E premte, 19.04.2024, 03:25 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Kripa: 25 vjetori i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë

E shtune, 21.05.2016, 07:15 PM


Në njëzetepesëvjetorin e krijimit të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë dhe të Kuvendit të Parë të saj

Nga Reshat Kripa

Para disa ditësh Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë  të Shqipërisë  organizoi  në mjediset e hotel “Tirana” një konventë kombëtare me titull: “45 vite në kërkim të lirisë, 25 vite në mbrojtje të saj” në nderim të Osman Kazazit “Nderi i Shqiptarëve”, simbol i qëndresës dhe legjendë e burgjeve komuniste.

Natyrisht që është në nderin e çdo të përndjekuri politikë të marrë pjesë në të tilla përkujtimore kushtuar ngjarjeve të paharruara siç është ajo e krijimit të së parës shoqatë të të përndjekurve politike të Shqipërisë dhe për nder të kryetarit të parë të kësaj shoqate, të nderuarit Osman Kazazi. Do të kisha patur nderin të merrja pjesë edhe unë, si një nga anëtarët e parë të kryesisë së kësaj shoqate. Por kjo nuk ndodhi. Çuditërisht  mua, madje as Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës që unë drejtoj dhe për më tepër as  edhe  asaj kombëtare, nuk i erdhi  ftesë nga organizatorët e saj. Përse? Përgjigjen le ta japin organizatorët. Lajmin për organizimin e saj e mësova kur kanalet televizive transmetuan pamje nga zhvillimi i kësaj konvente.

Atëherë para syve të mi filluan të më dalin ato çaste të paaritshme të krijimit të kësaj shoqate. Me doli konferenca e parë e saj e mbajtur me 28 prill 1991 ne te cilen isha prezent edhe unë se bashku me disa shokë të mi të ardhur nga Vlora. Më doli shtëpia e Lalë Osmanit ku mblidheshim dhe diskutonim për të ardhshmen e shoqatës dhe ku motra e tij e nderuar,  Xhirja, në atë vit krize të thellë na servirte kafe që na dukej sikur na falte të gjithë botën. Më doli manifestimi madhështor në Stadiumin Kombëtar të Tiranës ku buçitën zërat e përfaqësuesve të degëve të shoqatës nga e gjithë Shqipëria dhe ku iu drejtua një ultimatum qeverisë shqiptare për miratimin e ligjit të pafajsisë për të përndjekurit politikë. Më doli parasysh sakrifica sublime e atyre burrave dhe grave që u futën  në grevën e paparë të urisë që u shtri në të gjithë Shqipërinë. Më doli takimi i një përfaqësie të shoqatës, në të cilën bëja pjesë edhe unë, me Presidentin e vendit, diktatorin Ramiz Alia, të cilit i treguam vendosmërinë tonë për vazhdimin e protestës dhe që, më në fund, e detyruam  që pas dhjetë ditësh, të urdhëronte deputetët e majtë të pranonin miratimin e ligjit për pafajsinë e të përndjekurve politikë. Më doli Kuvendi i Parë i shoqatës, i mbajtur në Kavajë në tetor 1991 prej të cilit doli Kryesia e Parë e saj, Keshilli i Parë Kombëtar dhe Komisini i Revizionimit.

Në atë kuvend, me një votim plotësisht demokratik doli kjo kryesi:

Kryetar  Osman  Kazazi,  nënkryetar       Viktor           Martini  Hysni  Alimerko  Hysen  Haxhia,  anëtar  Eshref  Zagorçani,  Engjëll  Kokoshi,  Uran  Kostreci,  Leka  Dosti,  Qefsere Kallabani,  Burim  Kokoshi,  Reshat  Kripa,  Bardhyl  Carra,  Fuat  Boçi dhe Naim  Staravecka të gjithë personalitete  të nderuar, dishepuj të rezistencës antikomuniste. U zgjodh gjithashtu Këshilli Kombëtar i përbërë ngga 75 burra dhe gra të nderuara, gjithashtu, personalitete nga më të mirët e kësaj shtrese të përvuajtur. Së fundi u zgjodh Komisioni i Revizionimit me kryetar të nderuarin Marian Skanjeti dhe anëtarë dy figura të njohura, Avni Agolli dhe Nihat Tërshana.

Disa muaj më vonë do të dilte edhe numri i parë i gazetës së të përndjekurve politikë “Liria” , selia e parë e të cilit ishte pikërisht shtëpia  e Lalë Osmanit, me kryeredaktorin e parë të nderuarin Uran Kostreci dhe pas tij zotërinjtë Uran Butka, Eden Babani dhe Luan Myftiu edhe këto figura të njohura të rezistencës antikomuniste.

Kanë kaluar 25 vjet nga ato ditë. Natyrisht një pjesë e mirë e miqve tanë që u angazhuan në këtë lëvizje sot nuk janë më. Ky është ligj i natyrës. Por ne nuk duhet t’i harrojme ata, përkundrazi, duhet t’i përkujtojmë dhe t’i nderojmë gjithmonë edhe më tepër. Por, çuditërisht,  kjo nuk u ndie në konventën përkujtimore. Asnjë prej emrave të tyre nuk u përmend, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Madje, unë nuk pashë në sallë asnjë nga ata që kanë fatin të mbijetojnë ende. Nuk pashë ish-anëtarët e kryesisë së parë, Viktor Martinin, Hysen Haxhinë, Uran Kostrecin, Qefsere Kallabanin, Naim Staraveckën.  Nuk pashë anëtarin e Komisionit të Revizionimit, Nihat Tërshanën. Nuk pashë kryeredaktorët e gazetës “Liria” Uran Butka, Eden Babani dhe Luan Myftiu. Nuk pashë edhe disa figura të shkëlqyera të Këshillit Kombëtar si Avni Bejkova, Tomor Aliko, Esat Çoku,Vladimir Kosturi,  Halim Kamberi, Luan Koka, Bardhosh Gjonzeneli, Ylber Merdani, Tanush Kaso, Seit Prishta, Sherif Kaloshi, Mehdi Kraja, Vasil Sylari e të tjerë. Nga 31 anëtarë të Këshillit Kombëtar që jetojnë ende merrte pjesë  vetëm  zoti Agim Musta, Kryetar i Shoqatës “Musine Kokalari”. Përse? Përgjigjen le ta japin organizatorët.

Por skandali më i madh i  ndodhr në këtë “konventë” ishte kur i jepet fjala ish-bashkëshortes së një prej martirëve më të shquar të rezistencës antikomuniste, një poeti të varur më 10 gusht 1988, të paharruarit Havzi Nela. Them ish-bashkëshortes pasi me vendimin numër. 98 datë 25.05.1985, Gjykata e Rrethit Kukës kishte vendosur:

Zgjidhjen e martesës ndërmjet paditëses Jalldëz Nela dhe të paditurit Havzi Nela për fajin e përbashkët.

Ky vendim ka marrë formën e prerë më datë 04.06.1985

Kryetari i Gjykatës

Fatmir  Çela

Gjithashtu, në dëshminë e trashëgimisë  me numër. 849 datë 29.03.1993, lëshuar nga noterja e rrethit Kukës, Hatixhe Gojani,  thuhet:

Të lëshojë dëshminë e trashëgimisë për trashëgimlënësin Havzi Shaban Nela, duke përcaktuar si trashëgimtar të vetëm  të rradhës së tretë vëllezërit Asllan Shaban Nela, Shaban Shaban Nela si dhe motrat Sale Shaban Nela (Dafku) dhe Refije Shaban Nela (Sahitaj).

Në këto kondita, të paraqesësh   ish-bashkëshorten që e braktisi atë në çastin më të vështirë të jetës së   tij, si bashkëshorte e rregullt është një fyerje e rëndë për martirin  por edhe për të gjithë ne bashkëvuajtësit e tij. Përse? Edhe për këtë përgjigjen le ta japin organizatorët.

Kam edhe shumë gjëra të tjera për të thënë për këtë  aktivitet  por po e lë me kaq. Besoj se mjaftojnë. Le të na gjykojnë bashkëvuajtësit tanë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora