E shtune, 25.05.2019, 06:16 PM (GMT+1)

Personalitete

Edibe Osmani: Qemal Senca, fytyrë emblematike

E merkure, 08.06.2016, 08:55 PM


QEMAL SENCA, FYTYRË EMBLEMATIKE E KOMBIT

Nga Edibe Osmani

Gjatë ekspeditave kërkimore (1995-1997), në fshatrat e Rekës së Epërme, disa herë ishim mysafir të mirëpritur në familjen e Qemal Sencës. Në munges të zotit të shtëpisë kulla ishte e hapur për të gjithë mysafirët. Në krye të dhomës, mbretëronte harta etnike e trojeve shqiptare.  Miqtë përcilleshin me dashuri. Zakon i lashtë që dëshmonte për respektin dhe kujdesin për mikun. Mikpritja e bujaria e trashëguar brez pas brezi aq origjinale e përherë fisnike e mbushur me krenari. Rekalijtë gjithmonë e mbartin këtë traditë. Jo rastësisht edhe Edith Durham shkruan para 100 vitesh se ligjet e mikpitjes janë më të forta se armët. Kush ishte Qemal Bajrami?

Njeriu i cili një pjesë të jetës së tij ia kushtoi çështjes kombëtare. U lind më 12 Dhjetor 1933 në fshatin Sencë të Rekës së Epërme. Në moshën 75 vjeçare ndroi jetë. Edhe pse ishte njëri ndër arsimdashësit e flaktë të këtij rajoni, për shkak të kushteve të vështira ekonomike në familje, u detyruar ta braktise mësimin. Familja e Qemalit, me tradita të lashta, disa herë është përndjekur, bastisur, maltretuar e persekutuar nga regjimi sllavomaqedonas i UDB-së së atëhershme.

Miku mëson prej mikut. Kultura, traditat, përvoja ndaj njëri tjetrit. Ishte krenari e veçantë të takohesh dhe të bisedosh me Plakun e maleve të Korabit. Qemal Bajrami ishte një atdhetar me zemër të zjarrtë, i burgosur politik, i stërlodhur por optimist. Në ballin e rrudhur të tij numroheshin vuajtjet, sakrificat e jetës së mundimshme të tij. Një burrë i ndjeshëm dhe patriot. Gjithmonë me parime themelore për bashkimin e trojeve shqiptare. E njihte mirë historinë e hidhur të banorëve të Rekës së Epërme. Çdo pëllëmbë e tokës ishte legjendë për Bajramin. Ky burrë i shquar i malësisë kishte arsye të jetë i mllefosur. Ngjarjet e përjetuara më herët në familjen e ngushtë të tij ishin të shumta. Serbët ia kishin vrarë gjyshin, ia kishin masakruar të afërmit e tij, dhe shumë ndodhi të tjera tronditëse.

Të gjitha këto kishin ndikuar që në shpirtin dhe mendjen e tij të ngulitej urrejtja ndaj pushtuesit sllav. Që në moshë të re, ai do t’i shpallë haptas të gjitha mospajtimet dhe kundërshtimet në lidhje me gjendjen e mjerueshme që kaploi popullin shqiptar në viset jashtë shtetit amë. Në pranverën e hershme të vitit 1957, ai burgoset dhe përjetoi torturat më çnjerzore në burgun e mallkuar të Idrizovës. Para gjyqit fajësohet dhe ngarkohet për vepër penale “spiunazh-veprimtari e organizuar në dëm të një shteti tjetër për të mbledhur të dhëna ose dokumete të ndryshme në favor të mëmës Shqipëri”. Në bazë të ligjit dhe nenit 105 pika 1, për të ishte parashikuar dënim me vdekje. Por, gjatë procesit gjyqësor patrioti i Sencës akuzohet pa argumente për spiunazh. Me që aktakuza ishte pa bazë, ai ngarkohet me motivacion tjetër se ka bë agjitacion politik dhe propagandë në favor të një shteti të huaj – Shqipërisë. Dënohet me tre vjet burg të rëndë.

Pas vuajtes së dënimit kthehet në vendlindje duke vazhduar me aktivitete. Ishin vitet e vështira, si ato ekonomike edhe politike. Pikërisht më 1967-të, pas një paralajmërimi nga një bashkëfshatar (servislit i policisë) po përgaditeshin ta zhdukin patriotin e shquar. Pasojat ishin të panumërta. Policia ia rrethoi disa herë vendin e banimit. Rreth tridhjetë policë e udbashë në mënyrë agresive i torturuan familjarët. Falë zgjuarsisë së tij, kishte mundur t’a vërejë se tradhtarët e ndjeknin me likuidim nga ana e pushtetit.  Ai ia arrin që t’i ike policisë dhe të kaloje dhjetë ditët më të vështira të jetës së tij në malet e Sencës.

Më në fund detyrohet të emigrojë dhe vendoset fillimisht në Austri, e më vonë në Gjermani. Atje vazhdon intenzivisht me qëllimet e përpikta me aktivitetin e tij në propagandimin e çështjes kombëtare,  ku vendosi kontaktet e para me partinë komuniste gjermane në rrethin e Shtutgardit. Bindjet e tij dhe aktiviteti e shpie të njihet me atdhetarë, përfaqësues, persona të një ideali të përbashkët nga Kosova siç ishin: Hysen Gega, Maksut e Ruzhdi Saramati, Rifat Jupolli,Beqe Llugagjia e shumë të tjerë. I pasur me ide përparimtare, me një qëllim të caktuarr formojnë edhe një organizatë tjetër ku veprojnë dhe punojnë.

Plaku i maleve të Korabit-Bajrami, njihet dhe bashkëpunon me të madhin Jusuf Gërvallën, me Ibrahim Kelmendin, Mustafë Iberdemajn, Rexhë Iberdemajn e tjerë. Ata të cilët më brumosën edhe më shumë me ndjenjat e atdhedashurisë, me atë që ta dua pafundësisht atdheun dhe popullin tim edhe me çmimin e sakrificës personale janë njerëz të pavdekur, ishin fjalët e të përndjekurit politik zt. Qemalit. Nuk munguan kontaktet e shpeshta dhe të rregullta me ambasadat e Shqipërisë me seli në Vjenë dhe Pragë.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, lëndojnë thellë zemrënën e Bajramit, për te ishte një humbje e madhe,sepse gjatë të gjitha demostratave që i organizonin kundër okupimit jugosllav, ishin gjithmonë së bashku dhe të pandarë me ta. “Kush lufton për atdheun, nuk ka garanci për rreziqet. Po të vritemi për atdhe është si me le, dhe të mos vajtohen ata që bien në fushën e nderit, por për ta të shkruhet e të këndohet...!” Këto ishin fjalët lapidar, të thëna nga goja e Jusufit të madh, e që më flejnë në shpirt, përfundoi rëfimin Qemal Senca. Ndaj, patrioti i sakrificës gjithmonë krenohej për një të kaluar aq të hidhur.

Ndërsa për mbarë shqiptarinë, Qemal Bajrami, mbetet atdhetar i devotshëm që ishte besnik i paluhatshëm i çështjes kombëtare deri në ditën e vdekjes. Ai do të mbetet në kujtesë të popullit si një aktivist i dalluar politik shqiptar, i cili për herë të parë, kishte arritur bashkimin me sukses të veprimtarëve shqiptar si në Maqedoni ashtu edhe në diasporë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT