E merkure, 24.04.2024, 02:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Me mikrofon në dorë...

E enjte, 14.08.2008, 10:25 PM


Në sfond fillon melodia “Knockin’ on heaven’s door”, ndërsa një i moshuar, i thinjur, me syze, diku rreth moshës 60 vjeç, kap mikrofonin me duar dhe me të shpejtë ngjitet mbi një prej karrigeve të zbrazëta, që ndodhen poshtë ekranit të karaokes. Ora shënon 01.30. Në xhaketën e tij fine ngjyrë gri, në ato lëvizjet përdredhëse mbi ndenjëse, dallohet sigla e dy flamujve, atij amerikan dhe shqiptar…

Edmond Prifti

Kush është ky?! Është i huaj apo... më duket si shqiptaro-amerikan. Bobi! Bobi?! Kështu e quajnë…?! Nën avujt e alkoolit që vinin nga tavolina ngjitur e nën trysninë e zërave çjerrës që vinin përqark karaokes... i mbeti emri Bobi, ndoshta ngase përherë këndonte këngën e Bob Dylan-it. I shkonte në fakt ky emër këtij shqiptaro-amerikani, i cili i këndonte me shumë pasion këngët, që i dinte përmendsh. Kur “Në shtëpinë tonë” e këndoi një çift i ri, ai qëndronte përballë tyre, me sytë e rrëmbushur, teksa belbëzonte vargjet e këngës, që mund të lexoheshin edhe në ekran. Kush e dinte se dollarët e nxjerra nga puna e shumë viteve një ditë do t´i shpenzonte i vetëm buzë banakut, duke porositur scotch dhe whiskey! I lindur në Shqipëri apo jo, e ka kthyer këtu ndoshta malli për këtë vend. Iu trazua paksa mendja duke kënduar njëra pas tjetrës këngët “Lemon Tree” dhe “Margherita”. Pas kësaj, ai u dha një të puthur me duar të gjithëve, takoi ata që po e uronin, por edhe të tjerët, që s’ia kishte idenë se kush ishin. Kjo është karaokja... Pastaj iu afrua një çifti të moshuar – që duhej të ishin të afërmit e tij – dhe nxori nga xhepi një shami për të pastruar sytë poshtë syzeve dhe qafën nën këmishën e bardhë e së fundi rregulloi edhe kravatën. Ulërimat – jo vetëm të femrave – e kënaqën, por jo të gjithë e morën seriozisht. “At the end, - thonë anglezët, - who cares”. Kush do të mendonte keq për atë 60 e ca vjeçar! Karaokja për amatorët është, jo si diku tjetër ku profesionistët vdesin të frustrojnë dikë që mezi pret të ngjitet në atë mini-skenë. Këtu njerëzit e zakonshëm, nëpërmjet të kënduarit, korrin duartrokitje apo fishkëllima njëlloj si artistët. Një bazë muzikore në sfond. Një skermë gjigande ku kalojnë titrat e këngës. Një gjetje. Mënyra më interaktive, që padashur i bën të gjithë protagonistë…

Më pas marrin mikrofonin në dorë Nardi dhe Denisi. Hipin mbi karrige dhe këndojnë “Trëndelinë”. Të njohur e të panjohur kapen prej dore me njëri-tjetrin. Rrallëherë të qëllon të shohësh fytyra të tilla të kuqe, duke u zgërdhirë nga të qeshurit. E cilët janë ata që e kanë shpikur këtë lloj argëtimi? Një popull, që shquhet si shpikës i teknologjive të reja.

Të dhënat tregojnë se karaokja është shpikur nga japonezët si një formë argëtimi, ku këngëtarët amatorë këndojnë me mikrofon muzikën e regjistruar, duke iu adresuar publikut. Melodia është kryesisht e këngëve pop, pa zërin e këngëtarit, ndërsa teksti i këngës shfaqet në ekran me shkronjat që ndërrojnë ngjyrë kur duhet të këndohet teksti në fjalë.

Karaokja u bë popullore që në mesin e viteve ‘70 nga muzikanti Daisuke Inoue nga Kobe e Japonisë, ndërsa më pas pati shtrirje të menjëhershme në Lindje dhe Juglindje të Azisë gjatë viteve ‘80. Daisuke shpiku madje edhe një pajisje elektronike, e cila luante muzikën e dëshiruar me vetëm 100 jen. Në vitin 2004, Daisuke Inoue mori çmimin Nobel “Për zhvillimin e rrugëve të reja në tolerancën midis njerëzve” për shpikjen e kësaj pajisjeje. Megjithatë, Inoue e humbi shansin për të qenë një prej njerëzve më të pasur të planetit, pasi nuk e regjistroi patentën. Ishte Roberto del Rosario nga Filipinet ai që e përmirësoi sistemin e “makinës muzikore”, duke e quajtur Minus-One. Një gjyq i hapur nga një kompani kineze bëri të ditur se licenca ishte blerë nga ata. E drejta që iu dha Rosarios funksionoi vetëm mes viteve 1983-1986, gati një dekadë pas shpikjes së palicencuar nga Inoue në 1971. Me daljen e teknologjisë virtuale të internetit, iu kushtua një vëmendje e veçantë dosjeve muzikore që kishin të fshirë zërin origjinal të këngëtarit apo grupit muzikor. U krijuan dosje në formatet standarde “.kar” dhe “.mid” nga individë apo kompani dhe u hodhën falas në internet. Programi më i përdorur në mbarë karaoket e Tiranës dhe që mund të merret falas nga interneti është “VanBasco Karaoke Player”, që me rreth 864 kilobajts mund të bëhet i yti në kompjuterin tënd personal, ndërsa këngët mund t’i merrni në internet nga faqet: singsnap.com, internetkaraoke.net, bix.com, singshot.com apo edhe nga faqja interaktive e Fox-it: ksolo.com. Finlandezët mbajnë rekordin për numrin më të madh të njerëzve që kanë kënduar në njëherësh në karaoke: 80.000 njerëz kënduan “Hard Rock Hallelujah” në 26 maj 2006 në Helsinki, pasi grupi “Lord” fitoi Festivalin Evropian. Kurse kinezët kanë regjistruar këngën më të gjatë në formën e një “rally karaoke”-je, prej 214 orësh, 20 minuta e 8 sekonda, në janar të vitit 2008. Atëherë, a je gati? Zgjidh këngën tënde të preferuar, merr mikrofonin në dorë, përpiqu ta mbash dhe ndiq ritmin, duke kërcyer deri në mëngjes! Kjo është karaokja!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora