E merkure, 24.04.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Jeffrey Dahmer Kanibali i Miluokit

E diele, 17.08.2008, 01:40 AM


Jeffrey Dahmer
Aty rreth mesnatës, të hënën e 22 korrikut të vitit 1991, dy oficerë policie qëndronin ulur në ndenjëset e makinës patrulluese në rrugën “North 25th”, Miluoki. Papritur, një burrë i shkurtër, i zeshkët, u sul drejt makinës, me prangat që i vareshin në kyçin e dorës së majtë dhe rrëfente me gulçim një histori pa kuptim rreth një “tipi të çuditshëm”, që banonte në rrethinat e apartamenteve të Oxford-it. U tha se quhej Tracy Edwards dhe u tregoi se kishte qenë në shoqërinë e djallit. Kështu, i erdhi fundi karrierës vrasëse të Jeffrey Dahmer-it

Krejt pa dëshirë, atë natë të së hënës, oficerët e shoqëruan Edwards-in në apartamentin nga i cili ia kishte mbathur dhe burrit që u përgjigj pas dere i kërkuan çelësat e prangave. Ai u tha se gjendeshin në dhomën e gjumit. Njëri prej oficerëve u drejtua për nga dhoma dhe gjithë përtesë i hodhi një vështrim kalimthi një sirtari të hapur komoje. Për tmerrin e tij, pa fotografi kufomash të gjymtuara, kafka dhe skelete të varur në koka dushi. Pak çaste më vonë, duke hapur frigoriferin, kolegu i tij zbuloi një kokë njeriu. Jeffrey Dahmer, i cili kishte jetuar vetëm në atë apartament, kishte mbërritur në fundin e masakrave të tij.

Aroma e padurueshme e mishit të kalbur mbushi të gjitha dhomat. Një hetim i përciptë zbuloi një tjetër kokë në frigorifer dhe shtatë të tjera me mishin pjesërisht të rrjepur nga kafka. Një fuçi me acid mbante katër buste meshkujsh, të tretur ngadalë. Ndërsa në një vazo gjetën mbeturina gjenitalesh mashkullore. Dukej qartë që tashmë nuk bëhej fjalë thjesht për agresion ndaj Tracy Edwards-it. Dahmer-i u arrestua menjëherë dhe ekzaminimi i hollësishëm i apartamentit zbuloi edhe më shumë prova të tmerrshme të aktiviteteve të tij. Shumë shpejt, rrëfimi i tij mbushi 179 faqe raporti, duke detajuar vrasjen e 17 viktimave meshkuj.

Një psikopat i ri

Jeffrey Dahmer ka lindur në Miluoki, në vitin 1960. Prindërit e tij grindeshin vazhdimisht, ndërsa ai ndihej i braktisur prej tyre. Familja u vendos në rrethinat e Ohio-s kur ai ishte 6 vjeç dhe në atë kohë ndihej i zemëruar nga lindja e motrës dhe vëllait më të vogël, David-it. Në vitin 1968, u ngacmua seksualisht nga një djalë më i rritur, i cili mund të ketë qenë incidenti që ndezi fitilin e trajtimit të tij të mëvonshëm ndaj homoseksualëve.

Nga mosha 10-vjeçare, Dahmer-i eksperimentonte me kafshë të vogla - u priste kokat minjve, i treste kockat e pulave në acid dhe ua varte kokat qenve mbi shkopinj. Në shkollë, qeshte kur fëmijët e tjerë vriteshin gjatë lojës. Një ish-shok shkolle e ka përshkruar kështu sjelljen e tij në shkollë të mesme:

“Ai ishte i humbur. Dukej hapur se kërkonte ndihmë, por askush nuk i kushtonte rëndësi. Ai mund të vinte në klasë me një gotë me Skoç. Nëse një 16-vjeçar pi që në 8:00 të mëngjesit brenda në klasë dhe kjo nuk quhet thirrje për ndihmë, nuk e di se çfarë mund të jetë ”.

Prindërit e Dahmer-it u divorcuan përfundimisht në vitin 1978, ndërsa ai vendosi të jetojë i vetëm në shtëpinë e familjes. Më 18 qershor 1978, 19-vjeçari Steven Hicks vinte nga një koncert rroku pranë Cleverland-it dhe priste buzë  rrugës që ndonjë makinë e rastit ta çonte në shtëpinë e tij në Massilon. Dahmer-i e mori me vete në makinë dhe i sugjeroi të pinin nga një gotë birrë në shtëpinë e prindërve të tij, që ndodhej aty pranë. Pasi kaloi pak kohë, Steven-i i tha se duhej të largohej, por pas një lutjeje të shkurtër, Dahmer-i mori një shtangë dhe e goditi Steven-in në kokë, përpara se ta mbyste. E tërhoqi zvarrë trupin deri te bodrumi poshtë shtëpisë dhe e gjymtoi me thikë. Pastaj i futi copat në një qese plastike për plehra dhe u nis me makinë jashtë qytetit. U ndalua nga policia, i dyshuar se ngiste makinën në gjendje të dehur dhe, kur e pyetën rreth qeseve në pjesën e pasme të makinës, u tha se po i çonte në vendin ku grumbullohen plehrat.

I shqetësuar nga ky incident, Dahmer-i u kthye në shtëpi dhe i groposi qeset në një llogore të cekët në oborrin e shtëpisë. Dy javë më vonë, kur kutërbimi i dekompozimit u bë shumë i fortë, i nxori sërish, i theu kockat me një vare dhe i hodhi mbi një buzë shkëmbi pas shtëpisë. Vite më vonë, hetuesit e policisë arritën të gjenin pjesë kockash edhe në bodrum.

Dahmer-i u pranua në Universitetin e Shtetit të Ohio-s në vjeshtën e vitit 1978, por e shpenzoi pjesën më të madhe të semestrit duke pirë dhe në përfundim të vitit akademik u regjistrua në radhët e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. U trajnua si specialist mjekësor dhe u zhvendos në Gjermani. Megjithatë vazhdoi të pinte dhe pas 18 muajsh u shkarkua për abuzim substancash dhe sjellje agresive.

Box

Viktimat e Dahmer-it

18 Qershor 1978 - Steven Hicks, 19 vjeç; i mbytur dhe i gjymtuar
Nëntor 1987- Steven Tuomi, 25 vjeç; i gjymtuar
16 Janar 1988 - James Doxtator, 14 vjeç; i mbytur dhe i gjymtuar
24 Mars 1988 - Ruchard Guerrero, 25 vjeç; i mbytur
25 Mars 1989- Anthony Sears, 24 vjeç; i mbytur.  I mbajti  kokën
Qershor 1990 - Raymond Smith, 28 vjeç; i mbajti kafkën
24 Shtator 1990 - Ernest Miller, 24 vjeç; fyti i prerë. I mbajti skeletin
Shkurt 1991- Curtis Straughter, 18 vjeç; i gjymtuar. I mbajti kafkën
7 Prill 1991- Errol Lindsey, 19 vjeç; i mbajti kafkën
24 Maj 1991- Tony Hughes, 31 vjeç; i mbajti kafkën
27 Maj 1991- Konerak Simthasomphone, 14 vjeç
30 Qershor 1991- Matt Turner, 20 vjeç
5 Korrik 1991- Jeremiah Weinberger, 23 vjeç
15 Korrik 1991- Oliver Lacy, 23 vjeç
19 Korrik 1991- Joseph Braderhoft, 25 vjeç

Vrasjet rifillojnë

Në vitin 1982 u shpërngul në një apartament të pavarur me qilar në shtëpinë e gjyshes, në periferi të Miluokit. Kishte kohë që kishte shfaqur sjellje seksuale perverse. Në gusht të vitit 1982 u arrestua për zhveshje në publik në shtetin Wisconsin dhe u gjobit me 50 dollarë. Më vonë nisi të vizitojë shtëpi-banja për homoseksualë. Eksperimentonte me meshkujt e rinj, që i merrte prej andej, duke u dhënë hape për gjumë.

Në verën e vitit 1986 u arrestua sërish për zhveshje në publik. Deklaroi se kishte pirë shumë dhe kishte nevojë të urinonte. Akuza u reduktua në “sjellje të çrregullt” dhe ju ofrua një vit liri me kusht dhe konsulta. Viti i lirisë me kusht po shkonte drejt fundit, kur një burrë e akuzoi Dahmer-in se e kishte droguar dhe plaçkitur. U mor edhe njëherë në hetim, por provat u konsideruan të pamjaftueshme për akuzat.

Megjithatë, policët nuk e dinin se në kohën e lirisë me kusht, dy vite më përpara, Dahmer-i kishte vrarë tre djem të rinj: Steven Tuomi-n, James Doxtator-in dhe Richard Guerrero-n. I kishte ftuar në apartamentin e tij në shtëpinë e gjyshes dhe u kishte propozuar t’i fotografonte lakuriq. Kishte bërë seks me ta përpara se t’i mbyste dhe ndonjëherë kishte kryer marrëdhënie seksuale edhe me kufomat e tyre. I kishte mbajtur trupat për disa kohë, përpara se t’i fuste në qeset e plehrave. Kutërbimi, që thoshte se vinte për shkak të eksperimenteve që bënte, e detyroi gjyshen të këmbëngulte në largimin e tij. Më pas, gjeti një apartament të varfër në qytet në rrugën “North 24th”.

Më 26 shtator të vitit 1988, ditën që u shpërngul, i ofroi para një djali 13-vjeçar laosian që ta merrte me vete në apartament. U përpoq ta joshte djalin dhe ia mbushi pijen me hape për gjumë. Sidoqoftë, djali u largua përpara se të binte në koma dhe i ra të fikët rrugës për në shtëpi. Prindërit e tij njoftuan policinë dhe Dahmer-i u arrestua ditën tjetër. Në janar të vitit 1989, u akuzua për agresion seksual të shkallës së dytë. Gjyqi u caktua të zhvillohej në maj.

Gjatë kohës së pritjes të procesit gjyqësor, Dahmer u shpërngul edhe njëherë në shtëpinë e së gjyshes. Më 25 mars 1989, vrau Anthony Sears-in. I mbajti kokën, e zjeu derisa mbeti vetëm kafka, të cilën më vonë e leu me bojë. Në maj, gjykata mori vendim për 5 deri 6 vjet heqje lirie, por përfaqësuesi ligjor i Dahmer-it solli prova në favor të tij dhe kërkoi këshillim psikologjik e trajtim për alkoolizmin. Gjyqtari ra dakord, duke e dënuar me 1 vit burgim nën një program pune të detyrueshëm, që kryhej jashtë ambienteve të burgut dhe 5 vjet liri me kusht. U lirua në mars të vitit 1990 dhe në maj u vendos në apartamentin nr. 924 në rrugën “North 25th”.

Dahmer Kanibali

Pas disa javësh, Dahmer-i njohu Raymond Smith-in në një klub për homoseksualë dhe e ftoi në apartamentin e tij që ta fotografonte. Edhe këtë herë e mbajti kokën e viktimës dhe kafkën ia shtoi koleksionit të tij të trofeve. Pas pak kohe, gjeti viktimën e shtatë, Edward Smith. Më 24 shtator, joshi viktimën e tetë: Ernest Miller. E fotografoi dhe më pas i preu fytin me një thikë gjahu. Rropi mishin e kufomës dhe e vari skeletin në banjë. Mbajti copa të mishit në frigorifer dhe më pas rrëfeu se i kishte ngrënë disa copa, pasi e kishte marinuar me kripë, piper dhe salcë.

Në të njëjtën ditë, u raportua zhdukja e David Thomas-it, i cili u bë viktima e nëntë e Dahmer-it.

Kaluan disa muaj përpara se vrasjet të nisnin sërish - ose më saktë katër muaj përpara një vrasjeje, të cilën Dahmeri e dëshmoi më vonë.

Në shkurt të vitit 1991, kishte mbytur dhe gjymtuar Curtis Straughter, pasi kishte bërë seks me të. Kafka e tij u mbajt si një tjetër trofe tmerri. Errol Lindsey iu bashkua listës më 7 prill. Gjithçka që u gjet ishte kafka e tij dhe disa foto të trupit të pajetë. Më 24 maj, Dahmer-i, jo si zakonisht, ftoi një burrë pak më të madh në moshë, 31-vjeçarin shurdh-memec Tony Hughes. Edhe kafka e tij iu bashkua koleksionit.

Pasi masakroi Konerak Simthasomphone, Dahmer-i e ndryshoi pak zonën e tij të gjuetisë, duke udhëtuar drejt Çikagos. Më 30 qershor takoi Matt Turner-in në stacionin e autobusit dhe e bindi që ta shoqëronte në Miluoki dhe të pozonte lakuriq. Koka e tij përfundoi në frigorifer, ndërsa busti u hodh në një vaskë me acid. Pesë ditë më vonë, skena u përsërit me portorikanin Jeremiah Weunberger, i cili pësoi të njëjtin fat.

Dahmeri e gjeti viktimën e gjashtëmbëdhjetë më 15 korrik, pranë apartamentit të tij. Koka e Oliver Lacy-it përfundoi në frigorifer, ndërsa trupi i copëtuar, të brendshmet, bashkë me zemrën, në ngrirës. Katër ditë më vonë, më 19 korrik, Joseph Bradehoft u bë viktima e fundit e Dahmer-it. Koka e tij u bashkua me atë të Lacy-it në frigorifer. Vetëm dy ditë më vonë, kur policët hynë në apartamentin e tij, karriera vrasëse e Dahmer-it mori fund.

Fati përfundimtar i Dahmer-it

Më 22 gusht të vitit 1991, mbi Dahmer-in rëndonin 15 akuza për vrasje - edhe pse ai rrëfeu se ishin 17. Procesi gjyqësor kundër tij u hap më 30 janar 1992. Ai u vetë-deklarua fajtor, por i paaftë mendërisht.

Dr. Fred Berlin, nga Universiteti John Hopkins, dëshmoi për mbrojtjen: “...(i akuzuari ishte) jashtë kontrollit... fuqia e errët që e udhëhiqte e kish pushtuar të tërin... nuk mendoj se një njeri normal mund ta detyrojë veten të ketë kontakte seksuale me trupa të pajetë.

Për palën akuzuese kundërshtonte dr. Park Dietz. Megjithëse Dahmer-i vuante nga disa lloje çrregullimesh seksuale, ishte i aftë të dallonte të drejtën nga e gabuara dhe ta frenonte veten për të mos vrarë. Edhe dr. Drederick Fosdal-i ra dakord se ai vuante nga nekrofilia, por: “...ishte i aftë të përmbahej dhe të kontrollonte dëshirat seksuale”.

Prokurori iu lut jurisë : “Ju lutem, ju lutem, mos e lini këtë vrasës gjakatar t’ju shastisë me mbrojtjen e tij speciale.

Më 15 shkurt, Dahmer-i u shpall mendërisht i aftë dhe fajtor. Gjykata vendosi dënimin me 15 jetë heqje lirie, duke e dënuar me 936 vjet burg dh duke shtuar edhe 150 vjet heqje lirie për kriminalitet të zakonshëm.

Pas një tentative të dështuar për t’i marrë jetën në ambientet e burgut, shoku i qelisë Jesse Anderson e vrau më 28 nëntor të vitit 1994. Vrasësi u gjykua si i sëmurë mendor: ai besonte se ishte Biri i Zotit dhe po plotësonte vullnetin e “të Atit”.

Box

Dikush që gati preku shpëtimin

Më 27 maj 1991, Jeffrey Dahmer-i takoi një djalë të vogël laosian, Konerak Sinthasomphone - për koecidencë ishte vëllai i djalit për të cilin ai u gjykua për rrëmbim dhe agresion seksual dy vjet më parë. I ofroi para për ta fotografuar. Pasi bëri disa shkrepje, i hodhi disa hape në pije dhe djalin e zuri gjumi.

Pa se i kishte mbaruar birra dhe mendoi se kishte kohë për të shkuar në dyqan ndërsa djali flinte. Dahmer-i u largua nga apartamenti dhe Konerak-u u zgjua. I trullosur, lakuriq dhe me një plagë në kokë që i rridhte gjak, doli në rrugë. Fqinjët lajmëruan policinë. Dahmer-i u kthye dhe pa disa policë, që po e pyesnin djalin, i cili nuk dinte anglisht. Dahmer-i u tha se ishte i dashuri i tij 19-vjeçar, i cili kishte pirë shumë. Patrulla i shoqëroi të dy në apartament - ndërsa Dahmer-i e mbyti djalin, bëri seks me kufomën e tij dhe bëri edhe shumë fotografi të tjera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora