Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Gjyshi kokëfortë

| E diele, 05.06.2016, 01:14 PM |


Cikël me poezi nga Viron Kona,

kushtuar festës së 1 Qershorit

 

Viron Kona, pranë monumentit të Pinokut

Boros, Suedi 2012

 

Gjyshi kokëfortë

 

Komshiu i një kati më poshtë,

Banushi që mbante bastun kur ecte,

gjyshin e Valbonës ndali në shkallë,

me kujdes e takt i bëri një vërejtje:

 

“-Nuk e di, o komshi çfarë ndodh lart te ju,

por bam-bum, dëgjojmë kur vjen mbrëmja,

mos vallë ajo mbesa, çamarrokja  e vogël,

zhurmon duke luajtur me lodra?”

 

Gjyshi, që s`pranon asnjë vërejtje për mbesën,

e kapi inati dhe i a ktheu me qesëndi:

“-Përpara se për mbesën time të bësh vërejtje,

shko te doktori i veshëve, vizitohu, or zotëri!”

 

I nervozuar ngjiti shkallët:tak-tak,tak-tak,

sa hyri në derë, shfreu dufin, zemërimin,

i sigurt se do t`i thoshin “ç`ja paske bëre mirë!”,

por, çuditërisht ata i dhanë të drejtë fqinjit:

 

-Komshiu ynë, - tha gjyshja, - mbase ka të drejtë,

-një natë më parë dhe disa net,

bukuroshja, shpirti dhe zemra e gjyshes,

i përplaste fort lodrat, kërcisnin dyshemetë.

 

-Sipas teje, - ia ktheu gjyshi me dyshim,

vogëlushja jonë, qenka problem në pallat e qytet!

Kujdes kur flet, moj e gjorë,

mbesa ime është më e mira në planet!

 

-Eh, si të them!-tha përsëri gjyshja me takt,-

e vogla jonë, është vërtet më e mira, shpirt e kemi,

por,  këto ditë, vërtet ka bërë nga pakës zhurmë,

ta këshillojmë ndonjëherë, më të kujdesshëm të jemi.

 

Mbase, o plak, t`i vërtet s`ke faj,

zhurmat mund të mos i kesh dëgjuar,

se, pambukun që vë në vesh  herë pas herë,

duket që brenda veshëve e ke harruar.

 

Gjyshi vuri gishtat tek të dy  veshët,

vërtet me pambuk i kishte të zënë,

e, ndërsa ata në shtëpi bënë buzët në gaz,

ai duke bërë “uf e uf! u  mbyll në dhomë.

 

Nga dhoma dëgjohej zëri i gjyshit kokëfortë,

që vente e vinte dhe thoshte i zemëruar:

“-Sa herë që dikush, vërejtje për mbesën do t`më bëjë,

unë veshët me pambuk do t`i kem të bllokuar”.

 

 

Në parkun e lodrave

 

Në parkun e lodrave, luajnë fëmijët,

hidhen, kërcejnë, zhurmojnë me gaz,

njëri i hipën kalit, tjetri makinës,

i treti imiton gjeneralin në paradë.

 

Disa vrapojnë te kukullat lozonjare,

maska kafshësh e shpendësh duan ca të tjerë,

dy kolopuçë ngulmojnë të marrin shpatat,

një bufalaq me përkrenare kërkon dhe një heshtë.

 

Ata që i tërheq muzika dhe vallëzimi,

ia nisin valles së pinguinëve gazmorë,

të tjerë pikturojnë me ngjyra drurët dhe malin,

një vogëlush mban stetoskopin, bën si doktor.

 

Dikush imiton luanin, dhelprën, bilbilin,

dhe kafshë e shpendë të tjerë me radhë,

aktorë të vegjël  luajnë teatër “Kësulëkuqen”,

“Borëbardhën” dhe “Pëllumbat lajmëtarë”.

 

Një kokëqethur nazeli pa shkak po qan,

ngulmon t`i ketë për vete të gjitha lodrat,

të tjerë shohin të menduar qiellin  e paanë,

pastaj ngrenë  fluturim pëllumbat dhe balonat.

 

Sytë u ndritin, u zgjohen pasionet,

në startin e jetës hareshëm zhurmojnë,

botën e tyre, botën e të ardhmes.

me imagjinatë e fantazi  e projektojnë.