Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Intervistë me poetin Nehat Jahiu

| E merkure, 01.06.2016, 07:33 PM |


Intervistë me veteranin e arsimit dhe poetin nga Orizarja e Likovës,  Nehat Jahiun

MË MUNGON SHKOLLA DHE GJITHÇKA QË LIDHET ME TE E MBI TË GJITHA NXËNËSIT DHE KOLEGËT

Intervistoi: Milazim F. KADRIU

Ju lutem një prezantim të shkurtër, në mënyrë që lexuesit të dinë më shumë për ju?

Nehat Jahiu: Jam i lindur më 10 tetor të vitit 1951 në fshatin  Orizare të komunës së Likovës  , rrethina e Kumanovës së Maqedonisë ku edhe sot jetoj dhe veproj. Në këtë fshat ku unë u linda dhe u rrita dhe veprova aty ku më lindën dhe më vdiqën të parët e m i dhe sot pushojnë në varrezat e fshatit në tokën tonë arbërore.

Shkollimin fillor në vendlindje, të mesmen në Preshevë e më pas studimet i keni mbaruar  në Kosovë, na tregoni  përshtypjet e juaja gjatë shkollimit në të tri nivelet?

Nehat Jahiu: Po është më se e vërtetë se  shkollimin fillore e kam kryer në vendlindje, të  mesmin në Preshevë dhe studimet i kam mbaruar në Kosovë, gjegjësisht në Gjakovë në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Përshtypjet e mia janë të shumta në të tre nivelet e shkollimit tim, por kuptohet se nuk janë të njëjta dhe kanë dallimet e veta njëra prej tjetrës, sepse në shkollimin fillor kam qenë krejtësisht në një moshë shumë të re adoleshente që  kur kam filluar të shkoj në shkollë  në klasë të parë. Por edhe nga ky nivel më kanë mbetur shumë përshtypje dhe kujtime të paharruara që kur nuk mund ti harroj. Kujtime të pashlyera  që nga ajo ditë kur mësuesja ime tani e ndjerë z. Lumnije Vokshi Ramadani më dha shkumësin në dorë për të shkruar shkronjën e parë të alfabetit të gjuhës sime amtare. Kur unë nuk mundja dhe nuk dija të shkruaja fare dhe ajo ma mbante dorën time të djathtë ku kisha shkumësin dhe së bashku me ndihmën e dorës saj  në klasën e parë shkrova për herë të parë në tabelë shkronjën A. Ky është një kujtim i paharruar. Kam shumë përshtypje për këtë mësuese dhe të gjithë mësuesit e shkollimit fillor që më mësuan dhe edukuan mua dhe mocanikët e mi me aq zell dhe dashuri. Njëherësh nuk mund ti harroj kurrë kujtimet dhe përshtypjet e mia që më mbetën të ngulitura në shpirtin tim nga shoqet dhe shokët e klasës. Sa i përket shkollimit të mesëm në Preshevë është një kaptinë krejtësisht tjetër,sepse me të vërtet ndërrova tërësisht  jetën time nga vendlindja në një vend tjetër  që vetëm e kisha dëgjuar dhe kurrë nuk e kisha parë. Tani më tërësisht krijova një shoqëri tjetër në shkollë, por edhe mësimdhënësit e mi tani më ishin tjerë nga ata të shkollimit fillor. Do të thotë ndryshoi gjithçka më dukej dhe nisa përsëri nga zeroja e klasës parë të shkollimit të nivelit fillor në një ambient tjetër dhe me njerëz tjerë, por shumë shpejt u  ambientova në këtë rreth    shokësh dhe profesorë dhe deri në përfundim të shkollës së mesme në Preshevë tek unë u krijuan shumë gjëra për të mos i harruar derisa të jem gjallë dhe shumë përshtypje  me mbetën për ti ruajtur edhe sot e kësaj dite nga ky nivel i shkollimit për të mos i harruar.

Nehat Jahiu: Tani pas përfundimit të shkollimit të mesëm, kuptohej më kapluan mendimet se ku të vazhdoj në shkollimin e mëtutjeshëm. Këtu te ne në Maqedoni  , gjegjësisht që pos në Shkup që ekzistonte mundësia për të studiuar në gjuhën amtare ishte Akademia Pedagogjike me disa lëndë   të sferës së arsimit asgjë tjetër nuk kishte askund  për shqiptarët   në gjuhën e tyre amtare për të vazhduar shkollimin sipëror, gjegjësisht për të vazhduar studimet në gjuhën në të cilën ne donim e ajo ishte kuptohet në gjuhën e nënës tënde që e kishe mësuar në djep dhe tek ne të rinjtë për të studiuar sytë gjithnjë ishin të drejtuar nga Kosova. Kështu veprova edhe unë pa asnjë dyshim. Dokumentet në dorë, hypa në autobus dhe drejt e në Kosovë, kuptohet pa asnjë hamendje ju drejtova qytetit të Gjakovës dhe objektit të Shkollës së Lartë Pedagogjike “ Bajram Curri” në Gjakovë. Këtu u regjistrova në Degën e Gjuhës dhe letërsisë Shqipe dhe mora indeksin e studentit që për mua në atë kohë ishte një gëzim i paparë dhe do mbetet një përshtypje e imja gjithnjë e paharruar. Aty pata rastin të njihem me shumë shoqe e shokë nga Gjakova , mbarë Kosova dhe nga të gjitha trojet tona, sepse siç përmenda edhe më lartë për ne që ishim nga vendet tjera nuk kishim mundësi të shkolloheshim në gjuhën tonë amtare në atë kohë Kosova ishte nëna jonë, ishte çerdhja jonë që na përqafonte ngrohtësisht duke na futur në gjirin e saj të ngrohtë dhe për të na e mundësuar që në të vazhdojmë shkollimin në gjuhën shqipe aty . Ky nivel i shkollimit siç thuani për mua tani ishte tërësisht ndryshe edhe këtu. Isha larguar goxha larg për atë kohë nga familja, shokët e mi dhe nga vendlindja. Në fillim disi kisha një përmallim dhe goxha mërzitesha, por shumë shpejtë edhe këtu u ambientova shumë mirë duke  krijuar shoqëri krejtësisht tjetër nga ajo e shkollës fillore dhe e mesme, por  sjellja e tyre dhe profesorëve të shkëlqyer e bërën të veten dhe unë pas një kohe shumë të shkurtër u përshtata  aq mirë saqë më dukej jeta e një studenti që kaloja këtu shumë të bukur dhe të ngrohtë. Tani më isha më i pjekur për nga mosha. Ishte një kohë më e bukur e jetës për mua si i ri, kuptohet kaloja një jetë studentore me angazhime  për të mësuar, sepse qëllimi i ardhjes sime këtu ishte mu ky, por të them të drejtën me një sinqeritet ishte edhe një kënaqësi të kalosh ditët studentore në Gjakovë, në Kosovë , kështu që këto përshtypje që i mora këtu dhe që më mbetën thellë në shpirtin tim  kurrë nuk i harrova dhe nuk do ti harroj, por do i marr me vete edhe pasi të vdes tek i imi varr. Një gjë nuk mund të mos e them në këtë rast. Të faleminderit Kosovë  që në atë kohë të vështirë kur nuk kishim mundësi të shkolloheshim në shkolla të mesme dhe fakultete në vendbanimet tona! . Ti Kosovë isha ajo që na i hape dyert për të na futur brenda për të  marr diturinë dhe pastaj mu ne të jemi ai kuadër që do të kthehemi në vendbanimet tona për ta dhënë kontributin tonë kombëtar e shoqëror aty ku jetonim në trojet tona.

Punuat gjatë gjithë kohës në arsim pra i  jeni përkushtuar  punës me fëmijë arsimimit, si e ndieni vetën tash për kontributin e juaj të dhënë si mësimdhënës?

Nehat Jahiu: Është më se e vërtetë se që nga ditët e para të përfundimit të studimeve koha ime ishte gjatë tërë kohës në arsim. I përkushtuar me tërë qenien time psikike dhe fizike në procesin edukativo- arsimor dhe në profesionin tim të mësuesisë për të cilin kisha mbaruar shkollimin e lartë. Gjatë gjithë kohës i përkushtuar punës me fëmijët, gjegjësisht me nxënësit duke u munduar gjithnjë me mundësitë dhe aftësitë e mia që të jap kontributin tim për të cilin e kisha obligim  për ta kryer ashtu siç duhej dhe duhet ta kryer misioni i një mësimdhënësi, pedagogu dhe edukatori, sepse unë e ndjeja veten  për ata ( ato ) fëmijë se isha prindi i dytë i tyre. Unë e ndjej veten sot shumë të lumtur dhe krenar për kontributin tim ndaj tyre, por sa e kam dhënë unë atë kontribut timin mbetet të vlerësojnë të tjerët e mbi të gjitha  nxënësit dhe prindërit e tyre.

Çka ju frymëzonte më së tepërmi në punën me nxënës?

Nehat Jahiu: Mbi të gjitha puna ime dhe profesioni im me nxënës nuk ishte në plan të parë frymëzimi, sepse unë edhe njëherë po e përsëris se  këtë e kisha obligim personal, kombëtar dhe shoqëror, sepse nuk më kishte dërguar askush  me dhunë që të merrja me këtë profesion dhe të punoja me këta fëmijë. Këtë e kisha zgjedhur me dëshirën time, ndërsa pastaj kuptohet vinte edhe frymëzimi vetvetiu që të frymëzonte të nxiste dhe të motivonte për këtë frymëzim ishin fëmijët, gjegjësisht nxënësit që kur futesha në mësonjëtore më dukej se isha në një kopsht shumë të bukur e të mbushur me lloj –lloj lule që kundërmonin erë  diturie. E tërë kjo ta shtonte edhe më shumë frymëzimin për të punuar edhe më tepër me  ata dhe të ndjehesh shumë i lumtur.

Sa ka qenë e vështirë të jesh mësimdhënës dhe pedagog i mirë në shkollën shqipe në vendin tuaj?

Nehat Jahiu: Është një pyetje e parashtruar nga ana juaj që me të vërtetë donë dhe duhet të jepet shumë drejtë dhe realisht. Unë e përmenda edhe më lartë diku në përgjigjet e mia se puna e mësimdhënësit nuk më është  imponuar me dhunë, por e kam zgjedhur me dëshirë dhe mu për këtë para se të orientohesha në këtë profesion kam menduar mirë e mirë se a mund të ia dal faqebardhë dhe atëherë e kam zgjedhur ta ushtroja këtë profesion  për ta kryer me ndërgjegje, sepse dikujt i duket ky profesion shumë i mirë dhe i këndshëm, por pa u futur thellë të mendoj se mu ashtu  është , por ka edhe anën tjetër shumë të rëndësishme se ka  një përgjegjësi të madhe, sepse ke të bësh me një profesion të shenjtë dhe ke të punosh për të mësuar dhe edukuar një qenie të gjallë me një shpirt shumë të njomë dhe të pastër.  Ju them hapur se për mua puna si mësimdhënës dhe pedagog ka qenë shumë e vështirë nëse i ke vu vetes detyrë dhe obligim për ta kryer me ndërgjegje, por edhe nuk ka pas më kënaqësi të madhe për mua të jem mësimdhënës dhe pedagog kur sukseset e nxënësve të mi kanë arritur të arrijnë aty ku ka qenë gjithnjë synimi im që të jenë nxënës të shkëlqyer me sukses dhe sjellje shembullore.

Tash  jeni në pension dhe  keni përcjell shumë gjenerata, sa jeni të kënaqur me të arriturat e nxënësve tuaj?

Nehat Jahiu: Po është e vërtetë se që nga tetori i vitit 2015 jam në pension dhe është vërtetë sa gjatë gjithë kësaj kohe që kam punuar në arsim kam përcjell një numër goxha të madh gjeneratash nxënësish. Sa i përket pyetjes se sa jam i kënaqur me të arriturat e nxënësve të mi do të kisha thënë se në përgjithësi   ndjehem krenar dhe mbajë kënaqësinë time për këto të arritura, por ka shumë shkaqe subjektive dhe objektive që disa nuk kanë arritur atë që unë kam dashur të arrijnë dhe pikërisht më dhemb shpirti për disa që  janë detyruar të largohen nga vendlindja dhe atdheu në një moshë të re. E tërë kjo nuk është për fajin e tyre, por me fajin që shoqëria nuk ju ka krijuar kushte që ata të mbeten këtu ku është balta më e ëmbël se mjalta siç thoshte poeti ynë  i madh Çajupi. Por, një numër prej tyre edhe atje kanë kontribuar për një jetë më të mirë që unë për të arriturat e tyre jam mjaftë i lumtur edhe pse në shpirtin e tyre rëndojnë plagë kurbeti. Një numër prej tyre kanë arritur këtu të kryejnë fakultete te profesioneve të ndryshme dhe kanë arritur deri në tituj doktorë shkencash. Njëherësh disa prej tyre kanë zgjedhur profesionin e mësuesisë dhe sot punojnë si mësimdhënës që do të thotë zëvendësojnë mësimdhënësit e tyre të dikurshëm. Unë kur i shoh të arriturat e tyre më besoni se e ndjej veten shumë të lumtur dhe ndjehem shumë krenar me të arriturat e tyre.

A ju mungon tash shkolla dhe nxënësit dhe sa keni vështirësi ti adaptoheni jetës së pensionistit?

Nehat Jahiu: Tani kuptohet se me largimin tim në pension më mungon shkolla dhe gjithçka që lidhet me te e mbi të gjitha nxënësit dhe kolegët. Them koleget dhe kolegët me të cilët kemi punuar një kohë të gjatë mund të them se në shkollë kem vepruar  si të jemi të gjithë anëtarë të një familje dhe çdo gëzim dhe çdo brengë e kemi ndjerë bashkë në shpirtrat tanë.  Se sa e kam vështirë ti adaptohem  jetës së një pensionisti desha të pranoj apo mos të pranoj është një e vërtetë që nuk mund të mos e pranosh dhe të mos e thuash të vërtetën se është vështirë dhe sidomos në fillim , ndërsa me kalimin e kohës i adaptohesh edhe një jete të tillë.

Gjatë  kësaj periudhe të gjatë në punën e arsimit a mund të na  përmendni ndonjë rast që ju ka mbet në kujtesë e që ja vlen ta dinë edhe të tjerët?

Nehat Jahiu:  Ka shumë e shumë raste që më kanë  mbetur në kujtesë të pashlyera gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, por dua të mbetem shumë korrektë, sepse disa mund të jenë të përsëritura  për disa momente që unë dua ti veçoja nga korrektësia që dua te mbeten të njëjta për të gjitha dhe nuk dua të veçoja ndonjë. Tani ato le të mbeten për mua si  kujtim i brendshëm, ndërsa ka raste të shumta edhe pozitive edhe negative që kanë qenë publike  që i kanë ditur nxënësit, i dinë edhe sot, i dinë koleget dhe kolegët, por i dinë edhe opinioni, kështu që në këtë rast nuk do të kisha veçuar ndonjë të tillë rast.

Në kohën e luftës në Kosovë shumë familje gjetën strehim në viset shqiptare në Maqedoni, a patët rast që në shkollën tuaj të keni nxënës nga Kosova dhe nëse po na flisni pak për ata nxënës dhe at kohë?

Nehat Jahiu: Kjo është një kohë shumë e dhembshme dhe e pashëruar në shpirtin tim dhe me të vërtetë sa herë që e përkujtoj më kaplojnë emocionet, sepse ishte një përjetim shumë i dhembshëm dhe i pa përshkruar. Është shumë e vërtetë se gjatë asaj kohe të regjimit diktatorial të Millosheviqit  u bë gjithçka mbi popullatën shqiptare të Kosovës dhe u përdorën metodat më çnjerëzore që këtë popull me dhunë ta largojnë  nga  vatrat  dhe trojet e të parëve, por fal trimërisë së ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me ndihmën e miqve ndërkombëtar nuk u realizua ky projekt famëkeq siç ishin planifikuar edhe para Millosheviqit nëpër kuzhinat serbe për ta larguar këtë popull nga trojet e veta dhe për ta shfarosur nga toka e dheut, por edhe njëherë kjo ishte një ëndërr e pa realizuar dhe sot e shohim ku mbeti Kosova dhe ku mbeti kasapi i Ballkanit Sllobadan Millosheviqi. Në atë kohë ka qenë tmerr për popullatën civile shqiptare të Kosovës duke i parë pleq, gra, burra dhe fëmijë për të kërkuar shpëtimin e jetës së tyre. Siç përmendët edhe ju shumë familje gjetën strehim në familjet shqiptare në  Maqedoni .Një gjë e tillë ndodhi edhe në komunën tonë dhe në vendlindjen time ku unë jetoj. Se a kishim rast konkret që të kemi nxënës nga Kosova në shkollën tonë kjo ishte më se e vërtetë se kishim  dhe atë në një numër të madh të cilët i patëm shpërndarë gati në të gjitha  paralelet e klasave të para e gjerë në ato të tetat ku ata duhej të vazhdonin mësimin sipas moshës së tyre. Po e them edhe njëherë është shumë  emocionuese ti përkujtosh to raste, por ata kanë ndodhur dhe duhen të përkujtohen. Më kujtohet si sot se gati kishte në çdo paralele, por kisha edhe unë në paralelen time dhe po e them se kur i shihja  ata nxënës në paralelen time apo në paralele tjera ku jepja mësim më dukeshin si Luli i vocërr edhe pse ndoshta nuk ishin të ngjashëm në atë aspekt të tillë, sepse kishte dallim motivi i Lulit me këta dhe , kështu që dëshiroja gjithnjë të kem sjellje tjetër ndaj tyre dhe dëshiroja  gjithnjë të jenë nën përkëdheljen time të një mësuesi që së paku deri diku të qetësohej sadopak shpirti i tyre i plagosur.  Erdhi koha u çlirua  Kosova dhe të gjithë duheshin të ktheheshin, kështu që edhe ky çast për mua, për nxënësit  e shkollës sonë, për nxënësit e Kosovës për arsimtarët në përgjithësi ishte një hapje e një plage tjetër. Në një anë gëzoheshim që u çlirua Kosova. Gëzoheshim që popullata po kthehej në vendet e veta në Kosovë dhe nxënësit në shkollat e tyre, por kjo ndarje ishte  aq sa krenare , sepse Kosova ishte çliruar nga çizmja hegjemoniste serbe    Milloshevijane aq ishte e dhembshme ndarja jonë me lot në sy. Këtë nuk mund të harroj asnjëherë dhe rreth kësaj çështje ka shumë për tu thënë dhe për tu shkruar. Sot emrat, mbiemrat, data, vendi i lindjes  nga kishin ardhur këta nxënës  gjenden në ditarët klasor të shkollës sonë  se  nga cili vend i Kosovës kishin  ardhur këta nxënës në shkollën tonë. Unë vitin e kaluar  mora të gjithë ditarët dhe i nxora në një listë këta nxënës dhe i publikova nëpërmjet facbookut që të më lajmërohen dhe të dija kush ku gjendet sot , por për fat të keq ndoshta dhe nuk është lexuar nga të gjithë dhe ishte një numër relativisht i vogël që kontaktuan me mua dhe më njoftuan kush ku është dhe me çfarë profesioni merren . Ata dikur ishin fëmijë tani ishin rritur  dhe  nuk kishin harruar vendet ku kanë qenë të strehuar si refugjatë, nuk kishin harruar  shkollat ku kishin vijuar mësimin, nuk kishin harruar arsimtarët dhe shoqet dhe shokët e tyre.

Një kohë ishit edhe zëvendës drejtor i shkollës,a ma mirë e keni ndjerë veten me ditar para nxënësve apo si udhëheqës i shkollës?

Nehat Jaiu: Po ashtu është siç thuani se një kohë të gjatë kam qenë  edhe zëvendësdrejtor i shkollës. Se e kam ndier veten më mirë në këtë detyrë apo para nxënësve me ditar. Edhe këtu dua të tregoj korrektësinë time. Mua më kanë paraparë gjatë asaj kohe që të jem në detyrën e një udhëheqësi  të zëvendësdrejtorit . Përgjigja thash se duhej të jetë korrekte, sepse nuk jemi korrektë, atëherë çdo bisedë bie në ujë por edhe njeriu do bie në kundërshtim me vetveten, kështu që pasi që më kishin paraparë që unë të jem në këtë vend u mendova mirë e mirë  të pranoj o mos të pranoj, sepse askush nuk kishte vendosur të më vë në këtë vend me dhunë, por gjithçka pranohej me dëshirë, kështu që edhe unë pranove me dëshirën time dhe këtë detyrë e udhëhoqa deri sa  dola  në pension. Gjithnjë e kam ndjerë vetën më mirë të jem me ditarë në dorë para nxënësve, por nuk jam penduar aspak pse kam pranuar të jem edhe në detyrën e një zëvendësdrejtori i shkollës me një parim që jam nisur kur kam pranuar që kam nevojë që  një kohë të jap kontributin tim edhe  nga ky kënd dhe besoj se qëllimit ia kam arritur, por sidoqoftë fjalën ia lë ta thonë kolektivi i shkollës, nxënësit dhe prindërit  e nxënësve.

Sa është në nivel të duhur sot arsimi shqip në Maqedoni po edhe në Kosovë dhe a keni pas bashkëpunim me ndonjë shkollë në Kosovë ?

Nehat Jahiu: Në këtë pyetje të cilën ma kanë parashtruar në shumë intervista pak sa që ndoshta përgjigja ime shumëkujt nuk i ka pëlqyer,por ajo që është realitet duhet thënë pa marrë parasysh a i pëlqen dikujt apo nuk i pëlqen, sepse këtu nuk mund të japim si përgjigje për interesa dhe qejfe individësh apo grupe njerëzish që u pëlqen  apo nuk ju pëlqen , por duhet  thënë atë që duhet thënë    Atë që është realitet. Atë që është në interes të arsimit në përgjithësi e mbi të gjitha në interes të nxënësit, kombit dhe mbarë shoqërisë ku jetojmë dhe veprojmë. Tani si pyetje nuk e kemi  se a kanë mundësi dhe a kanë të drejta shqiptarët të shkollohen në gjuhën e tyre amtare, por pyetja është sa jemi të kënaqur sot  vet ne shqiptarët me nivelin e arsimit shqip në Maqedoni dhe Kosovë.  Unë do të kisha thënë troç e shqip se unë personalisht  nuk e ndjej dhe nuk e shoh në një gjendje  të kënaqshme për ta thënë se jam i kënaqur kur  nuk  jam i kënaqur në shumë aspekte që shoh se nuk është në nivelin e duhur dhe se është e vërtetë  dhe e pamohueshme se që nga ai fillor dhe deri në atë të lartin arsim i shqip po çalon në shumë aspekte që besoj se edhe opinioni shqiptar mirëfilli ketë është duke e parë me sy. Sa i përket një bashkëpunimi me ndonjë shkollë në Kosovë deri më tani nuk kemi pasur edhe pse shumë herë këtë çështje e kemi biseduar për ta konkretizuar, por ja që deri më sot nuk kemi bërë diç konkrete. Besoj se në një të ardhme të afërt kjo duhet të ndodhë.

Përpos profesionit të mësimdhënësit juve  opinioni ju njeh edhe si krijues letrar,çfarë keni shkruar më shumë deri tash?

Nehat Jahiu: Është e vërtetë se pos profesionit tim që kam ushtruar si mësimdhënës  unë jam marrë që herët edhe me krijimtari letrare dhe keni të drejtë edhe ju që thuani se opinioni me të vërtetë më njeh edhe si mësimdhënës edhe si krijues letrar.

Në krijimtarinë tuaj a keni marr frymëzim edhe nga shkolla dhe nxënësit tuaj?

Nehat Jahiu: Frymëzimin tim e kam marrë nga shumë anë dhe nga shumë vende. E kam kërkuar gjithkund dhe aty ku më ka pëlqyer për shpirti jam ndalur dhe e kam thithur si ajo bleta kur ndalet tek lulja për ta marr nektarin. Ashtu kam vepruar  edhe unë dhe pastaj atë frymëzim e kam hedhur në varg të poezisë apo gjetiu. Por kurrë nuk më ka munguar që ta marrë nga shkolla  dhe nga nxënësit.  , sepse në oborrin e shkollës gjithnjë për çdo mëngjes kam dëgjuar                                                                       cicërimën e fëmijëve së bashku me cicërimën e zogjve që e dëgjoja për çdo ditë në degët  e blirit mu në hyrje të shkollës sime ku kam punuar. Njëherësh edhe në mësonjëtore duke punuar me nxënësit, edhe kur kemi shkuar në piknik, shëtitje tjera. Çdoherë kur kam qenë së bashku në mesin e nxënësve dhe në brendinë e shkollës unë kam vjelur sa kam mundur frymëzim , sepse gjithnjë aty nuk ka munguar frymëzimi.

Deri më tani sa libra keni të botuar,ndonëse është vështirë por  a mund të veçoni se cilin e keni shkruar më me dëshirë dhe përkushtim ?

Nehat Jahiu:Tani kur po realizojmë këtë intervistë me ju po ju them se dolën disa tituj librash  të botuara nga shtypshkronja  për të arritur tek numri 28 tituj librash të botuar gjer më tani. Me të vërtetë është vështirë për ta veçuar  se cilin e kam shkruar me një përkushtim më të madh, sepse secili e ke dëshirën dhe përkushtimin e vet që më ka bë tërheqës për ta shkruar dhe me te vërtetë është shumë vështirë për ti veçuar, por nëse do të insistonit së paku ndonjërin ta veçoja do ta kisha thënë se me një dëshirë dhe me një përkushtim  të madh kam shkruar librin me poezi “ A vjen liria”.  një libër me poezi përkushtimi për bijat dhe bijtë më të dashur Dëshmorët e Kombit të cilët për mua janë njerëzit më të shenjtë të cilët nuk kursyen gjakun dhe jetën për liri e atdhe. Atë më të shtrenjtën ia falën atdheut dhe lirisë, kështu që kjo më ka obliguar që këtë libër ti shkruaj me një dëshirë dhe përkushtim më të madh.

A keni pas përkrahje institucionale për botimin e librave tuaj?

Nehat Jahiu: Kjo pyetje i nderur nuk parashtrohet për herë të parë nga juaj, por gati nga të gjithë intervistuesit më është parashtruar dhe përgjigja ime është kjo. Nga të gjithë titujt e botuar gjer më tani                                                       mbështetje institucionale, gjegjësisht nga ministria e arsimit mund të kem pas 30 për qind ndoshta, ndërsa 70 për qind  ka qenë nga financimi im nga ajo pagë e mësuesisë duke mos veçuar edhe disa tituj që janë përkrahur materialisht nga ndonjë dashamirë i librit dhe , kështu atyre ju jam shumë mirënjohës.

Ju kemi has në disa Antologji që botohen në Kosovë, sa keni bashkëpunim me kolegët tuaj të letrave shqipe që jetojnë e veprojnë në Kosovë, Shqipëri e trojet tjera shqiptare?

Nehat Jahiu: Po është e vërtetë kjo që thuani keni pas mundësi të më hasni  në disa Antologji që janë botuar në Kosovë, por jo vetëm në Kosovë, por jam i përfshirë nga disa antologji edhe në Shqipëri dhe në Diasporën tonë Shqiptare. Bashkëpunimi nuk më ka munguar  dhe sot nuk më mungon me një numër    të madh të kolegëve të mi krijues si në Maqedoni, Kosovë , Preshevë, Medvegjë, Bojanoc  e Shqipëri duke mos e përjashtuar edhe një bashkëpunim të mirëfilltë me kolegë krijues të letrave shqipe edhe në diasporë. Do të thotë bashkëpunimi nuk më ka munguar dhe nuk më mungon edhe sot me shumë  krijues  nga mbarë trojet tona dhe diaspora shqiptare.

Cili është mendimi juaj mbi rrjedhat e krijimtarisë letrare në gjithë gjeografinë shqiptare?

Nehat Jahiu: Unë aq sa kam mundësi dhe aftësi mundohem të jem në rrjedha                                                       dhe e përcjelli krijimtarinë letrare të një numri të madh krijuesish                                                                                       gati nga e gjithë gjeografia shqiptare duke mos e lënë anësh as pjesën e diasporës shqiptare. Mendimi im është se mjaftë krijohet dhe botohet dhe u afrohet lexuesve në forma të ndryshme për ti lexuar. Sa është në përgjithësi me vlera të mirëfillta kjo që shkruhet sot, unë mund të them se ka vlera, por ka edhe krijime që ndoshta për mua nuk kanë vlerë të duhur, por unë mbaj mendimin tim, ndërsa kritikës letrare në këtë rast i mbetet ta thotë fjalën e vete. Mbi të gjitha edhe lexuesi është një kritik i mirë që dinë ta kërkoj për ta shijuar atë që ka vlerë.

Çka  keni në dorë aktualisht nga krijimtaria juaj dhe çfarë mund të presin lexuesit  tuaj nga ju?

Nehat Jahiu: Për momentin nga krijimtaria ime letrare unë kam në dorë disa tituj librash me poezi që brenda këtyre ditëve, javëve panë dritën e botimit. Tani i mbetet lexuesi që ti lexoj dhe të japin mendimin e tyre pozitiv ose negativë për vlerat e këtyre librave. Njëri nga këta libra ai që mban titullin “ A vjen liria” pati rastin të botohet nga gjuha shqipe në atë rumanishte dhe anglishte ku edhe u botuan mu edhe në këto dy gjuhë.

Çka ju benë të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti për të kaluarën tuaj?

Nehat Jahiu: Për të kaluarën time më bënë të lumtur që kurrë dikujt nuk i kam punuar pas shpine, gjithnjë kam dashur të jem korrektë ndaj mikeve , miqve dhe mbarë njerëzimit. Më bënë të lumtur shumë kur sot kam një respekt të veçantë sidomos nga ish nxënëset e mi.  Ndjej një lumturi të veçantë kur bëhet një punë e mbarë për kombin tim dhe ardhmërinë e të rinjve, por më bënë të lumtur kur i shoh të buzëqeshur edhe zogjtë në maje të degës së një peme. Çdo gjë të mirë që e kam mbjellur , e kam punuar, e kam ujitur dhe e kam kultivuar për të mirë më bën ë edhe sot të jem i lumtur. Më së shumti më mundon  tradhtia, pabesia, kurthet, xhelozia, demagogjia, hipokrizia e... Më mundojnë më së tepërmi kur dikush ma qetë gomarin para kalit. Kur antivlerën ma nxjerrë para vlerës e shumëçka tjetër që në kohën  e fundit   shkon mbrapsht. Më mundon  ajo që vuajnë njerëzit e merituar dhe kur shoqërinë e udhëheqin në shumë raste ca servilë, matrapazë, puthadorësh etj. Kjo më mundon edhe për të kaluarën edhe për të sotmen që me të vërtet në këto raste jam shumë kritik dhe e ngritë zërin në çdo mënyrë duke mos u pajtuar asnjëherë me të keqën.

Po të ishte mundësia që të ktheheni edhe një herë nga fillimi ku do të orientoheshe, në çfarë profesioni, në arsim apo?...

Nehat Jaiu: Edhe kjo pyetje më është parashtruar shpesh dhe përgjigja ime ka qenë gjithnjë shumë reale. Tjetër profesion nuk do të kisha ushtruar edhe nëse do më jepej rasti po edhe të më jepej mundësia edhe njëherë të kthehesha nga fillimi , përsëri do i isha orientuar profesionit të mëparshëm. Kuptohet në arsim, por me një kusht që arsimi të bie në binarët e vet në të cilët duhet të jetë, përndryshe nëse mbetet siç është në kohën e fundit me bërje eksperimentesh dhe njëherit nëse arsimit nuk i jepet vendi i merituar që i takon dhe të vlerësohet ashtu siç duhet të vlerësohet. Njëherit edhe derisa dyert e arsimit janë të hapura për çdokënd për të marr ditar në dorë e  për të mësuar dhe edukuar gjeneratat e reja brez pas brezi nuk do të kthehesha kurrë më edhe në arsim të cilin profesion shumë e kam dashur.

Dhe në fund, si është një ditë  e Nehat Jahiut tash si pensionist?

Nehat Jahiu:  Kjo pyetje e fundit është shumë interesante. Me të vërtetë një ditë e imja ka ndryshuar tërësish nga ajo e mëparshmja, sepse kur isha  në punë gjatë gjithë karrierës sime 40 vjeçare në punë kisha një orar të caktuar për çdo ditë  pune , ndërsa tani për momentin e kaloj një ditë jo të sistematizuar. Jo që nuk mundem ta bej këtë, por ja që njëherë jam duke kaluar  në një mënyrë pak sa ndryshe pa e planifikuar që më parë se si do jetë dita e nesërme e imja. Dita e një pensionisti. Por, besoj se edhe kjo shumë shpejtë do të sistematizohet se si duhet Nehat Jahiu të kaloj një ditë të pensionistit me një orar q ë do ia bëja vetes sime.

Keni për të shtuar edhe diçka tjetër i nderuri z. Jahiu ose kem i për të thënë diçka që është dashur të thoni e unë nuk ju kam parashtruar pyetje?

Nehat Jahiu :Shumëçka ka akoma për të shtuar. Edhe shumëçka  ka për tu thënë, por mos ti konsumojmë të gjitha me këtë intervistë duke e kursyer edhe lexuesin dhe mos ta lodhim aq shumë. Le të mbetet për të vazhduar ndonjëherë tjetër. Në fund ju falënderohem përzemërsisht juve i nderuar që ndatë kohë për të zhvilluar këtë bisedë të kësaj interviste. Njëherit përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë duke ju dëshiruar të gjitha të mirat! Dhashë Zoti që të kthjellohen politkëbërësit shqiptarë dhe të punojnë më tepër për popull se sa për vete, Le të punojnë për një unifikim të mirëfilltë të shqiptarëve për realizimin e dëshirave tona  të kahershme për të cilat u dha aq shumë gjak e jetëra. Zoti i bekoftë shqiptarët! Respekt!