E marte, 16.04.2024, 03:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Valentina Dafa: Petraq Kote - Gjerana

E shtune, 18.06.2016, 07:16 PM


REFLEKSION : GJERANA - roman i PETRAQ KOTE

NGA VALENTINA DAFA

“ …ne kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta” - Niçe

“Gjerana” është romani më i ri i autorit Petraq Kote në të cilin ai mënjanon nënshtrimin e mendimit në krijimtari, për t'i dhënë vlerën reale artit krijues, duke shpërfillur diktimin e empirizmit të kohës fizike të ngjarjeve dhe subjektin e imponuar nga sistemi në letërsi.

“Gjerana” është një tekst që kërkon qetësi, dije të kultivuar mirëfilli, kërkon mendje të hapur, kur e lexon.

.... një tekst që ringjallë kujtesën e brezave, historinë dhe paskuintat izoluese, vrastare, historinë e zhveshur totalitare.

Është një dëshmi historike, ngritur mbi përvoja reale, përfshirë në një koherencë të gërshetuar dhe në një ndërveprim dinamik psikosocial të njeriut _përfaqësues të dy sistemeve që zgjon vetëdijen për të zbërthyer dhe flakur tej mjerimin verbal të jetës së servirur qartësisht fals.

Brenda jetës, çdokush mund të ishte (është) pre e ekzistencës së tjetrit të përfshirë në rrymën e determinuar të sistemit, ku konceptet dhe gjykimet e servirura ishin (janë) veç sipërfaqësore, por, duke u mbështetur në kthesën vendimtare të përmbysjes së sistemit, liria e fjalës u bë leva e fatit të subjektit njerëzor, për atë çfarë ishte në të shkuarën dhe çfarë pasojash patën gjatë procesit të një zgjedhjeje racionale nën ndikimin e arsyes së pamjaftueshme dhe të kushtëzuar ...njëkohësisht, u nxit ndërgjegjja njerëzore të çlirohej nga zgjedha, të dënonte ashpër vullnetin e ndrydhur, qendërzimin e jetës pa kendvështrim individual, duke e motivuar individin e pavarur, egon e vetëdijshme të tij nga kushtet reale të dëshiruara brenda kufijve të lirisë së interpretimit objektiv dhe subjektiv. Në këtë kuadër shtrihet dhe ndihet progresiviteti i revoltës dhe i lihet një planvendosje e gjerë sensit të gjykimit në roman.

Romani fillon:

“ Këtu do të ketë gjithmonë tre varre

…I imi,

i vëllait

se e vras unë

dhe i atdheut

që e vrasim të dy…”

Kjo sentencë absurde është bërthama e romanit absurd të P.Kotes që nuk i përket traditës, rrymave progresive të deritanishme që kanë një përvojë paraprijëse në strukturë dhe rrëfim. Në këtë krijim ndeshim depërtim në thellësi të ideve, duke shpleksur terminologjinë e disiplinave të ndryshme gërshetuar në funksion të krijimit dhe narracionit, si një fill i vazhdueshëm i ekzistencës përtej këndvështrimit personal. Autori ka një gjykim të ftohtë, objektiv, një kundërvënie që demaskon dhunën e të gjitha kohërave, çjerrjen e maskës së pushtetit antinjerëzor që vazhdon të jetë edhe sot transaksion i pashmangshëm, pasi ende jemi shtet në tranzicion, shoqëri me jetë psikosociale në përpunim…

Me këtë roman, autori sjell risi në prozën bashkëkohore shqiptare, jo vetëm në strukturë, gjuhësi, antropologji, por edhe më gjerë.

Boshti vertikal- trungu i romanit është ngjarje e shkurtër,( humbet në të forma lineare), por që merr të tjera dimensione nga planpërthyerjet që i bashkëngjiten si rebuse pa të cilat ky roman s`do të kishte këtë vlerë.

Planpërthyerjet nyjëzojnë kohën reale me pika referimi bisedat rastësore të autorit në të përditshmen e tij, të cilat i lidh me të shkuarën historike të vendit.

Nëpërmjet distilimit të filozofisë intelektuale urbane, ai gërsheton filozofinë  e menaxhimit të njeriut, dinjitetit të tij dhe dinjitetit të atdheut në mënyrë komparacionale midis gjithë sistemeve tranzitore që ndikojnë në funksionimin e botës njerëzore.

Krijim me një forcë depërtuese të prurjeve interesante, me argumenta bindese që kanë shoqëruar ekzistencën njerëzore në kohën e ngjarjeve dhe më vonë, krijim që do të mbetet sistem reference për brezat.

Përvoja estetike në krijimtari e autorit, ka bërë që ai të sjellë episode të jashtëzakonshme të jetës njerëzore, të individit me gjendje të pavullnetshme, me prirje dhe luftë të brendshme të unit që s'gjen paqe brenda realitetit të diktuar,..por ka çaste të të menduarit vetëdijshëm që të jep mundësinë e zbërthimit të karaktereve të përfshirë në ngjarje_ roman, ka vetgjykim nga individë reflektues psh si Artani fq.134

“ unë jam ai oficeri i sigurimit të shtetit shqiptar…natës që do të vriste Hasanin…edhe natën e arrestimit të Pranverës dhe Gjeranës,..unë isha oficeri që u pendua po atë natë dhe denoncoi këto krime dhe tregoi këto varre të paemra, të paeshtra…oficer i ardhur rastësisht në shërbim të familjes tënde, oficeri emigrant jam unë…I ika Shqipërisë, jo prej frike, jo prej turpi, jo prej shpagimi. I ika dënimit të ri, pushkatimit të ri, pa gjyq…”

Detajet janë tregues se autori depërton me mjeshtëri në psikologjinë e personazheve, të mjedisit, të kohës që mleksen nën centrifugimin e rrathëve infernal dantesk të sistemit absurd.

Me ndërgjegje, art konkret, gjithëkohësi autori definitivisht pasqyron vetveten si krijues dhe shoqërinë njerëzore me vlerat e antivlerat e saj.

Arti i aforizmës në roman

Pasuri aforizmash dhe maksimash ndërtojnë tekstin e romanit  "Gjerana" të autorit Petraq Kote dhe shtjellojnë mprehtësinë e përmbajtjes.

Aforizmat dhe maksimat e paraqitura nga autori mund t'i ndajmë sipas burimit:

1-_krijime të popullit të shprehura nga personazhet, por të cikluara me kujdes nga autori për burimin. Ashtu si çdo gjurmë tjetër e artit krijues nga populli edhe aforizmat zënë një vend të konsiderueshëm si vlerë gjuhësore – si gjurmë e trashëgimisë kulturore, si element vërtetësie e identitetit të një kombi.

Aforizëm shqiptar ;” Goja e ëmbël gjatë gjithë jetës fiton, goja e hidhur gjatë gjithë jetës humbet!”

2_krijime nga autorë të tjerë

“ Më parë do të vdisja në këmbë, se të jetoja në gjunjë”- thënie e francezit Stephane Charbonnier

3_krijime nga vetë autori

“Dy njerëz janë më të fortë se një vdekje…unë jam një…”- ngul mendimin Petri

Ose:

“Kur njeriu “ha” kohën është mrekulli, kur koha “ha” njeriun është e tmerrshme! ”

Ndërkohë, aforizmat përshkallëzohen:

_aforizma me shkurtësi forme, po me mprehtësi në përmbajtje

“Natën mbyll portën, ditën mbyll gojën”;

_aforizmat e zgjeruara - maksimat me të cilat autori ka synim bindjen e lexuesit dhe shijes së tij

“ është e tmerrshme kur të përdorin të tjerët, por është më e tmerrshme kur të përdor vetvetja” ; shkroi sigurimsi në ditarin e tij. Por gjëma kishte ndodhur. I marri, tashmë, ishte në krye ….nuk kishte më përdorues më të madh të vetes se i marri! “

-paradokset në roman. Paradokset logjikë në tekst s`mund të anashkaloheshin nga autori, pasi ato paraqiten tepër therëse ashtu siç ishte në të vërtetë funksionimi i shtetit diktatorial.

Shembull i paradoksit të përshkallëzuar është komparacioni therës midis:

1-vargjeve të Lasgushit;

“…ku shtrihet dallga përmbi zall/ dhe fryn një këngë e pakuptuar/ të pashë motër plot me mall/ më pe me shpirt të llahtaruar…”

2 – këngës së Rihannas

“ If I never see you face again”

3- vargjet folklorike të trishtimit kolektiv;

…nisëm për xhehnet/ sosëm në xhehnem/ Shqipëri moj kuçkë / na bëre verem

Ose paradoksi në aforizmin e krijuar nga autori Zoi Dashi

Gjerana, e bija erdhi në jetë këtu në Shqipëri…” kur koha ishte e re dhe jeta ishte plakë”

Ka një simbiozë të artit krijues bashkëkohor dhe ndikimit të artit popullor ( ndërthurje aforizmash, fakte leksiku...etje)

Ndjellja e shijes popullore përgjatë shkrimit ndryshe të historisë që bën autori, e tërheq lexuesin, madje është kjo ndjellje leksikore që jep mundësinë e kapërcimit të pragut stilistikisht dhe strukturalisht të vështirë që e bën këtë tekst komunikues.

Pra, janë këta dy faktorë, historia paksa e njohur e regjimit totalitar me burime vërtetësie e alternuar me frazeologjizmat popullore që shkrijnë barrierat në lexim.

Tekst që s'mund të lexohet në mënyrë naive, aty ngrihet një laborator i madh ndërtekstual.

Ky roman na nxit të menduarit dhe të vështruarit ndryshe në histori.

Struktura e zbërthimit të tekstit mund të ishte:

1_ rrafshi gjuhësor – leksikologjia që paraqitet me fakte gjuhësore _frazeologjizmat, fjalëformimi i përdorur në tërësi, stilistika…

2_rrafsh i përmbajtjes që paraqitet me faktet narrative, përmbajtja dhe intriga, filozofia intelektuale urbane e vënë në funksion të përmbajtjes.

3_ rrafshi intertekstual që paraqitet me faktdisiplinat e ndryshme që ndihmojnë në zbardhjen epokale historike, politiko_sociale të vendit, si dhe psiko_sociale të shoqërisë shqiptare.

Kendvështrimi tjetër për aforizmat është se ato mund te ndahen:

1- Aforizma edukative moralizuese

2- Aforizmat si këshillë prindërore

Autori ka zgjedhur rrugën e artit në simbiozë me historinë e shëmtuar të atij sistemi për t'i përcjellë lexuesit tragjeditë dhe dramat e absurdit.

Sarkazma, e shprehur prej tij, është shigjetë që ka përshkuar romanin nëpërmjet logjikës infernale të sistemit dhe homogjenizimit të vuajtjes njerëzore.

1-“Më jep një pako hingëllima!”- kishte bërë shaka me shitësin e dyqanit një shkodran dhe ishte pushkatuar. Ky ishte tregues i trajtimit të popullit, ku në vend të kafes pinin si caj elbin e kuajve.

Arkaizmat, neologjizmat, toponimet, patronimet, onomatopetë janë fakte të një fushe studimi akoma më të gjerë.

Identiteti krijues i autorit s`mund të kuptohej pa identitetin e vendlindjes, Myzeqesë dhe krenarisë, butësisë e mençurisë së saj që fisnikëron çdokend që ulet në sofrën e saj. Autori krijon një interferencë emotive maksimale kur shprehet për vendlindjen, ku burimi është subkoshienca e etnogjenezës së tij.

P.kote ka ditur të mbledhë dhe t'i bëjë frytdhënëse trashëgimitë e kësaj treve me origjinalitetin e papërsëritshëm, me paanësinë e gjerësinë e vet jo vetëm në reliev.

( në pjesën pasardhëse të studimit do të trajtohet gjerësisht Atdheu- Myzeqeja)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora