gjatë për në Gjenevë. Herë pas here Reshat Sahitaj dhe Gjergji (Qamili) kontaktonin me telefon. E kërkonin adresën e hotelit ku do ta kalonim natën. Sipas bisedës së tyre përmendej shpesh emri i Abdyl Gërvallës, të vëllait të Jusuf Gërvallës. Matanë u përgjigjej Abdyli se hotelin e vendosjes e kemi matanë kufirit të Zvicrës, në territorin e Francës. Nuk prish punë, i përgjigjej Gjergji (Qamili), na e dërgo adresën e saktë të hotelit. E kemi afër Gjenevën.

Arritët në vendin e dëshiruar, na thotë Dada Hajri. Posa zbritëm, erdhi edhe Abdyli. Pasi u përshëndetëm, u vendosëm në hotel ta kalojmë natën. Gani Xhafolli, përsëri nuk duroi pa folur: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Ne, si zakonisht ashtu të lodhur e rraskapitur edhe kësaj radhe qeshëm.

Dita e nesërme (09.11.2012), si gjithë të tjerat erdhi te pragu i derës. Ne, pas mëngjesit, drekës dhe vizitës të Gjenevës nëpër shi na priste aktiviteti kulturor i radhës. Abdyli nga makina përpiqet të na tregoj përmendoren e Skënderbeut, karrigen me tre këmbë, institucione të rëndësishme në Gjenevë. Në fund, për ti ikur shiut gjejmë një strehim në një restorant për kafe. Kamarierja zezake si flutur arrin para nesh me listën e pijeve dhe ushqimeve. Gani Xhafolli, kësaj radhe e ka vështirë të mos flasë para bukurisë së zezë: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Kamarierja, nuk e di a e kuptoi gjuhën e

Gani Xhafollit, megjithatë buzëqeshi ëmbël dhe iku pas porosive. E Ganiu, vazhdoi me ato shprehjet e tia të zakonshme: A, prapë me hëngër?!

Në Gjenevë arritëm te vëndi i dëshiruar, kështu na tha Dada Hajri: Universiteti Popullor i Gjenevës. Në këtë takim kulturor morën pjesë edhe shkrimtarë, veprimtarë, studentë që jetojnë në Zvicër, si dhe kordinatorja e Universitetit Popullor të Gjenevës, Albana Krasniqi - Malaj.

Natën e radhës, u strehuam te “Ibishi”, siç e kishim pagëzuar në Paris. Ora letrare (10.11.2012) u mbajtë në lokalet e Bibliotekës Pestaloci të Cyrihut, ku e drejtonte një shqiptare nga Shqipëria, Suela Jorganqi. Edhe këtu, plot të njohur e të panjohur shqiptar: Ajmane Veseli, zëvëndëskonsull në Konsullatën e Kosovës në Cyrih i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mysafirve mirëseardhje. Poezi përveç mysafirve, lexuan: Shaip Beqiri, Bujar Salihu dhe një strugane nga Ladorishti që recitoi poezi patriotike. Edhe këtu lexuam poezi, dhe dhuruam libra për bibliotekën. Edhe u fotografuam së bashku mes librave. Në fund, u interesuam të kërkojmë ndonjë restorant për darkë. Vështirë e ke në orët e vona të gjesh restorant të hapur në këtë kohë. E sidomos për ne, që nuk e njihnim gjithaq mirë qytetin. Dikush propozoi të shkojmë për darkë te stacioni i trenit. Jo, ndërhyra unë, a ka ndonjë rstorant turku në këtë qytet? Po, sa të duash u përgjigjë njëri nga nikoqirët. Po, të duash ka edhe kinez. Mirë, ndërhyri Reshati, shkojmë te restoranti i turkut. U nisëm, ata para, ne përmbrapa tyre me minibus.

Arritëm, tha Gjergji (Qamili). Turku na priti te dera me një “bojrum”. Unë posa hyra, i hodha sytë te banaku, vallë mos këtu ka ndryshime nuk është si në Gjermani. Sytë mi zunë shishet e rakisë rrushit, verës, uiskit dhe të birrave. Urdhëroni, mu drejtua mua turku sipas radhës? Një birrë “hallall”, i përgjigjem unë. Ti, i drejtohet Gani Xhafollit: një ujë të gazuar! Ëhë, “haram”, buzëqesh turku. Ti, një shishe verë i përgjigjet Gjergji (Qamili). “Hallall”, e plotëson turku. Ti, e pyet Arsimin? Një ujë bunari. “Haram”, i përgjigjet turku. Dhe, pas darke, u nisëm për në hotel te “Ibishi”. Meqenëse orari këtij hoteli mi përkujtonte vitet e studimeve në Prishtinë, fjeta në shtratin e katit të dytë, ndërsa Gani Xhafolli poshtë, në të parin.

Ditën tjetër të nesërme (11.11.2012) përsëri na priste rrugë e gjatë për në Milano. Gjergji (Qamili) gjatë rrugës na e bënë me dije se e kemi arritur gjashtëmijë kilometrin nëpër Evropë. Duatrokasim. Përgëzime. Rrugës plot male. Ujëvare. Shtëpi malore. Erë dhe shi. Tunele të gjatë me kilometra, që na qesin matanë malit me borë. Gani Xhafolli, përsëri nuk mund ta përmbaj veten: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?!...

Dada Hajri na e bën me dije se arritëm në Milano. Reshati dhe Gjergji (Qamili) përsëri bisedojnë me telefona celular: Si, nuk mund të organizohet në Milano?! Mezi vjen zëri matanë deri tek ne, ka dështuar organizimi. Në rregull, përgjigjet Reshati. Ditën e mirë! Jepi minubusit i thotë Gjergjit (Qamilit) për në Bolonjë! Rrugës e merr në telefon edhe një mik të një shoqate atdhetare Zenel Bytyçi. Ai matanë valëve, i përgjigjet: Mirëse vini në Reggio Emilia! Ju presim, ne do ta organizojmë Orën letrare në hotelin “Evropa”. Edhe hotelin ku do të vendoseni ta kaloni natën do tjua dërgojmë adresën me mesazh. Gjergji (Qamili) pothuajse fluturon rrugës nga gëzimi me minibus që më në fund u zgjidhë problemi. Në ndërkohë arriti edhe mesazhi, adresa e hotelit. Gjergji (Qamili) ia bën me dije adresën Dadës Hajri. E pranova, i përgjigjet Dada Hajri. Dalëngadalë i afrohemi dhe i largohemi detit. Shtëpi dhe kopshte me pemë. Ara të mbjellura me grurë. Gani Xhafolli i shikon nëpër dritare dhe pshertinë: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?! Papritmas, Dada Hajri me zërin e saj të ëmbël na nxjerrë nga kjo bukuri natyrore: Arritët në vendin e dëshiruar. Parajsë, bërtet nga gëzimi Gani Xhafolli.

Në mbrëmje, në hotel vjen një djal i ri me shokë. Përqafe e ka një shall të kuq - flamur me shqiponjën dykrenare kuqezi. Anësh shallit, shkruan ALBANIA. Edhe kapsen e rripit e ka kuqezi. Unazën në gisht. Gjergji (Qamili) na prezenton me djaloshin nga Shqipëria dhe shokët nga Kosova. Djaloshi mësojmë se e ka emrin Klodian Capa. E ka të kryer edhe një shkollë fetare. I përket fesë islame. Dikur, Klodiani na pyet se çka do të pimë? Një raki rrushi, i përgjigjem unë. Një ujë të gazuar, Ganiu. Një shishe verë, i përgjigjet Gjergji (Qamili). Ti, i drejtohet Atdheut (Bahriut)? Edhe unë një shishe verë…

Ditën e radhës (12.11.2012), Gjergji (Qamili) e porositi Dadën Hajri për të na përcjellë deri te hoteli “Evropa”. Dada Hajri e pranoi porosinë. Dhe, u nisëm rrugës. Majtas. Djathtas. Rrugës drejtë. Arritët përpara hotolit Evropa, tha Dada Hajri. Zbritëm dhe hymë brenda. Klodiani me shokë na priste në korridor. Pas pak kohe erdhën edhe bashkatdhetarët me gjithë familje. Përdallim, nga takimet tjera, kësaj radhe kishim edhe fëmijë. Përçudi, si i kishim harruar gjeneratën e ardhshme të Atdheut edhe në vendlindje, edhe në megrim. Salla u mbush plot e përplot me dashamirë të fjalës poetike. Dikushi mbeti në korridor për ta përcjellur Orën letrare. Mbrëmjen e nderoi edhe prania e mikut të shqiptarve, poeti italian Michele San Pietro që e fliste bukur gjuhën shqipe. Një plak me kësulë të bardhë në kokë e shkopin me kërrabë ishte ulur në rendin e parë. Fëmijët e hapën Orën letrare me poezi përkushtuar Atdheut. Njëri pas tjetrit lexuan edhe poetët. Gani Xhafolli me poezinë e tij “Kush” duke shëtitur nëpër sallë herë pas here i drjetoheshte plakut, të cilit lotët i rridhnin rrëke faqeve nga përmallimi për Kosovën.

Përsëri, e nesërmja (13.11. 2012) na gjeti në rrugë. Përdallim, kësaj radhe për në Bari. Gani Xhafolli për çdo shtëpi, kopsht, arë… vazhdonte me atë të tijën: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq të bukur?! Edhe, më në fund arritëm në portin e Barit. Në çdo anë dëgjoje fjalë shqipe. Vetja të dukej se je në Shqipëri.

Anije dhe tragetë pranë portit. Gani Xhafolli, përsëri i mahnitur me madhështinë e tyre ngjalli bisedën: Qysh ka ditur me i bë Zoti kaq bukur?! E sidomos, kur filluan të hyjnë makinat dhe kamionët e ngarkuar me mallëra dhe makina në traget.

Valixhet i lamë nëpër dhoma dhe zbritëm në rastorant për të hëngër darkë. Secili mori sipas dëshirës së vet, unë edhe një birrë. Reshati si gjithmonë e kishte me vete shishen e “ujit”. Atdheu (Bahriu) me Gjergjin (Qamilin) kishin marrë nga një shishe me verë. Edhe e shtruam darkën mbretërore si në katund. Dikur, pas nisjes së anijes vendosëm të shkojmë të flejmë pak, që të nesërmen ta shohim lindjen e diellit.

Herët në mëngjes (14.11.2012), Reshati na troki në derë: Zgjohuni “ushtri”, lindi Dielli! Unë u ngrita përgjumshëm dhe mezi zbrita nga shtrati në dy kat. Gani Xhafolli, edhe ai u ngritë pas meje. Njëri pas tjetrit dolëm në verandën e anijes. Dielli kishte lindur mbi det. Bukuri e hatashme. I bëmë së bashku edhe disa fotografi. Gani Xhafolli bërtiti nga gëzimi: Qysh ka ditur me e bë Zoti kaq bukur?!

Zëdhënsja paralajmëroi se arritëm në Durrës. I morëm valixhet dhe zbritëm shkallëve për te minibusi në parking. Mezi dolëm jashtë në portin e Durrësit. Gjergji e hapi dritaren për ti rrëfyer pasaportat duke mos prituar të flasë si zakonisht me policët: Jemi një grup poetësh, gjithësjetë shtatë veta nga të gjitha viset shqiptare. Vijmë nga Evropa me pesë-gjashtë pasaporta të ndryshëm në Shqipëri.

Polici, pasi i kontrollon pasaportat ia kthen duke i dëshiruar rrugë të mbarë. Rrugës nëpër Durrës, përshëndetemi dhe përqafohemi me Atdheun siç e thirrte Ganiu, Bahri Myftarin duke e lënë pranë stacionit të autobusëve për në Tiranë. Ne vazhdojmë rrugën për në Morinë drejtë Prishtinës me atë thënjen e zakonshme të Gani Xhafollit posa shihte ndonjë mal, fushë, shtëpi, kopshtë me pemë, lumë, ujëvarë mali ose liqe, po kësaj radhe pak më ndryshe: Qysh ka ditur Zoti me e bë kaq bukur Shqipërinë...

Gani Xhafolli i thelluar në mendime tek Rrapi i shtrirë mbi liqe, në Paris.

Gani Xhafolli dhe Gjergj (Qamil) Zekolli tek restoranti i turkut, në Cyrih.

Gani Xhafolli dhe Reshat Sahitaj nga Bari (Itali), matanë detit e Përshëndesin Shqipërinë.

Haxhi Shabani duke fotografuar Gani Xhafollin i cili kthehet me traget nga Bari (Itali) për në Durrës (Shqiperi).

Gani Xhafolli hapë Ekspozitën e Vesel Xhaferrit – Çeliku në Shtëpinë e Artit, mes maleve në Kërçovë.