E enjte, 28.03.2024, 06:28 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Përmbysje iluzionesh

E diele, 26.06.2016, 07:54 AM


Përmbysje iluzionesh

Romani  "Përtej iluzioneve" të Hatem  Dervishaj

(ese)

Nga Përparim Hysi

Kur marr të shkruaj për  romanin e  Hatem Dervishajt, fare rastësisht buza më shkon vesh më vesh, se, tek mendoj për Hatemin si shkrimtar, nuk di që më shkon mendja tek një pasazh nga "Milosao" i De Radës. Ka ardhur Milosao në fshat dhe në krua takon Rinën dhe, pak a shumë, shkëmbejnë ca replika që, për një kujtesë shterpë si imja, po i "banalizoj" paksa:- Bil, e kujt je ti, moj  vashë?

-Jam e bija e Kallogresë (uli  ballin e zbardhuar)

-Në katundin tonë vashat nuk  i gjeje kaq të hijshme...

Epo  analogjitë nuk janë kurrë të qëlluara dhe, domosdo, kështu ngjet dhe në njohjen e dikurshme me Hatemin dhe me"njohjen" krejt tjetër tani.

Hatem Dervishaj është fierak si dhe unë. Kemi mbi dyzet vjet që njihemi: ai ekonomist dhe unë mësues. Ky është statusi ynë dhe, sado me profesione të ndryshme, kemi qenë dashamirë me njëri- tjetrin.  Në përmbysjen e madhe të sistemit, Hatemi punoi përsëri si ekonomist apo dhe si titullar në zyrat e pushtetit postdemokraci.

Të dy emigruam në Amerikë: unë në vitin 2000 dhe ai në vitin 2002. Ai në Filadelfja ( mes shqiptarësh, quhet Fila-Fieri,se ka më shumë fierakë se kudo në Amerikë) dhe unë në Florida. Natyrisht, si miq që  qemë, bënim telefonata me njëri- tjetrin.

Unë u ktheva përgjithmonë në Shqipëri qysh në vitin 2012 dhe Hatemi është ende atje. Tani ku është "analogjia" këtu?

*   *  *

Analogjia është në faktin shumë domethënës: Hatem Dervishaj tani është  bërë shkrimtar. Është bërë shkrimtar dhe jo do si do, por nga ata lloj shkrimtarësh që lëvron gjininë më të vështirë, siç është romani. Ma dërgoi romanin e tij dhe, nën impresionet e këtij romani dhe po shkruaj.

Sa e lexova romanin dhe, në po shkruaj flakë për flakë për të, kam arsye. Së pari, më erdhi jashtëzakonisht mirë që hasa në një Hatem-shkrimtar, por mbresa më e fortë që më shtyu të shkruaj, është fakti shumë kokëfortë: unë nuk e kam njohur Hatemin. Ose, për të qenë më afër të vërtetës, e kam njohur ashtu me atë profilin fizik dhe aq. Po kur lexon këtë roman (ai ka botuar dhe vëllimin me tregime "Heremiti"), më del një Hatem krejt tjetër. Një Hatem që veç ekonomistit di të bëjë letërsi, po se po, por Hatemi përmjet romanit të çudit me dijet e tij në fusha të ndryshme: në roman nuk është vetëm shkrimtari Hatem Dervishaj, por dhe historiani dhe gjeografi i saktë. Lexon romanin dhe, nëse të duhen të dhëna nga fusha e historisë  të qyteteve si Athina apo krahina si Kreta, i ke aty me aq saktësi,sa nuk ke pse kërkon dëshmi të tjera. Po kështu në faqet e romanit gjen një"guidë" të vërtetë për qytete greke dhe të duket sikur ke përpara një topograf që ta jep planimetrinë (ajo që në gjuhën militare quhet të dhëna "taktiko-teknike"), pa gabuar asnjë fije. Por dhe më tej: në faqet e romanit Hatemi del si njohës i mirë i letërsisë, por ajo që më çudit dhe më tepër është dhe një fakt tjetër: ka dije të sakta në art, po se po, po deri në fushën e muzikës, ku përmjet personazheve të vetë, lakohen pjesë klasike apo kompozime të zërave me emër në fushën e muzikës,si: Wagner, List, Shopen apo dhe ndonjë tjetër. Duke bërë vetëm një vështrim  panoramik të romanit, autori Hatem Dervishaj, tregon se është një intelektual që shuan pasionin e tij në shumë fusha dhe, kësisoj, bëhet i bukur dhe impresionues.

*      *      *

Romani "Përtej iluzioneve" bën anamnezën e kohës sonë:postdemokraci. Kur them kështu, për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin: autori ka bërë autopsinë e Shqipërisë në këtë tranzicion. Figurativisht, po ta emërtosh Shqipërinë si një trup anatomik, autori ka marrë bisturinë dhe me këtë "bisturi" në dorë ka bërë diseksionin e këtij trupi. Në  anamnezën e përgjithshme, trupi i shoqërisë shqiptare është jo vetëm i sëmurë, por dhe ca më tepër: ka gjurmë metastazash kanceroze.

Sado larg vendit të tij, Hatem Dervishaj është aq afër sa di të vëjë dorën mbi këto plagë.

Prona që nuk shkoi asnjëherë tek i zoti. Emigracioni që po grryen vendin. Korrupsioni sheshit. Fuqia që vjen prej hajdutllëkut, sheshit. Krimi që bën ligjin. Karshillëku i drejtësisë. Pushteti- ortak me krimin. Por, vallë ç' mund të thuhem më tepër në një libër?

Natyrisht, kur flas për Hatemin si shkrimtar, s'kam  si mos të them një fakt shumë sinjifikativ: emigracioni është kobi që vrau jo vetëm ekonomikisht vendin, por vrau moralisht dhjetra familje shqiptare. Drama e Besmirës me Rolandin nuk është e vetme. Është shumë domethënëse dhe lupa vëzhguese e shkrimtarit ka ditur ta nxjerrë më në relief si një dëshmi të dhimbshme.

Sokolët (gogolët) janë "kapot" e krimit, të ngritur nga hiçi dhe, pse metastazat i kanë shtrirë deri në pushtet ( Funksionari i lartë), atëherë shoqëria, me të vërtetë, është e rrezikuar.

Tek e lexon romanin, të duket se autori nuk është në Amerikën e largët, po është aty, pas derës dhe vëzhgon. Si emigrant, autori, është ai,Ali Pash Tepelena, që muza popullore i këndon:" Koka në Stamboll/trupi në Janinë/. Hatem Dervishaj me trup është atje, në Fila-Fierin e largët, por me shpirt ( me kokë) është në Shqipëri.

Jeton dhe përjeton çdo ditë me hallet e Shqipërisë. I dhëmb shpirti dhe, tek shkruan, nuk është ai snobi që thotë: nuk ka  se ç' më duhet mua, por, përkundrazi, ngre zërin dhe akuzon. Ky qëndrim prej intektuali aktiv ia bën karizmën më të bukur.

*     *    *

Tek i bëj një vështrim të përgjithshëm romanit të Hatem Dervishajt, s'kam se si mos kujtoj atë që thotë Volteri diku:-  Vendlindja, vendi ku robërohesh shpesh. Pastaj,sa më shumë hyj nëpër faqet e romanit, aq më shumë njoh tipa dhe karaktere të ndryshme.

Mund të thosha e thosha plot fjalë për Hatem Dervishaj që "njoh" tani. Duke u marrë me krijimtari letrare, ai jep një kontribut me vlerë dhe ka bërë atë që thotë DE SAINT  EXUPERY:- Jeta ka kuptim, vetëm në e shkëmben atë nga dita në ditë me diçka tjetër. Hatem Dervishaj e ka bërë atë dhe e ka bërë aq mirë, sa nuk ke se si mos e vëlerësosh.

Këtij, Hatem Dervishajt, nuk guxon t'i thuash atë shprehjen proverbiale: " Këpucar, shiko këpucën!", por, përkundrazi, ai duhet përshëndetur dhe inkurajuar me ato fjalët që thuhen për krijuesit:- Të lumtë mendja dhe pena!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora