Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Një përurim ndryshe

| E hene, 13.06.2016, 05:21 PM |


Një përurim ndryshe

Nga Bedri TAHIRI

Qysh moti e kam ditur se rastësia është mbreti i botës. Mirëpo, krahas saj po shkuaka edhe koinçidenca. Këtë e vërtetova vetë, ditën e martë, më 7 qershor 2016, në Durrës.

Me kolegët e mi të Gjimnazit “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë, prej së dielës, po pushonim në “Bonita” të Golemit. Përmes mikut tim të nderuar, Skënder Kapitit, ku ditë më parë kisha drekuar e pushuar si në shtëpinë time, për sot kishim lënë një takim me disa krijues e miq tanë. Dhe, sakaq, atë ditë sikur kishte ngjarë mrekullia. Gazeta “BULEVARD” e atdhetarit të madh, z. Artur Llana kishte publikuar tri shkrime që na ndërlidhnin krijues e dashamirë të fjalës së bukur shqipe nga të gjitha krahinat shqiptare. Ishte botuar shkrimi analitik, me finesa të stërholluara filozofike-historike e atdhetare, i politologut e filozofit, z. Skënder Kapiti me titull “Media e pavarur dhe kritike është roja e Demokracisë”, recensioni i Mako Pone për librin “Dashuria plagoset, por nuk burgosettë Mjeshtres së Madhe të Penës, krijueses së njohur me vlera kombëtare, znj. Vilhelme Vranari Haxhiraj dhe recensioni për librin tim më të ri “Përshtypje nga Franca, shkruar nga z. Bedri Shyti.

Në lokalin që e kishim përcaktuar më parë, para se të arrija unë nga Golemi, kishin mbërritur: z. Skënder Kapiti, analist, studiues, politolog, opionist dhe autor i shumë librave; z. Xhevahir Cirongu, publicist, poet e krijues i talentuar; z. Agim Bajrami, krijues, e artist  me dell të veçantë poetik; z. Vladimir Muça, poet, prozator, kritik e studiues i thellë, z. Fitim Haxhiraj, i palodhshmi, që kishte ardhur nga Vlora heroike, me çantën përplot libra, bashkëshorti i krijuese me përmasa kombëtare, znj. Vilhelme Vranari Haxhiraj e i cili, me mbamendjen brilante e gazmonte atmosferën me vargje kuptimplota. Aty ishte edhe atdhetari tjetër i Kapitëve që aq shumë bënë për Kosovën e për luftën e UÇK-së, ku bënin pjesë edhe vetë, z. Naim Kapiti...

Kështu, kur mbërrita unë, sofrën e gjeta shtruar me gjithë të mirat dhe me libra e gazeta. Një sofër e vogël poetike, por me simbolikë të madhe kombëtare. Aty ishin vlonjati e drenicasi, durrësaku e përmetari, Tomorri e Qyqavica...Lexohej e komentohej “Bulevardi”. Lexoheshin poezi e fragmente librash. Shkëmbeheshin e dhuroheshin botimet e reja...

Kurora e Mbretëreshës  i takonte asaj që vetëm fizikisht mungonte, zonjës së nderuar, pinjollës së familjes së njohur të princit Gjergj Arianti, të nderuarës Vilhelme Vranari Haxhiraj, të cilën e njoh moti, që nga takimet tona në Vushtrrinë e lashtë të Hasan Prishtinës, në Takimet e poeteshave shqiptare. Ajo, meqë nuk është mirë me shëndet, përmes celularit, na përshëndeti të gjithëve. Ne, të gjithë tok, u orientuam tek krijimtaria e saj e bujshme, autore e mbi dyzet veprash, me fokusim të veçantë tek libri i saj më i ri, tek “Dashuria plagoset, por nuk burgoset” ose “Letra nga Ferri”.

Skënder Kapiti, me të drejtë këtë e quajti përurim të librit të saj. Edhe  unë pajtohem me të, duke shtuar se ky ishte një përurim i veçantë, një përurim ndryshe, që mbase ua kalon atyre me pompozitet e me fjalë boshe, të mediokriteteve që veç po na e zënë frymën e po na irritojnë dita-ditës.