Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Alpinisti i dritës

| E diele, 05.06.2016, 01:11 PM |


Albert Habazaj

 

Alpinisti i dritës

 

homazh

 

Bota - lule dhe furtunë,

vdekja plasi nga marazi.

Kush pranon se po fle gjumë

Dhe iku Halo Abazi?!

 

Nuk ka gjumë shkencëtari,

ka hipur në mal të Çikës,

si vegim ëndërrimtari

shfaqet alpinist i dritës.

 

Se ka për të bërë punë,

se ësht’ burim energjie,

se Tërbaçin e do shumë

me një dhembshuri fëmije.

 

Me mall e pret Labëria

Atë bredh të gjelbërimit

Dhe qesh ballin historia

Tek ndjen frymën e Halimit.

 

Të Halim Xhelos me emër

Që Halua ynë mban ndezur,

se ka Tërbaçin në zemër,

për të kurr’ s’ka për të fjetur!...

 

Dhe rrezet e diturisë

I lëshon  veç për vendlindjen,

ngroh shpirtin e mirësisë,

supet Tërbaçit i ngrihen.

 

Se stafeta nuk ësht’ ndalur,

ngjitet alpinisti i dritës,

Lamb’ e Tërbaçit s’ësht’ falur

Po shkëlqen nga maj’ e Çikës!

 

RRËNJËN E KËRKON DHEU

 

-Yllit të madh të kinematografisë botërore, Bekim Ibrahim Fehmiu-

(1. 06. 1936 - 15. 06. 2010)

 

Pa e takuar as dhe një herë titanin,

Pa hapur as dhe të filmave manuale,

I kam pirë dollinë me adhurim pagani,

As ngaqë u shfaq me Claudia Cardinale.

 

As yjet botërorë, me të cilët lozi

S’patën autoritet tek unë, sinqerisht jo.

Arti i Tij drithërues keq më marrosi,

Ai detin e Kulturës e çau si Hero!

 

As dhe seriali “ Përgjithmonë Xhulia”,

As “Odiseja”, ku Ai qe vetë Ulisi,

Nuk më tunduan dot për të më prishur mendjen

Sa dinjiteti i pashkulur i Atij lisi.

 

Dhe kur e ngjeshi nën këmbë sojin sharlatan

U bë rrënjë e zgjimit në zemër të dheut.

Dhe nga Lumbardha Prizreni hirin i shpërndan

Të sjellë bekim për ujërat e Mesdheut.

 

Fregata kosovare në dallg’, tym e stuhi,

Bëhet shqiponjë  mali e shqiponjë deti

Dhe fluturon qiejve të botës si verì

T’i përmbushet Bekim Fehmiut amaneti.

 

Iku një njeri i bukur e burrë i bukur,

Iku një artist i bukur globit fluturim,

Eshtrën e Kombit me palcë për të mbushur

E vetë për t’u mbushur me shkëlqim e trishtim...

 

Vlorë, e hënë, 23. 08. 2010 - e enjte, 02. 06. 2016