E marte, 19.03.2024, 06:47 AM (GMT)

Faleminderit

Thanas Gjika: Fotaq Andrea, studjues dhe zbulues

E hene, 30.05.2016, 01:36 PM


FOTAQ ANDREA, STUDJUES DHE ZBULUES NË FUSHËN ALBANOLOGJIKE, ANTOLOGJIST E PËRKTHYES I NIVELEVE TË LARTA

(Ese për frankofonin shumëdimensional Fotaq Llazi Andrea)

Nga Thanas L. GJIKA

Në Shqipërinë e shekullit të XX-të, si edhe në vendet e tjera ballkanike, gjuha frënge ka qenë gjuha më e përhapur si gjuhë e politikës shtetërore. Këtë pozitë frëngjishtja nuk e humbi as kur gjuha ruse u bë gjuha e huaj më e njohur midis pushtetarëve komunistë të formuar në Bashkimin Sovjetik dhe as kur gjuha italiane u bë gjuha e huaj më e përhapur, për shkak të televizionit italian që shihej fshehtas në Shqipërinë e etur për Perëndimin gjatë regjimit komunist. Mirëpo, me gjithë këtë privilegj që kishte frëngjishtja mbas Luftës së Dytë Botërore (LIIB), frankofonët e shquar nuk ishin shumë. Midis njohësve të thellë të frëngjishtes dhe përkthyesve cilësorë dalloheshin Jusuf Vrioni me përkthimin në frëngjisht të romanit Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur të I. Kadaresë që në vitet ’60, si dhe më pas, të krejt veprës së këtij autori të shquar shqiptar; Vedat Kokona me Fjalorët e tij dhe me përkthimin e një vargu autorësh klasikë francezë; Misto Treska, me përkthimin në shqip, ndër të tjera, të romanit Të Mjerët të Viktor Hygoit; Hamit Kokalari e Kolë Luka, në sektorin e përkthimeve albanologjike e letrare, etj.

Në vitet ’70, do të shfaqej një brez i ri përkthyesish në ekipin e Jusuf Vrionit, që përkthenin nga shqipja në frëngjisht. Ndër ta dhe Fotaq Andrea, një djalosh i lindur në Delvinë më 1953 dhe i rritur në Laprakë të Tiranës në familjen e një mjeku infeksionist. Ky  filloi të shquhet këta dy dhjetëvjeçarët e fundit edhe si studiues e gjurmues në fushën albanologjike, krahas hartimit të veprave antologjike në përmasa të mëdha, si Libri i artë i prozës franceze, Arbëreshët e Italisë dhe Pena të arta franceze për shqiptarët. Zbulimet dhe studimet e tij i ka përqendruar kohët e fundit rreth jetës e veprës së Faik Konicës dhe Dora d’ Istrias, duke nxjerrë në dritë dimensionet sa më të vërteta të këtyre dy figurave të shquara, të Dora d’Istras si princeshë e kulturës evropiane dhe të Faik Konicës si shkrimtarin e mendimtarin modern të letërsisë shqiptare.

Gjithçka që ka arritur Fotaq Andrea janë rezultat i punës së tij këmbëngulëse si studiues i palodhur e i talentuar dhe i dashurisë së tij për Letrat franceze dhe albanologjinë.

*  *  *

Pas disa përmbledhjesh të vogla antologjike për moshat e reja, si Mrekulli njerëzore – përralla fabula, legjenda nga bota, që njohu sukses te brezi i ri shkollor me një tirazh tepër të lartë, kur u shpërngulën në Shqipëri së bashku me prindërit rreth 300 mijë fëmijë nga Kosova gjatë Luftës. Andrea botoi antologjinë e tij të parë në përmasa të mëdha Libri i artë i prozës franceze, që njohu dy botime, në vitet 2000 dhe 2002. E veçanta e këtij libri me 430 faqe është se përmbledh mbi 150 autorë francezë të të gjitha periudhave historike, shkollave dhe rrymave letrare, nga rrëfenjat popullore dhe fabliotë e famshme franceze të Mesjetës, me Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët dhe Tristani e Izolta në qendër, deri të autorët modernë, si Marsel Prust, Andre Malro, nobelisti Zhan Mari Lë Klezio, filozofi Alan (Emil Ogyst Shartrier), Zh. P. Sartrë dhe Albert Kamy, duke kaluar nëpërmjet krejt plejadës së shkëlqyer të shkrimtarëve klasikë dhe iluministë francezë, ku bien në sy emrat e ndritur të Hygoit, Balzakut, Lamartinit, Apolinerit, Mopasanit, Alfons Dodesë, Shatobrianit, Panjolit, Bodëlerit, etj. etj. Për vetë ndërtimin e antologjisë me 10 kapituj, që përbëjnë në vetvete 10 libra, me një diapazon të gjerë interesi letraro-kulturor për tërë moshat shkollore, kjo antologji do të bëhej që në fillim mjaft e dashur për të rinjtë dhe do të njihte sukses kur 26 gjimnazistë të “Petro Nini Luarasit” do të mbanin një sesion të posaçëm letrar dhe do të botonin më 2003, referatet dhe kumtesat e tyre në librinPërballje me Librin e artë të prozës franceze. Botimi i këtij libri me 180 faqe nga të rinjtë gjimnazistë për vlerat e antologjisë së Fotaq Andreas shënonte një ngjarje të veçantë te rinia shkollore e kryeqytetit. Por siç shprehet vetë studiuesi Andrea, suksesin më të madh, ai do ta njihte në promovimin që i bëri librit të tij te shkolla 8-vjeçare “Ramazan Jerani” në prani të drejtorit të shkollës, poetit Jorgo Papingji. Një vajzë 14-vjeçare kishte zgjedhur për recitim në takimin e autorit me nxënësit prozën poetike Nderim tërë nënave të botës. Me zë të dridhur artistik, nxënësja filloi të recitonte:Bij të nënave që i keni ende gjallë, mos harroni se nënat tuaja do vdesin një ditë… Qofshi çdo ditë të ëmbël me nënat tuaja. T’i doni ato më shumë se ç’ kam dashur unë vetë nënën time. Dhurojuni çdo ditë nga një gëzim, këtë po ua them unë, në emër të dhembjes sime, me keqardhjen më të thellë në këto çaste të zisë sime… Nderim për ju, nëna të të gjitha vendeve… Nëna të mbarë tokës, Zonja të nderuara nëna, ju përshëndes të dashurat e mia flokëthinjura. E teksa nxënësja recitonte, Fotaqit iu mbushën sytë me lot dhe do t’i vinin në mendje çastet tepër të dhembshme kur përkthente këto rreshta duke ngashëryer për humbjen tragjike të nënës së tij dhe kur shpirtërorja pleksej ngushtë me profesionalen tek i rrëshqisnin gishtat mbi tastierë si lotët në faqe. Përkthimi del nga shpirti, shprehet Andrea, andej nga buron vetë arti.

Jusuf Vrioni, mentor i Fotaq Andreas

Kush pati rast ta njihte Jusuf Vrionin, intelektualin europian të niveleve të larta, nuk mund të harrojë elegancën e tij të shumanshme: në pamje e sjellje, në biseda e përkthime dhe në çdo hap të jetës, me të cilat ai na pushtonte që në lidhjet e para. Jusuf Vrioni ishte një i burgosur dhe i internuar gjatë regjimit komunist, por për shkak të aftësive të tija si frankofon, iu imponua diktatorit. Duke qenë se ai ishte numëri një, që mund të përkthente me nivel të lartë veprat e diktarit në frëngjisht, ky u deturua ta shkelete parimin e luftës së klasave ndaj frankofonit Vrioni dhe ta emëronte përkthyes të veprave të tij në frëngjisht.

Fotaq Andrea ka pasur fatin e mirë të punonte në vitet 1975-1980 në sektorin e përkthimeve nga shqipja në frëngjisht në Shtëpinë Botuese 8 Nëntoribashkë me mjeshtrin Jusuf Vrioni. Përveç aftësive të tija personale dhe zotërimit të thellë të frëngjishtes, kur lexon veprat e Andreas të përkthyera nga frëngjishtja, ose të hartuara drejtpërderejt në shqip, nuk ka si të mos dallosh ndikimin e elegancës Vrionase, të cilën ai e ka përvetësuar gjatë bashkëpunimit me mentorin e tij.

Kjo elegancë bie në sy në punën Fotaqit si antologjist, ku e përzgjedh dhe e ndërton veprën si një buqetë lulesh të shumëllojshme, ku plekset brenda një emri edhe autori, edhe përkthyesi. Andrea, pasi përktheu me sukses tre libra të Albert Kamysë dhe Shkrime rreth dënimit me vdekje të Viktor Hygoit, e në mënyrë të veçantë një ndër kryeveprat e Letrave frënge, Gargantua-në e klasikut të madh frëng Fransua Rable, do t’i hynte përgatitjes së antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007), botuar më 2007 dhe ribotuar më 2009. Këtë antologji, ai e çel me përkushtimin: Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të Madh të përkthimeve në frëngjisht dhe Përçuesit të vlerave shqiptare nëpër botë, Jusuf Vrionit. Librin e mbyll po ashtu me shkrimin Mirëdita fisniku Jusuf Vrioni, ku i thur himn karakterit fisnik të mentorit të tij, të cilin e quan me respekt profesor, duke e portretizuar me dashuri si një përkthyes eruditme potencial të fuqishëm intelektual e profesionalme shije të hollësi njeri i Letrave dhe i Kulturës në shkallë sipërore. Dhe për të dytën herë, Andrea do t’i rikthehet, pas disa viteve, kujtimeve për profesorin e tij Vrioni, me shkrimin: Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, botuar në librin e Eshref Ymerit Përkthimi – një histori pasioni.

Këtë radhë Fotaqit i shfaqet figura e Mjeshtër Vrionit si një ikonë, shembull profesionisti të përkryer dhe Njeriu fisnik, që na çeli, – vë në dukje ai – dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe të qytetërimit frëng. Diplomën e përkthyesit, thotë Fotaqi, e mora në Universitetin Vrioni, me të cilin punova e bashkëpunova për vite të tëra. Dhe vetë Vrioni do t’ia shpërblente Andreas, aq ngrohtësisht, tërë atë punë të përbashkët kur i dhuroi librin e tij Botë të Fshira – Kujtime të një Europiani, me përkushtimin: Për Fotaqin, këtë libër të gjorë, që thotë aq shumë pak gjëra, në kujtim të çasteve aq të ngrohta vëllazërore gjatë një pune shpesh tepër delikate, Vëllazërisht e atërisht, – Jusuf Vrioni, Paris, 10 nëntor 1998. Kjo lidhje e dy brezave, siç e përshkruan me hollësi Andrea, ishte mbi të gjitha shpirtërore, kur në halle e vështirësi, përkthimi bëhej në të tëra kohërat, për një kategori të caktuar intelektualësh, mjeti shpëtimtar, duke ndjekur postulatin “Je traduis, donc je vis” (Përkthej, pa jetoj)1.

Ti tani, je një përkthyes i talentuar, mos iu ndaj përkthimit! – ishte këshilla atërore e Vrionit për Fotaqin që në vitet e para të demokracisë, dhe nxënësi ndoqi këshillën dhe rrugën e mësuesit të tij, pa iu ndarë një çast pasionit për përkthim dhe pasionit për hulumtim e zbulim.

Antologjia Pena të arta franceze, me dy ribotimet e saj, do të gjente jehonë të gjerë brenda vendit dhe në diasporë. Në Wikipedia u theksua që në fillim: Pena të arta franceze për shqiptarët, përbën kulmin e tij (të Fotaq Andreas) në lëmin e zbulimit dhe publikimit të muzave dhe temave me substrat shqiptar tek krijuesit francezë. Është një vepër e vlerësuar nga një radhë akademikësh vendas ndër më të njohurit dhe mbi të gjitha, një vepër e formatit akademik, që mund të ishte tipik produkt i një institucioni shkencor e jo thjesht i një individi. Është një vepër me përmasa kombëtare, që hap një portë deri dje gjysmë të hapur në raportet shqiptaro-franceze në fushën e krijimtarisë letrare dhe të historisë dokumentare.

Në promovimin e librit mes studentëve të Fakultetit Histori-Filologji (nëntor 2009), ku ishte i ftuar edhe konsulli francez Z. Chaffaurt, autori lexoi dy letra që kishte marrë nga Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner dhe nga prof. Sami Repishti, të cilët ngrinin lart vlerat e kësaj vepre që përbën një pasuri kombëtare në Letrat shqipe të përkthyera. Po ashtu, autori theksoi se kjo vepër përmban ajkën historike të letërsisë frënge për kombin shqiptar dhe se atij i ishin dashur shtatë vjet punë hulumtuese e këmbëngulëse në rreth njëzet burime arkivore dhe biblioteka, duke fotokopjuar rreth 8.000 faqe. Konsulli francez nga ana e tij, duke u ndalur gjatë në vlerat e librit, përfundoi me buzëqeshje: kjo vepër do duhej tashmë edhe për publikun francez kështu siç është përgatitur në shqip, apo me fjalë të tjera “do duhej “përkthyer” në frëngjisht…

E veçanta e antologjive të Andreas është se ato janë të gjitha të ilustruara dhe përbëjnë në vetvete edhe një lloj albumi me vepra artistike e grafike; dhe kjo për vetë faktin se Andrea është edhe koleksionist i grafikës historike me temë shqiptare. Mjaft të kujtojmë këtu se ai ka hapur deri tani në Shqipëri e Itali tre ekspozita me tematikën Shqiptarët në shekuj, duke bashkëpunuar ngushtë me koleksionistin e antikuareve Dritan Muka në Kanada. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se në të gjitha rastet, autori e ka bërë promovimin e librave të tij mes nxënësve e studentëve, për ta afruar kështu sa më shumë librin te një publik i gjerë. Nga vetë mënyra e ndërtimit, me tematikë të larmishme dhe shkrime koncize, antologjitë e tij janë të këndshme, lexohen me një frymë, nuk kanë moshë e publik të përcaktuar, janë sa shkencore dhe popullore, për më tepër që janë të huajt, emra të nderuar që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pas antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët do të pasonte, si një vëllim i dytë i saj, antologjia tjetër e përmasave të mëdha Arbëreshët e Italisë, 1413-2007 (me 75 autorë francezë), botuar më 2012 me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nën kujdesin e profesorëve Francesco Altimari, Luan Malltezi e Sherif Delvina. Ky libër i kushtohet diasporës shqiptare në Itali, e cila ruajti me fanatizëm gjithçka të vyer historike shqiptare, thelbin e vetëdijes kombëtare, gjuhën, kulturën dhe kujtimin e epokës së lavdishme skënderbejane. Andrea e promovoi librin në Kozenca të Italisë, ku çeli ekspozitën e tij “Shqiptarët në shekuj”, ndërkohë që në Muzeun Historik Kombëtar çeli për 100 vjetorin e Pavarësisë ekspozitën “Arbëreshët në histori” me rreth 450 riprodhime veprash artistike që shfaqin botën historike shqiptare në Itali që me stradiotët e parë të gardës skënderbejane.

Andrea, hulumtues, zbulues e studiues

Për vite me radhë, Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, duke i furnizuar me artikuj e ese pas hulumtimeve në fushën albanologjike, të cilat nuk kanë reshtur një ditë. Këto ditë shtëpia botuese EDFA po përfundon botimin e librit të tij Gjurmime shqiptare në Letrat franceze, vëllimin e parë, ku përfshihen një pjesë e këtyre shkrimeve si dhe përkthime nga albanologë të shquar francezë. (Në parantezë, veprënKujtime nga Shqipëria e Epërme të Alexandre Degrand (1901), i cili pati zbuluar që në shekullin XIX Kulturën e Komanit, Andrea parapëlqeu ta përkthejë të plotë, dhe sot e ka dorëzuar për botim). Në veprën e tij Gjurmime shqiptare në plan të parë shfaqet zbulimi madhor: objekti i pestë fizik që ka qenë në pronësi të drejtpërdrejtë të Kryeheroit shqiptar dhe të familjes Kastrioti, pas shpatës, përkrenares dhe dy kodikëve të njohurLibri i Uratavedhe enciklopedia Libri i Skënderbeut. Ky zbulim, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me Dritan Mukën, përqendrohet rreth kodikut Libri i Petrarkës, i cili përmban dy emblema kastriotase të dëmtuara, ku bie në sy simboli i luanit ngritur në këmbë, po ku është shuar përballë tij (me dashje e paragjykim) simboli i shqiponjës kastriotase me yllin e Davidit mbi krye. Mbështetur në argumentet shkencore të prof. Robert G. Calkins të Universitetit Cornell të Itakës (USA), që hedh, që më 1972, idenë se ky kodik duhet të ketë qenë në pronësi të Skënderbeut, Andrea shkon edhe më larg në argumentet e tij historike e heraldike, duke vërtetuar idenë madhore të Prof. Kristo Frashërit se Figura e Skënderbeut nuk duhet parë ngushtë si figura e një Luftëtari me beteja të lavdishme, por si figura e një Burri shteti, me kancelari të zhvilluar në nivele europiane, me diplomaci të gjallë, rrethuar nga bashkëpunëtorë e humanistë të shquar, e domosdo edhe me bibliotekë të pasur, duke u nderuar me kodikë të rrallë të kohës dhe emra të nderuar të Rilindjes europiane, siç ishte Francesco Petrarka, libra që domosdo Skënderbeu i lexonte, si ato rreth artit ushtarak të kohës së tij, ashtu dhe Pirron e Plutarkut apo vargjet më të bukura të poezisë së Petrarkës. Këtë zbulim, Andrea e paraqiti në Konferencën shkencore të Institutit Alb-Shkenca, që u botua në shqip nga ANASH, Approching Science më 2008, si dhe në frëngjisht në revistën prestigjioze Studia Albanica të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në fillim të vitit 2012, me rastin e çeljes në forumin Zemra Shqiptare të rubrikës “Shqipëria bën pa secilin nga ne, po nuk bën dot pa Gjergj Kastrotin”, krahas emrave të nderuar që do të shpreheshin me zjarr për figurën e Skënderbeut, si Ismail Kadare, Neki Lulaj, Enver Bytyçi, Ilia Karanxha, Lis Bukuroca, Ndue Ukja, Sami Repishti, Fahri Xharra, Gjon Keka, Kozeta Zylo, Visar Zhiti, etj. Fotaq Andrea, duke goditur pseudo studiuesit që përpiqen të “çmitizojnë” figurën e Kastriotit të madh do të shkruante: Identiteti i kombit shqiptar është i lidhur ngushtë me figurën emblematike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në tërë kohërat, Shqiptarët e vërtetë kanë për flamur lavdie, krenarie dhe shqiptarie emrin e tij… Në ka pasë, në ka e në do ketë komb shqiptar, ai është i lidhur historikisht e përjetësisht si mishi me thoin me figurën e Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar, është i mishëruar njëherë e përgjithmonë në vetëdijen tonë shqiptare, si dy krerët dhe dy flatrat e shqiponjës sonë, Gegëri e Toskëri, me dy dialektet e tyre kryesore të gjuhës shqipe, që bëjnë një e vetëm një… Po e përfundoj, vijon Andrea, me revoltë kundër atyre që cenojnë Heroin tonë kombëtar, nderin dhe lavdinë tonë, me fjalët: të gjithë ata që mohojnë Skënderbenë tonë janë të tredhur, të pjerdhur, antishqiptarë, pemë pa kokrra, gomarë pa koqe. Një revoltë e tillë u komentua gjatë nëpër forume.

Zbulime të tjera po aq të rëndësishme të hulumtuesit Andrea ishin disa portrete të panjohura të Skënderbut nga piktorë të shquar botërorë, siSkënderbeu i Giorgiones, i Ticianit, Guercinos, Landon-it, C. Weigel, J. Schrenck, Seltener, Charles Guenot, Paul Nocquet – ky i fundit, me porosi të Faik Konicës, zbukuroi ballinën e revistës Albania me portretin e Skënderbeut në një stil mjaft origjinal (sot këtë ballinë të revistës Albania, Fotaq Andrea e disponon me ngjyra në një riprodhim të bukur). Por në mënyrë të veçantë Skënderbeu i Rembrandit ishte një nga zbulimet e tij më pasiononte, kur shkoi drejt e në Muzeun e Nansisë për ta parë nga afër dhe për të vërtetuar tërë hipotezat e ngritura. Studimi i tij i hollësishëm për këtë vepër të shquar u përkthye në disa gjuhë dhe u botua nga mjaft revista shkencore e forume interneti.

Gjurmime shqiptare përmban edhe një mori shkrimesh mjaft interesante, artikuj e studime që kanë bërë jo pak bujë, si “Grurë nga Vlora për popullin e uritur të Parisit“; “Orientalet e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës“; “Fustanella shqiptare përfaqëson nderin, dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare – Letër Presidentit të Republikës Alfred Moisiu”; Figura e bukuroshes arbëreshe në disa vepra të artit evropian; Albanuaja, kapela historike shqiptare dhe stradiotët shqiptarë në shekujt XV-XVII (Andrea vë në dukje se këtë kapele shqiptare e kanë mbajtur dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri IV, duke sjellë ilustrimet përkatëse). Po ashtu, artikuj të tjerë mund të përmendim: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit; Shqiptari, ky Sizif – Fat tragjik në mbijetesë shekullore; Amazonat shqiptare; Festa e luleve për Skënderbeun; Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë; Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë; Rekord botëror në tatuazh në shekullin XIX – Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini; Një kryevepër e bukurisë femërore shqiptare pas një historie të rrallë; Moj Shqiptarka këmbëlehtë – romancë franceze e vitit 1833, etj. Tërë këto shkrime kanë stil të këndshëm, gjuhë të pasur me figuracion artistik dhe mbi të gjitha kuadër të caktuar historik që ngre lart vlerat shqiptare nëpër botë.

Fotaq Andrea dhe Faik Konica

Kulmi i zbulimeve të Andreas do të arrihej në dhjetor të vitit 2010, kur piketon, gjen dhe vërteton praninë e dy romaneve të panjohura të Faik Konicës, shkruar rreth viteve 1908-1909 në frëngjisht dhe botuar më 1911 me pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës), titulluar Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka. Fillon në këtë mënyrë për Andrean, nga viti 2011, aventura Konica. Për të vërtetuar gjithçka në mënyrë shkencore, ai i hyn studimit me hollësi të revistës Albania, të epistolarit të gjerë të Konicës, artikujve dhe veprave që rilindësi i madh kishte botuar në gjuhë të huaja, hulumton në Arkiva e biblioteka të Francës e Belgjikës, hyn në lidhje të ngushtë me studiuesin Sherif Delvina, pinjoll i familjes Konica-Delvina, i cili, me personalitetin e tij, me erudicionin dhe vizionin modern që ka për shoqërinë shqiptare, fiton simpatinë dhe miqësinë e ngushtë të Andreas. Prof. Delvina e orienton tanimë Andrean në shumë drejtime, e ndihmon me zbulimet që kishte bërë ai vetë, duke i dhënë edhe pemën gjenealogjke të familjes Konica-Delvina.

Nga kjo periudhë, zbulimet e Andreas për Konicën nuk do reshtin: vërteton me dokumente arkivore praninë e djalit të Konicës që quhej Henrik Lohengrin bej Konitza, duke botuar edhe një letër të tij drejtuar Fan Nolit; nxjerr në dritë fakte të reja nga jeta shoqërore e Konicës, miqësinë e tij me Apolinerin, Paul Nocquet e veçanërisht me shkrimtarin amerikan Benjamin de Casseres, duke vërtetuar se si Konica u bë përçues i letërsisë dhe i kulturës avanguardiste europiane në Amerikë; po ashtu, Andrea zbulon fakte nga jeta private e Faikut, bashkëjetesën e tij me dy mikesha, në kohë dhe vende të ndryshme; rrethanat e konvertimit të papërfunduar të Faik Dominik Konicës; zbulon, përkthen dhe boton në shqip esenë e Konicës Mbi Edukimin, artikullin e tij të parë Shqipëria dhe Turqit; zbulon dhe boton Hartën koniciane të trojeve shqiptare në gjuhën shqipe, si harta e parë në llojin e vet; ngre lart vlerat e mini-enciklopedisë Kalendari i Maleve,(1900-1901) si vepër më vete po e Faik Konicës. Nga ana tjetër, Andrea ndërton dhe përgatit për botim, me një hyrje të gjatë, Letrat e Faik Konicës drejtuar Apolinerit (libër në proces), çel te Tirana Observer rubrikën Fletore Koniciane, duke botuar gjer tani 20 numra me fakte të reja nga jeta dhe vepra e Konicës, si dhe rubrikën Faik Konica dhe realiteti ku Andrea boton me pseudonimin Monet Maneshi mbi 30 shkrime të Konicës, paraprirë nga kritikë e ashpër politiko-shoqërore për zhvillimet e sotme në Shqipëri, etj.

Tanimë për Andrean, Konica është një minierë e vërtetë ari, kur ai sheh tek personaliteti i tij, te jeta dhe vepra e tij, mendimtarin modern dhe eruditin shqiptar të paarritshëm, gjithëpërmasor e novator, që ka ëndërruar e punuar për një shtet e komb modern shqiptar të prirë drejt Europës perëndimore të zhvilluar. Dhe sa më shumë punon në këtë drejtim, ky studjues bindet që shpesh Konica është paragjykuar e keqinterpretuar nën optikën brutale “bardhë e zi”, shkëputur nga “fryma e kohës”, ose duke rendur drejt “ekzotikes koniciane”, nuk është depërtuar në thelbin e mendimit politiko-shoqëror konician.

Në shkrimet për Konicën, Andrea larton figurën e rilindasit nën shembullin e Apolinerit, i cili, duke përdorur një figurë të shkëlqyer mitike e ka quajtur Faik Konicën një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun2, që do të thotë të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. I ndërgjegjshëm se është mjaft e vështirë për të përcaktuar përmasën enciklopedike të Konicës, dobësinë apo prirjen parësore që ai kishte për këtë a për atë fushë, për letërsinë, artet, historinë, gjuhësinë, kritikën letrare, bibliografinë, përkthimologjinë, folkloristikën, gazetarinë, e gjer te shkencat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia, pedagogjia etj., studiuesi Andrea ngulmon për ta parë Faik Fisnik Konicën, siç e quan ai, si gur themeli dhe nismëtar të guximshëm në tërë këto fusha të lëvruara me sukses prej këtij Rilindasi  Madh, i cili zbuloi flamurin e Skënderbeut dhe solli të gjallë kujtimin e tij për të mbrujtur shqiptarët me patriotizëm dhe me ndjenjën e lirisë e të pavarësisë. Dhe jo vetëm kaq, por Andrea nxjerr në pah se tërë këto lëndë  bukura, Konica do t’ ishprehte me gjuhë të bukur shqipe, e mbi të gjitha, duke na i shfaqur në nivele bashkëkohore, me hapin e mendimit estetik e filozofik të kohës dhe me një botëkuptim të përparuar perëndimor.

Shpallja e vitit 2016 VITI FAIK KONICA prej shoqërisë “Vatra” të Amerikës në kuadrin e 120-vjetorit të themelimit të revistës madhore Albania, ishte nismë e nxitur prej studiuesit Andrea, të cilin Vatra do ta ketë të pranishëm në gjirin e saj për të promovuar dy romanet e panjohura të Faik Konicës zbuluar prej tij, si dhe për të çelur një ekspozitë me faksimile dokumentesh dhe vepra arti të veçanta kushtuar figurës së Konicës.

Andrea dhe Dora d’Istria

Prej vitesh Andrea ka arritur të mbledhë një material të pasur bibliografik e artistik për Dora d’ Istrian, duke përkthyer gati krejt esetë e saj për popujt e Europës, si dhe duke qëmtuar në epistolarin dhe në librat e saj gjithçka për shqiptarët, për historinë, kulturën dhe gjuhën e tyre, e në radhë të parë për origjinën e hershme shqiptare të familjes së madhe Gjika. Andrea e ka trajtuar figurën e saj me disa ese e artikuj, duke filluar nga viti 2007 dhe aktualisht ka paraqitur për botim vëllimin e parë të veprave të saj titulluar Dora d’ Istria, princeshë e kulturës evropiane, që zënë rreth 800 faqe libër, të cilat po pasohen nga një vëllim i dytë me shkrime të Dora d’Istrias kryesisht për shqiptarët. Andrea ka botuar gjer tani dy jetëshkrime të Dora d’Istrias shkruar prej Armand Pommier dhe Charles Yriarte, ka marrë pjesë në Sesionin shkencor të Fondacionit Saadi Shirazi (shkurt 2009) me kumtesënDora d’ Istria dhe bota perse, po ashtu, në Sesionin shkencor Dora d’Istria dhe përmasa evropiane e kulturës shqiptare, organizuar në Tetovë në maj 2011, ku Andrea mbajti kumtesën Përmasa europiane e veprës së Elena Gjikës si dhe përshëndeti këtë sesion me artikullin Moda Dora d’Istria në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës. Ai solli në këtë mënyrë fakte të reja nga jeta e kësaj humanisteje të shquar europiane, bashkëpunimin e saj me Garibaldin dhe arbëreshët, duke shfaqur edhe idenë e qarqeve politike franceze të shekullit XIX për të zgjedhur Dora d’Istrian si kryetare të “Federatës ballkanike” (ide që mbeti në gjendje projekti të parealizuar). Në bashkëpunim me piktorë shqiptarë në zë, si Anastas Kostandini, Artan Shabani, Vehap Kokalari, Llazar Taçi, i ndjeri Milto Jorgji, Agim Janina, etj. studiuesi Andrea ka ngulmuar për një paraqitje artistike sa më tipike e sa më shqiptare te kësaj figure erudite, duke kërkuar që ajo të ilustrohet artistikisht në takimin e saj me De Radën, me poetin amerikan Longfelow, me Humboldin  e madh dhe me mbretin e Prusisë, etj. Janë nga veprat më të bukura artistike që ilustrojnë shkrimet e Andreas për figurën e Dora d’ Istrias, vepra të artistëve shqiptarë që janë përdorur jo vetëm në sesione shkencore, por në radhë të parë në dokumentarin Elena Gjika – Dora d’  Istria, pararendëse e Europës pa kufij, realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga regjizori Engjëll Ndocaj, ku Andrea pasqyron gjatë jetën dhe veprën e humanistes shqiptaro-rumune.

Fotaq Andrea si diplomat

Në shtator 1997, Andrea emërohet Përfaqësues i Përhershëm shqiptar në Këshillin e Europës (KiE)3 – organizata më e vjetër evropiane me seli në Strasburg, ndërkohë që profesori i tij Jusuf Vrioni emërohet Përfaqësuesi shqiptar pranë UNESCO-s në Paris.

Vitet 1997-2000, ishin tepër të ngjeshura në ngjarje të mëdha, në Shqipëri e Ballkan. Në diplomacinë europiane shumëpalëshe, sidomos në KiE ku Andrea u emërua ambasador, duhej përmirësuar mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë pas rënien së shtetit më 1997. Në atë kohë përfaqësuesi rus “me të drejtën e shtetit të madh kontributor në KE këndonte këngën e gjelit për të denigruar shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës dhe për të mbrojtur si përherë serbët. Shpejt pasuan ngjarjet e rënda të vitit 1998 me vrasjen e Azem Hajdarit, përplaset e egra, deri edhe me armë, të klasës politike shqiptare dhe më pas Lufta e Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake e NATOS.

Puna në këto vite pranë KiE-së ishte jo vetëm me përgjegjësi, por edhe shumë e ngjeshur dhe e tensionuar. Dëshmojnë në këtë drejtim mbi 1.500 fakse të protokolluara në Ministrinë e Punëve të Jashtme dërguar prej ambasadorit shqiptar, që raportonte me hollësi për mbledhjet politike të Komitetit të Ministrave të KiE-së, ku ai e merrte fjalën në emër të Shqipërisë dhe hidhte poshtë akuzat sidomos ruse që e konsideronin UÇK-në si organizatë terroriste. Njohja e thellë e gjuhës frënge dhe bagazhi i gjerë në fushat socio-kulturore e etno-historike e ndihmonin atë të ishte mjaft aktiv e me vizion të veçantë diplomatik. Krahas mbledhjeve politike 2-3 herë në javë në Komitetin e Ministrave, ambasadori Andrea mbante dhe konferenca në Universitet, jepte intervista, bënte takime në krejt zonën e Alzasës, organizonte fushata për mbledhje ndihmash për Kosovën, ndërkohë që këmbëngulte për nënshkrimin dhe ratifikimin nga ana e Shqipërisë të mbi 30 Konventave dhe Protokolleve europiane. Gjatë kësaj periudhe, në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë në KiE, Andrea shquhet si ideator për krijimin e grupeve të punës lidhur me hartimin e “Strategjisë kombëtare për Fëmijën, Gruan dhe Kulturën në Shqipëri”, mbështetur nga Komiteti i Ministrave të KiE-së; si koordinator për reformat e institucioneve demokratike në Shqipëri; për decentralizimin e pushtetit lokal nëpërmjet një serie seminaresh e konferencash; për realizimin e tryezave të punës lidhur me Paktin e Stabilitetit në Evropën Jug-lindore, konkretisht në Shqipëri e Kosovë; si iniciator për futjen e Shqipërisë në Fondin e Zhvillimit Social të KiE-së, në GRECO e në marrëveshje të tjera të Këshillit të Evropës; si organizator për grupet e punës në Komitetin e Ministrave të KiE-së lidhur me krizën e Kosovës, si dhe të konferencave rajonale në Alzasë e Lorrenë për sensibilizimin e opinionit publik francez lidhur me çështjen e Kosovës. Nga ana tjetër, ky ambasador i Shqipërisë do të ndërmerrte drejtpërdrejt nismën lidhur me disa veprimtari kulturore në Strasburg dhe në Këshillin e Europës për propagandimin dhe vizibilitetin e vlerave shqiptare,  konkretisht çeljen e ekspozitës për Nënë Terezën nga tre piktorë shqiptarë, organizimin e një vizite pune të Jusuf Vrionit në Komisionin e Venecias, të vizitës së veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, të vizitës së nxënësve të një shkolle tetëvjeçare fshati në KiE, si dhe të një ekipi futbolli të të rinjve “Iliria Viking”, etj.

Por mbi të gjitha, ambasadori Andrea shquhet për përgatitjen e dosjes së plotë drejtuar Presidentit Meidani lidhur me heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri, si kusht i ndërkombëtarëve për realizimin e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës. Në këtë drejtim, ai u angazhua drejtpërdrejt duke përkthyer e botuar gjatë atyre viteve librin Para gijotinës të Albert Kamy-së, me parathënie të Bronislav Gueremek – ish ministër i punëve të jashtme të Polonisë. Ky libër përmban edhe një vlerësim publik të Lord Russell Johston (ish-Kryetar i Asamblesë parlamentare të KiE-së) për ambasadorin Andrea4. Këtë vlerësim publik të një personalitetit të lartë, Andrea e konsideron me të drejtë si një diplomë më shumë për të në fushën e diplomacisë. Ky vlerësim publik për punën e tij në fushën diplomatike u kurorëzua edhe me Pllakën e argjendtë që iu dha ambasadorit Andrea nga Komiteti i Ministrave, në mirënjohje për punën e kryer në KiE. Heqja e dënimit me vdekje ishte një çështje tepër delikate për kushtet e Shqipërisë në fund të shekullit XX, kur lulëzonte krimi dhe në psikologjinë e popullit e të pushtetarëve mbisundonte mentaliteti se “dënimi me vdekje në Shqipëri nuk mund të hiqet për shkaqe historike, si gjakmarrja”. Në këtë mes, duke respektuar Konventat evropiane dhe politikën e KiE-se për heqjen pa kushte të dënimit me vdekje, ambasadorit tonë iu desh shpesh herë të përplasej egër me autoritetet e vendit të vet, të cilët nuk e honepsnin kundërshtimin dhe deklaronin hapur në KiE se kriminelët do varen në shesh të Tiranës. E megjithatë, në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq.

Aktivizimi shumë i gjallë i ambasadorit tonë në Komitetin e Ministrave të KiE-së, bëri që ky organ i lartë i organizatës më të vjetër evropiane të diplomacisë shumëpalëshe ta zgjidhte Fotaq Andrean, që në muajt e parë të veprimtarisë, në funksionin e Raporterit për shoqërinë civile europiane dhe për Organizatat Jo Qeveritare (OJQ-të) kombëtare e ndërkombëtare, detyrë të cilën ai e kreu me sukses përmes takimesh me shoqërinë civile në disa vende të Europës.

Në kulmin e veprimtarisë së suksesshme diplomatike, kur ende nuk i kishte mbushur tre vjet në detyrë si afati minimal për tërheqjen e një ambasadori, ambasadorit Andrea iu komunikua nga Tirana kthimi në Ministrin e Punëve të Jashtme në një detyrë të re, sepse zëvendësohej me dikë tjetër. Kuptohej që dikush i kishte vënë syrin postit të tij. Eprorët duhej të plotësonin hatëret dhe interesat e ngushta meskine, kur administrata dhe klasa politike shqiptare as që pyeste për meritokraci e dinjitet shtetëror. Në rastin e tij, nuk respektohej as minimalisht statusi i nëpunësit, pale i diplomatit. Sigurisht, shumëkush u habit nga një zëvendësim i tillë i papritur, e mbi të gjitha vetë administrata e lartë e KiE-së që nuk mungoi të interesohej e të kundërshtonte, por Tirana zyrtare e mashtroi se gjoja kishte nevojë për Fotaq Andrean në detyrën e re: emërohej Drejtor i Arkivit të M.P.J.-së– një sajesë e kotmëkotshme, për ta hequr qafe. Dhe nuk ishte vetëm rasti i tij në këtë heqje aq të papritur. Hiqej, po në atë periudhë, nga detyra e ambasadorit shqiptar në Madrid eruditi i madh Zef Simoni, i vlerësuar aq shumë nga bota dhe njerëz të letrave si Kadareja. Politika dhe administrata shqiptare e drejtuar nga palo politikanë të rinj e të papërgjegjshëm, që nuk kishin punuar asnjë ditë në administratën shtetërore, por që nga bankat e shkollës u emëruan politikanë e shtetarë të zotë, filluan e vijuan të masakronin gjithçka shtetërore e administrative për interesa të ngushta vetjake, duke parë vetëm mbushjen e shpejtë të xhepave nga pseudo-kapitalistë të rinj “afaristë”, të pasuruar edhe këta me vjedhje e krim dhe që kërkonin, jo vetëm të mbanin e të kontrollonin medoemos tërë fijet e pushtetit për të shtuar si e si fitimet, por edhe poste diplomatike për përkrahësit dhe këpucëlëpirësit e tyre. Kështu, ambasadori Andrea u viktimizua dhe u detyrua të ulte kokën e t’i rikthehej përsëri profesionit të përkthyesit, profesion që kishte mbajtur në mbijetesë edhe Isuf  Vrionin, Zef Simonin, Aristidh Ristanin, etj.

Andrea publicist e përkthyes

Pa u ndalur gjatë në fushën e publicistikës, ku Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat e shkruara dhe në revistat shkencore Sociologjia dhe Perla, theksojmë se ai ka botuar rreth njëqind artikuj me tematikë të larmishme si dhe ka hedhur në internet dy përkthime : Për Europën, nga Robert Shuman, njëri nga baballarët e themelimit të Europës së Bashkuar, si dhe librin Jodhuna, një shpjegim për fëmijët e mi, nga Jacques Semlin. Në të njëjtën kohë, përkthimi dhe botimi nga ana e tij i librit Korrupsion të Pierre Lascoumes (2002), shoqërohet nga një parathënie e gjatë e studiuesit Andrea, që merr në analizë korrupsionin në Shqipëri si dukuria më tipike e shoqërisë dhe e klasës politike shqiptare gjatë tranzicionit demokratik.

Ashtu si disa shokë të tij me të cilët ka punuar e bashkëpunuar si Edmond Tupja e Viktor Kalemi, Fotaq Andrea, është një përkthyes që dallon për përkthime nga shqipja në frëngjisht dhe nga frëngjishtja në shqip. Krahas antologjive që përmendëm më sipër dhe dy antologjive të reja që kanë parë dritën e botimit kohët e fundit Përralla perse e arabe – 2 vëllime dhe Antologji e përrallës frënge, Andrea ka përkthyer e botuar edhe romanin historikShqiptarka dhe urrejtja e saj të Pierre Chanlaine, si dhe romanin tjetër historik të Leon Cahun Hasan Jeniçeri – historia e një shqiptari më 1516. Kjo vepër – të cilën e botoi më 2005 –, përbën edhe pikënisjen e studiuesit Andrea për t’u orientuar drejt Faik Konicës, i cili që herët kishte huazuar si pseudonim emrin e personazhit kryesor të këtij romani: Thrank Spirobeg, duke qenë mik i ngushtë i orientalistit të shquar Cahun, me të cilin kishte bashkëpunuar në Paris për vite të tëra. Por vetë Andrea, nëse do të shtrëngohej të vinte gishtin mbi përkthimin e tij më të mirë në shqip, do të përzgjidhte romanin Gargantua të Rabëlesë, libër tepër i vështirë që e përktheu nga gjuha e vjetër frënge e vitit 1534. Në përkthimin e kësaj vepre, Andrea i vuri si qëllim vetes të pasqyronte gjuhën e bukur të Rablesë, këtij klasiku të Letrave frënge, cilësuar si Mjeshtri i saj hyjnor, me një gjuhë shqipe disi të vjetër, por të bukur e të pasur për të përballur këtë kryevepër të letërsisë botërore. Po ashtu, edhe përkthimi i tij i fundit Legjendat e Mesjetës, që kanë në qendër “Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët të mbretit Artur”, karakterizohet nga një bukuri dhe ëmbëlsi e veçantë e shqipes së tij.

Në përkthimet nga shqipja në frëngjisht, Fotaq Andrea që herët ka dhënë kontributin e tij kur punonte si përkthyes në Shtëpinë botuese me ekipin e Jusuf Vrionit, por më pas, i prirë për t’i hyrë më të vështirës në përkthime, ai dha në frëngjisht librin me fabula të fabulistit të talentuar Ferit LamajDhelpra e Trojës, libër që u vlerësua me çmimin ndërkombëtar Çmimi La Fonten. Tek mori pjesë në Konferencën Eposi i kreshnikëve, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare, Prishtinë, gusht 2010, me kumtesën e tij Vështrim historik i këngëve heroike shqiptare në Letrat franceze, Andrea u zotua të përkthente në frëngjisht dokumentarin Lahutari i fundit në kuadrin e përgatitjes së dosjes Eposi i Kreshnikëve, vlerë e trashëgimisë botërore gojore për t’u marrë nën mbrojtje nga UNESCO. Andrea kujton këtu vështirësitë tepër të mëdha që hasi në përkthimin në frëngjisht të këtij filmi, kur detyrohej të përkthente një gjuhë gegërishte mjaft të rëndë në gojën e pleqve 80 vjeçarë, që flisnin me dialekt të lashtë plot hundorëzime, si të shëmbeshin, thotë Fotaqi, vetë shkëmbinjtë e moçëm nga lartësitë e maleve të Rugovës. Andrea ia arriti edhe këtij qëllimi dhe filmi u shfaq gjithandej, deri edhe në Pekin. Këtë vështirësi në përkthim, Andrea e hasi po ashtu edhe te Përrallat shqiptare në frëngjisht, një antologji që ai ndërtoi me përralla të zgjedhura nga visaret e kombit tonë, të cilën e ka në fazë të fundit përpunimi. Vështirësia përkthimore në gjininë e folkloristikës e të fabulës është e njohur nga të gjithë, dhe kërkon vullnet e durim, këmbëngulje e pasion të veçantë për t’ia dalë mbanë.

Ndërkaq, në prill 2015, ai botoi në Francë librin Guri i shpirtit – Kronika shqiptare, një përmbledhje me 14 tregime të tij të zgjedhura, shkruar gjatë viteve 1997-2004. Këtu ai pasqyron periudhën e tranzicionit të dhimbshëm demokratik shqiptar. Kohët e fundit, duke analizuar një për një këto tregime të tij në frëngjisht, prof. Anton Papleka, me një ese të gjatë, e krahason stilin e Andreas me stilin e Migjenit tek shkruan: Fotaq Andrea, vazhdues i traditës migjeniane.

Një kontribut më vete përbën përkthimi i tij i librit të Sami Repishtit Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux (Onufri 2011), ku Andrea, me një shkrim përmbledhës për vlerat e veçanta të kësaj vepre rinore të profesor Repishtit, shfaq potencialin e fuqishëm intelektual të këtij personaliteti të shquar të botës shqiptaro-amerikane që na mahnit me freskinë dhe forcën e mendimit të tij… E në këtë forcë të madhe shpirtërore – vijon Andrea -, Repishti student i ngre himn nënës së vet dhe gjithë nënave të përvuajtura të Shqipërisë, që me dashurinë e tyre mbanin të ndezur flakadanin e jetës dhe vetë optimizmin për të.

Si intelektual me interesa të gjera Andrea bashkëpunon dhe me shkollat e larta të Shqipërisë për përkthime veprash për programe mësimore si libri i historianit të shquar amerikan Moses Finlay Demokracia e lashtë greke dhe demokracia moderne.

E mbyllim këtë ese për Fotaq Andrean me projektet e tij për të studiuar së shpejti jetën dhe veprën e rilindasit Sotir Kolea, pa iu ndarë Konicës, Dora d’ Istrias, përkthimit të veprës së Rablesë Pantagrueli si dhe hulumtimeve në fushën e albanologjisë.

Do të shtonim se Andrea është studjuesi e hulumtuesi më i përgatitur për të gjurmuar e mbledhur dhe shkrime të penave franceze për arbërorët e Greqisë, të cilët ashtu si arbëreshët e Italisë kanë vlera të mëdha për kulurën tonë arbërore-shqiptare. Një vepër e tillë si volum i dytë i antologjisëArbëreshët e Italisë, 1413-2007 duhet kryer sa më parë sepse arbërorët e Greqisë janë drejt asimilimit të plotë dhe nuk mbrohen e nuk studjohen nga institucionet shkencore të shtetit grek.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora