E enjte, 28.03.2024, 09:28 AM (GMT)

Kulturë

Remzije Zekolli: Bedri Tahiri dhe Kadare

E diele, 29.05.2016, 12:51 PM


Bedri Tahiri dhe Kadare

(Si e njoha Profesorin Bedri Tahiri)

Ismail  Kadare ishte   ndaluar nga pushteti i kohës, por jo nga zemrat tona.

Ai frymonte në çdo shtëpi dhe në secilën familje shqiptare në Kosovë.

Nga Remzije Zekolli, poete

Si sot  më kujtohet profesori  i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe, Bedri Tahiri, i cili shquhej për urtësinë, maturinë, largpamësinë, zgjuarsinë, zemërgjerësinë, guximin dhe trimërinë e tij. E them trimërinë, sepse në kohën kur isha nxënëse e vitit të parë të shkollës së mesme, sistemi jugosllav, pas demonstratave të vitit 1981, kishte marrë disa masa, jo vetëm politike, që kishin prekur edhe arsimin.

Një ditë profesori hyri në klasë, paksa me një shqetësim, por me një vendosmëri që kurrë s’e kishte shprehur më parë.

- Nxënës të dashur, për fundjavën e ardhshme, e keni për detyrë ta lexoni e ta punoni me shkrim romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.

Unë, si tingëlloi zili, pa një pa dy, u nisa drejt bibliotekës së shkollës sonë ta merrja librin që na e dha profesori për ta lexuar. Atë libër e kishim në bibliotekën familjare, por e kishte marrë vajza e hallës për ta lexuar.

-Mirëdita bibliotekiste, a mund të ma sillni  librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë?- fola e entuziazmuar, pa hyrë mirë brenda.

- Sigurisht Bedri Tahiri po ju jepka gjuhë shqipe?- ma priti ajo me të parën.

- Po vetë ai, ku po  e di ti?- i thashë unë, disi çuditshëm.

- E mora me mend, vetëm ai po u jep nxënësve libra nga Ismail Kadare, që tashmë  është i ndaluar dhe e kanë hequr nga planprogrami shkollor,- vazhdoi ajo të më sqaronte  me një seriozitet befasues.

-Çka po thua ore?!,- iu drejtova me një habi, duke e shikuar në sy, a mos po tallej me mua.

-Kjo është e vërtetë, mos i paça borxh profesorit që ka rrezikuar tua shpjegoi Kadarenë e t’u jep librat e tij për lektyrë. Më fal, por unë nuk guxoi ta thejë urdhrin që na ka mbërritur nga lart,- ma priti shkurt ajo, duke më bërë të kuptojë se s’kisha pse ta zgjatja më.

-Pushteti e ka larguar Kadarenë nga programi shkollor, por Kadare është në zemrat tona dhe në shtëpinë e çdo shqiptari,- ia ktheva unë tërë inat.

Siç duket ajo e pa shqetësimin tim të vrullit rinor dhe zuri të më fliste me fjalë më të buta.

-Kujdes vajzushë, mos fol kështu  diku tjetër, kaq mund të të them, - ishte porosia e saj e fundit.

Kur dola në korridor, i vura gisht kokës. Edhe pse e re, e kuptova. Ajo nuk ishte fajtore, sepse ishte një kohë e rëndë që për këso gjërash mund të shkoje edhe në burg. Ishte viti 1983. Ishin këto vitet e stuhishme të pas demonstratave masive të popullit shqiptar në Kosovë, të cilat gjeniu i letrave  shqipe i kishte mbështetur fuqishëm, ngase ishin të drejta dhe demokratike.

Të nesërmen profesori, që ishte edhe psikolog i shkëlqyer, e vërejti gjendjen time shpirtërore. Ende pa më pyetur ç’kisha, unë fillova t’i flasë.

-Profesor, Ismail Kadarenë e paskan larguar nga planprogrami mësimor dhe  librin e tij nuk ma dhanë në bibliotekën e shkollës sonë.

- Mos u mërzit, nxënësja ime. Është e vërtetë që Kadarenë e kanë vënë në thumb të kritikës, për momentin e kanë hequr nga planprogramet shkollore, veprat ia kanë ndaluar, por unë çdo herë do ta shpjegoj dhe librat e tij do tua  jap t’i  lexoni,- më foli ai me atë butësinë e tij karakteristike e mbresëlënëse.

Me kujdes e plot maturi hapi çantën dhe prej andej nxori pesë ekzemplarë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Isha e privilegjuar që librin e parë  ma dha mua. I zgjodhi edhe katër nxënës të tjerë që dalloheshin në mësime.

Pas leximit të romanit erdhi dita të rrëfejmë përshtypjet tona për librin. Thuaja se çdo herë isha e para që shpjegoja lekturën shkollore, të cilën e përgatisnim edhe me shkrim e që u thoshim referate.

-Remzije na fol diçka për librin e lexuar,- m’u drejtua kësaj radhe vetë profesori, pa pritur që ta ngrija dorën dhe, si zakonisht, fletoren time e mori që me laps të kuq të bënte korrigjimet.

-Po filloj nga titulli, i nderuari profesor, i cili  vetë na bënë të kuptojmë se, secila ushtri e huaj që shkon të sundojë një vend e një popull tjetër,  është e gjykuar të humb, secili që e fillon luftën, është humbësi, dhe ata janë të gjykuar t’i mbledhin eshtrat e ushtarëve të tyre. Kështu po vepronin edhe italianët në romanin që e kam lexuar. Një vend të veçantë gjatë shpjegimit tim zuri zhdukja e eshtrave të kolonelit Z., të cilëve ekspedita kërkimore assesi nuk po u binte në gjurmë... Gjatë një dasme në fshat, u ftuan edhe udhëheqësit e ekspeditës, prifti e gjenerali, ku i pritën mirë. Por, dikur, gjenerali, i ndezur nga muzika, nuk durohet dhe ngrihet e  ia kërcet valles me dasmorët?  Në momentin kur ai shkon përkrah nuses së re shqiptare, plakës Nicë i kujtohet ngjarja se si koloneli i egër italian ia kishte vrarë burrin dhe ia kishte marrë vajzën. Ajo, e shkretat sapo kthehet në shtëpi e mbyt veten...Kur të nesërmen vjen prapë koloneli, pa e ditur se vajza kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë ia çan kokën me sëpatë...

- Çka mendon Remzije, pse plaka Nicë i kishte varrosur eshtrat e kolonelit Z. pikërisht nën pragun e derës së shtëpisë?,- më pyeti  Profesori.

-I nderuari profesor, po ishte kohë lufte, dhe që të mos e vërenin ushtarët e tjerë, e kishte varrosur nën pragun e shtëpisë. Pra, për shkak të sigurisë së lagjes që okupatori të mos hakmerrej për vrasjen e kolonelit.

- Mirë, mirë, po pse pikërisht aty e jo në oborr,  afër ndonjë gardhi?- vazhdoi ai, siç duket, i pakënaqur me përgjigjen time

Unë prapë ngulja këmbë në atë  se plaka trimëreshë atë e kishte bërë që të mos vërehej nga ushtarët okupatorë.

Profesori, ashtu siç ishte  afër meje vajti tek dërrasa e zezë dhe pasi mori një qëndrim prej një ushtaraku, filloi të fliste me një zë të qetë, por shumë të vendosur:

-Nxënës të dashur, Remzija u përgjigj mirë, por unë po shtojë edhe këtë dhe, kujdes, mos e harroni. Plaka Nicë është personazhi më interesant e më domethënës në romanin e shkëlqyer të Kadaresë që ju e keni lexuar. Koloneli Z.  kishte hyrë në shtëpinë e saj me qëllime të ulëta, ia kishte vrarë burrin, paskëtaj ia kishte marrë  vajzën katërmbëdhjetë vjeçare dhe e kishte dërguar në çadrën e tij për t’ia marrë nderin. E siç e dini edhe ju, nderi për shqiptarin është më shumë se vetë jeta. Dhe, vajza e gjorë, posa kthehet të nesërmen në shtëpi, vetëflijohet, mbytet në pus. Kur natën tjetër erdhi sërish koloneli gjakatar, për ta marrë prapë vajzën, sepse nuk e dinte se ajo kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë e priti afër derës me sëpatë dhe ia mori shpirtin. Trupin e tij e varrosi vetë nën pragun e shtëpisë, në mënyrë që, sa herë të hyjë e të dalë,  ta shkelte me këmbë...

E gjithë klasa mbetëm më syhapur nga profesori,  i cili aq bukur na e shpjegoi simbolikën e varrimit të kolonelit dhe gjithë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, saqë leximi i veprave letrare na hyri në gjak. Aty u bindëm se, qysh thoshin të mençurit: Misioni i mësuesit është i shenjtë! Puna e profesorëve tanë ishte edhe një detyrë patriotike. Ata rrezikonin jetën dhe punën e tyre dhe, fshehurazi nga pushteti e politika e kohës, na sillnin libra të ndaluar.

Ky është një kujtim i skalitur thellë në mendjen tim e që, në shpirtin tim mbolli edhe dashurinë për librin e për letërsinë. E rikujtova sivjet, më 2016, ngase ndërthuret me dy përvjetorë të mëdhenj për mua: 80- vjetorin e lindjes se Kadaresë dhe 60-vjetorin e lindjes së profesorit tim të nderuar, Bedri Tahiri.

Urime, suksese e gëzuar edhe shumë e shumë pranvera!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora