E premte, 19.04.2024, 03:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Sweet home... Tirana!

E premte, 15.08.2008, 10:07 PM


Vedat Ademi
U nis drejt Tiranës për një udhëtim fare të shkurtër dhe mbeti peng i saj. Jo vetëm kaq, por zëri i tij është ndër më të kërkuarit në klubet me muzikë live. Vedat Ademi, këngëtari nga Mitrovica, tregon jetesën katër-vjeçare në Tiranë. Eksperiencën në “Top Show”, pjesëmarrjet në “Top Fest” e “Kënga Magjike”, si edhe projekte për të ardhmen. Plane për t’u kthyer sërish në Kosovë? Për momentin, dy gjërat më të rëndësishme të jetës së tij e mbajnë të mbërthyer fort këtu
Suadela Balliu

Në lokalet, klubet dhe pub-et e kryeqytetit ai është si i shtëpisë, madje edhe të folmen e ka njësoj si shumë prej miqve të tij nga Tirana e, nëse nuk do ta dinim se ai vjen nga Mitrovica, e vështirë do të ishte ta zbuloje vetë. As që ia kishte marrë mendja ndonjëherë se një udhëtim për qejf do ta mbante të mbërthyer për plot katër vjet në Tiranë. Por edhe tani, kur e pyet, të përgjigjet se nuk e ka braktisur Mitrovicën e tij e se nuk erdhi në Tiranë me një plan të përgatitur mirë. “Erdha në Tiranë për qejf, për pak ditë, dhe mbeta këtu për katër vjet”, rrëfen ai, duke i përmbledhur të gjitha në fare pak fjalë. Mirëpo Vedat Ademi ia la ngjarjet në dorë rastësisë e ajo i zgjidhi më së miri. Asokohe dinte fare pak për Tiranën, ndërsa ajo iu bë më së miri shtëpi e dytë. Nuk njihte asnjë nga pub-et e klubet e kryeqytetit e as që i dinte preferencat e shqiptarëve për jetën e natës. Ndërsa tani, ai është këngëtari më i kërkuar i fundjavave me muzikë live dhe vetë është bërë element i pandashëm i dëfrimeve që ofron jeta e natës. Pas katër vitesh, Vedat Ademi nis e numëron të gjitha vendet ku ka kënduar e, ndërsa i përmend, duket se lista nuk do të ketë të sosur. Dhe të gjithë atyre që u ka rënë rasti ta dëgjojnë e kanë të vështirë të kuptojnë nëse këndon Vedati apo është playback. Nuk e ndjen lodhjen dhe përpiqet të kënaqë të gjitha shijet e publikut, ndërsa ato të vetat i ka më fleksibël dhe nuk ndjen aspak vështirësi të bëjë kapërcime, duke u hedhur sa nga njëri ekstrem i një rryme muzikore, në tjetrin. “Për mua mjafton të kënaqet publiku dhe të mos bëhem i bezdisshëm”, rrëfen ai. Dhe ai di me të vërtetë si ta kënaqë publikun, edhe pse për këtë i duhet të punojë në netët që pjesa tjetër e botës i ka për të pushuar e për t’u dëfryer. “Një herë më pyetën nëse e frekuentoj jetën e natës. Por unë jam pjesë e jetës së natës; frekuentim më të madh s’besoj se ka”, tregon ai duke buzëqeshur. Edhe pse ndihet mirë me këtë stil jetese, me këtë mënyrë të të kënduari, e ka ndryshuar pak atë sjelljen që përdorte më parë. “Më përpara, kur më thoshin ku po shkon, përgjigjesha: Po shkoj të këndoj. Ndërsa tani, kur më thonë ku po shkon, u përgjigjem: Po shkoj në punë”.

Sommario

“Erdha në Tiranë për qejf, për pak ditë, dhe mbeta këtu për katër vjet”

Tiranës ia ka ndërruar rolet me Mitrovicën. Dikur vinte nga Kosova për pak kohë, kurse tani udhëton nga Tirana drejt Kosovës pothuajse për disa ditë. Megjithëse ka katër vjet këtej, në Prishtinë s’ia kanë harruar aspak zërin e për këtë i duhet të udhëtojë e t’u kushtojë ndonjë fundjavë muzike edhe atyre. “Nuk e kam braktisur Kosovën, pasi shkoj herë pas here atje. Pothuajse një herë në muaj, bashkë me grupin tim, shkojmë të këndojmë në klubet e Prishtinës”, thotë ai, ndërsa shton se eksperienca e tij si këngëtar tashmë i shënon shtatë vite. Por ditën e Pavarësisë së Kosovës i takoi ta gëzonte këtu. Do të kishte dashur shumë të ndodhej atje, për ta prekur me dorë ëndrrën shekullore të të gjithë shqiptarëve, por nuk iu duk më pak emocionuese edhe festa në Tiranë. Mundi të gëzohej ashtu si deshi, mes urimeve të shumta që i jepnin, por edhe pati mundësi t’i gëzonte të gjithë me zërin e tij, që kësaj here sillnin tinguj të këngëve patriotike e të heronjve të Kosovës.

Sommario

“Nuk e kam braktisur Kosovën, pasi shkoj herë pas here atje. Pothuajse një herë në muaj, bashkë me grupin tim, shkojmë të këndojmë në klubet e Prishtinës”

Kishte më shumë se tre vjet që këndonte dhe ishte pjesëtar i grupit “Tema” në Kosovë, me të cilët arriti të bënte tri këngë e të shpallej një prej gjashtë grupeve më të mira në Festivalin e Rrokut në Prishtinë. Ndërsa në Shqipëri ka preferuar të paraqitet vetëm, në tre edicionet e “Top Fest”-it si edhe te “Kënga Magjike”. Megjithatë, zakonin e vjetër të grupit ka preferuar ta mbajë gjallë. Në performancat live ai shoqërohet nga tre djem të talentuar, të cilët nuk janë më ata të vjetrit – pjesëtarët e grupit “Tema”, por janë instrumentistë nga Tirana, me të cilët Vedati preferon të këndojë edhe jashtë Tiranës. Grupit nuk është lodhur t’i gjejë një emër, por e ka quajtur thjesht “Vedat Ademi & Band”. Kështu shkruhet në reklamat që ngjisin klubet përpara dyerve të tyre, kur këndon Vedati. Nuk dëshiron ta braktisë përfundimisht Kosovën, megjithëse e pranon se për momentin janë dy gjëra të rëndësishme që e mbajnë të lidhur këtu. Njëra është muzika, me të cilën ka vendosur marrëdhënie të mira në Tiranë, që nga koha kur këndonte në orkestrën e emisionit “Top Show”. “Hyra krejt si rastësisht në orkestrën e Top Show-ut dhe punova aty për një sezon”. U prit mirë nga publiku dhe u ndje tamam si në shtëpi kur këndoi në “Top Fest”. Tri pjesëmarrje duket se nuk i kanë mjaftuar Vedatit, sepse edhe këtë vit ka ndërmend ta provojë sërish eksperiencën e mirë dhe suksesin që arriti në “Top Fest”, sidomos në edicionin e katërt. “Do të marr pjesë edhe këtë vit në Top Fest me një këngë alternative”, rrëfen Vedati. Duket se kësaj here ka ndërmend t’i habitë të gjithë ata që ishin përgatitur të dëgjonin ndonjë baladë nga ato me të cilat është prezantuar deri më tani. “Më mashtruan sytë” është titulli i këngës më të suksesshme të Vedatit, por duket se kjo nuk qëndron aspak kur bëhet fjalë për jetën e tij. Do të kishte qenë më e përshtatshme që motivi i dytë që e ka mbërthyer Vedatin në Tiranë të titullohej “Më rrëmbyen sytë”. Sepse atë e rrëmbyen sytë e Dorelës, vajzës nga Tirana me të cilën Vedati ra menjëherë në dashuri dhe sytë e saj e bënë të zinte edhe më shumë rrënjë këtu. “Mund të them se arsyet e qëndrimit tim në Tiranë janë muzika dhe e dashura ime Dorela”. Mes planeve profesionale – ku bën pjesë edhe përgatitja e një albumi për të cilin duket se nuk ngutet, por preferon ta marrë shtruar – dhe planeve në jetën personale, duket se dashuria me Tiranën do t’i zgjasë përgjithmonë.

Sommario

“Mund të them se arsyet e qëndrimit tim në Tiranë janë muzika dhe e dashura ime Dorela”

Box

Vedat Ademi & Band
Vedat Ademi – vokal
Kledi Bahiti – tastierë
Erjon Medha – bateri
Julian Koçaj – kitarë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora