E premte, 19.04.2024, 08:47 AM (GMT+1)

Mendime

Eshref Ymeri: Kujt duhet t’i besojmë?!

E shtune, 21.05.2016, 03:59 PM


Kujt duhet t’i besojmë?!

(Për arsyet e largimit në masë të njerëzve nga atdheu pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013)

I. Rexhep Shahu. Qershor 2015

“1.  Kukësi pa fëmijë

Në pallatin përballë dyqanit të Timit, ti e njeh Kujtimin, nga 15 familje që ishin kanë mbetë 5. Dhjetë kanë ikë në Gjermani. Në këto dhjetë shtëpitë bosh, janë vetëm 6 pleq që kanë mbetë vetëm. Dyet e shtëpive rrinë mbyllë. S’ka levizje nëpër shkallë. S’ka fëmijë as në oborr as nëpër shkallë e koridore. Sikur njerzit kanë shkue në varreza e s’janë kthye hala. Sikur fëmijët janë në shkollë e s’janë kthye hala.

Ndonjë plak del herë pas here dhe vjen tek ne e kërkon ndihmë se nuk di të ndërrojë kanalet televizive. Kërkon t’ia lë televizorin te ndonjë kanal që jep lajme për ata që ikën për Gjermani.

Lutet t’ia gjej një kanal televiziv ku të mos e shohë Edi Ramën në lajme. Se Edi Rama i çoi djemtë në kurbet me gjithë gra e fëmijë edhe pse s’ka luftë në Shqipni. Edhe përpara kanë ikë djemtë në kurbet, por jo me gra e fëmijë. Tash veç qyqja ashtë mangut me knue në shpiat tona… Na votuam Edi Ramën dhe, qe, djemtë po ikin tash me gjithë gra e fëmijë. A me ikë edhe fëmijët në kurbet e votuam Edi Ramën… Nemcja e marrtë vesh…

Kërkush nuk e di sa kanë ikë prej ktuhit, më thotë trishtueshëm miku im që çdo fjalë i del si vajtim.

Unë pyeta veten pastaj mijëra herë, ne, a jena të k’tuhit!? Mu kujtua titulli i librit “Na nuk jena t’ktuhit”. Vërtetë, kjo qeveri a po i trajton njerzit sikur të jenë të ktuhit apo po i trajton sikur janë të ardhur prej dreqit të mallkuar dhe sikur janë pushtues të pronave të qeveritarëve…

Kanë ikë mësues pa mbyllë vitin shkollor, pa nxjerrë notat. Kanë ikë mësues e nxënës pa marrë notat e fundit të vitit. Mbetën klasat e shkollave gjysmë bosh. Të merr vaji me i pa klasat ashtu bosh. Nuk të besohet…, më flet dhe sytë iu mbushën me lotë mikut tim…

Një shtet që turret kundër më fukarejve, kundër më të dobtëve, veç shtet nuk është. Po të mos e kishte teprue presionin e kërcënimin kundër kuksianëve për faturat e prapambetura të energjisë elektrike, nuk do të ishte shkretue qyteti në këtë farë feje. Po të kishin zyrë shteti ku me trokitë e me gjetë ndihmë, me gjetë punë, me gjetë përkrahje, me gjetë mirësi e jo sjellje harbute, me gjetë zyrtarë që nuk shesin shërbimin shtetëror, nuk do të kishin ikë njerzit për Gjermani. Një familje që s’ka lekë buke, ti i thua paguaj 15 milionë që i ke borxh shtetit…” (Citohet sipas: Rexhep Shahu. “T’u shtoftë jeta, qeveri”. Marrë nga faqja e internetit “Zemra Shqiptare”. 12 qershor 2015).

II. Doris Pack. Tetor 2015

“Eurodeputetja Doris Pack shpreh habinë për kontingjentin e deputetëve me të dhëna kriminale në Shqipëri. Ajo deklaroi për “ABC” se rastet e deputetëve të inkriminuar kanë peshë të madhe në ndërtimin e një imazhi negativ për Shqipërinë në botë. “Nuk e konceptoj se si ata që qeverisin vendin nuk e kuptojnë që kjo përcjell një imazh të tmerrshëm për vendin. Të gjithë e shohin, të gjithë flasin për këtë, por as Rama dhe as Meta nuk e marrin seriozisht. Ndoshta jam e gabuar, por nuk besoj, sepse informohem rregullisht dhe lexoj përditë përmbledhjen e shtypit shqiptar. Klasa politike në Shqipëri duhet pastruar. Nëse përcillet një imazh kaq negativ, njerëzit nuk durojnë më dhe braktisin vendin”, deklaroi Pack. Ajo e sheh arsyen e emigrimeve masive nga Shqipëria vetëm në situatën e rënduar politike në vend. “Nuk e kuptoj pse kemi kaq shumë shqiptarë që braktisin vendin?! Nëse do të isha në vendin e Ramës, do të pyesja pse ndodh kjo. Pashë shifrat e azikërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj, se ka një lidhje me situatën politike. Sot në shoqërinë shqiptare duhet vërtet të shtrojmë pyetjen nëse duhet të jesh kriminel për t’u bërë deputet”, u shpreh eurodeputetja Pack (Citohet sipas: “Pack: Pse shqiptarët po ikin tani që është Rama kryeministër?”. Marrë nga faqja e internetit “Gazeta Shqiptare”. 30 tetor 2015)

III. Ismail Kadare. Maj 2016

“I pyetur për largimet e shqiptarëve jashtë vendit, Kadare tha se kjo ethe e largimit është një ethe e përkohshme. I ka kapur me radhë të gjithë popujt,- tha Kadarea, - herë një popull, herë një tjetër, na ka kapur dhe neve. P.sh., të famshëm për të ikur nga vendi i tyre kanë qenë italianët. Akoma më të famshëm kanë qenë irlandezët. Popuj të tjerë kanë historinë e tyre të largimit, kthimit dhe pastaj të stabilizimit. “Është e natyrshme që pas një periudhe jashtëzakonisht të egër të izolimit të vinte ky pasion, shpesh me arsye pasi nuk është pa arsye sigurisht, por edhe pakëz e kthyer në modë”, - tha Kadarea (Citohet sipas: “Kadare: Dekriminalizimi proces jetësor, e pafalshme nëse s’kryhet”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Shqip”. 14 maj 2016).

Nuk po bëj asnjë koment rreth arsyeve të braktisjes së vendit nga dhjetra mijëra bashkatdhetarë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Le të shprehen vetë lexuesit e nderuar për arsyet e largimit të njerëzve dhe le të gjykojnë se kujt duhet t’i besojmë, se kush të drejtë: zoti Rexhep Shahu, zonja Doris Pack apo zoti Ismail Kadare.

Eshref Ymeri

Sinsinati, Ohajo

20 maj 2016



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora