E enjte, 28.03.2024, 07:17 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Kuvend shkencor në Istog

E shtune, 18.06.2016, 05:59 PM


Istog 2016

Gjuha standarde dhe dialektet

KUVEND SHKENCOR NË ISTOG. KOSOVË.

Nga Kadri Tarelli

Istogu i bukur, mbështetur në rrëzë të bjeshkëve, qytet plot gjelbërim, i njohur për burimin e madh ujëshumë, të kulluar si Kristal, të ftohtë si bora në mal, njëkohësisht i vizituar edhe për troftën e famëshme, priti “dasmorë” nga të gjitha trojet shqiptare. Në ditët e para të Qershorit 2016, në sallën e Kuvendit Komunal të këtij qyteti, gjuhëtarët dhe letrarët e vendit, organizuan Sesion shkencor, me tëmë: “Gjuha standarde dhe dialektet”. Veç vendasve dhe përfaqësuesve të Institutit Albanologjik të Kosovës, kishte të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare, mes tyre, nga Durrësi të pranishëm ishin Bajram Gashi dhe Kadri Tarelli. Është për t’u përgëzuar mbështetja që i bëri Këshilli Komunal kësaj veprimtarie mbarëkombëtare, në veçanti kryetari i saj z. Haki Rugova, i cili në fjalën e tij të përshëndetjes, falënderoi të gjithë të pranishmit, uroi punë të mbarë dhe suksese, duke premtuar mbështetje të merituar, jo vetëm për sot, por edhe në të ardhmen, kur kërkohen dhe organizohen veprimtari të tilla që i shërbejnë kulturës, shkencës dhe kombit. Ky kujdes është një model i bukur për t’u marrë shembull nga të tjerët.

Të organizosh takime të tilla dhe për tema të tilla të mëdha e me karakter mbarëkombëtarë, në një komunë siç është Istogu, përbën lajm të gëzueshëm, jo vetëm për intelektualët dhe rrethet shkencore të vendit, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë. Meritojnë përshëndetje ideatorët dhe këshilli realizues: Nuredin Imeraj, Sadik Bicaj, Maxhun Osmanaj dhe Genc Ademaj, të cilët me shumë përkushtim e përgjegjësi atdhetarie, morën përsipër të venë në jetë një barrë kaq të rëndë e të vështirë. Megjithatë, ata guxuan, provuan dhe fituan, duke dhënë një shembull të lakmueshëm për të tjerët, sepse na treguan se, kur triumfon idealizmi, dëshira, vullneti, përkushtimi dhe bashkëpunimi, për vepra në dobi të kulturës kombëtare, është e mundur të bëhen veprimtari madhore edhe në qendra të vogla. Në takim u shtjelluan 18 punime shkencore, të cilat u ndoqën me mjaft interes dhe shpesh u duartrokitën nga të pranishmit:

Shefkije Islamaj. – Letërsia, gjuha standarde dhe dialektet.

Hysen Matoshi. – Veçanti gjuhësore të veprës letrare të Ramiz Kelmendit.

Erenestina Halili. Gegërishtja dhe rrugëtimi i saj në dramën shqiptare.

Ragip Mulaku. – Dallimet e të folmeve të gegërishtes në sistemin e foljeve.

Namik Selmani. – Gegërishtja një vlerë e re, që duhet rinjohur nga shqiptarët.

Qemal Murati. – Ne duhet të identifikohemi me fjalën shqipe.

Hasan Muja. – Nyjëtimi diatopik në gjuhën standarde.

Marjan Lulgjuraj. – Prurje gjuhësore të gegërishtes nga e folmja e Malësisë së Madhe.

Xheladin Zymberaj. – Pasqyrimi i shqipes standarde nëpërmjet prurjeve nga dialektet.

10. Prend Buzhala. Varianti i gegërishtes si “Licentia poetika” në letërsi.

11. Muhamet Rogova. – Rruga e formimit të gjuhës standarde shqipe.

12. Fadil Grajçevici.– Tipizimi gjuhësor në veprën letrare të Adem Demaçit.

13. Sadik Bicaj. – Ndikimi i dialektit geg në gjuhën standarde.

14. Demë Mulliqi. – Gegërishtja, thesari i trashëgimisë së gjuhës së të parëve.

15. Valdet Hysenaj. – Edukimi gjuhësor në shkollë.

16. Fitim Halili. – Roli i dialekteve në pasurimin e letërsisë.

17. Shpëtim Zymberaj. – Dukuritë e trajtave dialektore në komunikimin zyrtar.

18. Sejdi Gashi. – Raportet, shqipe standard – dialekte.

Referimet kishin nivel mjaft të lartë shkencor, teorik dhe praktik, të denja për diskutime akademike, apo në katedrat e universiteteve. Është për t’u vlerësuar puna e gjithsecilit, sepse çdonjëri kishte sjellë diçka nga vetja, nga përvoja shumëvjeçare dhe nga studimi i thelluar. Të gjitha temat, duke i parë një e nga një, prekën një hapsirë të gjërë problemesh, të vjetra e të reja, me të cilat ndeshet kultura jonë gjuhsore kombëtare, e folur dhe e shkruar, në dialekte dhe në gjuhën letrare, apo në gjuhën “standarde”, siç emërtohet nga studjuesit e letrave. Me të drejtë ngritën shqetësimin mbarëintelektual, për mbrojtjen e gjuhës, këtij thesari të identitetit tonë kombëtar, nga shtrembërimet, huazimet dhe përdorimi i panevojshëm i shumë fjalëve të huaja, kur shumë bukur, lehtë, këndshëm dhe pa mundim, gjenden në hambarin e gjuhës sonë. Është një problem i kahershëm dhe i përherëshëm, që shqetëson e ngacmon ndërgjegjen inetlektuale, por që pak merret parasysh nga individë të veçantë, shpesh edhe me detyra e poste të larta, të cilët medemek për t’u dukur të ditur e të lexuar, nuk kanë kufizim ndaj fjalëve “të jashtme” dhe i përdorin pa kursim e pa doganë, edhe kur nuk ua dinë kuptimin. Ky përbën një rrezik më të vogël, mbase të skajshëm, sepse shumica e dëgjuesve, i përqesh e tallet me ta. Po çfar të themi për  institucionet mediatike, që ndiqen nga mijëra dëgjues dhe lexues e që kanë fuqi ndikuese?

Përshtypja e përgjithshme është se, ata pak kujdesen, pak shqetësohen, pak interesohen dhe pak përpiqen e mundohen, për ta mbrojtur, mbajtur e përcjellë të pastër, gjuhën e folur dhe të shkruar. Këto, në një farë mënyre lenë pasoja të padëshirueshme, sepse, si pa dashje dhe pa u ndjerë, prishin atë punë disa vjeçare që bëjnë mësuesit nëpër shkolla, me nxënësit dhe të rinjtë. Këtu jemi të gjithë në një mendje, se duhet bërë më shumë nga të gjitha hallkat arsimore, kulturore, mediatike e shtëtërore, ç’ka shumë herë çalon, s’mjafton  apo mungon. Kërkohet një bashkëpunim i ndërsjelltë më i mirë, për të përballuar trysninë e kohës, që vjen nga globalizmi dhe përdorimi i shumtë i gjuhëve të huaja dhe mjeteve elektronike të komunikimit. Një gjendje alarmante, siç e përkufizojnë disa nga akademikët tanë të nderuar, këmbanat e të cilit duhen dëgjuar e vepruar.

Një problem që ra në sy, për të cilin disa edhe e theksuan me përparësi, ishte përdorimi i dialekteve, që gjuha standarte i kufizon, i shtërngon, i pengon, e më tej i dëmton, duke mos gjetur veten të merituar e të nderuar. Bëhet fjalë për gegërishten, e cila s’përfaqësohet aq sa duhet në gjuhën shqipe standarde. Disa mbronin arritjet e gjuhës standard, duke vënë theksin e pranimit të dialekteve si pasuri kombëtare gjuhësore, si burime që i bashkohen lumit të madh, duke e bërë atë të madh e të fuqishëm. Të tjerët, jo pa argumenta, pretendojnë se u është ngrënë haku në Kongresin e Drejtshkrimit, dhe gegërishtja nuk e ka gjetur vendin në gjuhën standard. Është një qejfmbetje që ka nisur që në mbyllje të Kongresit, këtu e gjysëm shekulli më parë, e natyrisht do të vazhdojë edhe shumë kohë.

Drejtuesit e tubimit, e anashkaluan bukur diskutimin dhe përplasjet mes njëri-tjetërit, gjë që mund të sillte pakënaqësi të ndërsjelltë. Përfundimi: Secili mësoi diçka nga tjetri. Gjë shumë e bukur dhe e dobishme.

Në fund të tubimit, në seancën e diskutimeve nga të pranishmit, gjeta mundësinë të them pak fjalë, si fillim falënderim dhe përshëndetje për organizatorët, për nikoqirët e shtëpisë, që na pritën aq ngrohtë, njëkohësisht përshëndetje edhe për referuesit që me aq mundim e profesionalizëm kanë përgatitur materialin. I mësuar të zbatoj parimin se, në takime të tilla shkencore, vijmë për të mësuar nga njëri-tjetri e jo ta mësojmë tjetrin, i’u shmanga hollësive dhe qëndrimeve të lektorëve, duke bërë disa pyetje, përgjigjet e të cilave le t’i gjykojë secili sipas midesë së vet. Ja disa prej tyre:

. Pedagogët shqiptarë që japi leksione në universitetet e botës, në ç’dialekt u flasin studentëve të vendit?

. Në ç’dialekt po u flitet studentëve në universitetet tona, kur ata vijnë nga treva të ndryshme të hapsirave shqiptare?

. Televizori Kombëtar në Tiranë dhe në Prishtinë, në ç’gjuhë do të komunikojë me dëgjuesit?

. Cili nga ne mund t’i njohë, t’i përdorë e të shijojë të gjitha dialektet?

. Shkrimtari, shkruan e krijon ta dëgjojë e lexojë mëhalla, apo të përcjellë mesazhe që t’i lexojë e t’i dëgjojë mbarë kombi?

. Së fundi: Sa lloj abetare na duhen për fëmijët e klasave të para, kur dialekte kemi shumë?

I gjithë takimi u drejtua dhe u mbyll shumë bukur. Secili nderoi punën dhe shprehu idetë e tij. Është mirë kur mes të diturve, shkëmbehen përvojë dhe mendime, kështu shumfishohet “pasuria”.

Falënderim për organizatorët! Le të bëhet shembull e të ndiqet edhe nga të tjerët. Dobia është e madhe. Askush nuk humbet, veç fiton.

Durrës më: 07. Të Qershorit. 2016



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora