Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Të lexosh lotin në vargje

| E diele, 12.06.2016, 01:33 PM |


TË LEXOSH LOTIN NË VARGJE

Shënime për vëllimin poetik “Kënga e lotit”, të krijuesit Xhevahir Cirongu

NGA PËLLUMB GORICA

Ka shumë njerëz që kohën e lirë e shfrytëzojnë me mënyra të ndryshme. Xhevahir Cirongu është nga ata, që kredon e vet shpirtërore e shpalos në shkrime të sinqerta e të thjeshta. Ai me mënyrën e tij fotografon pjesë fragmentesh nga realiteti që jetojmë, duke nxjerrë nga korniza gjykimet e tij. Kjo për mendimin tim është një lloj vlere, që autori e shpalos herë pas herë me mjete të thjeshta, dhe me një gjuhë komunikuese e të ngrohtë,  si shprehi të botës së ndjenjave shpirtërore.
      Është për t’u theksuar se nga libri në libër ky autor vjen duke shpërfaqur gradualisht elementët, të cilët arrijnë të përformojnë profilin krijues të tij. Kjo krijimtari që vjen së brendshmi, prej ngacmimeve të vazhdueshme të shpirtit, të shoqëron si jehona e përrenjve të rrëmbyeshëm e ujëpastër të vendlindjes së tij, që teksa rrjedhin drejt detit përhapin freski, e mirësi jetëdhënëse. Xhevahiri përshkuan episode, portrete, dhimbje, tavolinat e gëzimeve, natyrën e papërsëritëshme me imtësi detajesh dhe ndjesi përjetuese. Nuk ka gjë më bukur se sa të lexosh krijime të tilla me plot pathos e përkushtim qytetar, ndjenja të sinqerta dhe besnike për dashurinë ndaj atdheut, dashurinë ndaj asaj që është në shërbim të së mirës për ruajtjen e vlerave e të trashëgimisë kulturore. Mënyrat me të cilën është shprehur ai në shkrimet patriotike, janë të pashkëputur nga këndvështrimet pozitive për heronjtë e kohës, vlerat e mirëfillta, që më së shumti i shërben evidentimit të vlerave kombëtare, shoqërore, duke krijuar kështu një ndjenjë respekti për kohën që ndodhemi me vrulle jete, imagjinatë pasionesh dhe aftësinë krijuese për t’i shëndërruar në vepra artistike.

Të endesh, do të thotë të hysh në çdo skutë jete, dhe po ashtu, përtej imagjinatës të prekësh dritën. Xhevahir Cirongu endet në peizazhet e mrekullueshme për të na sjellë koloritin e pasur të ngjyrave e bukurive natyrore, të gërshetuar me shpirtin e ndjeshëm të tij, dhe gjithçka përmes një tematike e një gjuhe të pasur. Frymëzimin ai e kërkon si gjurmimi i mrekullueshëm i nje blete ndër lulet, si arkeologu që hulumton historinë për të konkluduar të vërtetën, te fijet e barit që vallëzojnë lehtë nga flladi i pranverës me aromë, në rendjen e ditëve, ku rrjedh gëzimi i shpirtit, te një lot i sinqertë si kristali apo edhe te një buzqeshje e ngrohtë. Me fjalën e tij poetike Xhevahir Cirongu, të bën të ndiesh thellë botën që jeton, prokupimet dhe mbrapshtitë jetësore. Aty zbulon optimizmin dhe qëndrimin e drejtë për njerëzit, ridimesionet përndritëse të përjetimeve. Kjo lloj ndjesie lexohet edhe në vëllimin poetikKënga e lotit”, titull që mbart një peshë të veçantë metaforike. Ai ngjan më thellë, dhe nuk është vetëm këngë loti që tingëllon trishtueshëm, e s’është i zymtë në dhimbjen kur e poetizon atë në ndenja të pjestuara në vargje. Kënga e lotit të Xhevahir Cirongut ka ngjyra, aroma, mendime dhe ajër që vibron hollë e estetikisht, sepse një libër poetik është një univers i tërë shpirtëror. Elementët që e popullojnë atë si  era, qielli, dielli, retë, shiu, deti, valët, shkëmbi, gjethja, petalet etj shprehin ndenja, duke përcjell te lexuesi mesazhe të qarta.

Në vëllimin poetikKënga e lotit”, tematika që rrok në këto krijime autori, është e gjërë, dhe nëpërmjet sensit lirik malli frymon me psherëtimat, si një lajmotiv i brendshëm. Këtë gjë e ndjen më shumë në poezinë e tij burimore, ku ai kërkon të gremisë gurët e rëndë të mallit, të gërmojë në dhimbjet, të ndalojë shiun, të magjepset pas hënës. Përmbi gjithçka triumfon dashuria për nënën, e para saj çdo gjë bëhet e pavlerë. Ndaj shpirtin e shkrin nga kjo dashuri e pamatë. Nënën kërkon çdo ditë në thërmija dheu/ Kaluanë vitet e loti u bë ar / Me dashuri puthi yllin në qiell/  Se ai si nëna i ngjau.‘’  Vendlindja është muza për çdo autor, e çfarëdo lloji profili qoftë ai. Ajo zbukuron shpirtin poetik, të Xhevahir Cirongut me emocione, jetën dhe dashurinë për të, dhe nuk është vetëm fjalë, por një ndenjë sa vetë jeta mbi tokë, e sidomos drithërimë malli kur është larg, të cilën ai e sjellë më të ngrohtë. Malli i vendlindjes/ qënka zhur e prush/ ajo këngë e bukur/ gjoksin plot ta mbush.” I lexon kujtimet që shkojnë larg me rrënjë të shtrira përtej ekzistencës tokësore, ndaj ai portën e tyre e mban hapur të përhumbet në to. Nën hijen e degëve të lisit, gjethet numërova/ Nga flladi i erës u shkundën, supeve më ranë/ Eca i vetmuar, rrugës së kujtimeve s’u ndala/ Pse u trembën gjethet, në ç’yll ata ndaluan!?”.

Por autori ‘’ecën kalëruar mbi vitet e jetës”, të “puth me vrap”stinët me butësinë e vargut, që s’është vetëm margaritar ndenjash.“Shiu i pranverës butësishtë ra ngadalë/  Nga qielli u derdhën një nga një luleloti / Shtëllunga resh të çara si me daltë/  Ndaluan trishtimin atje te shkëmbi.” Loti i bën poezitë e Xhevahir Cirongut të flasë shumë me lexuesin, të ndjej “valsin e këngës”, të kolovitet në ëndërrat,hap krahët... ta prekësh”, të gëzoj me shkëlqimin se “brenda tyre lexon vetëm jetë.’’ Loti brengoset dhe’’sa dhimbje ndjen në zemër” kur e lag ombrellën hije ulliri. Ai ushqehet me ndjenja të pastra, me dashurinë për tokën, për mungesën e atyre që i duam, të shtrirë në kohë dashurish, e të strukura në heshtje. Në heshtje mes lotëve/ dëgjohej zëri i saj që këndonte/ valsin e këngës./ Heshtje, heshtje, heshtje!/ Vetëm tingujt e kitarës dëgjoheshin.Humanizmi shpirtëror s’ka përkufizim për njeriun, dhe pse në zbehje, që në një mënyrë a në një tjetër e gjejmë në vargjet e Xhevahir Cirongut, kur i thur ato për poetët, miqtë, heronjtë me vlersimin që buron nga zemra, e lartësohet në vërtetësi.Zhurmon Osumi nga ujërat nëpër luginë/ Dhe valët e bardha i ndal atje mbi shkëmb/ Vargu i poetit  zgjuar  rri  tek  unë/ Pse s’flet poeti? Ah! Nga ky çast gjoksi po më dhemb!”

Dashuria është nocion shumë i gjerë, dhe këtë poeti e konkretizon sipas asaj që ndjen në zemër, sidomos ndjenjën që buron natyrshëm. Kjo e ka bërë të pazëvendësueshme këtë ndjenjë madhore: “Në heshtje takon dashurinë/ Që fshehur qëndron diku/ Ashtu vjen një ditë, si lind i shkreti njeri/ Ecën kalëruar mbi vitet e jetës/ Dhuke shkundur petalet e viteve/ Dhe s’u vë dot  fre.”

Në qoftë se një pranverë zbukurohet edhe kur “çelin lulet përmbi shkëmb”, poezinë e Xhevahir Cirongut e kanë zbukuruar atë me metaforat dhe figurat letrare të gjetura, të cilat ledhatohen rreth foljes për të treguar mjeshtërisht emocionin që tek lexuesi është i thellë dhe i gjërë.

Në fund mund të themi se: “Këngë loti” është një botë plot elegancë, mirësi, muzikalitet, por edhe me nota shpirti të ndërthurura nga krijuesi, Xhevahir Cirongu.