Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Shteti pa drejtësi - shtet pa moral!

| E enjte, 26.05.2016, 08:45 PM |


SHTETI  PA  DREJTËSI  ASHT  SHTET  PA  MORAL !!

Nga Fritz RADOVANI

ATY KU NUK HAPEN DOSJET MUNGON DREJTËSIA !

?Ja kush ishin terroristët që drejtonin Shtetin Shqiptar dje, dhe trashigimtarët e tyne prap sot!

“Jo, do t’ju ringjallim për t’ju torturuar prap, se nuk jemi ngopur me kaq sa kemi bërë!...”.

Këto fjalë i thonte krimineli hetues viktimës që po torturonte! Bishat e sigurimit të shtetit vetem torturonin! Ata nuk ngopeshin me krime... Numri i të vdekunve në tortura nuk ka me u dijtë kurrë. Të gjymtuemit fizikisht në hetuesi pothuej të gjithë janë vra e mbytë në labirintët e tyne.

?Në vitin 1967 i burgosuni im vëlla, në hetuesinë e Tiranës më ka tregue me gojën e tij se, për mue ishte e mnershme ardhja darkës të së dieles. Hetuesi katil Elham Xhika mbasi shetiste me gruen e tij në bulevardin e Tiranës, këthente në lulishtën tek Sahati, aty pinte dy tri gota raki, shpërlahej me birrë, ngopej me meze dhe përcillte gruen në shtëpi. Rreth orës 22.00 shkonte në hetuesi dhe merrte në dhomën e torturave tim vëlla, i tregonte shëtitjen, pijen dhe ngopjen me ushqime dhe tashti, “para se të shkoj për të fjetur, kam ardhur për të torturuar ty se, nuk më zë gjumi pa të masakruar për qejfë...” dhe, kjo torturë vazhdonte deri rreth orës 1 mbas mesnate kur ky mbetej pa ndjenja i shtrimë në çimento, i mbuluem në gjak e shpesh me dhambë të thyem...

Mbasi perfundonte torturat i sillte dhe një kopjo të proces – verbalit me nëshkrue “i pandehuri”:

?“Tue mos pasë se çka me thanë, as me shkrue ma tepër se këto sa thashë ma sipër, i vërtetoj me nënshkrimin tim pa as ma të voglin shtërngim. Firma.”

?Për ata që nuk e njohin këte sistem qeverisës shpesh krijohet idea e njëfarë stabiliteti dhe, ajo që mashtron opinjonin ndërkombëtar asht mbasmedia fallse që paraqet terrorin komunist si një “shpëtimtar” t’ njerzimit dhe, terroristët vrasës e torturues i ngritë në piedestalin e “heronjve të heshtun”, madje tue vazhdue edhe sot me i dekorue si njerëz të nderuem dhe të sakrificës në dobi të interesave t’ Atdheut, të ruejtjes së pavarsisë territoriale dhe të interesave të Popullit.

?Pak ditë perpara kam shkrue sesi e masakruen dhe e mbyten në tortura avokat Muzafer Pipën, kriminelët e pashpirtë Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, të cilët i futën në muskujt e krahve një hekur të skuqun, i cili i takon për shtyllën kurrizore...dhe, Muzaferi vdiq!

?Po në vitin 1946 në burgun e Kishës Françeskane, vajza XD, përdhunohet nga Ahmet Suji e lidhun për një tavolinë me sigjir anijesh, tue mos mujtë me lëvizë nga pesha e tyne...

?I burgosuni Dulo Kali, nga korrentet elektrike humbi ndigjimin. Kishin sjellë pranë qelisë së Tij disa vajza...dhe, i thonin të shkretit Dulo: “Në dhomen tjeter kemi arrestue vajzat Tua, po nuk pranove akuzat, do ti perdhunojmë vajzat këtu nder sytë Tuej...Duli nenshkroi dhe u pushkatue!

?Ndërsa vajza ZK, mbasi e kanë përdhunue e kanë hjellë të çveshun lakuriq në çimento të birucës ku ishte At Çiprian Nika, i cili ka çveshë mantelin dhe e ka mbulue në atë natë shumë të ftohët dimni, ndërsa Ai vetë ka vazhdue me qëndrue pa gjum në këmishë. (Dëshmi gojore 1993).

?Papa Josif Papamihajlin e zhysin për së gjalli në baltat e kënetës së Maliqit...

?Në vitin 1946, Simon Darragjati, Kolec Deda, Prof. Simon Deda, hidhën poshtë nga dritarët, dhe u thehën rrashtat në kalldramët e shtëpijave të këthyeme në hetuesi... Më ka tregue z. Loro Vata, të cilit i banin presion me nenshkrue procesin, ose “po deshe, hidhu dhe ti nga dritaria!”

?Në vitin 1951, Imzot Prof. Jul Bonati gjindët në manikomjo i shkymë dhe i coptuem nga të “çmendunit”...i dërguem aty për atë qellim, mbasi u dënue nga gjykata...

?Në vitin 1946 malësori NP u vesh me jelekun metalik, u lidh si dashi në hell dhe u vue mbi zjarrin e ndezun, për me pranue me krye vrasjën e Don Nikoll Gazullit...Nëse nuk pranon ne do të vazhdojmë me të lanë mbi zjarr, derisa të dalin Shpirti...(Dëshmi nga At K. Gjolaj, 1996).

?At Frano Kiri, lidhët fëtyrë për fëtyrë tri ditë me një të vdekun, tue i kullue langjet nga sipër At Franos. Më ka tregue me gojën e Tij në vitin 1962, sësi ka pi urinën e mbetun në rrasat e një banjos, mbas tri ditësh i etun sëpse, nuk i kishin dhanë me pi ujë...

?At Konrrad Gjolaj mbasi zhytej në ujë të ftohtë dhe të pistë, lehej i çveshun pa asnjë batani në birucë. Asht lanë ashtu për 7 javë në pikën e dimnit. (Dëshmi gojore në vitin 1996).

?Imzot Errnesto Çoba, asht arrestue me datën 29.IV.1976 e deri ditën që ka vdekë me 8.I.1980 në Sigurimin e Shkodres, asht lanë i veshun me rrobat që ka pasë veshë ditën që asht arrestue, shtrihej në çimento dhe flente pa shtroje as mbuloje gjithë ata vite. Nuk i kanë lejue asnjë batani! Kur e çonin nga një vend në tjetrin e futshin në një thes dhe i lidhnin gryken...

?Vajzës 20 vjeçare Maria Tuci i fusin gjysmën e trupit në thes ku ishin edhe dy mace mbrendë që i egërsonin tue i rrah...E shkreta vajzë gjakosej nga shkymja e thonjëve të tyne.

?Don Mark Hasit, hetuesi Nesti Kopali i ka mbërthye gjuhën për tavolinë me thikë. Hemoragjia i vazhdonte derisa ka mbetë pa ndjenja... Kerkesa e hetuesit ishte “me u shpifë per Don Tomë Lacen... (Shenjën horizontale rreth 3 cm. në gjuhë, e kam pa me sytë e mij në vitin 1956).

?Më tregonte z. Ragip Meta, sesi njëditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rinjë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut tek Kisha. Besoj, i kujtohet Shyqyriut kjo skenë! Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah. Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë...Nuk dij a e ka këte pershtypje sot krimineli Qoku?!

?Janë shkrue qindra mijra episode torture, do të shkruhën edhe kushedi sa të tjera, por një studim i plotë i torturave të bame nga Sigurimi komunist shqiptar endè mungon. Asht një detyrë ndaj Atdheut dhe Viktimave të terrorit komunist me përjetsue jetën dhe martirizimin e Atyne qindra mija Shqiptarve, vëllazënve e motrave tona, që meritojnë me Ua mbulue sot tokën me gjeth dafine, kur sipër Tyne nuk kanë endè as një Shenjë tek koka!

?DOSJA 2291: Hapeni dhe aty do të gjeni një “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit etj., që hetuesit kriminelë mund të përdornin torturat ma shnjerëzore deri në vdekje të burgosunve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi.”

?ATY KU MUNGON DREJTESIA MUNGON EDHE MORALI !

Melbourne, Maji 2016.