E premte, 19.04.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Zippo, emri në flakë

E diele, 17.08.2008, 02:06 AM


Zippo
E dini që çakmaku Zippo është një nga 100 produktet më të famshme të të gjitha kohërave apo që gjatë Luftës së Dytë Botërore lënda ndezëse e Zippo-s është shitur në shishe qelqi? Ikona amerikane festoi gjatë vitit të kaluar 75-vjetorin. Ishte viti 1932 kur George G. Blaisdell shpiku çakmakun e famshëm Zippo në një garazh të Bradford-it, në Pensilvani. Deri më sot, janë prodhuar më shumë se 450 milionë Zippo. Por si lindi emri Zippo dhe pse Lufta e Dytë Botërore e bëri atë tejet të famshëm?!

Zippo u bë i famshëm nga Marina e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kompania deklaroi se gjithë prodhimi “Zippo do të ndalohej në tregun vendas dhe çdo produkt do t’i kalonte Marinës Amerikane”. Jo çuditërisht, produktet Zippo njiheshin për garancinë e tyre, jetëgjatësinë dhe zhurmën e kapakut: në qoftë se një Zippo prishej, nuk kishte rëndësi vjetërsia apo pronarët që e kishin pasur; kompania do ta rregullonte atë falas. E vetmja gjë për të cilën nuk jepte garanci kompania “Zippo”, ishte këllëfi i jashtëm dhe kapaku. Nga marinsat amerikanë u vërtetua mosfikja e zjarrit të tyre nga era, falë dizajnit special si dhe lëndës djegëse, vajgurit. E vetmja mënyrë për fikjen e tyre ishte vetëm mbyllja e kapakut të sipërm, megjithatë, ndryshe nga çakmakët e tjerë, te Zippo digjet ende fitili. Zippo-t që janë në shitje sot në Amerikë kushtojnë nga 12.95 dollarë deri në 4.000 dollarë, në varësi të materialit me të cilin janë prodhuar.

Zanafilla

Që nga viti 1933 janë prodhuar mbi 400 milionë çakmakë Zippo. Emri i Zippo-s u vendos nga Blaisdell, sipas emrit të ngjashëm të një çakmaku austriak në ato vite, të quajtur “Zipper”. Çakmaku i parë u shit më 1933 për 1.95 dollarë. Licenca për çakmakun origjinal Zippo u mor më 17 maj 1934, ndërsa patenta me numër 2032695 u dha në 3 mars 1936. Në vitin 1947, Blaisdell prodhoi makinën Zippo, e ngjashme nga forma e jashtme me çakmakun. Licenca e dytë, me numër 2517191, u dha më 1 gusht 1950. Në vitin 1956 doli modeli i parë i hollë i çakmakut Zippo, i ideuar kryesisht për përdorueset femra. Në 3 tetor 1978 Blaisdell vdes. Vajzat e tij, Harriett B. Wick dhe Sarah B. Dorn, zgjeruan biznesin. Në vitin 2001 distributori gjerman i çakmakëve Zippo, Zippo GmBH, krijoi një çakmak promocional (i shitur dhe i shpërndarë vetëm brenda Gjermanisë) për nder të pilotit Michael Schumacher, me sloganin:  “Simply the best, Simply Schumi” (Thjesht më i miri, thjesht Schumi). Në vitin 2001, - sipas revistës IUP, - modeli i Zippo-s i vitit 1933 u shit për 18.000 dollarë në një ankand në Tokio. Gjatë vitit 2007, në 75-vjetorin e çakmakëve Zippo, një model i përafërt me atë të vitit 1933, u shit për 37.000 dollarë. Në gusht 2007 Zippo realizoi një gamë të re të gazit butan dhe një çakmak të quajtur Zippo Blu. Dhe për të gjitha këto sigurisht që ekziston një muze, i cili ndodhet në Bradford, me një sipërfaqe prej 929 m². 

Të dhënat

Që nga mesi i vitit 1955, Zippo filloi t’i kodonte çakmakët e vet, duke përdorur pikat (.). Nga viti 1966 deri në 1973, viti i prodhimit vendosej duke u kombinuar me linjat vertikale (|). Midis viteve 1974-1981, kodi përfshiu kombinimet me slash (/) dhe më pas backslash (\). Nga korriku i vitit 1986, Zippo në kodet e saj përfshiu edhe muajin e prodhimit, ku në të majtë të pjesës së poshtme u stampuan shkronjat A-L, të cilat i përkisnin muajve (A=Janar, B=Shkurt e kështu me radhë). Në të djathtë, me shkronja romake, vendosej viti (p.sh., në qoftë se shkruhej H IX, Zippo ishte prodhuar në gusht 1995. Por ky sistem u ndërrua në numrat arabë, duke vendosur dy shifrat e fundit të vitit (p.sh. Gusht 2004 u bë H 04). Gjithsej, për ndërtimin e një çakmaku Zippo, përdoren 22 pjesëza, ndërsa nga fabrika për një çakmak të tillë kërkohen 108 procese.  

Thonë se…

Përgjatë Luftës së Dytë Botërore, përdoruesit e Zippo-ve shpikën manovrat e reja për ndezjen e tyre. Zippo-t u përdorën gjerësisht nga ushtarakët amerikanë në Vietnam për ndezjen nga distanca (si flakëhedhës) të zonave ku fshiheshin vietkongët, falë përsosmërisë dhe mosshuarjes së flakës nga agjentët atmosferikë. Një shumëllojshmëri çakmakësh Zippo janë përdorur në 1.500 filma amerikanë. Kai, bateristi i grupit “JRock/Visual Kei band The GazettE”, është fansi më i madh i artistëve dhe ka një koleksion të madh Zippo-sh. Çakmakë shumë të ngjashëm me Zippo-n prodhohen edhe nga kompanitë Eagles, Blazer, Colibri dhe Philadelphia.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora