Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hyqmet Hasko: Akti letrar i poetit Isak Ahmeti

| E premte, 17.06.2016, 07:10 PM |


Rreth aktit letrar të poetit, shkrimtarit dhe studiuesit nga Kosova Isak Ahmeti

Hapësirat e një zëri origjinal, intrigues dhe befasues…

Nga Hyqmet HASKO

Me emrin e Isak Ahmetit lidhet jo vetëm një nga prirjet më autentike të letrave të reja të Kosovës, por të gjithë hapësirës së shqiptarisë, në epokën e çlirimit të gjithçkaje nga kufizimet dhe paranojat e kohëve të këqija, me të cilat është ballafaquar, për fat të keq, bota shqiptare gjatë një shekulli.

Ahmeti ka arritur një afirmim të jashtëzakonshëm, në Kosovë dhe jashtë kufijve kombëtarë, si poet, publicist, eseist, kritik letrar, përkthyes.

Pasi ka dalë në rrugën e shkrimtarisë që herët, në moshën e njomë rinore, për të vazhduar  me intensitet aty nga fillimi i viteve ‘70 e më tej, deri me sot, letrari i pasionuar do të hynte për të lëvruar në të gjithë hullinjtë e zhanreve dhe llojeve letrare, duke qenë një zë më vete, origjinal dhe befasues.

Përveç qindra shkrimeve të botuara në të përditshmet shqiptare në Kosovë e gjetkë, në hapësirën mbarëshqiptare, Ahmeti është autor i këtyre botimeve të publikuara në kohë e vite të ndryshme: Gallatea, poezi, Rilindja,1972; Uratë zbulimi, poezi,Rilindja,19767; Kushtime besë,poezi, 1983; Njeri i kohës sime, poezi të përzgjedhura të Salvatore Quasimidos, Rilindja, 1976; Qumështi i zi i agimit, antologji e lirikës së re gjermane,Rilindja, 1988; Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia,Drita,Ferizaj-Bergamo (Itali), 1994; Kosova, Prishtinë, 1996; Bibla në letërsinë shqiptare, GR 1999; gjithashtu ka publikuar këto botime të zhanrit të eseve filozofike dhe estetike si: Letërsia kishtare dhe filozofia e saj, Illyricum sacrum, 2000; Ëeisse Zeit-Kohë e bardhë, lirikë gjermane, 2000; Kur’ani ne letërsinë shqiptare, 2006; Mëvetësi e krijuesit dhe studiuesit të letërsisë, Faik Konica,2013. Përveç këtyre veprave, ky autor me një zë të fortë dhe tejet original ka botuar, gjithashtu , nëpër revista dhe gazeta ( në Prishtinë,Shkup, Tiranë, Shkodër, Sarajevë, Zagreb etj.) mbi 200 njësi bibliografike (artikuj), kritikë letrare,ese, vështrime dhe studime nga fusha e letërsisë dhe filozofisë. Shkrimet e këtij autori janë përkthyer dhe botuar edhe në shumë gjuhë të huaja, në gjuhën serbokroate, në gjuhën gjermane,italiane, frënge, rumune etj, për më tepër duke fituar shume çmimeve dhe diploma letrare, si fitues i Çmimit (Diplomës) vjetor (2013) të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë,me motivacion: Studiues i letërsisë, i dalluar në kërkime shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës. Anëtar i i LSHK, që nga viti 1972, si dhe anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli në Paris prej disa vitesh, ahmeti është një emër dinjitoz në analet e letrave të reja të Kosovës dhe të gjithë shqiptarisë.

Poezia është ndoshta fusha më sensitive, ku shtegton herë pas here shpirti kërkimtar i poetit, në rrekjen për të na sjellë mbresat, emocionet dhe kujtesat më të ndjeshme e më komunikuese në lëmin e mesazheve dhe kumteve që ato mbartin, që nga uni më i thellë deri tek përgjithësimet me hapësirë universale.

Poezia e tij e përfshirë në tre libra përcjell lirizmin dhe tragjizmin e trevave të Kosovës, mallin, idilin, qëndresën, dhimbjen, humbjen, rebelimin, shtegtimin e subjekteve, rendjen e kahmoçme drejt Tokës së Premtuar. Është një zë sa i ngrohtë dhe kumbues, aq dhe antikonformist, në gjurmët e poezisë më të mirë moderne të shkruar nga shqiptarët e Kosovës, me të cilët lidhet pjesa më e ndritshme e historisë së poezisë shqipe në kohën e re.

Thënë ndryshe, poezia mund të konsiderohet si një nga “pikat më të forta” të poetit, për shkak të nervit dhe impulseve me të cilat e ushqen Ahmeti poezinë e tij, për shkak të një tematike të prekshme dhe aktuale, që gëlon në vargje e strofa, duke na përcjellë shqetësimet qytetare të përditshmërisë sonë të ngarkuar dhe universalitetin e mesazheve.

Poeti i mbështet këmbët në një tokë të fortë, që është toka e emocioneve dhe përvojave të tij, toka e unit, ku ai mbjell farën e vetmisë, trazimit, dyshimit, shpresës, dashurisë, dëshirave të penguara, mallit, idilit, erosit etj.

Poet i vetmisë, ankthit, mallit, dashurisë, në një vështrim personal, autori shpalos një fluks të gjërë ndjesishë intime, duke na sjellë përjetime të forta inkadeshente dhe impresionuese. Kështu, fjalë kyçe në poezinë e tij bëhen historia dhe ardhmëria, trupëzuar në ndjesi të forta malli dhe dashurie për vendlinjen, njerëzit e afërt, rrugët dhe pragjet ku I ka shkelur këmba, femra, idili romatik etj.

Poezia e Ahmetit të thith me intensitetin e ndjenjës, fuqinë e fjalës, befjen e imazhit, atë shpalim ngjyrash, ndërvarjesh, raportesh në lojën e trillit poetik, ku natyrshëm zbulohen gjithë ato grimca të shpirtit njerëzor që na japin pastaj grimcimin kozmik të botës, që arrin të shkojë deri tek rrafshi filozofik, duke i marrë idetë dhe këndvështrimet poetike për t`i ngritur në përgjithësime dhe magjinë detyruese që të kumtojnë mesazhe për çdo njeri.

Poezia e tij lëviz në pika gravitetit të forta, ku përzihet lirshmëria e habitshme me filozofinë e përpunuar hollë në labaratorin poetik, një ritmikë në dukje e shkujdesur, por që ka elemente të modernitetit dhe ndaj poezia e tij herë i ngjan një bisede intime nën strehën e një kujtimi e herë një përpjekje të rëndësishme për të artikuluar mësime nga jeta. Ajo është një poezi e detajeve të holla, e figurave të gjalla, e imazheve që lëvizin dhe përcjellin një botë të thyer emocionale; në të vërshon një sinqeritet prekës dhe autori në emër të tij i shmang modelet e të shprehurit që konformojnë sintagma të njohura,

Për poezinë e Ahmetit kanë shkruar, në mënyrë afirmative, shumë autorë, si Mensur Raifi, Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Teki Dervishi, Emin Kabashi, Mazllum Saneja, Gjergj Gega, Rudolf Grulich, Sreten Peroviq, Aleksander Petrov, Engjëll Sedaj, Ramadan Musliu,Andon Caci etj., duke pohuar origjinalitetin dhe freskinë e poezive të shkruara prej tij. Kjo poezi ngërthen në vete motive dhe tema nga më të ndryshmet, duke filluar nga kërkimet në botën e unit, në emocionin e përjetimit dhe kujtesës vetjake, gjer tek dramat dhe dilemat kombëtare ekzistencialiste.

Ka mbi katër dekada që Ahmeti merret me krijimtari letrare, si dhe me punë studimore, kryesisht në fushën e letërsisë dhe kulturës shqiptare, ku studimet më të rëndësishme të tij kanë qenë dhe mbeten letërsia shqiptare dhe rrugëtimi i saj në kontekst me Biblën, si dhe në kontekst me Kur’anin dhe kulturën islame (orientale). Vlejnë për tu theksuar në këtë lëmë librat e tij studimore, si “Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia, “Kosova, Letërsia kishtare dhe filozofia e saj”, “Bibla në letërsinë shqiptare”, “Kur’ani në letërsinë shqiptare” të cilat kanë ngjallur interes për studiuesit tanë dhe të huaj…

Në këto vepra të mirëpritura nga lexuesit, kritika dhe qarqet kulturogjike të shqiptarisë dhe më gjërë, autori nxjerr në pah faktin se rrënjët e qytetërimit tonë,pra edhe të letërsisë shqiptare janë shumë më të thella dhe shumë më të hershme se sa ç’është menduar dhe shkruar deri me tash në të gjitha historitë e letërsisë shqipe, ato lidhen me traditën e lashtë iliro-kishtare edhe në Kosovë. Autori pohon me vetëdije të thellë shkencore, fryt i një kërkimi të gjatë dhe të etshëm se vetëm duke ndjekur këtë vijë, ne shqiptarët mund t’i nxjerrim në dritë, me realizëm dhe objektivitet pikat kryesore të konvergimit hitoriko-kulturolgjik të botës shqiptare me atë evropiane e më gjërë, mund të përcillen personalitetet më në zë të këtij dimensioni mbarëshqiptar, por  edhe dukjet letrare të këtyre trevave, që kanë kontribuar jo vetën për t’ i lidhur e bashkuar shqiptarët dhe kulturën e tyre me Perëndimin, por edhe në zhvillimin e kulturës evropiane.

Ajo që spikat në këto libra të Ahmetit është theksimi I përvojave të botës shqiptare në raport me përvojat evropiane dhe botërore, bie fjala, i faktit

me rëndësi, se Kisha katolike -dardane-shqiptare në Kosove, si institucioni i organizuar ndër më të vjetrit në Evropë, gjatë shekujve ka ndikuar, herë herë edhe në mënyrë vendimtare, që të ruajmë identitetin tonë fetar, kulturor dhe pse jo edhe kombëtar. Le të përkujtojmë me këtë rast edhe faktin se nga gjiri i kësaj Kishe kanë dalë klerikë e prelatë kishtarë, shumë të njohur e të merituar, shkrimtarë dhe veprimtarë të dalluar për çështjen kombëtare, organizatorë për çlirimin nga roberia e egër osmane (P.Budi, P.Bogdani, T.Raspasani,G.Krasniqi, Sh.Gjeçovi etj., etj.). Vetë fakti se në gjirin e kësaj Kishe, rrëfen Ahmeti, kanë jetuar dhe vepruar: Shën Niketë Dardani, Martin Segoni, Atë Pal Hasi, Pjetër Budi, Andre, Lukë e Pjetër Bogsani, Gjon Nikollë Kazazi, Shtjefën Gjeçovi, Ndue Bytyqi, Gaspër Gjini dhe shumë e shunë të tjerë, tregon, sipas tij, se ata nuk janë vetëm një e dy, por, si do thoshte Eqrem Cabej, një lagje e tërë që përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm jo vetëm të shkrimit shqip, por edhe të literaturës së Atdheut…Duke vazhduar kërkimet në këtë lëmë të thellë kulturologjik e më gjërë, autori pohon, se nga gjiri i kësaj Kishe ishte edhe Shën Niketë Dardani (shek.IV), autori i TE DEUM-it të famshëm që me kohë, siç e ka thënë Ramadan Sokoli, më pas edhe I.Kadare, ishte bërë pjesë e komunitetit kulturor evropian dhe botëror, për të kulmuar më Nënë Terezën, e njohur në tërë botën si humaniste, tashme e dekretuar për shenjtëreshë nga Papa Françesku, e cila ka dalë nga gjiri i Kishës vendore të Kosovës sonë…

Në vitin 1994, në kuadër të botimeve “Drita”, në Bergamo të Italisë, autorit i botohet libri “Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia”, pjesë të të cilit më pare,me pseudonimin Shpend Shpata, siç dëshmon edhe vetë, i pati botuar të “Drita”-revistë fetare – kulturore, të cilën edhe e kishte lekturuar me vite të tëra.

Ky është një libër tepër interesant që dëshmon rrënjët tona evropiane, për më tepër kontributin e shqiptarëve të ditur, ikonave të mendimit dhe letrave tona, për kulturën e kontinentit të vjetër. Kjo qasje tepër interesante është një studim unik në duart e lexuesit dhe studiuesve, për të vështruar përtej dukejeve të çastit, në thellësi të kohës dhe të figurave historike, që përcjellin mesazhe gjithëkohore.

Katër librat e Ahmetit “Kosova(1996), “Bibla në Letërsinë Shqiptare”(1999), “Letërsia kishtare dhe filozofia e saj” (2000) dhe “Kur’ani në Letërsinë Shqiptare” (2006), janë studime monografike, ku autori ka prekur ato fusha të artit e të kulturës sonë, ku kishte mungesë studimesh të mirëfillta, duke u marrë dhe trajtuar segmente të veçanta, madje fare të pahulumtuara në studimet historiko-letrare…Me këto katër vepra, autori duket se na ka ofruar mundësi të reja në interpretimin e letërsisë shqiptare (kufijtë e secilës nuk i kemi te Gjon Buzuku, siç është thënë deri me tash, por te Shën Jeronimi dhe Shën Niketë Dardani), me letërsinë Perëndimore, marrëdhëniet e letërsisë shqipe dhe shqiptare me këtë letërsi, ndikimet, zhvillimet e letërsisë sonë në rrjedhat e kohës etj.

Si kritik letrar, Isak Ahmeti përvijon atë kritikë të thellë, në rafshin krahasues, analitik dhe psikoanalitik, ku kanë vënë themele ikonat e saj si Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj, për të vijuar tek më të rinjtë si Ramadan Musliu etj, që mund të themi se përbëjnë një shkollë të kritikës shqiptare të zhvilluar në Kosovë. Janë të njohura kritikat e tij të një kohe të vështirë si “Prirjet e kritikës letrare në Shqipëri” (Fjala,15 prill 1984), që ishte aso kohe një “bombë”, kur dihet tashmë se Kosova dhe një pjesë e madhe e letërsisë shqipe shkruhej nën ndikimin e soc-realizmit…

Me këtë vepër të gjërë, komplekse dhe orgjinale, Isak Mehmeti i bën nder jo vetëm letësisë shqipe që shkruhet në Kosovë, por gjithë letërsisë sonë kombëtare, të çliruar tashmë nga muret dhe kufizimet e kohëve të pa koha, duke qenë një zë origjinal, intrigues dhe befasues.