Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Një filozofi e parë ndryshe

| E hene, 06.06.2016, 07:23 PM |


Libri “NJERIU FILOZOF, ETIK E POLITIK & MORALMATERIALIZMI” i Skënder Kapitit- një filozofi e parë ndryshe

Nga Bedri Tahiri

Që kur vajta për herë të parë në Durrës, fill pas çlirimit të Kosovës, më priu një fat i mbarë që u njoha me njerën prej familjeve më atdhetare dhe intelektuale të këtij qyteti të lashtë, me Kapitët.  Dhe, paskëtaj, sa më shumë që shoqërohesha më të, aq më shumë më hapeshin horizontet e njohurive për pjesën e atdheut aq të ëndërruar e të njohur vetëm nga librat.

Ama, Skënderi, veçohet prej të gjithëve. I urtë, serioz, i  heshtur, fjalëpakët, i tërhequr, i matur, i thellë në mendime, i arsyeshëm. Një botë e tërë e pazbuluar. Sa më shumë që rrija me të, në debate, në promovime librash, në manifestime, në akademi përkujtimore, shkencore e letrare, aq më shumë e kuptoja talentin e tij prej mendimtari guximtar, tolerant,  i gatshëm  për t’u përballur me sfidat e jetës hileqare.

Përvoja e tij e hidhur nëpër kalvaret e komunizmit diktatorial, ku si bir patrioti dhe me talent intelektual, hoqi të zitë e ullirit dhe kurrë nuk pa ditë të bardhë, madje, nuk e gëzoi as të drejtën e shkollimit si të tjerët,në njërën anë, dhe leximet e shumta nga historia, gjeografia e sidomos nga filozofia, në anën tjetër,  bën që shpirti i tij të brumoset me dije e njohuri të thella, thuajse enciklopedike.  Ato copëza ligjëratash që i dëgjoja nga goja e tij, një ditë i pashë edhe në letër, të hedhura me dorë, me një bukurshkrim e ortografi perfekte. Ca prej tyre, herë- herë, edhe u publikuan nëpër faqet e gazetave shqiptare, duke ngjallur reagime pozitive. Madje, shumë sosh edhe u përvetësuan nga politikanët epigonë.

Dhe, më në fund, bota e tij e brendshme erruptive, si një vullkan i pashuar, shpërtheu furishëm. Siç thotë edhe vetë në parathënie, miqtë e tij intelektualë, nga Shqipëria e nga Kosova, duke ia njohur fuqinë e mendimit, e nxisnin vazhdimisht që ta lërë modestinë dhe të dalë hapur para lexuesve kureshtarë për tema të tilla. Ndër ta, mbase më kryesorët, ishim unë e i vëllai, Naimi, që, vazhdimisht e  me këmbëngulësi i dhamë shtytje për një veprim të tillë.

Dorëshkrimi me titullin “Njeriu filozof, etik e politik dhe Moralmaterializmi”, që, thënë të drejtën, në fillim  hezitoja ta redaktoja, lë që më pëlqeu, por edhe më ngjalli asociacion të mënjëhershëm. Vallë, a nuk ishte vetë autori një njeri filozof, etik e politik?! Ashtu siç e njihja unë, po, fund e krye. Dhe, kjo nuk është rastësi. Jo, jo, se vetë autori nuk e pranon rastësinë. “Asgjë nuk lind vetvetishëm dhe me kapërcim, por gjithçka ka parakushtet dhe mjedisin ku lind”- konstaton autori. Pra, shumë nga ato probleme që trajtohen në libër, autori i ka përjetuar, i ka përpunuar, i ka mishëruar dhe na i ka zbërthyer aq mirë e logjikshëm, sa me lehtësi do t’i kap çdo mendje që sado pak ka njohuri nga filzofia.

Kushtet dhe rrethanat ia kanë bërë të pamundur deri me tani që Skënderi të ishte pranë mjediseve të fakulteteve, universiteteve, akademive apo politikës, por ajo e cila është gjithmonë prezente tek mendimi i Skënderit është dialektika, realiteti, gjykimi i paanshëm dhe i thellë si dhe kritika. Ai botën e sheh të ndarë në dysh: Nga njëra anë dhimbja, pakënaqësia, varfëria e padrejtësia dhe, në anën tjetër korrupsioni, pushteti, autoriteti, kënaqësia materiale apo, në njerën anë moraliteti e në anën tjetër interesi dhe politika.

Sipas shkrimeve të tij të përfshira në librin “Njeriu filozof, etik e politik dhe Moralmaterializmi” bota është dualiste, mëdyshje apo kundërshti, është fatkeqe, ku dominojnë ekstremizmat, përfundimizmat, ideologjizmat dhe maksimalizmat. E mira është e mesmja, përzierje dhe rezultante që zbut, afron, zgjidh pa antagonizëm, dhunë dhe konflikt, problematikat dhe politikat. Morali synon humanitetin ose njerëzoren dhe ndërsa materializmi ose politika pushtetin, që sipas Skënderit janë shumë të largëta.

Libri “Njeriu filozof, etik e politik dhe Moralmaterializmi”,  në vete ngërthen  ese filozofike, në të cilat, me një dije jashtëzakonisht të thellë e me një guxim të pashoq intelektual, trajtohen probleme nga më ë ndryshmet, të cilat shoqërinë njerëzore e kanë preokupuar që nga lashtësia dhe e prokupojnë edhe sot e kësaj dite.  Këtu, vendin kryesor e zë individi, shoqëria, shteti, por edhe pushteti, ligji e partitë politike. Mirëpo, edhe pse janë të koklavitura, autori me sukses i ka shkoqitur edhe shumë teori, ide e ideologji, shumë kategori e dukuri si: personalitetin, lirinë, politikën, korrupsionin, globalizmin, ekzistencën, amoralitetin, drejtësinë e padrejtësinë, pastaj formacionet e sistemet shoqërore: komunizmin, socializmin, kapitalizmin,  demokracinë,  revolucionin, mediat etj. Një kapitull në vete është “Moralmaterializmi dhe etikëpolitika”, që mbase për herë të parë trajtohet si temë e  tillë.

Librin e bëjnë tërheqës dhe interesant gjuha dhe leksiku i pasur me fjalë, mendime e sentenca të filozofëve të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke filluar nga grekët e vjetër si: Herakliti, Pitagora, Sokrati, Aristoteli, pastaj Hegeli, Rusoi, Volteri etj., për të kulmuar me më të  madhin e filozofëve, Imanuel Kantin. Nga kjo kuptojmë se autori për hartimin e këtij libri ka shfrytëzuar një mal me libra, ashtu sikurse bleta që mbledh nektarin e luleve, për t’na dhënë  mjaltin e kulluar që të këndellemi e ta kuptojmë më mirë realtetin dhe botën që na rrethon.

Ky libër është një teori dhe praktikë kritike, i thjeshtë, i ndërlikuar, i kuptueshem dhe mjaft tërheqës, ku ndërthuren e gërshetohen  për lakmi  filozofia me moralin fetar, materialist e shkencor, apo siç thotë  kolegu im, Fatmir Minguli: ”Filozofia e Skënder Kapitit është një filozofi e zbritur në tokë”.

Pavarësisht prej kësaj, autori e ka ruajtur origjinalitetin e vet. Filozofia e tij është krejt ndryshe nga ajo që kemi lexuar deri tashti. Ai merr shembuj konkret dhe nxjerr përfundime të logjikshme për probleme, dukuri e komponente të rëndësishme shoqërore. Kështu mjafton të shihet përkufizimi tek korrupsioni:”Kur politika,  pushteti dhe paraja jan? pran? dhe n? marr?dh?nie me nj?ra- tjetr?n, at?her? ndershm?ria, ligji dhe drejt?sia jan? t? k?rc?nuara”.

Gjykoj se burimi i filozofisë së Skënder Kapitit janë mësimet e shenjta dhe filozofia më e arrirë. Eset e tij në këtë libër janë leksione politike dhe morale për individin e shoqërinë dhe për shtetin e politikën. Me fjalë të tjera, ky libër  është universal, që i shërben politikës, në radhë të parë,  për ta korrigjuar e ndërgjegjësuar veten për përgjegjësit dhe detyrat kundër korrupsionit dhe abuzimit.

Duke mos qenë shumë kompetent për të hyrë në analiza më të thella të këtyre shkrimeve, me tematikë të larmishme filozofike, përfundoj se libri “Njeriu filozof, etik e politik dhe Moralmaterializmi”,. padyshim,  do t’i këtë lexuesit e vet të shumtë, të niveleve e moshave të ndryshme, veçan intelektualët, politikanët dhe studentët.