E enjte, 28.03.2024, 07:41 PM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Fjala e Prof. Dr. Bardhyl Qaushit, 1991

E diele, 29.05.2016, 12:19 PM


FJALA E PROF. DR. BARDHYL QAUSHIT, NË GJYKATËN KUSHTETUESE TË JUGOSLLAVISË  (30 maj 1991)

Nga Adil FETAHU

Gjenerata e mesme dhe ajo më e vjetër, i  dinë dhe mbajnë mend ndryshimet që bënë organet e Serbisë në kushtetutë, ligje, vendime, programe, masa e integrime të dhunshme, me të cilat rrënuan  rendin kushtetues-juridik jo vetëm të Kosovës, por edhe të Jugosllavisë, duke suprimuar statusin politik dhe kushtetues-juridik të Kosovës, e cila ishte njësi konstituive e Federatës së Jugosllavisë. Një ndër ligjet më rrënuese ishte Ligji mbi Veprimin e Organeve Republikane në Rrethana të Veçanta, i miratuar në Kuvendin e Serbisë më 26 qershor 1990. Fill pas tij, më 5 korrik të atij viti, duke marrë si pretekst Deklaratën Kushtetuese të  delegatëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, për shpalljen e Kosovës njësi të barabartë në federatën ose konfederatën e Jugosllavisë (nëse mbetet Jugosllavia siç ishte federatë, ose bëhet konfederatë e shteteve të pavarura),- Kuvendi i Serbisë, shpalli se në Kosovë janë krijuar rrethana të veçanta dhe  me forca të mëdha policore e ushtarake u vërsul,  duke okupuar institucionet shtetërore, informative , ekonomike e shoqërore.

Kundër ligjit të përmendur të Serbisë, shumë individë, institucione e organizma tjera, ngritën inisiativa e bënë propozime në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë e të Jugosllavisë, me kërkesë që ato Gjykata ta vlerësonjnë kushtetutshmërinë dhe ta anulojnë atë ligj si antikushtetues. Institucioni i parë që e kontestoi  atë ligj, ishte Gjykata e Punës së Bashkuar e Kosovës.   Parashtresën për Gjykatën Kushtetuese e përëiloi (në gjuhën serbokroate) autori i këtij shkrimi, e miratoi Kolegji  i gjyqtarëve profesionistë dhe  e nënshkroi kryetari i Gjykatës, Shaban Kajtazi, më 9 korrik 1990. Parashtresa u pranua në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë më 17.07.1990, ku u regjistrua  me numër: “I-U/broj 82/1-90”. Në parashtresën tonë kishim vu në pah dhe argumentuar jokushtetutshmërinë e kompetencave dhe mangësitë esenciale të procedurës së miratimit të atij ligji, përmbajtjen rrënuese të rendit kushtetues të Jugosllavisë, shkeljen e pavarësisë së organeve legjislative, ekzekutive dhe gjyqesore të Kosovës, si dhe pasojat që sjell zbatimi i ligjit të kontestuar, dhe kishim kërkuar anulimin tij.  Parashtresë Gjykatës Kushtetuese i ka paraqitur edhe Shoqata e Pavarur e Juristëve, Komuna e Gjakovës etj.

Disa individë apo institucione kishin paraqitur inisiativat ose propozimet e tyre në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, dhe ajo Gjykatë me një vendim të vetin, të datës 7 shkurt 1991, i kishte refuzuar, gjegjësisht i kishte hedhur poshtë propozimet e tyre.

Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë, me një vonesë gati një vit, e kishte caktuar  që më 30 maj 1991, të mbante séancë publike gjyqësore, për të dëgjuar dëshmitë e përfaqësuesve të institucioneve që kishin paraqitur kërkesat për shqyrtimin dhe anulimin e ligjit të kontestuar.  Në atë séancë gjyqësore, me dëshmitë dhe argumentet kundër ligjit të kontestuar u paraqitën: prof.dr Bardhyl Qaushi, në cilësi të kryetarit të Shoqatës së Juristëve të Kosovës, prof.dr Esat Stavileci,  përfaqësues i Fakultetit Juridik të Prishtinës, Shaban Kajtazi, kryetar i Gjykatës së Punës së Bashkuar të Kosovës,  pastaj Nikë Lumezi, Tadej Rodiqi, Musa Juniku, Gani Tigani, Avni Këpuska. Për këtë rast, në shenjë kujtimi dhe respekti për personalitetin e tij,  këtu më poshtë po e botojmë ekspozenë  e profesor Bardhyl Qaushit, paraqitur  në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë, më 30 maj 1991:

“Kolegë të nderuar, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë,

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj seance publike,

Më gëzon jashtëzakonisht fakti dhe e ndiej vetën të nderuar që m’u dha rasti që kësaj  instance të lartë gjyqësore t’i a  shfaqi drejtpërsëdrejti  disa  vërejtje dhe theksime të mia personale. Më parë të ju them, se nuk do t’ju lodhi me pjesën më të madhe të dispozitave juridike që i përmendën kolegët: Stavileci, Lumezi, Rodiqi, Juniku, Tigani, Këpuska, Kajtazi, etj, pohimet dhe observimet e të cilëve i mbështes dhe i përkrahi tërësisht.

Të dashur gjyqtarë,

Mendoj se nuk ka nevojë t’ju përkujtoj se jetojmë dhe veprojmë në kushte dhe rrethana  jashtëzakonisht të rënda, të papara për shoqëritë demokratike të botës së qytetëruar. Për këtë edhe po përpiqem që me përgjegjësi të duhur të bashkëndiej me funksionin tuaj delikat të shpëtimitarit të mundshëm të gjithë asaj që në rrafshin e drejtësisë dhe të sistemit juridik të rrënuar rëndë të Jugosllavisë ende mund të shpëtohet. Në pamundësi që t’ju kursej plotësisht nga ndikimi i domosdoshëm i shpërthimit të krizës së rëndë shoqërore dhe trysnisë shqetësuese në marrëdhëniet ndërnacionale të prishura gjer në shkallën më kritike në vend, e veçanërisht në Serbi, më duhet doemos, edhepse pa dëshirë, t’ua tërheq vërejtjen se me këtë qasje kaq të vonuar rreth vlerëesimit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe vendimeve tjera të kontestuara të Kuvendit Popullor të Serbisë, objektivisht po i kontribuoni havarisë së rrufeshme të rendit të  tërësishëm juridik dhe shoqëror.

Megjithatë, edhepse tërë kjo ndodhi ndër ne dhe rreth nesh, e ndiej vetën të lirë që nga Ju të pres një vendim të drejtë, me të cilin, të paktën pjesërisht do të zbuten pasojat katastrofale që u shfaqën brënda kohës, kësaj radhe nga zbatimi i Ligjit të kontestuar mbi  Veprimin e Organeve Republikane në Rrethana të Veçanta (“Gazeta Zyrtare e RS”, nr.30/90 dt.26 qershor 1990). Jam thellësisht i bindur se  in concreto, kur është fjala për këtë ligj, nuk duhet shumë mençuri juridike që gjer në fund të shihet paqëndrueshmëria e këtij ligji republikan, pambështetja e tij në Kushtetutën Federative. Pra, fjala është për një ligj pa precedencë në shoqëritë bashkëkohore, për një ligj republikan antikushtetues, që jo vetëm injoron rënd aktet më të larta juridike të nivelit federativ, por edhe ato të karakterit republikan, e bile edhe fitoren dhe postulatet themelore të sistemeve bashkëkohore demokratike-juridike. Jokushtetutshmëria e tij e qartë ka të bëjë si me pjesën e tij materiale-juridike, ashtu edhe me atë procedurale-juridike.

Sa i përket procedurës së miratimit të tij, duhet patjetër të theksoj se miratimit të tij i kanë parakaluar cenime të rënda të procedurës së paraparë me kushtetutë, e që kanë të bëjnë me marredhëniet reciproke të Republikës së Serbisë dhe të Kosovës (nuk është marrë pëlqimi paraprak i Kuvendit të Kosovës).

Kur bëhet fjalë për anën materiale-juridike, jokushtetutshmëria e këtij ligji republikan është edhe më e qartë. Ky ligj është, në fakt, një ligj i llojit të vet, i pakuptimtë për një shoqëri që aspiron demokracinë dhe shtetin  juridik aq të proklamuar. Që ta them këtë, ma imponon ndërgjegja ime si  dhe përcaktimi im professional  dhe parimor me rastin e analizës së dukurive përkatëse juridike. Përmes këtij ligji Serbia i jep të drejtë vetes që pa  vrarë mendjen  për rregullativën kushtetuese federative, nëpër  dyerë  të vogla anësore të futë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shpallë ekzistimin e rrethanave të veçanta, dhe atë në pjesën e territorit të Serbisë, duke iu shmangur me këtë rast që të thotë qartë se fjala është për Kosovën si  njërën nga njësitë federale, pozita e së cilës, të drejtat dhe detyrat e saj,  janë të përcaktuara në mënyrë të prerë me Kushtetutën ende në fuqi të RSFJ, të vitit 1974.

Pas vërsuljeve disavjeçare të Serbisë, posaçërisht në pozitën e re kushtetuese të krahinave (më hollësisht të rregulluar përmes Parimeve themelore I, II, III dhe V, ndërsa nga pjesa normative veçanërisht në nenin 2 dhe 4 të Kushtetutës së RSFJ, ligji i kontestuar mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta paraqet me të vërtetë fillimin e fundit të ekzistimit të Kosovës si kategori kushtetuese-juridike federative. Kosovës jo vetëm që iu hoqën të gjitha të drejtat dhe mundësitë e vetorganizimit të saj të mëtejmë kushtetues-juridik, por Serbia me këtë ligj e futë  thellë në drejtim të shkatërrimit të plotë të qenies së tërësishme kushtetuese-juridike të Kosovës dhe të shqiptarëve, si dhe të subjektivitetit dhe vetëqenies së tyre burimore.

Ju lutem, gjyqtarë të nderuar të Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë, provoni t’i  kthehemi pak më shumë edhe  të kaluarës  edhe të tashmës, si dhe ardhmërisë së afërt të Kosovës, rregullimit dhe zhvillimit të saj kushtetues-juridik, si territor i banuar me popullatë shqiptare mbi 90%, si territor në të cilin shqiptarët jetojnë me shekuj dhe mijëvjeçarë si popull autokton. Të jeni të sigurt se ligji në fjalë i hapë të gjitha dyertë për rrënimin arbitrar të pozitës së fituar kushtetuese-juridike të Kosovës dhe provokon rënd vullnetin politik të formësuar qartë në pikëpamje kusthetuese-juridike të këtij populli të urtë dhe të ndershëm. Në bazë të këtij ligji famoz, në kundërshtim me Kushtetutën në fuqi të RSFJ-së dhe me ligjet tjera federative, Kosova po shndërrohet në terren  për  asgjësimin vandal juridik të çdo gjëje që ësht shqiptare, dhe atë si në fushën e pushtetit shtetëror (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor), poashtu edhe në të gjitha fushat e tjera të realitetit shoqëror (arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi, bile edhe në sport). Përmes shpalljes sukcesive  dhe selektive të rrethanave të veçanta, po i shtrohen regjimit të masave të dhunshme, gjoja me qëllim të njëfar mbrojtjeje të të drejtave vetëqeverisëse  dhe të pronës shoqërore, njëri pas tjetrit kolektivet punuese nëpër ndërmarrje, bashkësi shoqëroro-politike, shkolla  e spitale, fakultete, shkolla të larta dhe universitet, duke mos lënë anash as shkollat speciale dhe institucionet komunale të kryqit të kuq!

Kisha për t’u ndalur me këtë rast edhe një çik te oranet e judikaturës dhe te pavarësia e tyre e cënuar rënd, pavarësi  kjo e parashikuar qartë me dispozitën e nenit 219 të Kushtetutës së RSFJ. Lidhur me këtë, duhet të theksohet doemos se përpos   jokushtetutshmërisë eksplicite të ligjit të kontestuar, i  njëjti  bie në kolizion edhe me dispozitat e disa ligjeve federative, siç janë: Ligji mbi Procedurën Penale, ai i Procedurës Civile, Ligji mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe Kontestet  Administrative, Ligji mbi Procedurën Përmbaruese, pastaj me dispozita  të caktuara të Ligjit mbi Ndërmarrjet, si dhe të Ligjit mbi Gjykatat e Punës së Bashkuar. Shkalla e kolizionit të tij me dispozitat e Kushtetutës Federative dhe me ligjet e theksuara federative, e bëjnë këtë ligj republikan thjesht të paqëndrueshëm, akt të dështuar juridik, dhe si të tillë të njëjtin duhet menjanuar nga sistemi ynë juridik, duke  bërë të pamundur zbatimin e tij të mëtejshëm.

Për nga deplasimi i tyre juridik, do të t’i theksoja posaçërisht dispozitat e nenit 2 dhe 6 të këtij ligji (edhepse këtë ligj e kontestoj në tërësi), të cilat në një mënyrë paraqesin një  involvim të tejdukshëm, të mos  them banal, të politikës në drejtësi. Me këtë, normat përkatëse juridike janë politizuar në atë masë sa që nga e drejta nuk ka mbetur asgjë. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se përmes zbatimit arbitrar të këtij, t’i themi ligji, që vështirë mund t’i gjejsh të ngjajshëm, ka pasuar përjashtimi masiv nga puna  ekskluzivisht i punëtorëve shqiptarë,- atëherë mund të kuptohet karakteri dhe qëllimi i vërtetë i këtij akti marramendës juridik të Republikës së Serbisë. Delegimi i kompetencave të gjykatave dhe organeve tjera, bie fjala, shumë i  zbatuar gjatë kësaj kohe, paraqet një akt të uzurpimit të vrazhdë të pushtetit në dëm të organeve të judikaturës dhe të administratës të Kosovës.

Nga sa u tha ma sipër, e duke pasur parasysh veçanërisht mungesën e çfarëdo baze të vlefshme kushtetuese për miratimin e tij, si dhe faktin se dispozitat e këtij ligji, sikurse theksuam edhe më parë, janë në kolizion me parimet themelore të Kushtetutës së RSFJ-së,- propozoj që Gjykata e nderuar Kushtetuese e Jugosllavisë të konstatojë jokushtetutshmërinë e Ligjit  mbi Veprimin e Organeve Republikane në Rrethana të Veçanta, dhe të njëjtin ta heqë nga sistemi jonë, edhe ashtu i eroduar juridik. Të shpresojmë se me rastin e marrjes së vendimit për këtë Lig, do të mbizotërojë, në rend të parë përkushtimi etik i gjyqtarëve ndaj funksionit të tyre të çmuar.

Ju falëmnderit.

Bardhyl Qaushi”

(Teksti  ekspozeut të profesor Bardhyl Qaushi është  botuar në Revistën e Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, 1992, fq.119-121, sikurse që në atë revistë janë botuar edhe ekspozeu  prof.dr.Esat Stavilecit, Musa Junikut,  Avni Këpuskës e Shaban Kajtazit).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora