E enjte, 28.03.2024, 08:56 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Andrei Chikatilo, kasapi i Rostovit

E diele, 17.08.2008, 12:16 AM


Në atë kohë, vetëm pak njerëz jashtë policisë ruse ishin në dijeni të serive të tmerrshme të përdhunimeve dhe vrasjeve që kishin ngjarë gjatë vitit ‘80 në zonën përreth Rostovit në Ukrainë, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Censura shtetërore fshehu të gjitha lajmet për përdhunimet e fëmijëve dhe vrasjet në seri, krime që konsideroheshin si të zakonshme vetëm në “shtetet dekadente kapitaliste”, ndërsa policia pengohej në hetime, duke mos e lejuar të transmetonte dhe shpërndante përshkrime të vrasësve apo të të dyshuarve. Vrasjet vazhduan për një periudhë mëse dymbëdhjetëvjeçare, duke arritur një total prej 56 viktimash, përpara se vrasësi më në fund të kapej...

Kur ishte fëmijë, Andrei Chikatilo flinte në një shtrat me të ëmën; ai urinonte vazhdimisht dhe për këtë ajo e rrihte në mënyrë mizore. Në shkollë kishte rezultate të mira, por nuk arriti të kalonte konkursin pranues në Universitetin Shtetëror të Moskës. U rekrutua në Shërbimin Kombëtar, por u shkarkua në vitin 1960. Më pas, gjeti punë si teknik telefonash dhe u martua në vitin 1963. Eksperiencat e hershme e kishin bërë ta barazonte seksin me agresionet e dhunshme. Edhe pse impotent, ishte babai i dy fëmijëve. U kualifikua për letërsi ruse në vitin 1971 dhe gjeti punë si asistent-mësues, por u detyrua të lëvizë nga shkolla në shkollë, pas shumë ankesash për ngacmime seksuale të bëra nga prindërit e nxënësve në adresë të tij. Në vitin 1981, pasi zuri vend si punonjës fabrike që merrej me furnizime në Rostov, mund të udhëtonte në shumë vende dhe të kryente krimet e tij të tmerrshme. Vrasja e parë ndodhi më 22 dhjetor të vitit 1978, kur Andrei Chikatilo jetonte në qytetin Sachty, rreth 80 km nga Rostovi. Ai joshi një vajzë nëntëvjeçare dhe u orvat ta përdhunonte. Duke u përpjekur të shpëtonte, ai e goditi për vdekje vajzën. Që nga ajo kohë, Chikatilo mund të eksitohej vetëm kur dhunonte vajza të reja dhe fëmijë. Edhe pse ishte i dyshuar për këtë vrasje, një tjetër njeri, Aleksandr Kravchenko, u arrestua dhe “u rrëfye” fajtor për krimin (për shkak të metodave brutale të policisë ruse gjatë marrjes në pyetje). Ai u shpall fajtor dhe u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi.

Përparimi i vrasësit

Gjatë udhëtimeve me autobus dhe tren për motive pune, Chikatilo vriste kalimtarë të të dyja sekseve ose prostituta në stacione të largëta, ndërsa trupat e tyre të gjymtuar mizorisht i braktiste në zonat e afërta pyjore. Disa viktima u gjetën me gjuhët e kafshuara, të tjerëve u kishte marrë disa nga organet e brendshme, por të gjithë kishin marrë plagë të rënda thike, veçanërisht në fytyrë. Gjatë vitit 1982, shtatë gra dhe fëmijë ranë viktima të kasapit. Në vitin 1983, ai vrau tetë njerëz, katër prej tyre mes qershorit dhe shtatorit. Në atë kohë arritën të zbuloheshin vetëm gjashtë trupa, nga totali i viktimave. Kur lajmet e vrasjeve nisën të përhapen, filluan të dalin thashetheme nga më të pabesueshmet. Një popullsi naivësh flisnin lart e poshtë për njerëz-ujq ose për “të huaj” që po vrisnin djemtë rusë përpara se të pushtonin vendin.

Në kërkim të kasapit...

Një skuadër speciale mjeko-ligjorësh u dërgua nga Moska për në Rostov, nën komandën e majorit Mikhail Fetisov dhe specialistit mjeko-ligjor, Viktor Burakov, për ndërmarrjen e hetimeve në zonën e Sachty-it. U hetuan dhe u morën në pyetje të gjithë ata që njiheshin si maniakë seksualë dhe të sëmurë mendorë. Si gjithmonë në hetime të këtij lloji, një numër njerëzish pranuan se ishin autorë të vrasjeve, por të gjithë u liruan nga burgu, përveç njërit prej të dyshuarve, që vari veten në qeli gjatë kohës që ishte nën arrest. Meqenëse numri i djemve të vrarë po rritej, hetimet e kthyen vëmendjen drejt homoseksualëve. U morën në pyetje më shumë se 150.000 njerëz, përpara se edhe kjo pistë hetimi të braktisej. E pashpresë, policia ngriti patrulla të tjera dhe vendosi detektivë të fshehtë në autobusë dhe stacione hekurudhore. Por vala e vrasjeve vazhdonte. Në vitin 1984, Chikatilo vrau 15 njerëz, tetë prej tyre vetëm në muajin gusht. Gjatë muajit shtator, ishte vënë re se ai sillej në mënyrë të dyshimtë në stacionet e autobusit në Rostov dhe u arrestua. Por analistët ishin të paaftë ta ballafaqonin grupin e tij të gjakut me farën e marrë prej viktimave, sepse ai ishte “josekretues”. Gjithsesi, u zbulua se kërkohej për të tjera krime të vogla dhe u dënua me një vit burg, por u lirua pas tre muajsh, kur zyrtarët komunistë vendas protestuan se ai ishte një anëtar i ndershëm i partisë. Paskëtaj, vrasjet nisën të rralloheshin, derisa në gusht të vitit 1985 u gjetën kufomat e dy grave, njëra prej tyre në aeroportin e Moskës. Çështja u mor në ngarkim nga Issa Kostoyev dhe dosja e vrasjeve të kryera nga “Kasapi i Rostovit” u rihap. Edhe njëherë, të gjithë ata që njiheshin si maniakë seksualë u bënë subjekt i marrjeve të shumta në pyetje. Në dhjetor të atij viti, policia nisi edhe një herë patrullimet në stacionet hekurudhore afër Rostovit. Gjithashtu, ata u konsultuan me një psikiatër - ishte hera e parë që hidhej një hap i tillë në hetimet mbi një vrasës në seri në Bashkimin Sovjetik (Ukraina ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik në atë kohë). Chikatilo ishte në dijeni të aktivitetit policor dhe arriti t’i mbante nën një shkallë kontrolli instinktet e tij vrasëse, edhe pse më vonë rrëfeu për vrasjen e një vajze të vogël dhe të një djali 15-vjeçar në maj të vitit 1987. Megjithatë, në 1988-ën erdhi një tjetër valë vrasjesh. Tashmë, Chikatilo e kishte shtrirë më tej zonën e tij të veprimit, shumicën e rasteve larg Rostovit. Në prill ai vrau një grua në Krasny-Sulin, vetëm 160 km larg dhe, nga shtatë viktima të tjera, dy ishin në Sachty. Në vitin 1989 dihet se ka vrarë vetëm një herë, por gjatë vitit 1990 u numëruan nëntë viktima: shtatë djem dhe dy gra.

Kurthi i ngritur

Duke parë që krimet e mëvonshme po ndodhnin në linjën kryesore hekurudhore jashtë Rostovit, policët vendosën ta çonin vrasësin drejt një kurthi me operacionin e koduar si “Rripi i pyllit”. Më shumë se 300 policë me uniformë u vendosën në pozicione strategjike në të gjithë stacionet gjatë linjës, me përjashtim të tre stacioneve, të cilët mbuloheshin nga detektivë të fshehtë. Më 6 nëntor 1990, Chikatilo vrau dhe masakroi viktimën e tij të fundit. Pasi ishte larguar nga skena e krimit, u ndalua dhe u mor në pyetje, por u la i lirë për të dytën herë. Sidoqoftë, emri i tij u rishfaq si i dyshuar edhe më 20 nëntor, kur u gjet trupi i viktimës së tij të fundit. U vu re sërish se sillej në mënyrë të dyshimtë në Rostov dhe u arrestua. Mes 30 nëntorit dhe 5 dhjetorit, ai rrëfeu 56 vrasje sadiste – 20 më shumë nga ato që policia kishte në dosje. Disa nga vrasjet nuk ishin lidhur me hetimin, sepse kishin ndodhur larg Rostovit dhe kufomat e tjera ende nuk ishin zbuluar, derisa Chikatilo i udhëhoqi policët në një gropë të cekët ku kishte varrosur kufomat. Meqenëse 3 trupa mbetën të pazbuluar, ai u akuzua për 53 vrasje. Procesi gjyqësor i Chikatilo-s nisi më 14 prill të vitit 1992, ku ai qëndronte i mbyllur në një kafaz në mes të sallës gjyqësore. Pas tre muajsh seancë shqyrtimi, më 15 nëntor, ai u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje. Më 14 shkurt 1994, pasi presidenti Boris Yeltsin e refuzoi apelin për mëshirë, Andrei Chikatilo u ekzekutua nga një e shtënë. Alexander Kravchenko, i cili ishte shpallur fajtor për vrasjen e parë të Chikatilo-s, u fal pas vdekjes.

Box

Hija e kanibalizmit

Andrei Romanovich Chikatilo lindi në fshatin Yablochnoye të Ukrainës, më 16 tetor 1936. Ai kishte deklaruar se familja e tij kishte vuajtur shumë pas mundimeve të viteve ’30 nën udhëheqjen despotike të Stalinit. Ai thoshte se vëllain e madh ia kishin ngrënë fqinjët gjatë zisë së bukës, që kishte marrë shumë jetë rusësh. Kushtet e ukrainasve nuk ishin më të mira edhe gjatë pushtimit gjerman në periudhën 1941-1943. Thoshte se ajo që e kishte çuar drejt dhunës kishte qenë fëmijëria e vështirë. Shpeshherë kishte imagjinuar t’i tërhiqte gjermanët drejt pyllit dhe t’i ekzekutonte, fantazi që më vonë gjetën përmbushje fatale në jetën e tij.

Box

Sekretues apo josekretues?!

Të gjithë njerëzit kanë grup gjaku njërin prej katër tipave: A, B, AB ose O, si shkak i pranisë së substancave specifike. Në 80% të popullsisë, të njëjtat substanca specifike sekretohen nga lëngjet e tjera të trupit: pështymë, djersë, spermë dhe urinë. Para zhvillimit të analizave të ADN-së, kjo ishte provuar e vlefshme, veçanërisht në raste përdhunimesh, ku sperma mund të ballafaqohej me gjakun e të dyshuarit. Por rreth 20% e popullsisë janë “josekretues”: lëngjet e tjera të trupit të tyre nuk i përmbajnë substancat treguese.

Box

Andrei Chikatilo u njoh si “ Kasapi i Rostovit” apo “Hanibali i Rusisë”. Për vite me radhë kishte vendosur një mbretëri terrori me një numër prej 56 viktimash. Chikatilo i gjente viktimat e tij në stacione trenash ose autobusësh, rreth 800 km larg Moskës. Rrëfeu se disa nga organet e viktimave të tij i kishte gatuar. Ai kreu krimet e tij, pa u zbuluar, nga viti 1982 deri në vitin 1990, dhe u dënua me vdekje vetëm më 15 tetor të vitit 1992. Chikatilo u rrëfeu autoriteteve se si e shihte veten: “Unë jam një gabim i natyrës, një bishë e çmendur”. Policia ruse e ekzekutoi me plumb.

Sommario

“Unë jam një gabim i natyrës, një bishë e çmendur”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora