Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Ahengu dhe turpi

| E premte, 17.06.2016, 07:16 PM |


Albert Habazaj

Ahengu dhe turpi

tregim

Nuk kishin filluar akoma shirat. Ishte e premte e datës 15 tetor, nëse s’gaboj. Punoja, si zakonisht, te bar “La piramida”, në qytetin provincial, të fshehtë por të qetë të L’Aquilës.

Andrea Bragjini më vjen, si i zgjuar nga një ëndërr e shqetësuar, që në shtatë pa dhjetë në lokal (me Andrean kam një çerek shekulli që njihemi, thuajse qysh në moshën e adoleshencës, bregjeve të Jonit vlonjat).

Pasi u përshëndoshëm, më kërkoi të pinim bashkë një kafe me këmbëngulje edhe pse e dinte se isha në pikun e punës së mëngjesit. Sqarova “padronin” dhe u ulëm bashkë me shokun tim në një kënd të pazhurmshëm të barit. Duke rrufitur kafetë, me një zë të dëshpëruar, Andrea nisi të më qahej si vëllait, duke zbrazur klithmat e shpirtit të ngacmuar.

- Ah, që s’jam shkrimtar, ah, që s’jam shkrimtar! - thoshte shpesh. - U bënë këta pupacë të dhjamosur të tallen me ne, që jemi të varfër por të ndershëm. Ah, more Ilir, ç’të bësh?!

- Po ç’ke mor Ndreko, ç’ke? Dhe mos i fut të pestin në malore - bëja shaka -, se do ta zgjidhim hallin që ke - doja ta qetësoja unë.

Mundohej të ishte i qetë në bisedë, por shfaqej dukshëm ai dufi i spikatur vlonjat.

- Nuk mërzitesh që erdha kaq herët, por meqë këta s’di ç’festë kanë sot, e bëmë pushim. Mendova më mirë të të takoj ty, se dhe rrallë takohemi. Ç’të bësh, s’të lë puna. Pse kemi ardhur këtej?! Po të qëndroja në banesë do të bëja si somnambul e do të mërzitesha më keq. Kështu, të paktën, bisedojmë tok, pijmë dhe diçka. Kërkoi të porosiste.

- Jo Andrea, do të qeras unë, pastaj më ke ardhur në “shtëpi” - i thashë. - Ti je trëndelinë e këngë, i shkundur nga xhepat. Pse s’e di unë kur u paguan Gianfrankoja?

Porosita një konjak për vete dhe një fërnet për mikun tim.

- E di si është puna? - u fut befas në temë Ndrekoja. - S’ka pyll pa derra, por këta ta bien në majë të hundës, mor vëlla. Ah, që s’jam shkrimtar, ah! Do ta shikoje si do t’jua çirrja maskën këtyre bukuroshëve injorantë me kollare.

- Dëgjo, Ndreko - doja t’i ulja nervat - Ne jemi qenie të ndërgjegjshme, të arsimuar, të edukuar e me kulturë…

- Ç’a thua, mo ç’a thua?! - ma preu.

- Dëgjomë një çikë, o Ndreko, pa mirë… - dhe vijova ku e lashë arsyetimin tim - Rëndësi ka që ne ta shfaqim veten tonë ashtu siç jemi çdo ditë, çdo çast: njerëz të mirë dhe me dinjitet …

- Atëherë, ç’dreqin kanë këta kukudhë, këta gjitonët tanë që ju hapë barku për ne…?!- më ndërpreu padurueshëm ai - që gjithë veset e tyre duan të na i veshin neve si vello të zezë?

Ç’dreqin kanë vallë? Të thuash e bëjnë për inerci të praktikave të vjetra, s’mund ta thuash? Megjithëse, ku merren vesh këta kulufër… Po, prapë nuk shkon… Të thuash e bëjnë nga inati, se ne punojmë mirë e nga halli, i shesim krahët e punës më lirë se ata?!... Po për bukën e gojës e bëjmë, a i uruar! E mori e mira e mori! Pa u rënë në qafë. Nuk e di, nuk e di … Veç një gjë e di saktë.

Ndjej nuanca racizmi, o vëlla. S’ta them dot ndryshe. Këtë mos ma diskuto!-

Gotat e para i kishim rrëkëllyer pa kuptuar me dy të kthyera dhe gati për njëzet minuta, kupat e boshatisura nuk kryenin asnjë funksion të dobishëm.

- Tani do të porosis unë - më tha Andrea i vendosur.

- Dëgjo Ndreko, jo se jam më i madh në moshë - ia ktheva - por duhet të kuptohemi. Duhet ta pijmë ne gotën, jo gota ne. Dakord?

- Dakord, po vetëm dhe nga një. Dua ta mpij trurin, ta stakoj mendjen.  Në këto moment. Nga këta. Pastaj dua të të them diçka, të thjeshtë në shfaqje, por në thelb, po ta vrojtosh me vëmendje, nuk është e tillë - dhe m’i nguli sytë e tij të ndritshëm e të kthjellët mendueshëm në dy të mitë.

- Mirë, do të pijmë dhe nga një, por ngadalë - nuk desha t’ia prishja dëshirën, - jo se s’dua të pi me ty, por nuk është as koha, as vendi për këtë gjë, bile, ta them hapur se të kam si vëlla, as mundësia - dhe vazhdova:

- Unë e ti nuk jemi vëllezër gjaku. Por jemi më tepër se shokë, se miq, apo jo? Shoqëria, miqësia a vëllazëria, quaje si të duash, që i ka rrënjët te pija (në fakt, ajo s’ka rrënjë, por vetëm gjethurina të verdha, të thara, të thyeshme kollaj) fillon dhe mbaron në bar, sepse vetëm nëpër klube zë mullë alkooli te elementë të veçantë njerëzorë.

Ai heshtte dhe më vështronte dac në sy.

- Hajde, tani gëzuar! Për shëndetin tënd! Dhe fol, mos m’u bëj konfuz!

- E ç’të flas?! Sikur s’i njeh ti. Këta janë derra të gjithë, një turi kanë. Janë kaluar, ndaj. Kanë para. U lumtë. Pa pikë turpi të ofendojnë. Ç’tu bësh?!

- Shiko, i dashur! Duhet të bëjmë dallim midis njerëzve që na rrethojnë, që na lidhin interesat, apo jo? Si thua ti, Ndreko? - i ndërhyra unë - Vërtet është interesantë me këta tipa. Tamam tipa dhe propotipa. Nuk di si të sillesh. Të bëjnë të kaptosh kufirin e mirësjelljes. Bile…Kuptohet, ka dhe njerëz të mirë. Jo pak, apo jo? - i thashë dhe ngava llafin dhe eca më tej:

- O Ndreko, jo pak janë dhe mostrat që e bëjnë si lopa. Ka jo pak kopila…

- Dëgjomë, mor dëgjomë, - s’më më la të flisja më. U kthye nga unë. Vuri këmbën mbi këmbë, u mbush me frymë dhe tullë nisi rrëfimin:

- O Ilir! Punonim në Montichio. Silvio, një nga bosët e asaj komune, kishte nisur një kompleks modern për dhen. Të lumet ato dele, që do të rehatohen atje! …

Çdo ditë kur vinte në kantier na sillte ose kafe, ose birra, ose koka-kola. Përherë futej në zonën tonë të punës e na përshëndeste: - Mirëdita! Si jeni, si shkoni, a lodheni? … (Kuptohet në italisht, Ndreko e mos qesh keq, se sot italianishtja na është bërë si  gjuha e hallës…

Dhe ne këto pyetjet e rëndomta i dimë përmendësh. Babaxhan qe. Bënte dhe shaka. Dhe ne, kusuremëdhitë i përgjigjeshim me qejf dhe e pyesnim po ashtu, për të patur sadopak një balancë në bisedat kalimtare të çdoditshme. Po bënim, si të thuash, rregullisht një ritual etike baraspeshor. Ne, të varfërit mirë ndiheshim.

Arturin kishim çakmak që ndezej pa shkrepur.

Jo më ta ngisje. Inventari i fjalëve që nxirrte nga goja delte suficit në krahasim me fjalorin e gjuhës standarte, letrare shqipe. Konkuronte “denjësisht” me ca djem nga Skela … Nejse, ç’ta zgjat. Ia bëri mirë në fund Silvios dhe të bijës së tij, Gianlukës. Veçse, ende çalon me italishten. Një javë të tërë punuam me sforco. Djersa na kërcente shtatë në lug të kurrizit. Themelet përfunduan.

U derdh betoni si për rrokaqiejt e Nju Jorkut. Hajde, bir, bir, ç’ grataçele! Ja kështu…Pasi mbaroi betonimi, “agai” na shtroi një darkë. Hajde, darkë hajde! Për kokë të saj! E derdhi lumë: mish të pjekur në skarë, verë, birra, ëmbëlsira, fruta, koka-kola … Plot e përplot. Çfarë nuk kishte! U thekëm mirë. U ngopëm, se barku ynë nuk e kishte kaluar ndonjëherë këtu nivelin mesatar të mbushjes.

Shkurt, u kënaqëm sa u rreshkëm. Këtë s’mund ta mohoj. E grisëm varfërinë një vakt. Albani, që, sipas grafikut të “rregullores së brendshme të refugjatit”, kishte radhën e “veqilit” në sektorin e kuzhinës, u gëzua dyfish se s’do vriste mendjen ç’të na gatuante për darkë. Aheng i madh. Zhurmë, gaz, këngë. Ec e jake, çokitje gotash. Dhëmbët punonin me maksimumin e mundësisë përtypëse.

Të gjashtëmbëdhjetë ne dhe Gianfrankua, padroni ynë, ishim jashtë, sistemuar gjithsekush sipas qejfit të vetë në përshtatje me mjedisin. Gianfrankua bënte vara vingo, nga ambienti ku ishim ulur në në barakë dhe anasjelltas.

Në barakë ishin familjarët e Silvios dhe “pecot” e komunës. Bëheshin nja dyzet vetë ata. Ahengu mbaroi vonë. Yjet në qiell na buzëqeshën, kur ne u larguam duke i hedhur nga një vështrim të ëmbël Silvios, si shënjë mirënjohjeje.

Të nesërmen e darkës së madhe “kapua” i firmës caktoi nëntë veta për të dizarmuar themelet. Ishin dy italianë: Gabriele, baxhanak me shefin tonë dhe Giani, vëllai i Gianfrankos; shtatë të tjerë ishim shqiptarë: Ramadani e Ixheti nga Tetova, unë, Leonardi, Albani, Kasëmi e Turi, të pesë nga Vlora.

Na vinte mirë që na kishin respektuar. Të na thoshin hidhuni në buzë, në buzë do të hidheshim… Tani, në buzë fare jo, por aty afër … E, nejse. Nga ora nëntë, ca pika shiu “nuk ranë mbi qelq”, por na shoqëruan njëra tek dera e barakës, ku u futëm të hanim mëngjesin. Hapëm qeskat e plastmasit dhe filluam të nxirrnim fetat e bukës, kush me vezë të skuqur, kush të lyer me majonezë, kush … Giani e Gabriele zbuluan mushamanë ku, si duket, të zotët e objektit kishin grumbulluar ç’kishte mbetur pa konsumuar nga “pecot” darkën e kaluar.

Bollëk qe darka, bollëk prapë kishte tek këndi: sallam, proshutë, mollë, portokalle, birra, etj.

Giani na dha nga një frutë, na mbushi nga një gotë plastike me birrë dhe na preu nga një rrotë sallam. Më nëntë e gjysmë fiks rifilluam punën, si çdo ditë, por me bark të ngopur, 100 %  të plotësuar. Pas dy - tre minutash, vijnë dhe italianët. Puna ecte zile Janine. Nga ora dhjetë, një makinë BMV ndalon me ulërimë në fund të kantierit dhe prej saj del zonja Gianluka, e bija e bosit. Zonjë e rëndë dukej. Tundej apo s’tundej. Vjen duke turfulluar dhe i turret pa pikë edukate Turit dhe Kasëmit, që punonin aty pranë:

- Kush ka vjedhur djathin? Kush? Hë, pra flisni! S’keni turp! Ju, shqiptarët kështu jeni. Ku të gjeni rast, zgjatni duart… - E turfullonte e turfullonte si ato pelat e harbuara të Kuçit. U nxi si tërsëllimë mavi. - Nuk e vlerësoni ju të mirën tonë. Ju gjejmë punë, ju mbajmë me bukë, me veshje, me fjetje e ju na vidhni!...- e vazhdonte të grinte e të grinte pa doganë. Po s’i vuri kapistër fare fjalës, de! - Eh, mo Ilir vëllai, ishte shikimi i dytë i ndërsjelltë me të. Në aheng vetëm sa qemë përshëndetur, asnjë fjalë këmbyer më parë. Dhe tani na doli çështja “Djathi i Zonjës”.

Gianluka, e kurdisur keq dhe e mbarsur me mllef, shfrynte e nuk po e pushonte bombardimin intensiv me fjalë të këqia.

Leonardi e dëgjonte, por nuk fliste. Edhe gjashtë të tjerët nuk flisnin. Turi dhe Kasëmi, që ishin më afër sinjorës, mirë dëgjonin, por, të shkretët, s’kuptonin italisht. As shatra - patra… Leonardi u vu në dyshim se mos djathin e kishim marrë ne, ngaqë s’po ndiheshim.

Tetovarët, unë dhe Albani s’dëgjonim qartë, se ishim larg. U afruam drejt sinjores. Po shikonim Leonardin, që qe bërë si Tranajoi në furtunë dhjetori. I doli përballë Gianlukës dhe, pa i rënë zemërimi, na u drejtua ne:

- Kështu siç jemi, asnjë të mos lëvizë nga vendi! Bëj kontroll - i tha rreptas asaj - Kush e ka djathin, ta pështyjmë të gjithë me radhë, këtu! - dhe në fytyrë, një ngjyrë i vinte, një ngjyrë i ikte.

Zonja mori flakë: - Unë e kam gjetur djathin. Ishte fshehur në një çantë shqiptari. Ju s’jeni burra, “Siete un pezzo di merda (jeni një copë m..)

Këtë ofendim e kuptonin dhe Turi me Kasëmin, që kishin ngelur rripa në komunikimin me italianët. Ende kuptoheshin me shenja në gjuhën e punës.

Zonja, që kish marrë keq flakë … nga lart …vazhdonte të dërdëlliste lloj-lloj ndyrësirash: -Nuk e besoja.  Jo, jo, nuk e besoja - trokëllinte e trokëllinte. Dhe bërtiste me të çjerrur si krakërimë sorre: - Por djathi ndodhej në atë çantën e vogël, të bardhë mbi dërrasa. Patjetër çantë shqiptari ajo. Duket…

Në fakt, çantat të gjitha, tonat dhe të italianëve atje ishin. Mbi dërrasa. S’kishim ku i linim tjetrër. Qe si më pastër. Më freskët. Giani, vente e vinte në barakë e vërdallë kantierit. Bënte indiferentin për ç’ka debatohej.

Leua, me një durim të habitshëm iu drejtua zonjës: - Eja, eja! Eja, pra, të kontrollojmë bashkë dhe ke për të parë se ç’do t’i bëjmë ne atij turpemadhi, që meroi gurët… Se nuk mund të mbajnë të tjerët barrën e një balashi.

U bë kontrolli. Djathi doli nga një çantë e vogël. Por  jo e bardha. Qe e verdhë çanta e turpit.

Ishte çanta e Gianit.

Të shtatë ne, shqiptarët u çliruam. S’e ke idenë sa u çliruam nga gjendja maksimalisht stresante. Giani, vëllai i kapos tonë, tok me Gabrielen, ikën pësht-pësht si të lagur nga poshtë.

Leonardi iu kthye Gianlukës: - Zonjë, sa ju detyrohemi për darkën, që na shtruat mbrëmë ne të shtatëve. Ajo u bë si hutaqe, ngriti supet duftulatur dhe gëk. Në fole ti që s’ishe, foli ajo.

- Ju keni shpifur dhe na keni fyer, duke menduar se jemi krahëthyer e pa mbrojte. Ne na mbron e vërteta, nderi ynë, dinjiteti ynë, emri ynë - po merrte uragan fjala e Leos, si prelud aktakuze - Ne do t’ju padisim. Dakord?! Do ta lemë punën dhe menjëherë do të kërkojmë avokat.

Gianluka u shushat dhe u bë si pulë e lagur. Turi, zhurmëtar pa punë e jo më me punë, filloi ta shante me libër shtëpie, më keq se skelarët atë zonjkëz të keqe. Turi, këtë kishte të keqe, që ishte mistrec e trazovaç, pa vese të tjera, jo, jo, s’kishte ai. Dhe kur i thoshte Giani apo ndonjë tjetër për ta provokuar, për ta ngacmuar apo me tërë mend, s’e di, ai ua kthente prerë: “S’jam nga ai fshat unë!” Domethënë, s’më keni për të tilla palo punë e kish’ llafin.

Gëzonte Turi si ai, që dolëm të larë. Leonardi, që qe dhe një mjeshtër ndërtimi e konkuronte italianët më me përvojë të firmës, telefonon Gianfrankon, dhe, me një italishte të pastër, i rrëfen kronikën e ngjarjes dhe finale e turpshme. Ne ishim mbledhur sup më sup e kokë më kokë si vargmalet e Vetëtimës dhe Këndrevicës. Kërkuam takim me zotni Silvion. Erdhi, i uruari … Me qetësi i dhamë panoramën e asaj paradite. Ai çapëlonte sytë. E ç’faj kish ai!...

Pasi e kishim rrahur mendimin me njëri-tjetrit të shtatë, Leonardi i tha:

-Ju mos u trembni, ne nuk ju padisim. Koha është gjykatësi më i mirë. Çdokush tregon veten. Lumëmadhi Silvio përpëlitej si kaposhi i plakut të vitit të ri, pasi ka marrë presën e sopatës në zverk: - Pse, moj vajzë, pse ma bëre këtë?! Pse?! Mua më kanë bërë punë shqiptarët. I njoh mirë këta unë. S’dinë të vjedhin këta, moj karafile! Kanë ardhur për punë. Kanë familje. Pse moj, pse?! - klithte mekur plaku i gjorë.

-Ik ti, ore, sythumb! - ia ktheu në shqip Turi.

- Ke për të parë çdo të punoj! - hakërrohej, jashtë natyrës së tij me fjalët e turbullta që turfullonte plaku i lodhur ndaj të bijës së tij rritur me pekule. Dhjetë vjet kishte punuar në Argjentinë plaku Silvio para më shumë se gjysmë shekulli dhe e kishte vënë me punë, djersë e gjak atë pako kapital, që e shtonte dhe e shtonte, po me punë e ndershmëri, siç na thoshte, kur bënim ndonjë festë.

- Che vergogna! Che vergogna! - mërmëriste, duke bërë tri rrotullame të shkurtra qark nesh.

Pastaj u largua duke marrë me vete uturimën shurdhake të atij zëri të tymosur.

[Botuar për herë në parë në librin: “Antologji, tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë”, Vlorë, Europrint, 2006, f. 36 - 42]