E enjte, 28.03.2024, 09:37 PM (GMT)

Kulturë

Aurel Dasareti: Atdheu, një dashuri e vdekur

E diele, 05.06.2016, 03:15 PM


Atdheu, një dashuri e vdekur

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Ne mund të vdesim për Shqipërinë; por ne nuk mund ta tradhtojmë atë.

Shqiptar! Shërbeji, mbroje dhe duaje Atdheun si shqipja folenë!

***

Atdheu është kombi i etërve apo stërgjyshërve (paraardhësve). Termi mund të interpretohet si nacionalist apo patriotik. Dashuria për atdheun duhet të vijë nëpërmjet qumështit të gjirit! Detyra atdhetare e çdo shqiptari është të mbroj me vetëmohim interesat e vendit e të popullit.

ATDHE: Vendi ku kemi lindur e jetojmë ne dhe ku kanë jetuar të parët tanë, vendi ku banon prej kohësh një popull a një komb.

***

Ecim shumë ngadalë, nuk i bashkërenduam përpjekjet mirë dhe nuk vumë në lëvizje energji të mjaftueshme. Po të kishim vepruar të bashkuar, më shpejtë dhe me më vendosmëri, do t`u ishin dashur më pak energji e mjete për dekolonizimin e trojeve dhe ribashkimin e vendit.

Shumë prej “patriotëve” të sotëm përdorin fjalët: demokracia, të drejtat e njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Me gëzim kjo. Por le të mos harrojmë sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve që me gjakun e tyre e vendosën themelin për vendin dhe shoqërinë shqiptare, pa dallim se në çfarë madhësie, niveli dhe situate ishte dhe gjendet ajo tani.

Fjalime dhe poezi kremtimesh (festimesh) në kohë paqeje është një gjë. Për të treguar frymën e sakrificës dhe guximit në situatën më të rëndë të imagjinueshme - në frontin e vdekjes - gjë tjetër.

Shpirtrat që priren të kalojnë nga përkohshmëria në përjetësi kurrë s`kanë qenë ëndërrimtarë pasivë, por njerëz të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm, që kanë rrënjë të thella në kombin/vendin që i lindi dhe në kohën që jetojnë, ashtu që sa më shumë mësojmë rreth tyre, aq më tepër ata bëhen të qartë, për t`u marrë shembull që të zgjohemi.

***

Stërgjyshi im (babai i gjyshit) në Luftën e Parë Ballkanike (1912) ishte vetëm 16 vjeçar. Ka qenë një ndër luftëtarët shqiptarë që pa dallim feje, krahine, bajraku, oxhaku me vendosmëri dhe guxim mbrojtën Shkodrën e rrethuar në luftën e përgjakshme heroike kundër malazezëve dhe serbëve të cilët nën pretekstin se luftojnë për “çlirim” kundër Perandorisë Osmane (e cila megjithatë ishte në fazën e tërheqjes “vullnetare” nga Ballkani) donin të okupojnë trojet shqiptare, sidomos Shkodrën dhe Prizrenin.

Stërgjyshi im la pas disa letra dhe poezi në lidhje me të. Të dhënat personale të tij janë dëshmi e patriotizmit dhe sakrificës. Kur kohët e fundit kam lexuar këto dokumente origjinale për herë të parë, shkaktuan dy reagime të ndryshme në mua. Kryesisht një ndjenjë që fjalët e tij - dhe veprimet pas tyre - të detyrojnë respektin më të thellë dhe admirimin. Për më tepër leximi zgjoi në mua një ndjenjë e cila është e papërshtatshme për kohën, dhe e llojit të huaj.

Çfarë kumbimi kanë fjalët me të vërtetë të bukura rreth patriotizmit dhe sakrificës sot? Me këtë dua të përpiqem për të thënë diçka të rëndësishme për të qenit trim.

Më poshtë nxjerri disa fragmente nga letra e stërgjyshit, shkruar dhe dërguar familjes nga linja e frontit:

Babë dhe nëna ime, ju së bashku me vëllezërit dhe motrat e mia më falni se kam gjetur atë që është detyra ime atdhetare për të luftuar për Vendin tim, aq sa unë mundë të arrijë. Prej Mirdite nuk i dëgjoni të shtënat e pashtershme të artilerisë armike dhe kundërpërgjigjet e bashkëluftëtarëve të mi. Emri ynë nuk shuhet kurrë. Jam krenar se jam shqiptar. Jeta pa ju është një absurditet. Unë ëndërroj për ju gjithmonë, edhe kur jam aktiv në linjën e frontit ...”

Diku ai citon: “Më mirë të vdesësh me nder sesa të jetosh me turp”.

***

Sot, mendimet tona le të kthehen prapa për të gjithë ata atdhetarë të guximshëm që gjatë rrjedhës së historisë kanë dhënë gjithçka, madje edhe jetën e tyre, për çështjen e Shqipërisë (gjithë trojeve shqiptare).

Se atdheu domosdoshmërish vihet përpara çdo gjëje tjetër; le të jetë ide uniteti për të gjithë shqiptarët në vitet e ardhshme, për lumturinë e vendit dhe popullit.

Është e mundur që "Mbrojtja e Shkodrës" për shumë bashkëkombës qëndron e panjohur apo më e largët se kurrë. Prandaj sot duhet pastruar hapësirën për histori rreth sakrificës dhe heroizmit; jo sepse këto ideale ishin të rëndësishme një herë në të kaluarën, por për shkak se çdo shoqëri që nuk është në gjendje për të mbajtur gjallë kujtimin e vdekjes së tyre, është një shoqëri që është në procesin për të humbur njerëzimin e saj. Tjetërsimin. Asimilimin. Shpërbërjen.

Kuraja nuk është e njëjtë si guximi; ajo është një durim i mençur i cili bazohet në një kuptim të asaj që është e mirë - e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja.

Ne mund të vdesim për Shqipërinë; por ne nuk mund ta tradhtojmë atë.

***

Shqiptarët janë armiku më i madh i vetvetes. Nëse ju shkatërroni themelet morale të një personi, shkatërrohet jeta e tij e brendshme, ashtu që njeriu pushon të qenit një qenie njerëzore.

Bota shqiptare po shkon drejt e në ferr, nga shkaku i ndrydhjes së dashurisë ndaj Vendit dhe Korrupsionit - kudo në sferat e jetës. Gjyqësorit. Kryesisht nga qëndrimi indiferent i atyre që duhet të reagojnë.

Megjithatë, shpresoj se ekziston një rreze drite në tunelin e pafund. Kush motivohet nga dëshira për të tradhtuar/shkatërruar Kombin dhe Vendin e vet dhe ndjen kënaqësi në aktin kriminel, nuk mund të gjejë strehë pas pretendimit, se ka të drejtën të sillet kështu pasi detyra dhe punëdhënësi i huaj e kërkon.

***

Gjeniun, në çdo formë që shfaqet, e shoh si një përpjekje të natyrës për të prodhuar, mes sakrificave të mëdha, një prototip shqiptari më të arrirë, më të kthjellët, më atdhetar, më të denjë për të jetuar se ai me shpirt egoisti, indiferenti, servili, përçarësi, kozmopoliti, ekstremisti fetar apo skllavi.

Tokës nënë dritën ja fal, jam krenar se jam shqiptar!



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora