Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Bezhani dhe Kurti në gjuhën greke

| E enjte, 26.05.2016, 07:44 PM |


Vlerat letrare kombëtare gradualisht po afirmohen edhe në vendet dhe tek popujt tjerë

VEPRAT, “DËSHIRA TË ÇMENDURA” TË TAHIR BEZHANIT DHE “DHEMBJE E BUKUR” E MUHARREM KURTIT NË GJUHËN GREKE

Nga Sejdi BERISHA

Këto ditë dolën nga shtypi të përkthyera në gjuhën greqishte dy vepra të krijuesve nga Kosova, respektivisht nga Gjakova. që është kjo edhe një dëshmi, se vlerat kombëtare letrare, gradualisht po depërtojnë dhe po afirmohen edhe tek vendet dhe popujt tjerë.

Janë këto veprat me poezi, “Dëshira të çmendura” të Tahir Bezhanit” dhe, “Dhembje e bukur” të Muharrem Kurtit, e të përkthyera nga krijuesi ynë i veçantë dhe i palodhur, Iliaz Bobaj, i cili deri me tash ka përkthyer edhe shumë libra të tjerë në gjuhën greke, dhe kështu po jep kontribut dhe ndihmesë të madhe në afirmimin e krijuesve kombëtarë në shtetin e Greqisë dhe tek opinioni lexues grek.

Dhe, është çfarë edhe më interesant, se këta dy krijues vijnë nga komuna e Gjakovës, respektivisht, nga Malësia e Gjakovës. Njëri është me biografi jo edhe pak të dhembshme por krenare, sepse, kufiri artificial për shumë decenie e ndau nga nëna dhe dajët, që ishin në pjesën e Tropojës, kurse familjen e kishte në anën e fshatrave të Gjakovës. Ky është, Tahir Bezhani, i cili, edhe në krijimtari reflekton dhembjen për mungesën e nënës, të cilën nuk e pa kurrë, dhe jo vetëm kaq.

Ndërsa, Muharrem Kurti, e ka karakteristiken tjetër; sepse, që në rini kaloi kufirin e dhunës dhe u rrit e u shkollua në Berat e në Elbasan. Edhe ky, reflekton mallin dhe etjen për vendlindjen, por edhe për fatin e atdheut. Dhe, që të dy këta krijues, kanë bagazh të pasur të vlerave krijuese të mbrumura me historinë e tyre, me vuajtjet, përplasjet dhe me qëndresën e krenarinë e kombit dhe të atdheut, të cilat fuqishëm peshon në krijimtarinë e tyre. E këtë, e vërejmë edhe tek dy veprat me poezi të përkthyera në gjuhën greqishte, “Dëshira të çmendura” të Tahir Bezhanit dhe “Dhimbje e bukur” e Muharrem Kurtit.

Zjarri poetik i Tahir Bezhanit edhe në greqishte

Përkthyesi, krijuesi i devotshëm, Iliaz Bobaj, edhe kësaj radhe, me përkujdesje dhe arsye ka përzgjedhur nga pesëdhjetë poezi të këtyre shkrimtarëve dhe poetëve të Malësisë së Gjakovës, mbase edhe të Kosovës dhe të letërsisë kombëtare.

Dhe, secili libër i përkthyer, sikur është një pasqyrë në miniaturë por shumë me peshë e tërë krijimtarisë, të secilit veç e veç.

Librin e Tahir Bezhanit e fillon me poezinë, “Etja e tharë”, me të cilën e nisë “pelegrinazhin” poetik të Bezhanit, duke thënë: “...Sa ëmbël/Sa hidhet/Nën uji zjarr/Etje e tharë brenda...”. Këto vargje, që autori i konsideron të tilla gjer në amshim, sikur rrugëtimin e shndërron në bezdisje dhe në forcë të pashpjeguar për ta thënë atë që e kishte dhe e ka brenda vetes, e për ta ngritur lartë atë zërin dhe zjarrin që edhe tash ka për gjithçka që sillet dhe e bën jetën.

Përkthyesi, në realizimin e këtyre librave, është përkujdesur që poezitë të janë sa më të shkurtra, të cilat edhe lexohen më lehtë, por edhe përjetohen me dufin e këndimit poetik, andaj, edhe na i ofron edhe këto vargje:”...Çka vëreni ju/Në detin e trazuar/Ikjen nga trishtimi/Apo mbytjen në hidhërime”! Kështu, edhe autori, por edhe përzgjedhësi i poezive, si treni pa itinerar, na shëtitë nëpër dheun e atdheun, nëpër dhembje, mall e dashuri: “...Kur imagjinoj puthjen/Sytë mbyllen në pllajë/Zemra ndalë vrapin/...Shpirti është mbytur në valë/...Ti më dukesh si Keopatra/Mori sose e arte”!

Përkthyesi i poezive të Tahir Bezhanit, sikur plotësisht e ka njohur dhe e ka kuptuar mesazhin krijues të poetit, prandaj, edhe ky libër sikur i ngjanë një pikture të përkryer poetike, ku në vend të ngjyrave, janë radhitur përjetimet si emblemë jete, si kambanë e ndjenjave që shpirtin harlisin: “...Mos shkelni lotin/Plagën time/Shpirti më dhemb/Ushqehet/Me bukën dhe kripën e sofrës sime/Shtruar plot vuajtje”.

Ndoshta, edhe me këto vargje duhet përfunduar vështrimin e shkurtër për këtë libër, sepse, po të shprushnim edhe më tutje, atëherë, meditimi merr tërrnak dhe nuk do të ketë të ndalur: “...Jam strukur/Në vetën time/Shprushi zjarrin/E një dashurie të fikur”!

Kështu e “lodron” kujtesën e vetë, Tahir Bezhani edhe në këtë vepër të përkthyer në greqishte, e cila tani është edhe në duart e lexuesve të Greqisë.

Por, për të gjitha këto, Tahir Bezhani, është “shfryer” dhe prezantuar në pesëmbëdhjetë veprat e tij të botuara deri me tash, e për të cilat kohë pas kohe, janë dhënë edhe vlerësime dhe opinione të shumta.

Mesazhi i shkrirë në varg i Muharrem Kurtit, si skulptori kur heronjtë i përjetëson në bronz

Ndërsa, Iliaz Bobaj, librin “Dhimbje e bukur” të krijuesit, Muharrem Kurti, të përkthyer në gjuhën greke, e fillon pikërisht ashtu siç reflekton titulli por edhe rrugëtimi jetësor i shkrimtarit, i cili, siç theksuam edhe në fillim, jeta e tij, shpirti i tij u kalit edhe në vendlindje, edhe Shqipëri, edhe në Gjakovë, për të cilat gjëra gjakojnë shkrimet, vargjet dhe poezitë të prezantuara në nëntë vepra të botuara; shtatë në gjuhën shqipe dhe dy të përkthyera në gjuhën angleze.

Edhe tek kjo vepër e Kurtit, dominojnë poezitë e shkurtra, të cilat sikur duken se janë copëza të shkoqitura shpirti dhe zemre për jetën dhe të gjitha ato që i sjellë ajo: “...Mos këndo/Nëse nuk di/të vajtosh/Mos vajto/nëse nuk di/të këndosh”! Këto vargje të shkurtra, por kaq të zjarrta, pasqyrojnë temperamentin krijues të shkrimtarit, Kurti, i cili shquhet për kah larushia e temave që i trajton dhe të cilat i shkrinë në varg si skulptori që heronjtë i derdhë në bronz, por që, padyshim se përkundër krajatave nëpër periudha kohore, vargun e begaton dhe e bylmen me dashurinë: “...Kur jam i vetmuar/si breg i detit gjatë natës/Letrat e dashurisë/si pulëbardha enden në tavolinë...”!

Dhe, autori, ashtu sikurse di të ravijëzojë ngjarjet më të prekshme dhe më të rënda në veprat e tij, e sidomos në romanin “Data njëmbëdhjetë”, di edhe krijimtarinë ta shndërrojë në këshillë dhe optimizëm, sepse, njeriu i ynë edhe përkundër përplasjeve, ai, kurrë nuk është përkulur, por ka qëndruar vertikalisht; “...Netët/që bëheshin varre/Ditët shndërroheshin në ferr/Harroi/Biri im...”!

Përkthyesi, sikur e ka kapërthyer mirë tërësinë krijuese të Muharrem Kurtit, dhe vërtetë, atë e ka bërë thua si një kalendar ngjarjesh, të cilat i ka spikatur në përftime historike, e që provokojnë për t’i bërë pjesë jete edhe lexuesi, qoftë edhe i rastit: “... Mos hesht si gur varri/qesh/Si ag dielli në mëngjes/...Mos u përkul/Vertikalisht qëndro/Si lis shtatgjatë/Në qiellin e fitoreve”!

Autori i librit “Dhimbje e bukur”, përmes vargut dhe poezisë, lexuesit i ofron alternativa të shumta për ta mësuar e kuptuar të kaluarën, por edhe të tanishmen, gjithnjë me konotacion që tani të mos na falet papjekuria apo edhe lëshimet që mund t’i bëjmë për lirinë, lumturinë dhe për të ardhmen e kombit dhe të atdheut. Sepse, periudhat historike na kanë regjur e përcëlluar, e që duhet të na shërbejnë si mësim për të sotmen dhe të nesërmen: “... Na u dogj rinia/nëpër postblloqe/Dhe burgje/Na u dogj rinia/Nëpër beteja/Dhe luftëra/Duke pritur lirinë/Na shkoi rinia/Tani shi rigojnë/Thinjat/Rrudhat...”!

Andaj, dhembja bëhet e bukur dhe krenare, kur toka dhe atdheu marrin rrugën e lumturisë duke e shoqëruar atë drita e përhershme e së ardhmes. Për këtë arsye, poeti edhe ligjëron: “...Biri im/E nesërmja e bardhë/Të takon ty/Mos e lërë askënd/të ta nxijë”!

Ma thotë mendja, se në këtë formë frymon edhe e tërë krijimtaria e Muharrem Kurtit.

Kujtoj se këto dy vepra, tani të lexuara dhe përjetuara edhe në gjuhen greke, begatojnë afirmimin krijues letrar kombëtar, i cili duhet dhe ka nevojë edhe më shumë që të bëhet pjesë edhe e vlerave shpirtërore të kombeve të tjera të botës.

Kur e them këtë, kam parasysh së puna jonë, veprat tona, ende u ngjajnë burimeve të kthjellëta të ujit, shijen e të cilave duhet ofruar edhe të tjerëve. Sepse, siç ka thënë Markez kur e mori Çmimin Nobel: “... Eldorado, toka jonë kaq shumë e kërkuar dhe gjithmonë e pakapshme, është shfaqur në shumë harta, për një kohë shumë të gjatë, duke ndryshuar vendin dhe formën, për t’i shkuar për shtat fantazive të hartografëve...”! E, unë them, ne, tash këtë gjë nuk duhet lejuar, sepse, vendi ynë mjaft është katandisur dhe tkurrur nëpër periudha të tmerrshme dhe të padrejta historie...!

Në fund, dua të them, se këto dy vepra i bën edhe më të qëndrueshme, biografia e të dy krijuesve, Tahir Bezhanit dhe e Muharrem Kurtit, të cilat shërbejnë edhe si një pasqyrë për krijimtarinë e tyre tek opinioni lexues i Greqisë.