E merkure, 17.07.2019, 08:27 AM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Kafenë pas buke

E shtune, 18.06.2016, 07:47 PM


KAFENË PAS BUKE

NGA KALOSH ÇELIKU

Hoxhën e “Allahut” e kam pasur mik. Edhe shumë organizime kulturore e politike i bënim së bashku kokë më kokë: ai si Hoxhë i “Allahut” dhe partizan i Partive Politike, e unë si shkrimtar. Dorën në zemër, edhe më ka ndihmuar si hoxhë në organizimet e mia kulturore - poetike. Nuk e di pse, asaj kohe më pëlqente aq shumë ky hoxhë në jetën e përditshme kulturore dhe politike?! Ndoshta pse, atëherë mendoja se me këtë hoxhë shqiptar do t’ia arrijmë qellimit tonë historik, një ditë do të hipim në Baba Tomorr. Flamurin kuqezi shqiptar do ta valojmë nëpër minare. Njëzëri, shpallim Xhaminë Shqiptare: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Çamëri e Diasporë . Krah për krahu hipim në Malin e Perëndive, atje ku pihet vera me shtamba, shkruhet poezia... Dhe, bëhet dashuri...

I shëtitëm, falë aftësive të tij organizative, gati të thuash me Hoxhën e “Allahut” disa Panaire të Librit: në Frankfurt, Lajpcing e Stamboll. Mos flasim këtu për Panairet e librit: në Shkup, Tetovë, Prishtinë e Tiranë. Edhe, takimet punuese organizative me Shoqatën e Botuesve Shqiptar i mbanim ashtu siç u kishte hije. Takime, ku ai shpesh i thoshte një “shkrimtari” edhe botues, anëtar i Shoqatës, kur reagonte nga xhelozia: pse Kalosh Çeliku të pi raki rrushi dhe uzo, e unë gjithë jetën vetëm çaj rusi?!

Hoxha i “Allahut” i përgjigjej plot krenari me buzëqeshje ironike: Shkaku se, për ty rakia e rrushit dhe uzoja është “haram”, e për atë si shkrimtar janë “hallall”. Çaji i rusit për ty është “hallall”. Edhe, Hoxha i “Allahut” e mbyllte bisedën rreth rakisë rrushit, uzos dhe çait rusit. Dorën në zemër, Hoxha i “Allahut” në një shkrim  të publikuar t’imin publicistik, një ditë edhe ma mori për të madhe.

Mirë bre burrë, ndashtë që e ke kritikuar DoktorZiun, por pse e ke shti pa brekë në atë shkrim publicistik edhe mikun e tij besnik, Patriotin e vonuar?! “Revolucionarin” e sotshëm të protestave laramane, në Shkup. Heshta. Nuk iu përgjigja, ku ta dija unë se, miku besnik i “Abazit”, nesër do të dalë rrugëve të Shkupit për ndryshime politike?! Partizani, që, dje përveç posteve politike të sistemit komunist, sot gjatë “Perandorisë Shqiptare të Abazit”, i gëzoi gati të gjitha postet politike.  Edhe, “Abazin” me shokë i shpalli “tradhtarë dhe kriminelë”. Papritmas, ma kujtoi përgjigjen e një Hoxhe Rumunie të Kërçovës, mik i Asdrenit në Bukuresht, që duke u kthyer nga një fshat malor si hoxhë shqiptar, erdhi tek ne për vizitë miqësore në Katund. Nusja e vëllait, sipas traditës kërçovare, pasi i dëshiroi mirëseardhje dhe e përshëndeti sipas zakoneve shqiptare, iu drejtua mysafirit të papritur që na trokiti tek porta: Hoxho, a jeni për një kafe? Jo, iu përgjigjë hoxha. Kafenë, pas buke. Vëllai e kuptoi përgjigjen. Iu drejtua gruas: Hoxha ka ardhë nga malësia dhe do bukë, jo kafe.

Vite më vonë, gjatë një udhëtimi me aeroplan me Hoxhën e “Allahut” në Panairin e Librit në Lajpcing, kur stjuardesa na i solli “senduiçët”, Hoxha i “Allahut m’u drejtua mua si mik: ky “senduiç” nuk është me mish derri? Jo, iu përgjigja unë i pasigurt. Edhe, Hoxha i “Allahut” iu fut “senduiçit” me të gjitha forcat ushtarake. Merreni me mend rastin, sa e kemi pasur në nivel besimin miqësor me Hoxhën e “Allahut”. “Besën” e sotshme të një partie politike “Shqiptare opozitare”.

Gjatë gjithë atyre pesë ditëve sa ndejtëm në një dhomë hoteli, në Panairin e Librit në Lajpcing me Hoxhën e “Allahut”, kam shumë kujtime të bukura artistike. Vetëm disa, ato më rëndësishmet do t’i sjell për lexuesin në këtë shkrim publicistik. Shkaku se, një pjesë e tyre janë të jetës private dhe “patrotike”.

Lajpcingu si qytet i kulturës dhe librit, në të cilin gjatë atyre ditëve festive, dyndeshte e gjithë Gjermania në Panairin e Librit, nuk më pëlqeu fare. Jo, pse nga të kthehesha më priste mishi i derrit me bollëk, por edhe perimet e pemët ishin pa shije, më dukeshte sikur ha plastikë. Thashë, me vete: Politikën “madhore” jo, ama ushqimin tradicional në Shkup së paku e kemi natyror.

Ditën e nesërme me Hoxhën e “Allahut”, patjetër vendosëm të kërkojmë mish viçi. I thashë: vështirë se do ta gjejmë në këtë Qytet të librit. Megjithatë, mirë është të pyetet, ku ka ndonjë reastorant turku. Edhe, pas disa kërkimeve në internet, mezi e gjetëm restorantin e turkut. Ishte mbi njëqind kilometra larg Qytetit, Panairit të Librit.

E morëm një taxi me Hoxhën e “Allahut”. Posa hymë brenda në restorant, Hoxha i “Allahut”, m’u drejtua: Au bre burrë, edhe këtu paska raki rrushi, uzo, verë dhe uiski?! E, ne shqiptarët, Fenë Islame e kemi marrë nga turqit?! Po, iu përgjigja unë me ironi. Moti, të kam thënë se, ne shqiptarët jemi me “Din e Iman, turq ehamdurila”. Punë tjetër është ajo se, dikur ne na ka nemur turku për tradhëti fetare.

Kamarieri erdhi vrik dhe na pyeti për pijet. Hoxha i “Allahut”, porositi një çaj rusi. Turku, ia priti: “haram”. Unë, një raki rrushi. “Hallall”, m’u përgjigjë turku. Tjetër, pyeti turku për drekë? Njëzëri, iu përgjigjëm: mish viçi!

Pse, ju nuk e hani mishin e derrit, ndërhyri turku?! Jo, nuk e hamë se është “haram”. Budallenj, qënkeshit ju shqiptarët. Kurrë, siç duket nuk e paskeni provuar mishin e Gicit. Paska pasur të drejtë turku që ju ka nemur. Mishi i derrit është “hallall” se, nuk jep qumësht, lesh për struke. Edhe, duhet therë, thikën në qafë! Kotnasikoti është kafshë shtëpiake. Mishi i viçit (shterres) dhe deles janë “haram” se pjellin, japin tambël me kusi, lëkurë, lesh, e mbajnë gjallë një shtëpi në Katund.

Ditë më vonë pas mbylljes së Panairit të Librit në Lajpcing, kur u kthyem me aeroplan mes reve për në Shkup, Hoxha i “Allahut”, nuk më pyeti per “senduiçin” se, me çfarë mishi e kishin përgaditur maxhatoret e aeroplanit, por iu fut me të dyja duart “gjahut të Allahut”. Unë, mes qiellit dhe tokës i rrokullisa disa kanaqe me birrë. Hoxha i “Allahut”, nuk e përbajati veten pa folë: Ama, gjatë këtyre ditëve i ke pi nja dy-tri bure (fuçi) me birrë? Qesha. Nuk e di, nuk i kam numruar. Asgjë nuk më pëlqeu në Gjermani, përveç birrës. Dy-tri bure (fuçi) me siguri, por kam frikë mos i kam pi shtatë, ose nëntë?! Shkaku se, ne shqiptarët edhe këngët popullore legjendare të kreshnikëve me Zanat e Malit, i kemi me shtatë e nëntë plagë të Gjergj Elez Alisë. Babai i pati dhjetë plagë. Një Zot e di sa plagë do t’i kem unë deri në varr.

Një muaj më vonë, i prishëm punët me Hoxhën e “Allahut”, kur në një mbëledhje të Shoqatës të Botuesve Shqiptar, ai u pajtua që si anëtar komisioni të shkojë në Ministrinë e Kulturës një tollumbaxhi. E, unë, isha haptas kundër këtij propozimi. Thashë: në Minsistrinë e Kulturës e dërgoni edhe armikun tim më të madh, por jo edhe si anëtar komisioni një individ që nuk ka “haber” nga letërsia, pa bagazh kulturor e letrar. Përballë të ulet në një tavolinë me palën maqedonase. Koha është sot, në atë Ministri të Kulturës të vëmë një rend dhe rregulla të vlerave artistike të letërsisë shqiptare.

Vitin tjetër, jo që ai Tumbaxhiu kishte “vendosur rregulla dhe vlera” të letërsisë shqiptare, por si për inatë anëtar komisioni në Minsistrinë e Kulturës shkoi vetë Hoxha i “Allahut”. Qëllimi im si shkrimtar, nuk ishte që në atë Ministri të Kulturës të shkohet sa për sy e faqe, por të vëndoset një rend, rregulla të vlerave artistike.

Ditën e nesërme, padashtas në Bit - Pazar, u zatekëm ballë për ballë me Hoxhën e “Allahut”. U përpoq, kur më pa të më ikë, gjoja se nuk më sheh mes kalimtarëve. I dola para dhe ia preva udhën. Ia përplasa mëllefin e lidhur nye në fytyrë, i thashë: Kush të ka dërguar ty në Ministrinë e Kulturës si anëtar komisioni? U trembë, gati e lëshoi toka, siç thotë populli. Arsye se, të gjithë kundërshtarët e mi propagandonin me të madhe nëpër Shkup se, Kalosh Çeliku pinë dhe mund të jetë agresiv, i paparshikueshëm. Mezi e mori veten, guximin: Ngadalë bre burrë, përshëndetu së pari!

Jo, me ty nuk dua as të përshëndetem. E di ti se, unë dajallarët e nënës i kam doktorë të teologjisë, në Kairo? Nga familja e gruas, poshtu brez pas brezi hoxhallarë. E, nga babai, haxhilerë me “Din e Iman” deri në vdekje? Prej nga ti dole, më “musliman” se unë në Ditën e sotshme në mes të Shkupit?!

Tekefundit, unë kur të dua mund të vij të ta fal “xhematin” në xhami, por jo edhe t’i pa asnjëfarë bagazhi letrar të vendosësh për vlerat e arrira të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Edhe, i prishëm punët me Hoxhën e “Allahut”. E humbëm besimin tek njëri -tjteri si miq të vjetër besnik të librit.

Përçudi, sot Hoxha i “Allahut” është “analist politik”. Nuk udhëheq me xhaminë ku e grushtuan para kamerave televizive Haxhi Deputetin. Faji, kutadi unë: ndoshta është i imi si shkrimtar, që u bë “analist politik”?! Nateditë rri nëpër dritaret radiotelevizive me “analiza profetike” krah për krahu me politikanët e dështuar shqiptar për dalje nga kriza politike. Dje, partizan i një Partie Politike Shqiptare në pushtet, sot ”revolucionar” i Opozitës laramane nëpër rrugët e Shkupit duke na i “pikturuar” me ngjyra komuniste rrugët dhe institucionet e Shtetit të “përbashkët” për ndryshime politike. Herë pas here duke e lënë pa pikë uji edhe Olimbinë në breg të Vardarit me fëmij në bark, gji e prehër.

Përfitimi: e analizoj thënjen e Hoxhës “Allahut” të Ruminisë: kafen pas buke! Thënje historike, që Partitë Politike Shqiptare dhe politikanët tanë “kuqezi”, ende nuk e marrin vesh, dalin nga rrethimi politik mes livadheve, pas Çuke. Habitem, me mikëpritjen e tyre “shqiptare”, që kafenë na e qesin para buke. Nuk i falen dhe i luten Zotit para këmbëve të Hoxhës “Allahut” në xhami, por para këmbëve të Dexhallit.

Kokës, së paku t’i bien me dy grushta, rrasin trutë, se: kafenë duhet pi pas buke...



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT