E enjte, 25.04.2024, 01:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Këngëtarë dhe burgaxhinj

E enjte, 14.08.2008, 10:32 PM


Pikë së pari le të bëjmë të qarta ca gjëra: ky nuk mund të cilësohet si një shkrim i kompletuar dhe as e pretendon një gjë të tillë. Sepse për t’i përmbledhur të gjithë muzikantët që kanë përfunduar pas hekurave do të nevojitej pa frikë një libër me mbi njëqind faqe. Shumë yje të muzikës kanë transformuar çdo lloj teprimi në një stil jetese dhe nganjëherë deri në vdekje. E thënë ndryshe, s’kanë lënë gjë pa bërë! Sepse ishin të bindur se gëzonin njëfarë imuniteti ose, më thjesht, sepse truri u kishte lënë shëndenë me kohë nga abuzimet me drogën, alkoolin...

JIM MORRISON

Me emrin e “James Douglas Morrison” FBI-ja radhit 10 arrestime: dosja e tij konsiston në 96 faqe të ngjeshura, pjesa më e madhe e të cilave janë ende sekret. Arrestimi më i bujshëm është ai i 1 marsit të vitit 1969, ku prangoset menjëherë pas një koncertit në Miami, nën akuzën e ofendimit të rëndë të publikut: Morrison ishte zhveshur dhe ishte masturbuar përpara një publiku, midis të cilëve kishte edhe minorenë. Në raportin e policisë shkruhet: “Në një orë ai këndoi vetëm një këngë dhe pjesën tjetër hungëriu, lëshoi ofshama, rrotullohej dhe para publikut gjeste të turpshme”. E dënojnë me gjashtë muaj punë të detyrueshme dhe me një gjobë prej 500 dollarësh. Morrisoni i drejtohet me rekurs Gjykatës së Apelit dhe gjashtë muajt i konvertohen në 5 mijë dollarë për lirimin me kusht.

LENNON & McCARTNEY

Të jemi të ndershëm: telashet me drejtësinë të mitikut John kanë bërë padiskutim më pak bujë se sa arrestimi i zhurmshëm i Paul McCartney-t më 16 janar 1980. I vunë prangat në Tokio për mbajtje dhe përdorim të marijuanës, ndërsa ishte duke filluar një turne i ri me Wings. McCartney ishte arrestuar edhe një vit më parë për të njëjtin motiv, por kësaj radhe lajmi bëri bujë në mbarë botën. Në ndryshim prej tij, Lennon pas hekurave përfundoi vetëm një herë, më 18 tetor 1968 së bashku me Yoko Ono. Edhe këta për të njëjtin motiv: posedim të drogës. Ama që prej vitit 1971, ai u vu nën kontrollin e vazhdueshëm të FBI-së, që e cilësoi si “ekstremist të rrezikshëm”: kohët e fundit është zbuluar se në zyrat e federalëve u grumbullua një dosje prej 281 faqesh.

MICK JAGGER & KEITH RICHARDS

“Unë nuk kam pasur kurrë probleme me drogën, por me policinë”, ka thënë njëherë Richards, i cili është plasur në qelitë e errëta jo pak herë dhe gjithmonë i shoqëruar nga Jagger. Eksperienca e parë ishte ajo e vitit 1965. Arsyeja? Sepse kishin “urinuar në publik”. Më 12 shkurt 1967 ata arrestohen në West Wittering, në Sussex, pas një feste me bazë droge, në të cilën merrte pjesë edhe Marianne Faithfull. Gjykata e Chicester-it e dënon me një vit burgim dhe 500 sterlina gjobë (Keith Richards) dhe tre muaj e 100 sterlina (Mick Jagger), por të dyve iu transformohet në “lirim me kusht”. Pesë vjet më vonë, më 18 korrik 1972, të dy arrestohen pas një sherri midis stafit të Rolling Stones dhe disa fotografëve. Akuza: rezistencë, fyerje dhe goditje të uniformave zyrtare.

JAMES BROWN

Lista e precedentëve penalë të “Mr. Dynamite” është shumë e gjatë. Herën e parë më 1949 përfundoi në burg për vjedhje. Në prill 1988 tenton të vrasi gruan e tij të tretë, duke e qëlluar me armë drejt makinës ku ajo e mjera ishte mbyllur nga frika se mos ai vazhdonte ta rrihte. Në maj të të njëjtit vit e arrestojnë për posedim të drogës dhe mbajtje ilegale armësh. Në shtator, nën efektin e drogës kërcënon me armë grupin e një shoqërie sigurimesh, të cilët gabimisht kaluan duke shkelur pronën e tij. Menjëherë pas kësaj ia mbath me makinë, por ndalohet në një postbllok të policisë. Në nëntor, në bagazhin e makinës së tij gjejnë një kilogram kokainë. I dënuar me gjashtë muaj burg, ai bën vetëm dy dhe pastaj lirohet. Por pas një periudhe sjelljesh të mira, ose më mirë të themi qetësie, më 3 korrik të vitit 2000 sulmon me thikë një nëpunës të sistemit të gazsjellësit duke i ulëritur “Ti bir kurve i ndyrë! Plehrë e qelbur e një të bardhi!”. Dhe bëma e fundit numërohet ajo e 28 janarit 2004, ku arrestohet për dhunë, ushtruar ndaj gruas së tij të re, Tomi Rea (e cila në epokën e kësaj ngjarjeje ishte 33 vjeç, ndërsa “padrinoja i muzikës soul” ishte plot 71).

DAVID CROSBY

Ndalimi i parë vjen në 1971 për drogë, por zgjidhet shpejt për mungesë provash. Më 1977, pas një koncerti në Shtëpinë e Bardhë, Crosby, Stills & Nash mbeten vetëm në Sallën Ovale. Tymosin nga një cigare marijuanë të dredhur, por arrijnë t’ia hedhin lehtë. Më 28 mars 1982 policia e Huntville-s (Teksas) arreston David Crosby-n, pasi i jepte makinës nën efektin e kokainës dhe për mbajtjen e një arme të kalibrit 45. Në 1984 e kapin me heroinë, kokainë dhe droga të tjera. Dënimi i kërkuar nga prokurorët ishte i rëndë kësaj radhe: pesë vite burg. Pas nëntë muajsh e lënë të lirë. Në mars 2004 ai kthehet përsëri në burg. Kësaj radhe për mbajtje marijuane, një pistoletë dhe dy thika.

TUPAC SHAKUR

Ai burgun e ka njohur akoma që para se të lindte: e ëma, një pjesëtare e Panterave të Zeza “Black Panthers”, doli prej burgut vetëm një muaj para se ta sillte në jetë. Kështu që nuk ka pse çuditet askush për pesë arrestimet e tij në pesë vite radhas, nga viti 1991 në 1995. Akuzat variojnë nga sherret e rënda deri tek dhuna fizike ndaj oficerëve të policisë dhe organeve të tjera zyrtare. U dënua me gati pesë vjet heqje lirie, por fitoi lirinë provizore, pasi pagoi plot një milionë dollarë për lirimin me kusht. Por këtë nuk arrin ta shijojë gjatë: 17 shtatorin e vitit 1996, gjatë daljes nga një takim boksi, e qëllojnë për vdekje me pesë plumba.

EMINEM

Dëshmia e penalitetit të Marshall Mathers është paksa e gjatë: e kanë denoncuar sepse ka plagosur me një shkop bejsbolli një tip që ngacmonte dhe fyente nënën e tij; ka rrahur paq një tjetër tip që po i vinte rrotull gruas së tij Kimberly; është arrestuar për armëmbajtje dhe përdorim të armëve të zjarrit në sherre të njëpasnjëshme; ka marrë denoncime të pafundme dhe thirrje në gjyq për fyerje dhe shpifje (nga e ëma, nga e gjyshja e tij dhe nga Christina Aguilera).

LIAM GALLAGHER

Personazh tejet i paqëndrueshëm dhe viktimë e kapërcimeve të tij jashtë limitit të zemërimeve dhe gjaknxehtësisë, këngëtari i Oasis ka koleksionuar një numër të madh telashesh: në 1996 përfundon në pranga në Londër për mbajtje kokaine. Vitin që pasoi, për shkak të një sherri të bërë, merr një denoncim në Australi. Më 1998 e arrestojnë sërish në Londër: një fotograf e akuzon se i ka shkatërruar aparatin fotografik. Dhe në dhjetor 2002 provon për plot 12 orë burgjet gjermane; në një hotel të Monakos plas një sherr me një grup italianësh. Kësaj here ama, është ai që e pëson më keq. Një grusht turinjve e bën t’i fluturojnë dy dhëmbë.

COURTNEY LOVE

Vejusha më e famshme e rrokut s’ka lënë gjë pa bërë e pa katranosur: shtrimi i parë nga mbidoza vjen në vitin 1994 dhe që prej asaj kohe ka vijuar rregullisht problemet me policinë. Viti më i zi i saj është 2003-shi: e arrestojnë, pasi ka sharë dhe ofenduar pa pushim një stjuardesë. E ndalojnë teksa ishte duke thyer xhamat e një shtëpie; e akuzojnë për mbajtje droge; ia mbath nga klinika e rehabilitimit ku qëndronte për t’u dezintoksikuar; humbet kujdestarinë ndaj së bijës. Një vit më vonë e ndalojnë për plagosjen e një fanseje me mikrofon. Në vitin 2005 dënohet me katër vjet burg, por i dhanë shumë shpejt lirim me kusht.

PETE DOHERTY

Ja dhe një tjetër “djalë flori” që vazhdon të hyjë dhe të dalë nga burgu. Vetëm përgjatë vitit 2005 u ndalua nga policia të paktën pesë herë nën akuza nga më të ndryshmet: mbajtje droge, ngarje të makinës në gjendje të dehur, sherre... Qershorin e kaluar u fut në telashe edhe në Suedi: e detyruan të paguante si dëmshpërblim një gjobë prej 1.500 eurosh për përdorim të kokainës dhe sjellje të dhunshme.

MICHAEL JACKSON

Në 15 vitet e fundit ai ka shpenzuar më shumë kohë (dhe para) për t’u shfajësuar nga akuzat poshtëruese për pedofili, se sa në projekte artistike. Akuza e parë është ajo e vitit 1993: për të evituar procesin Jacko paguan disa miliona dollarë. Në vitin 2003, akuzohet sërish për ngacmime seksuale: më 18 nëntor agjentët e Kontesë së Santa Barbaras, pas urdhër-ekzekutimit të një kontrolli të papritur në fermën e tij Neverland, sekuestrojnë arka të tëra me objekte, dokumente, revista pornografike dhe fotografi fëmijësh lakuriq. I inkriminuar formalisht, duke nisur që prej 30 janarit 2005, përballet me një proces gjyqësor që zgjat tre muaj. Në fund, ai shpallet i pafajshëm.

GEORGE MICHAEL

Këngëtari anglez ishte i detyruar të bënte outing (ekskursion) për të pranuar homoseksualitetin e vet, pasi ra në kurthin e një polici civil në tualetin publik të “Rogers Memorial Park” në Beverly Hills. E arrestojnë me akuzën e akteve të turpshme në vende publike dhe e lenë më pas të lirë pas pagimit të një gjobe prej 500 dollarësh. Në intervistat e tij të rralla, George nuk e mohon se gjithmonë ka parapëlqyer dhe ka vlerësuar partnerë të rastësishëm në vende jo të zakonshme. Në korrikun e dy viteve më parë, bie prapë në kurth: një fotograf e zë mat, teksa ishte duke dalë nga një gropë e një parku londinez, me një shofer të papunë 58-vjeçar. Fotot e tyre përfunduan në faqen e parë të “News of the World”. Në shkurtin e vitit të kaluar, arrestohet në Londër për mbajtje të substancave halucinogjene.

BOY GEORGE

Nga mikrofoni tek kangjellat: është parabola e vetme e ish-liderit të Culture Club. I dënuar si bashkëpunëtor vjedhjeje në një zonë të Nju Jorkut, kapet më pas me kokainë. Boy George arrin ta ndryshojë dënimin me pesë ditë punë sociale në dobi të qytetarëve. Kështu, këngëtari preferoi të zbrazte kazanët e plehrave në rrugët e Chinatown dhe Little Italy. Por këto nuk ishin rastet e vetme që ai ka pasur probleme me ligjin: në vitin 1986 u arrestua për mbajtje të substancave të ndaluara.

JIMI HENDRIX

Në moshën 19-vjeçare e ndalojnë dy herë, sepse ishte duke i dhënë makinës pa pasur ende patentë. Në vitin 1968 përfundon në pranga në Suedi, pasi kishte shkatërruar një dhomë hoteli. Në 3 maj 1969, arrestohet në aeroportin e Torontos, pasi në bagazhet e tij u gjetën sasi të konsiderueshme heroine.

JANIS JOPLIN

U arrestua në 15 nëntor 1969 në Florida për fyerje të personave zyrtarë. Më pas, u la e lirë.

SID VICIOUS

E arrestojnë në tetor 1978 me akuzën se kishte vrarë të fejuarën e tij, Nancy Spungen, në Chelsea Hotel të New York-ut. Katër muaj më vonë, në moshën 21-vjeçare ai vetëvritet me një mbidozë heroine.

OZZY OSBOURNE

Ka përfunduar pas hekurave të paktën tre herë: më 19 shkurt për akte të turpshme; 16 maj 1984 për ngacmim në gjendje të dehur dhe në shkurt ’89 për dhunë ushtruar ndaj gruas së tij të dytë, Sharon Arden.

50 CENT

Ka qenë në burg në vitin 1994 për shpërndarje të heroinës dhe crack-ut. Ishte vetëm 19 vjeç dhe thërritej akoma Curtis Jackson. Në vitin 2000 e qëllojnë me nëntë plumba pistolete: një prej tyre i kalibrit 9 (me kosto: 50 Cent) e kap në fyt dhe i deformon zërin.

COOLIO

Reperi që u bë shumë i njohur me Gangsta’s Paradise. Në shtator ’98 u arrestua për mbajtje të marijuanës dhe të një pistolete të padeklaruar.

PUFF DADDY

E arrestojnë në 27 nëntor 1999 për mbajtjen ilegale të një arsenali të tërë armësh, pas një përplasjeje me breshëri të shtënash në një klub në New York (në krah të tij ishte asokohe edhe e dashura e tij Jennifer Lopez, e cila u arrestua së bashku me Puff).

GARY GLITTER

Ikona e Glam Rock-ut të viteve shtatëdhjetë është gjendur në telashe shumë herë për pedofili. Dënimi i parë vjen në 1999; në nëntor të 2005, e arrestojnë në Vietnam, pasi kishte abuzuar me vajza të vogla të moshës 12-15 vjeçare.

MARILYN MANSON

Ka koleksionuar jo pak denoncime dhe ndalime nga policia për akte të turpshme. Në verën e vitit 2001, e blindojnë pas një koncerti në Detroit, duke u nisur nga një denoncim për ngacmim dhe abuzim seksual ndaj një punonjësi sigurie: këngëtari e pështyu në fytyrë dhe pastaj “i vuri këmbët rreth qafës duke e tendosur nga prapa.” 

LIL’ KIM

“Mbretëresha e rrepit” u gjend në telashe në vitin 2001, pas një shkëmbimi zjarri. Ajo gjithmonë ka deklaruar se nuk kishte parë asgjë, por gjyqtarët e dënuan me një vit burg në burgun e Filadelfias. Ajo u lirua dy muaj para përfundimit të dënimit për sjellje të mirë.

R. KELLY

Përfundon pas hekurave të paktën dy herë (24 maj 2002 dhe 22 janar 2003) me akuzën e mbajtjes së materialeve pedo-pornografike.

PETE TOWNSHEND

Kitaristi mitik i grupit Who në janar 2003 u arrestua për pedofili. Ai gjithmonë e ka mohuar këtë: ka pranuar se ka përdorur kartën e kreditit për të hyrë në faqe pornografike, por këtu mbaronte kërkimi. Gjithsesi, shumë shpejt u lirua me kusht. Në të njëjtën kohë ndalohet edhe Robert Del Naja, alias 3D, i grupit “Massive Attack”.

BERTRAND CANTAT

Në 26 korrikun e vitit 2003 lideri i Noir Désir vret shoqen e tij Marie Trintignant në një hotel të Vilnius-it në Lituani. Gjykatësit e dënuan me tetë vjet burg. 

JACK WITHE

Këngëtari i Whithe Stripes u ndalua 13 dhjetorin e vitit 2003 në Detroit, sepse i theu hundën Jason Stollsteiner, të Van Bodies.

BOBBY BROWN

Në mars 2004 bashkëshorti i Whitney Houston u dënua me dy muaj burg, sepse nuk respektoi normat mbi lirinë me kusht të një dënimi precedent. Më vonë ai do të dënohej disa herë të tjera për ushtrim dhune mbi të shoqen.

SNOOP DOGG

Në prill të vitit të kaluar e arrestuan në aeroportin londinez të Heathrow, pas një përplasje me policinë: morën pjesë së paku 30 vetë dhe shtatë agjentë mbetën të plagosur.

VASCO ROSSI

Ka pasur probleme të ndryshme me policinë, por rasti më i bujshëm është ai i vitit 1984: më 20 prill karabinierët gjejnë në shtëpinë e tij 26 gram kokainë. Vasco qëndron 22 ditë në burgun e Pesaros. Mori një dënim prej një viti e 10 muaj, por arriti t’ia hidhte lehtë.

PATTY PRAVO

Në 1992 përfundon në izolim në Rebibbia, sepse në shtëpinë e saj iu gjetën 15 gramë hashash. Këtë telash Patty e pati peshqesh nga ish-parukieri i saj.

Kapeni hajdutin!!!

Ka edhe nga ata që në burg kanë hyrë gabimisht, si rasti i Lenny Kravitz-it, i arrestuar sepse ishte ngatërruar me një hajdut bankash. Kjo ndodhi në Majami në vitin 2000: rokstari dhe instruktori i tij po dilnin nga palestra, kur u bllokuan nga tre makina policie. Pak minuta më parë, një djalosh me ngjyrë dhe me mjekër kishte grabitur një filial të Bank of America. “Nuk isha rruar prej disa ditësh, - ka ironizuar Lenny, - dhe ata menduan se i kërkuari isha unë. Kam dalë nga biruca vetëm sepse nëpunësja e bankës nuk më identifikoi si grabitësi.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora