E premte, 29.03.2024, 09:28 AM (GMT)

Kulturë

Anton Marku: Ura

E marte, 21.06.2016, 06:54 PM


Anton Marku

Ura

U takoj atyre njerëzve që besonin se diçka e tillë nuk do të mund të ndodhte asnjëherë. Deri sa ndodhi.

Pak pas mesnatës u dëgjua një shpërthim i fuqishëm që dridhi dritaret e shtëpive të lagjes. Ura mbi lumin e fshatit ishte hedhur në erë. Pas katër muajve të kaluara në atmosferë lufte, frika tek banorët ishte aq e madhe sa që askush nuk mori guximin të dilte jashtë. Tek të nesërmen në mëngjes njerëzit panë se si copat e gurëve, betonit dhe hekurit ishin shpërndarë përreth. Vetem tre këmbët e asaj, për të cilën thuhej se ishte dy shekuj e vjetër, dukeshin pak mbi ujin e lumit që ecte rrëmbyeshëm. Në mesditë aty u mblodhën të gjithë. Të rrallë ishin ata që nuk qanë. Qava dhe unë.

*****

Thuhet se banorët e parë që kishin ardhur në këtë fshat, e kjo duhej të kishte qenë shumë kohë më parë, ishin disa barinj që bartnin kapela të bardha. Ata ishin vënë në kërkim të kullosave të reja për bagëtinë e tyre. Livadhet e pasura me bar, burimet nga bjeshka e afërt dhe mali përskaj luginës duket të kenë qenë ato që ata kërkonin. Nuk shkoi gjatë dhe në fshat u ndërtua shtëpia e parë nga balta, pastja e dyta. Më pas të tjerat. Gojëdhëna thotë se kur fshati kishte tashmë tridhjetë shtëpi, aty erdhën disa njerëz të tjerë, që flisnin një gjuhë ndryshe. Këta u vendosën në anën e poshtme të lumit. Duke qenë muratorë të aftë shumë shpejt fituan simpatinë e vendasve. Tani muret e shtëpive bëheshin nga dheu i pjekur. Në fillim gjuhë të përbashkët kishin atë të pushtuesit, i cili kishtë rrënjët andej detit. Pas tyre në fshat erdhën edhe disa familje rome. Të fundit aty u vendosën një grup hebrenjësh, që si tregtarë të shkathtë që ishin, u kthyen në kastën më të lartë të fshatit. Këta të fundit u përzien disi: disa filluan të jetonin në pjesën e epërme e ca në të ulët të fshatit. Duke jetuar pranë e pranë fshatarët nisën të mësonin gjuhën e njëri-tjetrit, të ndihmoheshin dhe të ndanin bashkë gëzimet dhe pikëllimin.

Në fillim lumi kalohej nga një anë në tjetrën mbi drunjët e gjatë të pishës lidhur me litarë të trashë, që fshatarët i vendosën bashkërisht. Gjerësia e saj nuk i kalonte katër metra dhe mbi të nuk mund të kalohej me pesha të rënda. Një ditë kryeplaku i parë i fshatit i ftoi në një takim kryefamiljarët e familjeve më të mëdha dhe aty u mor vendimi që të ngrihej ura e gurit. Tregtarët ofruan para për materialin e hekurit, muratorët bënë punën e tyre pa pagesë, ndërsa blegtorët siguruan ushimin tërë kohën sa zgjati ndërtimi i urës. Edhe familjet rome ndihmuan në ndërtim. Ditën që mbi të kaloi qerrja e parë me kuaj ishte bërë festë e madhe në fshat. Si asnjëherë më parë.

Derisa në pjesët tjera të gadishullit luftërat vazhdonin, ura bëri që të rritej qarkullimi i njerëzve dhe mallërave nga të gjitha anët. Në fshat filluan të vinin misionarë të feve të ndryshme. Nuk kaluan  shumë vite dhe në fshat u ndërtuan një xhami, një kishë dhe një sinagogë. Kjo bëri që varret e fshatit, që deri atëherë ishin të përbashkëta, të ndahen. Secili zhvarrosi të vdekurit e tij dhe i zhvendosi nga aty. Aty ku dikur ishin varrezat doli bar i egër dhe askush nuk donte të kalonte më  andejpari.

*****

Një shekull e gjysmë pas ndërtimit, ura ende qëndronte në këmbë. Pushtuesi nga lindja kishte kohë që kishte ikur. Tash një luftë tjetër, më e madhja deri atëherë, ishte fituar nga partizanët. Në radhët e tyre kishte luftuar pothuajse i gjithë fshati, edhe pse kishte pasur dhe të tillë që nuk ju gëzuan ardhjes së një regjimi të ri, për ta po ashtu pushtues. Dhe po nga lindja. Pak me forcë e diku nga bindja bashkëjetesa në fshat vazhdoi deri sa në krye të shtetit ishte një gjeneral. Pas vdekjes së tij, nëpër fshat filluan të shpërndahen thashethëme se shteti i madh do të shpërbëhet, ndërsa të gjithë duhet të marrin nga një pjesë të tij. Atë që i takon secilit. Në këtë mënyrë fshati filloi përgaditjet për një luftë tjetër. E atë do te mund ta fitonte ajo palë e cila e para do të fuste nën kontroll urën që ndante fshatin në mes.

*****

Banorët e fshatit nuk mund të flinin më të qetë. Frika i mbante zgjuar. Edhe pse shumë e menduan asnjëri nuk e lëshoi fshatin. Duke dashur që të evitonin rrugën që shpiente nga ura, kalonin javë të tëra që ata, fqinjtë e parë, nuk po takoheshin me sy. Edhe atëherë kur përshëndetja dhe biseda ishin të pashmangshme, ajo nuk zgjaste më shunë se pak minuta, që asesi të kalonin. Ajo për çka flisnin ishte kryesisht moti i keq që kishte marrë atë pranverë. Duket se ishin të bindur se në këto kohëra ishte më mirë nëse disa gjera do të mbeteshin të pathëna. Në ato momente ata nuk mund ta dinin se historia e urës do të bëhej historia e tyre.

Në ditët e para të luftës, e cila tashmë kishte shpërthyer në fshatrat përreth, vetëm qentë kalonin lirshëm nga njëra anë e urës në tjetrën. Ata as që i vërente kush. Si dhe më parë. Ç’është e vërtetë, mbi të kalonin ndonjëherë edhe disa të çmendur të fshatit, të cilët ishin shtuar ditëve të fundit. Duket se ata nuk heqnin dorë aq lehtë nga pjesa tjetër e njerëzimit. Ndodhte që ndonjëri prej tyre ndalej mu në mes të urës dhe qeshte me zë të lartë me marrëzitë e të atyre që besonin se ishin të shëndoshë. Sidoqoftë, ata nuk llogariteshin si të rrezikshëm. As si armiq. Megjithatë, thuhet se pas analizave që bënin dy shtabet e fshehta në fshat, nuk dihej nëse ata ishin më të gjithë apo me askënd. Për të tjerët tashmë dihej: shumica ishte me shumicën, pakica me pakicën, përderisa hebrenjtë u mbetën lojalë shumicave në pjesët ku jetonin. Por as ata nuk u zënin besë atyre e as këta këtyre. Parandjenja se diçka e keqe mund të ndodhe kishte bërë që askush më nuk i besonte askujt, edhe pse krerët e shtëpive të lutjeve ishin të pajtimit se situata në fshat nuk ishte aq e zezë sa që mundohej të paraqitej. Vetëm kryeplaku i fshatit nuk pajtohej në këtë pikë me ta.

Kryeplaku ishte 92 vjeqar dhe ishte mik me të gjithë. Nga ai kisha marrë urimin më të mirë që mora ndonjëherë. Ishte vetëm një fjali: ‘‘të dëshiroj shumë jetë në jetë’’. Megjithëse besonte se ky ishte vendi më i mirë për të dhënë shpirt fshatarët e quanin ‘‘njeriu që nuk don të vdes’’. Ai ishte marrë tërë jetën me punë në minierë dhe se fundi edhe me shkrirjen e gëlqeres duke jetuar kështu mjaft gjatë në tym. Mbahet mend që një herë të ketë thënë se në errësirë të verbërit shohin më mirë se të tjerët. Një herë tjetër nga goja  e tij kishin dalë këto fjalë: ata që rriten në kohë lufte do e duan më shumë paqen. Ai e dinte se kësaj radhe nuk do të ndodhte ashtu sikur tek revolucionet nëpër botë, e që niseshin nga të rinjtë dhe ju dorëzoheshin të moshuarve. Më shumë se kaq, ai ishte një kapiten anije që ishte detyruar që ta drejtonte atë në kohëra të stuhishme. Këtë ai nuk mund ta duronte. Dhe një ditë vendosi:-Kështu nuk mund të vazhdojë më. Duhet bërë diçka!-tha me vete dhe doli jashtë.

Ashtu si pothuaj çdokund, lufta filloi me fjalë. Mëngjesi në fshat nisi të gdhihej me grafite që kishin mbuluar muret e ndërtesave. Për të mos u ditur se kush qëndron prapa tyre, parrullat shkruheshin në gjuhën angleze, e të cilën vetëm pak veta e kuptonin. E këta pak veta mezi prisnin që të përkthenin tekstet e tyre tek pjesa tjetër e grupit. Në to shkruhej ‘‘udhëtarit nuk i dilet në rrugë’’, ‘‘kush do të largohet mund të shkojë’’, ‘‘ora e madhe po vjen’’, ‘‘kombi mbi shtetin’’ e të ngjajshme. Ditën tjetër ngjitas këtij të fundit dikush kishte shkruar ‘‘shteti mbi kombin’’. Tablloja u plotësua po atë mbrëmje, pasi ra terri. Mbi të ishte vendosur një tjetër grafit me mbishkrimin ‘‘edhe kombi edhe shteti’’. Në mesditë ishte koha për ritualin e zakonshëm: muzikë shurdhuese me zë të lartë me këngë atdhetare që ushtonin nga kasetofonat e vendosur nëpër ballkonet e shtëpive, shoqëruar me valvitjen e flamujve etnikë nëpër dritare. Për luftën, që kishte ardhur në prag të derës  nuk fliste hapur askush, dhe pse me gjysmë zëri flitej për hapje bunkerësh, përgaditje për vendosjen e barikadave nëpër disa rrugica të fshatit e deri tek përpilimi i planeve ushtarake nëpër bodrumet e shtëpive, e që supozohej se bëheshin nën dritën e qirinjve, atëherë kur rryma ndalej.

Derisa grupi më i madh i banorëve të fshatit të drejtën e tij e bazonte në teorinë e tokës, të bërë të njohur në pyetjen se ‘‘kush ishte aty i pari’’, grupi tjetër udhëhiqej nga teoria e qiellit mbi ‘‘popullin hyjnor’’.  Hebrenjët flisnin pak. Romët nuk flisnin fare. Ata e dinin se kushdo që të dalë fitues nga ky konflikt, e që pritej të eskalonte, për ta do të jetë e njëjtë. Ata edhe më tutje do të ishin më të nënçmuarit dhe përbuzurit në fshat.

*****

Askush nuk e mori vesh se kush e shkatërroi urën mu në natën kur, siç u kuptua më vonë, grupet komando të njësitit ‘‘P’’, nga pjesa e epërme e fshatit, të kamufluar me rroba ushtarake, ishin bërë gati që, duke shfrytëzuar errësirën, pasi të kenë marrë urën, të invadonin në pjesën tjetër të fshatit, përdersia kjo e dyta kishte ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtje, madje dhe kundërsulm të befasishëm kundër agresorit, duke dërguar pesë nga ushtarët më trima që të ngrisin flamurin e tyre trengjyrësh mu në mes të urës dhe shpallur kështu, përmes një megafoni gjigand, shkëputjen nga pjesa tjetër e fshatit.

Asnjë fishek i zbrazur, asnjë bombë e hedhur. Lufta, e cila në këtë fshat as që arriti të fillojë ndonjëherë, kësaj radhe mori fund pa hapur asnjë varr të ri. Krejt çka u varros ishte ura.

Me githçka mund të spekulohej. Vetëm një gjë askush nuk donte ta besonte si të mundur e as ta zëjë në gojë: se mbase vet ura kishte bërë vetvrasje! Edhe pse po të pyetej ajo mbase dhe nuk do t’i vinte dhe keq pse ra, vetëm që të mos lejojë që ata që kishin shkelur me mijëra herë mbi të mos të arrinin të bëheshin vrasës. Ajo nuk e deshi rolin që zakonisht marrin urat para apo pas lufte. Ajo nuk pranoi të ishte kufi. As mur.

Kryeplaku kishte tre ditë që ishte zhdukur. E gjetën tek varrezat e vjetra. Atyre që e takuan të parët u kishte thënë atë që kishte dëgjuar prej të urti, diku në një qytet me një lumë shumë të madh, se njeriu duhet të vdes në duart e tjetrit e jo nga duart e tjetrit. Edhe pse e ndjente se kishte jetuar mjaft, thellë në brendi kishte shpresuar se, pasi lufta kishte përfunduar në tërë vendin dhe paqja ishte rikthyer në fshat, Perëndia do t’i falë dhe pak ditë që të presë rindërtimin e urës. Por, një natë të ftohtë dimri e kuptoi se ky nuk do të ishte vendimi i tij. Ishte e dielë. Vonë. Pas një ore do të fillonte e hëna. E ajo nuk erdhi para se ai të mbyllte sytë. Përgjithmonë.

Disa muaj më vonë ura u ngrit prapë. Asaj i dhanë emrin e tij. Ura e Kryeplakut.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora