E shtune, 20.04.2024, 01:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Të gjitha bëmat e Orindës

E shtune, 16.08.2008, 09:35 PM


Orinda Huta
Sapo është shfaqur nëpër ekrane me një këngë e klip të ri. Me bashkëpunëtorë të rinj. Po synon të rikthehet në qendër të vëmendjes dhe e di mirë se çfarë trukesh i duhet të përdorë. Pse jo, dhe duke u dhënë shpjegime thashethemeve të shumta, që u thurën pas largimit të saj nga skena për një vit të tërë. Ja të vërtetat sipas Orinda Hutës Suadela Balliu Është shfaqur sërish me fustanin e bardhë të nusërisë. Por, ndërsa një vit më parë e mbante veshur dhe pozonte gjithë ojna për fotografët dhe të ftuarit VIP, që kishin mbushur hollin e hotel “Sheraton” për të admiruar nga afër koleksionin e ri të “Geraldina Sposa”-s, këtë herë ka preferuar të qëndrojë mbi një kub, ndërsa lidh atletet e bardha dhe i përkëdhelet djalit që ka pranë. Pra, nuk është më modelja që përkul trupin me elegancë për të nxjerrë në pah hiret e saj dhe bukurinë e fustanit. Megjithatë, sërish është një nuse shumë e bukur e një prej klipeve më të reja muzikore, që po shfaqet këto kohë në ekran. Pas kësaj perfomance të dytë me fustan të bardhë, shumëkush mund të vinte bast se Orinda Huta po bëhet gati për ceremoninë e martesës së saj. Nuk do të çudiste dhe aq, nëse do ta kishte marrë me të vërtetë një vendim të tillë. Gjatë një viti, ndërsa ajo ka qëndruar larg dritës së prozhektorëve, larg skenave e vëmendjes së publikut, duke mos u shfaqur askund, gjithçka mund të kishte ndodhur. Në fakt, nuk ka ndodhur asgjë. Orinda thjesht ka ditur të luajë bukur, për të shkaktuar pak zhurmë në këtë rikthim të sajin. Edhe pse fabula e këngës nuk kishte asnjë pikë lidhjeje me ceremoninë e martesës, Orinda ka zgjedhur pikërisht si element kryesor të klipit fustanin e bardhë. Edhe pse ka qëndruar larg botës së artit, në gjithë këto kohë nuk i ka harruar marifetet që ia mësuan që në fillimet e saj. Përkundrazi. Tani duket se di t’i përdorë mjaft mirë ato truke, edhe pa pasur diktues më të mëdhenj mbi krye, si kohë më parë. Kështu, ajo ka qenë e bindur se, duke u rishfaqur ashtu siç ishte larguar – e veshur nuse me fustanin që i përkiste të njëjtit koleksion – do ta kapte fillin pikërisht aty ku e kishte shkëputur. Duke na dhënë kështu sinjalin se nusja që ishte larguar papritur e pa dhënë asnjë shpjegim nga altari, që kishte vendosur të zhdukej për ca kohë në vise të largëta, po shfaqej sërish. Për t’u bërë përsëri personazhi që tërheq menjëherë vëmendjen. Kjo dukej se ishte koha më e mirë që Orinda të rishfaqej me këngën dhe klipin “As fejesa, as martesa” e, bashkë me to, duke shpjeguar se pse u zhduk për kaq shumë kohë. Arsyet, sipas legjendave urbane që nisën të tirreshin ditë pas dite në ato kohë, ishin nga më të ndryshmet. Ndërsa tani, ajo vetë thotë: “U shkëputa, sepse doja të rrija ca kohë pushim. Doja të merresha me veten; të mblidhja energji të reja. E kisha vendosur kohë më parë që nuk do merrja pjesë në “Kënga Magjike 2007”. Njerëzit mendojnë se një këngëtar duhet të marrë pjesë gjithmonë gjithkund, por nuk është kështu. Një tërheqje i bën mirë çdokujt”. E bindur për këtë, ditët larg skenave, larg kamerave dhe vëmendjes së publikut i kanë vijuar krejt të zakonshme, të qeta. Një ditë e ka gjetur me miqtë, një tjetër në shtëpi, duke iu përkushtuar prindërve, duke u dhënë atyre gjithë vëmendjen dhe dashurinë që s’kishte mundur t’ua jepte më parë për hir të angazhimeve që do t’i shtoheshin gjithnjë e më shumë pas asaj ditës kur hyri në studion “NRG Records”, por edhe pasi iku prej asaj studioje. Në një moment të tillë, angazhimet iu bënë edhe më stresuese për vetë faktin se, duke mos qenë më nën mburojën e “NRG Records” e, si rrjedhojë, as të Florian Mumajesit e Andy DJ, Orindës i duhej t’i gjente vetë bashkëpunëtorët e rinj, ata me të cilët mund të siguronte vazhdimësi po aq të suksesshme. Dhe nuk gaboi në gjetjen e të duhurve. Hera e saj e parë pa Florin ishte prezantimi në “Kënga Magjike” me kompozimin e Darko Dimitrov-it dhe tekstin e Aida Barakut. Ky ishte momenti kur Orinda do të na tregonte hapur se “bashkëpunimi im me Florian Mumajesin dhe Andy DJ kishte marrë fund”. Nuk dha shumë shpjegime në ato kohë. Thjesht ndihej e sigurt edhe kështu, pa energjinë mbrojtëse të djemve, që e kishin promovuar e bërë të famshme. Ndoshta sepse eksperienca e parë me bashkëpunëtorët e rinj i rezultoi e suksesshme. Të gjithë mund të prisnin një vazhdimësi të mbarë të Orinda Hutës, në një stil krejt ndryshe. Por ja që ndodhi krejt e kundërta. Këngëtarja u zhduk pa thënë asnjë fjalë, duke lënë në mes një tjetër bashkëpunim, që mund të ishte po aq i suksesshëm sa ai me Dimitrovin e Barakun. Bashkëpunëtorët e dytë ishin djemtë e grupit “NRG Band”, të cilët e ftuan Orindën për të realizuar së bashku një këngë dhe një klip. Besniku, lideri i grupit, e mbaroi këngën shumë shpejt dhe u kthye edhe njëherë në Tiranë për t’ia treguar. “Kënga më pëlqeu shumë. Ishte njëkohësisht komerciale dhe e bukur dhe më ngacmoi ideja e të shfaqurit ndryshe në publik”, tregon Orinda, duke shpjeguar më pas se nuk e pati aspak të vështirë të përshtatej me këta djem, edhe pse nuk e kishte lidhur asgjë më parë me ta, përveç emrit që i dukej shumë familjar, i ngjashëm me “NRG Records”. Kjo i dukej një lojë fjalësh, që thjesht e argëtonte dhe e ndihmonte të mos ndihej në terren të huaj. E këndoi dhe e regjistroi këngën me ta. Gjithçka shkoi shumë mirë, por jo deri në fund. Ajo u largua dhe nuk e realizoi dot rrugëtimin drejt Prishtinës për të xhiruar klipin e këngës, që kështu kënga të mund të transmetohej në kanalet televizive muzikore. As në një moment të tillë nuk dha shumë shpjegime. Ndërsa tani që është rikthyer e që e ka kryer misionin e lënë në mes, thotë me qetësi se lindja e nipit dhe mbesës së parë do ta magjepsnin aq fort sa ajo do t’i harronte të gjitha: edhe këngën, edhe klipin, edhe skenën... Priti derisa i kaloi efekti i parë magnetik me ato qeniet e vockla për të cilët, gjithë krenari, thotë se i ngjajnë asaj, për t’u nisur drejt Kosovës e për të përfunduar më në fund klipin në studion e “Pixel Production”. Tani i ka mbaruar të gjitha ditët e pushimit (për të cilat, gjithsesi, nuk na dha ndonjë raport dhe aq shumë të besueshëm) e i ka hyrë edhe njëherë rrjedhës së ditëve të zakonshme, ritmeve energjike. Vetëm pak muaj kanë kaluar nga dalja e klipit të parë pas rikthimit (por i treti në karrierën e saj) dhe Orinda po punon për përfundimin e klipit të dytë, i cili, më së fundi, do t’i paraprijë albumit të shumëpritur prej Orindës. “Albumi mendohet të dalë në fund të majit dhe do të mbajë 10 këngë. Për titullin nuk kam menduar ende, por është gjëja e fundit për të cilën shqetësohem tani. Më në fund ia arrita qëllimit të kem një Compilation krejt timin dhe jo të këndoj në atë të të tjerëve”. Nuk është e vështirë të kapësh pas këtyre fjalëve ndonjë notë pakënaqësie ndaj atyre që para shumë vitesh iu zotuan Orindës për një album, i cili –përveç tri këngëve hit – nuk u realizua kurrë. Duket se ka vendosur ta realizojë këto kohë, kur nuk ka më një menaxher mbi krye e kur i duhet të paguajë vetë për gjithçka. Ç’ka nuk e shqetëson aspak. Përkundrazi, është shumë e kënaqur që më në fund po sheh sesi ëndrra e saj po bëhet realitet. “Ky zhgënjim më bëri mirë, sepse arrita më në fund t’i mbledh këngët e mia në një album, madje arrita të fus aty edhe këngët më të reja. Falënderoj shumë për këtë edhe shtëpinë diskografike “Supersonic”, e cila, pas çmimit që më dha në “Kënga Magjike”, mori përsipër realizimin e albumit tim dhe e mbajti fjalën”. Ndërsa pohon këtë, shpreh dukshëm përmes mimikës së saj se nuk është penduar aspak për vendimin që mori, për t’u shkëputur nga “NRG Records”. “Më parë mendoja se nuk kishte radio tjetër, se ekzistonte vetëm NRG-ja. Por tani që jam jashtë saj, e kuptoj që ka shumë të tjera, në të cilat kënga ime transmetohet non stop”. Tashmë duket e sigurt në forcat e veta. Vajza e vogël, që dikur kishte vërtet nevojë të promovohej e të financohej nga të tjerët, është rritur e mund t’ia dalë vetë mbanë. Të paktën kështu pretendon dhe pohon vetë ajo. “Jo, nuk kam nevojë që të më menaxhojë e as të më mbrojë kush. Ia dal vetë mbanë për së mbari”, sqaron ajo. I ka lënë shumë pas ato kohë, bashkë me vitin e saj të heshtur, për të rinisur edhe njëherë gjithçka nga fillimi, ama duke përdorur me lezet një marifet të vogël. Duke e kapur fillin atje ku e kishte shkëputur, sepse Orinda kaq gjë e ka mësuar tashmë: fama dhe suksesi i së shkuarës janë një garanci për vazhdimësinë. Me fustanin e bardhë, ka dashur t’i ndjellë vetes edhe më fat. E nuk ka gabuar. Klipi dhe kënga me grupin “NRG band” qëlloi me të parën. Orinda VS Flori Edhe pse nuk ka preferuar të japë shumë detaje për prishjen e bashkëpunimit me djalin që e promovoi e që i dha famën me disa këngë hit, Orinda Huta nuk ka hezituar të lëshojë akuzat e para ndaj Florit. “Në Shqipëri nuk ka menaxherë për këngëtarë dhe një këngëtar nuk mund të bëhet menaxher i një tjetër këngëtari, sepse nis të ketë xhelozi dhe rivalitet”. Megjithatë, ajo nuk i hedh poshtë ato që ka bërë Flori dhe Andi DJ për të. “Unë vazhdoj t’jua ndjek punën dhe kam vlerësimet më pozitive. Janë djem me të vërtetë të talentuar”. Por nuk mundet ta mbaj për vete fjalën e fundit, edhe pse këmbëngul se në planin personal vijon të mbetet mike me të gjithë kolegët e dikurshëm, të cilët i kompozuan hite, si: “Tani e di” apo “Harrova të marr frymë”, duke përfunduar: “Ata janë të mirë për të tjerët, por jo për mua”. Ajo do të vijojë të shfaqet vetëm, thjesht si Orinda, pa qenë pjesë e asnjë grupi apo organizimi tjetër, por bashkëpunimeve si ky me “NRG band” i qëndron e hapur dhe – ku i dihet – mund t’i përsëritë më shpesh, duke mos u larguar më për asnjë ditë nga ajo që di të bëjë më mirë: të këndojë. Sommario “Doja të rrija ca kohë pushim. Të merresha me veten, të mblidhja energji të reja. E kisha vendosur kohë më parë që nuk do merrja pjesë në “Kënga Magjike 2007”. Njerëzit mendojnë se duhet të marr pjesë gjithmonë, por nuk është ashtu. Pak kohë mungesë i bën mirë edhe figurës sime si artiste” “Albumi pritet të dalë në fund të majit dhe do të mbajë 10 këngë. Për titullin nuk kam menduar ende, por është gjëja e fundit për të cilën shqetësohem tani. Më në fund ia arrita qëllimit të kem një Compilation krejt timin dhe jo të këndoj në atë të të tjerëve” “Në Shqipëri nuk ka menaxherë për këngëtarë dhe një këngëtar nuk mund të bëhet menaxher i një tjetër këngëtari, sepse nis të ketë xhelozi dhe rivalitet”  .



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora