Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Kadiu: Tri rrëfenja nga Devolli

| E diele, 19.06.2016, 09:25 AM |


TRI RRËFENJA NGA DEVOLLI

Nga Kadri Kadiu

Miku im, shkrimtari devollit Luan Kalana, para ca ditësh, ne Gazeta "Zemra Shqiptare" kish botuar një shkrim me titull  "Anekdota moderne nga Devolli". Në atë shkrim Luani na tregonte tri anekdota të reja të ndodhura në fshatrat Pilur, Baban dhe Bitinckë.

Unë, si më i vjetër nga Luani, po tregoj tri anekdota apo rrëfenja më të  vjetra, të ndodhura pikërisht po në këto tre fshatra të Devollit:

1. Xha Arifi i Pilurit

Aty nga vitet 1960 unë kam punuar në Kooperativën Bujqësore Vranisht-Pilur-Bickë dhe xha Arifin e Pilurit, humoristin e lindur, të njohur si bejtexhiu i Devollit, e kam njohur personalisht e jam llafosur me të, aq më shumë se një djalin e tij, Safet Shirkën, e kisha shok shkolle. (Ky Safet Shirka nuk i la gjë të atit për nga bejtet e qyfyret që tregon, i ngjavi tëpkë xha Arifit dhe sot është bërë personazh i njohur i Emisionit Artistik Albanian Got Talent).

Nejse, sot  e kemi fjalën për xha Arifin dhe për Kooperativën e kohës së  xha Arifit. Kooperativa në atë kohë mbante emrin "Skënderbej" dhe  në oborrin para zyrave të saj ishte vendosur një bust i Skënderbeut. Në atë kohë, për punën e kryer kooperativistët shpërbleheshin në natyrë, dmth për çdo ditëpunë të bërë, sipas rezultateve të Kooperativës, merrnin një sasi të caktuar në grurë, misër, fasule, patate, djathë, gjalpë etj. Në fund të vitit dilnin rezultatet e prodhimit, bëheshin llogaritë dhe çdo anëtar kooperative shkonte në Magazinën e Kooperativës dhe merrte ato që i takonin. Një ditë janari, para Magazinës së Kooperativës ishin mbledhur kooperativistët dhe secili po merrte "hakun" e vet. I ardhi radha xha Arifit, hyri në Magazinë dhe magazinieri Hasan Gegolli vuri në peshore për xha Arifin një thes me grurë e dy thasë me misër. Pas pak doli xha Arifi nga Magazina, duke tërhequr zvarrë, me rrëshqitje, tre thasët e bereqetit që i kishin takuar. I pakënaqur nga ato që mori, xha Arifi iu drejtua turmës para Magazinës dhe filloi të ligjërojë me zë të lartë, ashtu si dinte ai, duke sharrë e mallkuar jo në prozë por në poezi:

"Sot ndajmë prodhimet, festë mor aman

Na hipi bollëku, thasët kush i mban

Për punën e vitit, bereqet pa masë

Ja dhe xha Arifka, i mbushi tre thasë

Gjithë puna e vitit, një ngarkesë gomari

Rroftë Kooperativa, le të vdesë fshatari

Një behar të tërë punoi xha Arifi

Për një thes me grurë e dy thasë misri

Hakun na i dhanë, u kënaq mileti

Për çdo ditëpune u nda bereqeti

Grurë gjysmë kile, misër treqind gram

Rrofsh moj Kooperativë, Skënderbej me nam

Lëmin e parë Shtetit , ç'ti mbetet, fshatarit

Po nuk pati bukë, ka bajgat e gomarit".

Pasi mbaroi ligjërimin, xha Arifi i ngarkoi të tre thasët në gomar, dy anash e një mbi samar dhe ush o derr, i tha gomarit.

Pa arritur xha Arifi në shtëpi, llafet e xha Arifit kishin vajtur në veshin e Sekretarit të Partisë, kështu që kur xha Arifi po shkarkonte gomarin, arriti korrieri i Fshatit e i tha: "Xha Arif; të kërkon në Zyrë Sekretari i Partisë i Kooperativës".

Sa hyri në Zyrë, Sekretari i tha: "Xha Arif; ke sharë Kooperativën, por mbi të gjitha ke fyer figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut".

Hazërxhevap, xha Arifi ia ktheu: " Sekretar o Sekretar, llafet peshoi në kandar, se llafet e mia s'bëjnë zarar, se unë nuk shava Skënderbeun e Krujës, por shava Skënderbeun tonë të rrëmujës".

Sekretari i Partisë, Nesim Xama, që ishte bashkëfshatar i xha Arifit, i këputi një të qeshur dhe e la me kaq këtë punën e propagandës "armiqësore" të xha Arifit.

2. Si e shanë Kryeministrin babanarët.

Aty nga vitet 70-të në ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore, sipas eksperiencës kineze, zbatohej një direktivë e Partisë për grumbullimin e fekaleve për t'i përdorur për plehërimin e tokave. Për këtë qëllim ishin krijuar brigada të posaçme të cilat i merrnin fekalet prej gropave septike të fshatarëve, i ngarkonin në fuçi, i transportonin me qerre në qendrën e kompostimit ku i përpunonin dhe i bënin gati për plehërim. Në Rrethin e Korçës Kooperativa e Babanit dallohej për zbatimin e kësaj metode kështu që në një vizitë që bëri në këtë Rreth Kryeministri Mehmet Shehu i kërkoi Sekretarit të Parë të Rrethit, Mihallaq Ziçishtit, që ta çonte në Baban.

Dakord shoku Mehmet, i tha Mihallaqi, por duhet ta dish se në atë Fshat do të të shajnë nga nëna.

Lëri mo llafet, i tha Mehmeti, nuk ka burrë që të më shajë mua.

Mirë o shoku Mehmet, i tha Mihallaqi, unë kisha për detyrë të të paralajmëroj kështu që nesër kur të shkojmë në Baban mos më thuash gjë kur të dëgjosh të sharat e tyre.

Të nesërmen në Baban u njoftuan kooperativistët që në orën pesë pasdite të mblidhen ne Sheshi i Fshatit pasi do të vinte t'i përshëndeste Kryeministri. Fshatarët sikur nuk e kishin besuar se me të vërtetë do të vinte Kryeministri kështu që si me përtim e pak me vonesë po mblidheshin në Shesh. Por kur afroheshin, dallonin se në vendin më të ngritur të Sheshit ishin me të vërtetë Kryeministri, Sekretari i parë i Rrethit e drejtuesit e Kooperativës. Atëhere shpejtonin hapat e kur arrinin më afër, secili, me habi e me zë të lartë, si gjithë devollinjtë, thoshin të njëjtën gjë: "Pidh të s'ëmës ore, paska ardhur vërtet Kryeministri".

Kryeministri i dëgjonte këto të shara dhe e shikonte me inat Mihallaq Ziçishtin. Mirëpo ky ishte i qetë dhe i thoshte: Unë të dola borxhit, të thashë që këtu do të të shajnë nga nëna.

Nejse, filloi mbledhja; diskutuan disa kooperativistë të dalluar që i kishin përgatitur për të folur për rolin e fekaleve në rritjen e rendimenteve të prodhimit. Mirëpo ja që doli dhe një kooperativist që nuk ishte planifikuar për diskutim dhe ia kërkoi fjalën direkt Mehmet Shehut.

Me lejë shoku Kryeministër, foli ky babanari, unë kam një ankesë pasi Brigaderi i Fekaleve më ka ngrënë mua dy fuçi me fekale.

Filluan të qeshurat në Popull dhe Mehmet Shehu tani u nxeh, kujtoi se fshatari po tallej me të.

Shiko ti shoku kooperativist, i tha, këtu jemi mbledhur për punë e jo për gallatë prandaj mati mirë fjalët kur të flasësh me mua se ne kemi edhe dryna për gojët e ndyra.

Po jo shoku Kryeministër, tha fshatari tashmë i frikësuar, unë e kam seriozisht e po them të vërtetën, ai m'i ka ngrënë dy fuçi me fekale, se unë muajin që shkoi dorëzova katër fuçi me fekale ndërsa brigadieri më ka shënuar vetëm dy fuçi, pra më ka ngrënë hakun.

Mirë, le të çohet Brigadieri e të na i sqarrojë këtë punë, tha Mehmet Shehu.

U ngrit Brigadieri i shkretë dhe, edhe i trembur por edhe me turp, dha këtë sqarrim: Shoku Kryeministër; neve fekalet ua blejmë kooperativistëve me kile. I marrim në gropat septike të çdo familjeje, i fusim nëpër fuçi dy kuintalëshe dhe i transportojmë tek vendi i kompostimit. Mirëpo ky kooperativisti që foli është hileqar, fekalet i hollon me ujë dhe për çdo muaj na mbush nga katër fuçi me ujë përroi të përzier me fekale e kërkon t'ia shesë Kooperativës. Edhe familjet e mëdha, me nga 10 anëtarë, mezi i bëjnë dy fuçi fekale në muaj kurse ky zotëria, që ka vetëm tre veta në shtëpi, mbush katër fuçi. Ne tani kemi fituar dhe një farë eksperience shoku Kryeministër dhe e matim viskozitetin e fekaleve në fuçi prandaj ia kemi zbritur ujin e shtuar këtij zotërisë.

I qeshi buza Mehmet Shehut e duke qeshur iu drejtua kooperativistit që u ankua: Ore, i tha, po ti duhet më parë t'i bindësh këta shokët e Kooperativës që e ke bythën më të madhe se të tjerët e prodhon fekale më shumë.

3. Gomerët hamshorë të Bitinckës.

Bitincka, gjithmonë gomerët i ka mbajtur meshkuj dhe të fortë. Kjo lidhej me faktin se Bitincka nuk ka mal të vetin dhe denbabaden, për të siguruar drutë e zjarrit duhej të shkonin larg në Malin e Rakickës ose në Malin e Moravës. Fshati im, Mançurishti, që është në fund të Luginës së Devollit, përkundrazi, shumicën e gomerëve i kishte femra ose siç i thonë, gomarica.

Dikur, në qendër të Devollit, në Bilisht, çdo të dielë bëhej pazar i madh dhe gjithë fshatrat e Devollit aty shkonin për të shitur e për të blerë. Një bashkëfshatari im, xha Qaniu, kish ngarkuar një ditë dy thasë me misër dhe shkoi në Bilisht për t'i shitur. Mbaroi pazarin xha Qaniu, e shaloi gomaricën e tij dhe u nis pasdreke për në shtëpi. Meqenëse xhadeja ia vriste këmbët kafshëve dhe gjithashtu rruga binte më gjatë, për vajtje-ardhje në Bilisht ne përdornim një rrugë dytësore që kalonte nëpër trasenë buzë Lumit Devoll, poshtë Fshatit Bitinckë përmes fushës, e dilje në Bilisht. Edhe xha Qaniu këtë rrugë përdori. Mirëpo kur po kthehej, poshtë Fshatit Bitinckë, një gomar bitinar ndodhi shumë hamshor, i ra pas gomaricës së xha Qaniut dhe nuk iu nda deri në Mançurisht. Bitinarit kështu i humbi gomari dhe filloi ta kërkojë fshat më fshat. Më në fund, pas nja një jave, i erdhi haberi se gomari i tij kishte shkuar dhëndër brenda, në Mançurisht. Erdhi me vrap bitinari dhe u paraqit tek xha Qaniu. Mirëpo bitinari, në vend që ta falenderonte xha Qaniun që ia kish mbajtur gomarin, filloi t'i kërkonte llogari e i thoshte "pse nuk ma ke kthyer gomarin". Xha Qaniu,që ishte goxha burrë dhe hokatar iu përgjigj: Ore zotëri; unë e pyeta gomarin tënd të më tregonte se kë ka zot por ai vetëm pëlliste kështu që kur nuk e dinte gomari se kush është i zoti, si do ta gjeja unë të zotin e gomarit? Po me që e nise kështu muhabetin atëher unë po të them se mua duhet të më paguash një dëmshpërblim pasi, për një javë të tërë, gomarin ta kam strehuar, ta kam ushqyer, ta kam ruajtur dhe ia kam krijuar të gjitha kushtet për të bërë qejf me të gjitha gomaricat e Fshatit.

Po mirë, i tha bitinari, po për punën që ka bërë gomari im gjithë këto ditë duke mbarsur gomaricat e Mançurishtit, kush do më paguajë mua?

O bitinar, i tha xha Qaniu, mblidhe mendjen, unë nuk përgjigjem për tërë gomaricat e Fshatit. Pastaj për këtë punë, o zotëri, duhet të bëhet mbledhja e Fshatit ku të vendoset nëse ajo që ka bërë gomari yt quhet qejf apo quhet punë dhe po qe se do të quhet punë, atëherë duhet të thërrasim edhe veterinerin që të përcaktojë se sa gomarica janë mbarsur në fakt, se neve nuk do të të paguajmë veresije ty.

Bitinari, më në fund i thirri mendjes, e kuptoi se ishte borxhli ndaj Qaniut kështu që i tha: E mo se bëra shaka unë, ti rrofsh që ma ruajte gomarin dhe ne do të mbetemi miq, se helbete u bëmë dhe krushq tani. E hëngri dhe një drekë të mirë bitinari ne xha Qaniu, i hipi gomarit dhe u nis për në Bitinckë.

Këtij bitinarit unë nuk ia kam fiksuar emrin pasi është histori e vjetër kjo, por po tregoj një rast tjetër për gomerët hamshorë të Bitinckës, që ka ndodhur më vonë, dhe këtë herë po them dhe emrin e mbiemrin e bitinarit: Siç e thashë, bitinarët drutë i sillnin nga Rakicka ose nga Morava. Aty nga vitet 70- të, një ditë vjeshte, një skuadër bitinarësh prej nja dhjetë vetash kishin hypur gomerët e tyre dhe ishin nisur që me sabah për në Malin e Moravës. Në krye të skuadrës qëndronte një miku im, djali i xha Hajdarit, Mete Kambo, i cili ishte më shakaxhiu e qyfyrexhiu i Bitinckës dhe i mbante me muhabet e i shkulte së qeshuri bashkëudhëtarët e vet që nga Bitinncka e deri sa arrinin në majë të Moravës. Mirëpo për të shkuar në Moravë, bitinarëve iu duhej medoemos të kalonin mespërmes Fshatit Baban. Kur arritën në Baban, karvanit të Bitinckës iu bashkuan edhe nja pesë-gjashtë babanarë me gomaricat e tyre, pasi edhe ata shkonin për dru në Moravë.   Sa i panë dhe e nuhatën erën e gomaricave të Babanit, gomerët e Bitinckës u tërbuan e u azdisën pas gomaricave, filluan të kërcejnë, të hingëllijnë e të pëllasin me të madhe. Gomari i Metes dukej se ishte më horri në tufën e gomerëve të Bitinckës dhe nuk pati turp fare por e nxorri pallën dhe e tundte poshtë barkut lart e poshtë, majtas e djathtas sa që po ia godiste opingat Metes që ishte hipur në gomar me këmbë të varura.

Ore gomar, i bërtiste Metja gomarit të vet, po mos ore se na turpërove, a nuk e shikon se jemi në fshat të botës këtu e na nxjerr namin e keq? Se po të jetë për hamshor e për qejfli seksi, unë jam më shumë se sa ti o gomar gomari, por puna është se duhet të përmbahemi e t'iu tregojmë këtyre babanarëve se Bitincka është fshat namuzqar.

Metja vazhdonte kështu me këshillat edukative që ia bënte gomarit të vet, gomerët e Bitinckës po harbonin pas gomaricave të Babanit dhe po kopjonin veprimet e gomarit të Metes, gomaricat e Babanit po ngrinin bishtin, kurse bitinarët e babanarët shkuleshin së qeshuri, duke dëgjuar xhevahiret e Metes e duke ndjekur orgjitë e gomerëve të tyre.

Me kaq unë po e mbyll këtë shkrim pasi nuk m'i merr lapsi e nuk m'i pranon kompjuteri për t'i shkruar të tëra ato që u thanë nga bitinarët e nga babanarët e ato që u bënë atë ditë nga gomerët e gomaricat e këtyre dy fshatrave.

Kadri Kadiu -  Denver, qershor 2016