E diele, 19.05.2019, 05:44 PM (GMT+1)

Personalitete

Sylejman Salihu: Sërish vjen stina

E premte, 17.06.2016, 08:39 PM


Sërish vjen stina

(Fjalë e mbajtur në tubimin përkujtimor për dëshmorin Zejnullah Zejna)

Nga Sylejman Salihu

Mbase e dini: ky titull vjen nga një varg i një kënge. Stina erdhi  përsëri, për të gjithë ata që sot jetojnë në qiellin e lavdisë ndaj  vjen edhe për Zejnullah Zejnën. Sado na duket se ai hesht,  ngjan e kundërta: ai flet, madje flet më shumë se kurdoherë. Flet portreti  dhe uniforma e tij, flet krenaria dhe simboli i tij, flet pushka dhe lavdia e tij, flet ideali dhe vepra e tij. Po ne ç‘duhet të bëjmë?Të heshtim?Jo, edhe ne duhet të flasim me të, ose të flasim dy fjalë për të. Fjalë për kurbetçarin, fjalë për luftëtarin, fjalë për dëshmorin Zejnullah Zejna. Të tria këto cilësime i rrinë mirë këtij dëshmori,  siç i rrinë çdonjërit nga kolona e gjatë e racës së tij, e racës së luftëtarëve që i mbushën kolonat e lirisë gjithandej globit ku kishte edhe një zë shqiptar. Ata janë një kolonë e gjatë, pambarimisht e gjatë,  dhe ata janë gjithmonë në marshim. Një marshim pa mbarim. Të gjithë bashkë, të gjithë një. Pse?Se ata i bashkoi një ideal, ideali i lirisë së atdheut. E  njerëzit i bashkon ideali dhe jo mosha më thoshte një plak dikur. Ata kishin një ëndërr, ata kishin një qëllim, ata kishin një atdhe dhe ata donin një liri me ngjyrat e ylberit. Më saktë : ata kishin një kauzë, prandaj kauza është ajo që i pavdekëson ata, jo vdekja. Napoleon Bonaparta  thoshte me gojën e vetë“Është kauza, nuk është vdekja ajo që e bën martirin“. Kauza pra e bëri edhe Zejnullah Zejnën luftëtar e dëshmor. Një kauzë e lindur dhe e rritur bashkë me Zejnullahun. Që ishte pjesë e tij, që ishte veshje e tij. Luftëtarët, pra ushtarët e UÇK-së  kishin një kauzë për liri, një kauzë për Kosovë të lirë, ku rapsodët  pastaj do të kenë çka të këndojnë. Edhe Zejnullah Zejna e kishte atë kauzë, me të cilën dhe për të cilën jetoi. Që nga Sojeva e Ferizajt, kur e pa për herë të parë dritën e deri kur i vuri pikë rrugëtimit të tij jetësor në Gorozhup. Gjithnjë në ecje dhe gjithnjë me kauzën përpara. Pas shumë shtegtimesh, si zog shtegtar, që fluturon gjithandej dhe sërish kthehet në çerdhen e vet. Ai e provoi mallin për atdheun, siç e provuam të gjithë ne por ai e provoi me intensitete dhe amplituda të tjera dhe sigurisht më të forta. Dhe këto ia dhanë shtysën të lëvizë, të ecë përpara. La gjeografinë dhe peizazhin e Evropës dhe iu kthye gjeografisë dhe peizazhit të atdheut. Se atdheu ishte leva që e vuri në lëvizje atë. Si edhe shumë luftëtarë të tjerë, që i lanë gratë dhe fëmijët dhe u nisën në llogoret e luftës, atje ku ishte familja e madhe e atdheut, atje ku po lindte liria. E liria kërkonte ushtarë, mijëra ushtarë të rreshtuar në  togje, çeta, divizione, aradha, brigada. Ne mbetëm  ca këtu, ndoshta për të folur sot për të, jo për ta madhëruar atë se ai u madhërua vetë me aktin e tij heroik, por për të thënë diçka, pak fare pak, sepse për të dhe për shokët e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha: diçka mbetet pa u thënë dhe diçka mbetet për t’u thënë  gjithmonë në vazhdimësi si një mësim i madh solemn për brezat, që vijnë. Ne mund të flasim për Zejnuan por nuk mund të hyjmë në shpirtin, për të kuptuar ngazëllimin e tij, kur ai ishte nisur për në frontet e luftës dhe nuk mund të hyjmë në thellësinë e shpirtit të tij për të kuptuar ngazëllimin e tij, sapo kishte kuptuar lajmin e fitores.

-Ndal më me topin! i kishin thënë shokët. Liria u fitua!

Por Zejnua nuk u ndal. Ai deshi edhe njëherë të mbushte topin e tij dhe të jipte alarmin e fitores. Ashtu trimërisht, ashtu heroikisht. E mbushi, por ndodhi gjëma. Diçka rrinte fshehur, që nuk e pa, diçka e zezë: ishte vdekja që e mori dhe e çoi në qiell, të pushojë bashkë me të tjerët. Të kuvendojnë, të këndojnë dhe të festojnë. Por jo që të mbyllin sytë. Gjoni nga „Bibla“ thoshte se trupi tretet e fryma mbetet. Është fryma e tij dhe e gjithë të tjerëve që jetojnë. Fryma e gjithë heronjve dhe dëshmorëve që si një kor këndojnë këngën e lirisë dhe pushkën s’e heqin nga krahu. Kjo frymë e kishte ndezur me zjarr luftëtarin e lirisë Zejnullah Zejna . I heshtur, i urtë, gati i drojshëm, ai ishte tepër i vendosur për një vendim që kishte marrë, për një rrugë që quhej rruga e lirisë për t’u bërë pastaj rruga e lavdisë . Ai u nis dhe shkoi atje ku dilema hamletiane : të jesh a të mos jesh, ishte çështje. Pa dilema në kokë, pa hamendësime por me besimin e madh se lirisë i duhej edhe krahu i tij, edhe pushka e tij, edhe lavdia e tij, ai u nis dhe u gjend në vijën e zjarrit të luftës, për të provuar provën e zjarrit. Me të shkuar me gjithë arsenalin luftarak të një ushtari të disiplinuar,  pranon çdo urdhër nga eprorët e tij. U paraqit në komandë me fjalët në gojë:

-Ja ku më keni, jam ushtar i atdheut!Dhe mbeti përgjithmonë.

Zejnullah Zejna pati një jetë nëpër periudha në tri kohë, përkatësisht  trikohorë. Fëmijëria  e tij ishte lirike, me ëndrra, adoloshenca dukej paksa e përzier epiko-lirike, kurse në pjekuri u bë personazh epik, madje epiko-historik. Frontet  e luftës e çertifikuan me gradën : ushtar i atdheut. Pastaj  erdhi hyjnorja, pafundësisht më e gjata: hyrja në panteonin e lirisë . Me të gjitha kohët dhe periudhat ai komunikoi lirshëm, natyrshëm, kurse me këtë të fundit, pra me epikën, ai komunikon solemnisht dhe amshueshëm. I denjë për të qëndruar aty bashkë me kolonën e gjatë të shokëve të llogoreve, ai frymon dhe na jep frymë edhe neve. Si do të pyesni ju?Po, me frymën e tij hyjnore. Me këtë frymë hyjnore, Zejnullah Zejna na frymëzon neve. Që nga momenti kur ra në Gorozhup, ai përçon mesazhe lirie dhe atdhetarie dhe vazhdon të përçojë edhe sonte midis nesh, edhe nesër, edhe pasnesër edhe gjithmonë. Madje herë-herë edhe qortuese. Ai na tregon rrugën, ai është navigatori që na tregon se si arrihet në cakun e madh të lirisë. Ai bën dritë, pra bëhet udhërrëfyes dhe na e ndriçon atë si një fanar se nga duhet  të nisemi dhe nga duhet të shkojmë, duke shikuar  bashkë me të tjerët mos po krijojmë linja devijante dhe shmangie në rrugën tonë. Se dëshmorët me frymën e tyre na ndjekin dhe mund të na thonë:

-Ndaluni!Si po silleni me tokën e përgjakur?Ne ramë, por ne jemi të pagjumë!Ne ju ndjekim në çdo hap. Prandaj kujdes atdheun!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT