E enjte, 25.04.2024, 04:47 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Reflektim për 25 vjetet e kaluara

E enjte, 19.05.2016, 09:14 PM


Në prag të fushatës elektorale

Reflektim për 25 vjetet e kaluara

Nga Reshat Kripa

Tani i kam kaluar të tetëdhjetat. Jam në një moshë kur njeriu duhet të mendojë se dita kur do të ndahet nga kjo jetë nuk do të jetë e largët. Natyrisht një gjë e tillë nuk duhet që të krijojë tek ai një ndjenjë pesimizmi. Ky është ligji i jetës. Të gjithë do të ikin nga kjo jetë por i lumtur është ai që lë gjurmë pas vdekjes së tij. Një gjë të tillë dua të bëjë edhe unë. Në këto çaste para syve më del e gjithë jeta ime, më dalin mendimet e mia , ato të rinisë dhe këto të sotmet. Çuditërisht, këto me duken si një vazhdim normal i njera tjetrës. Në këtë shkrim dua të bëjë një reflektim të mendimeve të mia mbi periudhën njëzetepesëvjeçare pas përmbysjes së madhe dhe këtë ua kushtoj fëmijve të mi, miqve te mi,  shoqërisë shqiptare, Shqipërisë time.

Nuk e di nëse bëjë mirë për këto mendime që do të parashtroj në këtë shkrim. Nuk e di pasi më duket sikur në ndonjë rast do të dal edhe kundra vetes time. Megjithatë do t’i them mendimet e mia, pavarësisht nëse ato do të mbështeten nga lexuesit. Sot jetojmë në një periudhë kur indidvidi nuk e di se ku e ka koken e tij dhe kjo për shkakun e zhurmës së madhe që mbulon zërat e individëve të veçantë që kërkojnë të zbardhin të vërtetën e këtij vendi. Për sa më sipër, më parë, dua të bëjë një përshkrim të shkurtër të prejardhjes time, për të kuptuar më mirë mendimet e mia.

Rrjedh nga një familje qytetare, tregëtare e qytetit të Vlorës. Im atë, pasi mbaroi studimet në Selanik dhe më vonë në “Robert Kolezh” në Stamboll, nuk dëshironte t’i hynte rrugës së administratës shtetërore por iu përkushtua rrugës së tregëtisë. Madje këtë eksperiencë kërkonte të na i transmetonte edhe neve, bijve të tij.

Im atë ishte një natyrë që në përgjithësi i qëndronte larg ballafaqimeve politike. Kështu edhe në periudhën e Luftës së dytë botërore ndihmonte me ndihma materiale të dy krahët e politikës shqiptare. Por kjo nuk ndodhi me bijtë e tij. Dy motrat e mia, nxënëse në shkollën pedagogjike “Nana Skanderbeg” (ish shkolla “Nana Mbretëreshë”) u lidhën me njësitet komuniste që vepronin në Tiranë dhe shpërndanin trakte kunder pushtimit italian. Tezja themeluese e organizates së Partisë Komuniste për gruan në Vlorë. Gjithashtu dy djemtë e hallës  kishin dalë partizanë dhe dy kushërinjtë e nënës njeri themelues i degës së Partsë Komuniste për Vlorën dhe tjetri, Hero i Popullit, vrarë në luftë me pushtuesit. Kështu që logjika do ta pranonte që pas vendosjes së pushtetit komunist, familja jonë duhej të trajtohej si një familje e luftës Nacionalçlirimtare. Por, çuditërisht, kjo nuk ndodhi. Mbi familjen tonë rëndoi më tepër termi “borgjez” me të cilin ishte etiketuar babai ynë.

Në këto kushte, në tetor 1946, një urdhër i Ministrisë së Brendëshme na dëbonte nga Tirana në Vlorë për motive politike. Kush ishin këto motive politike? Askush nuk jepte përgjigje. Familja e jonë, madje i gjithë fisi, nuk kishim patur asnjë pjesëtar të angazhuar me forcat nacionaliste. Nuk kishim asnjë person të arratisur jashtë shtetit për motive politike. Megjithatë një ditë, pa pritur dhe pa kujtuar, një kamion i madh ngarkoi plaçkat e shtëpisë dhe na degdisën në Vlorë me definicionin të dëbuar për motive politike. Atje filluam të trajtoheshim si një familje e deklasuar, si një familje borgjeze që kishte rënë nga vakti.

Në këto kushte, në vitin 1950, im vëlla, së bashku me dy shokë të tij, krijuan një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burgim, nga të cilat kryen nga 12 vjet. Ndoshta i shtyrë edhe nga ky fakt, edhe unë së bashku me dy shokë të mi të moshës 15 vjeçare, nxënës të klasës së parë të gjimnazit, në vitin 1951, krijuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytet. Arrestohemi dhe dënohemi me nga 5 vjet të cilat i kryem të gjitha një për një.

Pas lirimit nga burgu kisha një ëndërr të madhe, përfundimin e shkollës së mesme dhe, mundësisht, edhe të lartën. Shkollën e mesme e mbarova me rezultate të shkëlqyera por e drejta për të vazhduar më lart m’u mohua, megjithë tentativat e bëra në këtë drejtim. Munda të shkoj deri në Ministrinë e Arësimit por nuk munda të gjej zgjidhje. Përse? Këtë nuk arrita ta kuptoja. Vija re se kishte, në disa  raste, që individë të ndryshëm me një përbërje politike shumë më të keqe se unë për atë kohë, kishin përfunduar shkollën e lartë. Ndoshta kishin ndonjë mik të fortë ose kishin përfituar si rezultat i ndryshimeve politike që sillte koha dhe që sillnin një farë zbutje të luftës së klasës. Sidoqoftë  unë  nuk e pata një fat   tillë  dhe  për  këtë, herë pas here ndjeja edhe një farë zilie. Kështu  e  vazhdova jetën time  si  punëtor,  si  murator  dhe   rastin    mirë  si  brigadier  i  brigatës   ndërtimit  në Ndërmarrjen Bujqësore “Vlora”.

Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç na i kishin servirur tekstet komuniste të kohës, ku çdo nacionalist ishte një tradhëtar dhe çdo komunist një patriot. Këtë ma përforconin më tepër librat që lexoja dhe filmat që shikoja në ekranet e kinemave. Kështu çdo nacionalist e përfytyroja si Sali Protopapën e filmit “I teti në bronx” dhe çdo komunist si komisarët e kuq të filmave  shqiptarë. Por pata fatin të futem në burg, them pata fatin sepse atje mësova se Shqipëria paskësh pasur edhe një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar nga shkolla komuniste. Këtë histori të re ma kishin mësuar ata burra që do të jetë shumë zor t’i vijnë më Shqipërisë, që kishin përfunduar studimet në universitetet më të shquara të botës perëndimore dhe që kishin një mendim të kthjellët për parimet e lirisë, demokracisë dhe të së drejtës. Nuk mund t’i lë pa përmendur emrat e tyre dhe në rast se ndonjë nuk është në një mendim me mua le të më përgjigjet. Ata janë: Doktor Isuf Hysenbegasi, Edi Kapshtica, Sami Bitincka nga qarku i Korçës, Padre Mëshkalla, Gjon Shllaku, Kol Kurti nga Shkodra, Kudret Kokoshi, Fatos Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Meçan Hoxha, Tahir Hoxha nga Vlora, Haki Karapici nga Tirana, Myfit Shehu nga Gjirokastra, Besim Greshica nga Mallakastra dhe të tjerë që nuk po i shënoj pasi lista do të ishte shumë e gjatë. Ishin këta burra që krijuan karakterin tim. Ishin këta burra që formuan bindjet e mia të djathta që i kam ruajtur deri në ditët tona. Kështu, pas daljes time nga burgu i ruajta këto parime për gjithë periudhën e errët të sistemit totalitar.

Së fundi erdhi edhe përmbysja e sistemit  të degraduar totalitar. Rezistenca e gjatë antikomuniste i  kishte dhënë frutet e saj. Ndryshimet e mëdha në vendet e tjera të lindjes komuniste u reflektuan edhe në vendin tonë. Mjaftoi revolta e studentëve të universitetit të Tiranës që të shkërmoqte sistemin socialist. Kjo revoltë do të arrinte kulmin e saj me përmbysjen e përmendores së diktatorit më 20 shkurt 1991. Besoja se bashkë me të do të vinte edhe përmbysja përfundimtare e sistemit obskurantist mesjetar. Por u gabova. Arsyen do ta shpjegojë më poshtë.

Isha në qytetin tim të lindjes në atë kohë. Ndiqja me vëmendje të jashtëzakonshme ngjarjet që zhvilloheshin në Tiranë. Isha shumë i entusiazmuar. U futa pa hezitim në lëvizjen e madhe për liri dhe demokraci. U bëra anëtar i Partisë Demokratike qysh më 6 janar 1991, kur në Vlorën time, nën hundën e komunistëve, u zhvillua mitingu i paparë i demokracisë. U futa sepse e konsideroja si të vetmen forcë politike që mund të sillte ndryshimin rrënjësor të sistemit.

Më 28 prill 1991 në Tiranë u themelua Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me në krye të nderuarin Osman Kazazi, Mandelën e Shqipërisë së përvuajtur. Më 14 maj të atij viti në Vlorë themelohej Dega e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë me kryetar të nderuarin Hysni Alimerko dhe sekretar unë. Shoqata, në bashkëveprim me Partinë Demokratike, filloi të zhvillonte një fushatë jashtëzakonshme në triumfin e demokracicë. Në këtë kuadër do të veçoja vendimin e marrë, së bashku me Partinë Demokratike, Partinë Republikane, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatën Çamëria, ku violinë e parë ishte shoqata e jonë, për ngritjen në ditën e flamurit, më 28 nëntor, të atij pa yll. Kjo bëhej në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur një gjë të tillë dhe kur një fenomen i tillë nuk kishte ndodhur në asnjë nga qytetet e Shqipërisë. Komiteti Ekzekutiv Pluralist, i përbërë në shumicën e tij nga përfaqësues të Partisë Socialiste, nuk e pranoi propozimin e bërë nga aleanca e djathtë madje, më 27 nëntor ngriti në shtyllën e flamurit atë me yllin e kuq të komunizmit por ishin të përndjekurit politik të qytetit, ishin bijtë e tij të shquar Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu që hipën në shtizën e flamurit grisën yllin e kuq dhe ngritën lart flamurin pa yll. Kjo gjë e detyroi Komitetin Pluralist të pranonte ngritjen më 28 nëntor të flamurit pa yll. Të nesërmen, ndërsa delegacioni i  këtij komitetit  me në krye kryetarin e tij socialist drejtohej për të ngritur flamurin, u dalin para përfaqësuesit e të përndjekurve politikë që u thonë me një ton të vendosur:

Duart e atyre që kanë ngritur flamurin  e  komunizmit,  nuk do    ngrenë f lamurin  e  Ismail

Qemalit. Ky flamur është i yni!

Flamurin   e   ngritën  duart  e  pastra    shtatëmbëdhjetëvjeçarit  Altin  Kokoshi,  birit    ish-të

burgosurit politikë Burim Kokoshit dhe nipit të firmëtarit të aktit të pavaresisë, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist. Kjo është dita më e shënuar në jetën time që nuk do të më shlyhet kurrë nga kujtesa.

22 marsi i vitit 1992 solli fitoren e partisë ku unë bëja pjesë, solli triumfin e demokracisë mbi totalitarizmin. Sistemi socialist kishte marrë një goditje të madhe. Mbeturinat e komunizmit u munduan të pengonin ecjen e Shqipërisë në rrugën e demokratizimit por nuk ia arritën qëllimit. Filluan të organizonin antimitingje të ndryshme por të gjitha u shuan si flluskat e sapunit.  Atëherë filluan të fshihen si minjtë pas rebeshit. U fshehën por nuk u zhdukën. Ashtu në heshtje bënin plane për revansh. Për herë të parë, pas dyzetegjashtë vjet robërie nga vetë shqiptarët, u vendos qeveria e re demokratike, u zgjodh kuvendi i parë demokratik ku mbi një katërtën e tij e tij e përbenin të përndjekurit politikë, madje edhe kryetari i  tij ishte një i përndjekur politik që mbante mbi shpatullat e tij njëzetegjashtë vjet burg politikë. Të përndjekurit politikë u emëruan në poste kryesore të Partisë Demokratike dhe të administratës shtetërore. Në një nga këto poste, si Drejtor i Zyrës së Punës dhe Përkrahjes Sociale Vlorë, u emërova edhe unë. U miratuan shumë ligje që synonin çrrënjosjen e sistemit totalitar. Në ballë të politikës shqiptare qëndronte parimi i barazisë ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë, një harmonizim i marëdhënieve ndërmjet tyre.

Por nuk u treguam të vëmendshëm. Harruam fjalën e urtë popullore “Deri sa ujku mbetet ujk, ai do plumb dhe jo pambuk”. Harruam rrugën nga e cila kishim ardhur. Menduam se me rrëzimin e përmendores kishim rrëzuar edhe sistemin e urryer. Por ne kishim rrëzuar vetëm bronxin e asaj përmendoreje, ndërsa shpirtin e diktatorit e kishim lënë të lirë të endej nëpër Shqipëri dhe të përgatiste pasoja katastrofike dhe këto pasoja shpërthyen ne vitin e zi 1997 me gjithë egërsinë e tyre.

Cilat ishin këto pasoja? Qysh me fillimet e marrjes së pushtetit në vitin 1992 Qeveria Demokratike shpalli programin e saj ku i gjithë populli shqiptar cilësohej “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor” ku të dy palët futeshin në të njejtin thes. Kush ishin bashkëvuajtësit dhe kush bashkëfajtorët? Me gjykimin tim bashkëvuajtës ishim ne që i kishim provuar mbi shpinat tona prangat e rënda të robërisë komuniste, ndërsa bashkëfajtorë gjithë pjesa tjetër e popullsisë shqiptare. Natyrisht unë nuk mund të isha dakord me një të tillë emërtim. Unë, që i kisha hequr mbi shpinën time të gjitha pasojat e atij regjimi të urryer nuk mund të isha dakord që paskam qenë bashkëfajtorë. Çfarë faji kishin qytetarët dhe fshatarët e thjeshtë të vendit nëse Partia Komuniste kishte në programin e saj dhe zbatonte në mënyrën më të egër të ashtuquajturën luftë e klasave që në Shqipëri kishte marrë përmas të jashtëzakonshme? Gjatë asaj periudhe unë mund t’ju them se edhe në rradhët e komunistëve kishte burra të ndershëm që ruanin karakterin e tyre edhe në ato kondita të vështira. Ishin pikërisht këta komunistë që ndoshta në mënyrë indirekte na ndihmuan që ne të mbijetonim. Ky është realiteti i asaj periudhe.

Atëherë, kush ishin fajtorët e vërtetë?. Natyrisht në radhë të parë ishin përfaqësuesit e ish-Sigurimit të Shtetit, përfaqësuesit kryesorë të Ministrisë së Brendëshme nga e cila varej ky organizëm, ish-hetuesit, ish-prokurorët, ish gjykatësit, ish-bashkëpunëtorët vullnetarë të këtij forumi ogurzi që përdoreshin si leva qorre në shërbim të tij. Por çudia më e madhe ishte se pas përmbysjes së sistemit totalitar një pjesë e këtyre xhonglerëve u kthyen në demokratë dhe vazhdonin të ruanin poste të rëndësishme në hierakinë shtetërore.

Një gjë të tillë unë nuk kisha se si ta pranoja. Megjithatë e pranova. E pranova pasi mendoja se kushdo ka të drejtë të heqë dorë nga e keqja që e kishte kllaposur në të shkuarën. Kushdo ka të drejtë që këtë të keqe ta hedhë poshtë dhe të fillojë një rrugë të re, rrugën e demokracisë së vërtetë. Por, më parë ai duhet të pranojë gabimin e bërë në të kaluarën, duhet të kërkojë falje për gjithçka kishte kryer në të shkuarën.  Por kjo nuk ndodhi. Askush nuk kërkoi falje. Asnjë president, asnjë kryetar kuvendi, asnjë kryeministër nuk  kërkoi falje në emër të organizmave që përfaqësonte. Në këto çaste mua më del para syve Papa Gjon Pali i Dytë që kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në periudhën e mesjetës. Më del kancelaria Merkel që kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi në periudhën e Luftës  së Dytë Botërore. Më del së fundi qytetari gjerman që kërkoi falje për krimet e kryera nga ati i tij në masakrën e njohur të Borovës. Atëherë, përse askush nuk kërkon falje për krimet e kryera në Shqipëri në të kaluarën jo shumë të largët?

Si pasojë e të gjithë kësaj në vendin tonë filluan të lulëzojnë të ashtuquajturat “Firma Rentiere” viktimë e të cilave ranë pjesa dërmuese e popullit shqiptar. Ranë viktimë se besonin në demagogjinë e tyre se do t’ua kthenin të hollat e depozituara me dyfishin, trefishin dhe në disa raste edhe me shumëfishin e tyre. Në krye të këtyre firmave ishin pikërisht ata që i kishin mashtruar për vite dhe vite me rradhë. Megjithatë i besuan. Si ka mundësi?

Propaganda komuniste kishte bërë që populli shqiptar    krijonte  bindjen  se këto firma i kishte ngritur qeveria  dhe  i  besonte  premtimeve të tyre. Por, kush ishin drejtuesit e tyre? Përse këto firma u ngritën fillimisht vetëm në qytetin e Vlorës? Të gjitha këto janë pasojë e asaj që kam shkruar më sipër. Me rrëzimin e monumuntit të diktatorit ne rrëzuam vetëm bronxin e tij. Në krye të tyre ishin pikërisht mbeturinat e sistemit të përmbysur që përpiqeshin të gjenin rastin për rikthimin e tyre në pushtet por, kësaj here, në pushtetin kapitalist. Viktimë e kësaj politike ra edhe qeveria shqiptare që nuk gjeti forca t’i ndalojë. E gjithë kjo katrahurë solli vitin e zi 1997 me pasojat e tij tragjike.

Çuditërisht pasojat e kësaj tragjedia ranë përsëri mbi shtresën e të përndjekurve politikë. Madje kjo filloi para këtij viti të zi.     Në një ditë korriku të vitit 1995, dora e zezë e komunizmit vrau një nga bijtë më të shquar të rezistencës antikomuniste, Bujar Kaloshin. Ishte po kjo dorë që do të vazhdonte vrasjet e bijve të tjerë të kësaj shtrese në vitin 1997. Nuk mund të harrohen Lekë Çoku të cilit një kanibale komuniste do t’i pinte edhe gjakun. Nuk mund të harrohen Besnik Hidri, Valter Harizi, Besim Manoli, Gëzim Shabani, Ridi Hamzaraj dhe pas tyre Bashkim Shkurti dhe Fredi Shehu. A keni dëgjuar të jetë vrarë në atë katrahurë ndonjë me prejardhje nga shtresa komuniste. Asnjë. Përse? Përgjigjen le ta japë kush të mundet.

Shtatori i vitit 1998. Përsëri turbullira. Përsëri të vrarë. Midis tyre lideri i studentëve të 90-ës, Azem Hajdari. Atë do ta shoqëronin në banesën e fundit edhe tre të përndjekur politikë. Plumbat do të binin mbi trupat e tyre. Viktima  do të bëheshin Skënder Kalenja të cilit komunistët i kishin pushkatuar të atin, oficerin Rakip Kalenja në ditët e errëta të së ashtuquajturës luftë për çlirimin e Tiranës, Adem Shehu, birin e komandantit partizan Zenel Shehu, pushkatuar nga komunistët në vitin 1948 dhe Isuf Uka nga Macukulli që kishte ardhur në Tiranë për të shpërndarë ftesat e dasmës që do të behej atë muaj, por e vranë.  Përse? Përgjigjen le ta japin përsëri kush të mundet.

Tashmë pushteti kishte rënë plotësisht në duart e së majtës. Ata që e paguan më shtrenjtë këtë ndërrim pushteti ishin pikërisht të përndjekurit politikë. Një pushim i paparë nga puna shpërtheu kundër tyre. Midis tyre isha edhe unë së bashku me djalin dhe vajzën. U hodhën në koshin e plehrave shumë ligje të miratuara nga qeveria e mëparëshme demokratike, si ligji  “Mbi pastërtinë e figurës së punonjësve publikë”, ai “Mbi statusin e të përndjekurit politikë” dhe të tjerë. Në këto kushte u detyrova të braktisja qytetin tim të lindjes dhe të vendosesha në Tiranë duke u aktivizuar me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë si anëtar i kryesisë së saj, madje u vlerësova edhe nga Partia Demokratike duke u emëruar Drejtor i Departamentit të të Përndjekurve Politikë pas ndarjes nga jeta të ish-drejtorit të mëparshëm, të nderuarit Ali Spahia, në vitet 2001-2002. Duke qenë në këtë detyrë, bashkë edhe me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë merrnim pjesë aktive në protestat e shumta të organizuara kryesisht nga Partia Demokratike. Do të veçoja këtu protestën disa ditore të organizuar nga të përndjekurit politikë për heqjen e portretit të diktatorit që ish-Ministri i Jashtëm Paskal Milo e kishte vendosur në ministri dhe ishte kjo protestë që e detyroi ta hiqte.

Më 3 qershor 2005 Partia Demokratike dhe koalicioni i saj erdhi përsëri në pushtet. Nuk do të flas për ndryshimet e mëdha që ndodhën gjatë kësaj periudhe në krahasim me atë të periudhës socialiste. Këtë le ta bëjnë ekspertët e fushave të ndryshme. Si një person që i njoh mirë  dhe  jam marrë me problemet e të përndjekurve politikë, do të flas për marrëdhëniet e kësaj partie me ta dhe këtë e bëjë jo me ndonjë paramendim ta paracaktuar, por për të ditur se çfarë duhet të ketë parasysh kjo parti në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, kur në pushtet kemi qeverinë më të keqe të këtyre njëzetepesë viteve, një qeveri droge e trafikimi të çdo natyre, një qeveri që drejtohet nga përfaqësuesit më në zë të botës së krimit.

Në rast se do të bënim një krahasim ndërmjet dy qeverisjeve të Partisë Demokratike, asaj të periudhës 1992-1997 me atë 2005-2013 do të shohim një diferencë të madhe në trajtimin e shtresës së të përndjekurve politikë. Ajo që bie  në sy më tepër është se ndërsa në periudhën e parë të përndjekurit politikë ishin në nivelin arsimor të mesëm, në të dytën shumica e tyre kishin përfunduar studimet e larta, madje një pjesë e tyre edhe në universitetet më të mira të botës demokratike. Po t’u shtojmë edhe fëmijtë e tyre që për nga niveli arsimor janë shumë më lart se prindërit  atëherë si ka mundësi që në periudhën e parë u preferuan shumë më tepër se në të dytën. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

Le të japim tani disa shembuj të këtyre që përmendëm më lartë:

1. Përfaqësimi në parti. Ndërsa në periudhën e parë kishim shumë njerëz tanët në udhëheqjen e partisë, deri edhe nënkryetarin apo sekretarin e përgjithshëm si dhe shumë kryetarë degësh, në të dytën kjo nuk ndodhi më.

2. Përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë. Nga një e katërta e tij që ishte në periudhën e parë ka rënë në shifra fare të ulta. Një gjë e tillë vihet re edhe në përfaqësimin në Këshillat e Qarqeve, Bashkive dhe Komunave.

3. Përfaqësimi në qeveri. Ndërsa në periudhën e parë kishim përfaqësues deri edhe në rang ministri, drejtori të përgjithshëm, shefash komisariati e të tjerë, në të dytën kjo është reduktuar në shifra të papërfillshme.

Më lejoni tani të theksoj disa nga “lapsuset” e kryera nga qeveria e dytë demokratike.

1. Më 30 tetor 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të Rezolutës  1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” dhe Rezolutës 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare” të Asamblesë Parlamentyare të Këshillit të Europës, organizëm në të cilin shteti shqiptar është  anëtar me të drejta të plota. Kjo rezolutë u miratua vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita e atëherëshme doli nga salla dhe nuk pranoi ta miratonte.

Miratimin e kësaj rezolute të përndjekurit politikë e pritën me entusiazëm pasi ajo plotësonte pothuajse të gjitha kërkesat që ata kishin. Por për fat të keq ajo mbeti vetëm në letër, Asnjera nga pikat e saj, me përjashtim të krijimit të Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit, gjatë tetë viteve të qeverisë demokratike nuk u zbatua. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

2.  Më 12 nëntor 2007 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 9831 “Mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nga regjimi komunist”. Edhe ky ligj u miratua vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita përsëri refuzoi.  Sipas këtij ligji dëmshpërblimi do te kryhej nëpërmjet tetë kësteve pa caktuar një afat përfundimtar. Kështu për një periudhë prej pesë vitesh nga koha e hyrjes në fuqi të tij u likujduan dy këste vetëm për të gjallët, ndërsa për trashëgimtarët një pakicë përfitoi dy këste ndërsa të tjerët një, madje një pjesë edhe asnjë. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

3. Në muajin mars 2010 lexova në median elektronike “Tribuna Shqiptare” një shkrim të redaktorit të kësaj medie, zotit Ajet Nuro,  ku shkruhej:

 

Para disa ditësh lexova një lajm që më bëri shumë përshtypje. Aty thuhej se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj komunizmin… Kuptojeni mirë, NJË DELEGACION I KOMBEVE TË BASHKUARA I KËRKON SHQIPËRISË TË DËNOJ KOMUNIZMIN...

Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj komunizmin, punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar. Dhe kjo 20 vjet pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin.

 

U habita, pasi as qeveria shqiptare, madje as edhe media, nuk kishin njoftuar ndonjë lajm lidhur me këtë çështje. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

4.  Më 14 dhjetor 2010 me nismën e Ministrit te Jashtëm të Lituanisë, zotit Audronius Azubalis gjashtë ministra të jashtëm të Europës lindore dhe pikërisht ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë i dërguan një letër zyrtare Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, ku kërkohej dënimi i krimeve të komunizmit, e cila u mor përsipër për t’u shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga ana  e këtij  komisioni të BE-së.

Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ish-Ministrit  të Jashtëm, zotit Ilir Meta, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore, por ajo mungoi. Edhe për këtë njoftim çdo gjë kaloi në heshtje. Nuk u dha asnjë lajm, as nga qeveria dhe as nga mediat. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

5. Më datën 20 korrik 2015 shoqata e jonë i dërgoi Komisionit të Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi, madje për njoftim edhe ambasadorit të SHBA, zotit Donald Lu dhe asaj të Bashkimit Europian, zonjës Romana Vlahutin, një shkresë zyrtare me numër protokolli 5,  në të cilën i kërkonim që të gjithë ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-hetuesit e regjimit komunist të përjashtoheshin nga çdo organizmë shtetërore. Këtë e shoqëronim edhe me dokumenta të proceseve të improvizuara që këta gjyqtarë kishin dhënë dënime politike,  madje edhe në vitet e fundit të regjimit komunist. Prisnim që dikush të na kthente të paktën një përgjigje. Prisnim që të paktën ndonjëri nga deputetët ta ngrinte këtë çështje në Kuvendin e Shqipërisë. Por kjo nuk ndodhi, madje as edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që ne iu ishim drejtuar heshtën dhe nuk u përgjigjën. Atëherë me shkresën numër 8 datë 20 gusht 2015 iu drejtuam Kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha, me një shkresë ku i kërkonim përkrahjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për këtë çështje, por edhe për këtë nuk morëm asnjë përgjigje. Madje prej asnjerit nga deputetët me prejardhje nga shtresa e jonë nuk dëgjuam ta ngrinin zërin për këtë çështje. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

Këto ishin “lapsuset” e Qeverisë Demokratike në të kaluarën. Një gjë e tillë ka bërë që një pjesë e të përndjekurve të ftohen me Partinë Demokratike pasi nuk duan të përdoren vetëm si burim votash. Ata kërkojnë që të jenë në të njejtin rang me shtresat e tjera të shoqërisë pasi konstatojnë se në vend ekziston një mentalitet i trashëguar nga e kaluara sipas të cilit parimet nacionaliste të trashëguara prej tyre nga prindërit, të kalojnë në heshtje dhe pak nga pak të harrohen.

Ç’duhet të bëjë Partia Demokratike tani që po fillon fushata elektorale për zgjedhjet e ardhëshme për të fituar përkrahjen e tyre. Në rradhë të parë ajo duhet të kërkojë falje për mos zbatimin e çështjeve të ngritura më lart. Të kërkosh falje nuk është dobësi, përkundrazi është shprehje dinjiteti dhe kurajoje.

Cilat janë kërkesat e tyre që duhet t’i ketë parasysh Partia Demokratike, që detyrimisht duhet t’i ketë programi i saj i ardhshëm elektoral?

1. Organizimi i një Konference Kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kuvendit, qeverisë, partive politike, shoqatave të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët

2. Dënimi i   diktatorit   Enver  Hoxha   si   ideatori,  frymëzuesi,  dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore dhe heqja e titujve dhe medaljeve të akorduara gjatë pushtetit komunist.

3. Gjetja dhe rivarrosja e eshtrave të mbi 4000 të rënëve në luftën kundër komunizmit dhe në rast se në varrezat e dëshmorëve do të vazhdojë të qëndrojë ende ylli i kuq i komunizmit,  caktimin e një varreze të veçantë për ta dhe ngritjen e një memoriali madhështor në qendër të kryeqytetit në nderim të tyre.

4. Nderimi i figurave të shquara të të përndjekurve politikë nëpërmjet dekoratave dhe titujve të ndryshëm.

5. Bërja e një ligji të plotë mbi hapjen e dosjeve   ish-bashkëpuntorëvë   sigurimit   shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara, të shoqëruara nga lustracioni pa asnjë përjashtim

6. Bërja  publike e dokumentave që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?

7. Rishikimi i datave dhe simboleve të sistemit komunist    shënojnë  instalimin diktaturës komuniste.  Kur do të hiqen  këto data nga protokollet zyrtare shtetërore?

8. Rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë.

9. Hapja e muzeumeve, kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve të tmerrshëm dhe vendosja e pllakave përkujtimore në vendet ku janë kryer akte të genocidit komunist

10. Barazimi i Statusit të të përndjekurve politikë me atë të veteranëve të luftës, për të arritur paqen sociale në vend.

11. Caktimi i  afatit përfundimtar të zbatimit të ligjin mbi dëmshpërblimin financiar të të dënuarve

politikë.

Të gjitha këto pika nuk janë fantazia ime. Ato janë mishëruar në ligjin e Statusit të të përndjekurve politikë dhe në Rezolutën  “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist” të hartuara dhe miratuara nga mazhoranca e djathtë në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo platformë duhet të shpallet nga Kryetari i Partisë Demokratike në fushatën elektorale dhe nga të gjithë të ngarkuarit e saj nëpër qarqet e vendit. Duhet të shpallet nga të gjithë kandidatët për deputet të Kuvendit të ardhshëm dhe, në mënyrë të veçantë, nga ata përfaqësues që prejardhjen e tyre e kanë nga kjo shtresë. Nga të gjithë personalitetet e shtetit shqiptar deri tani vetem ish-Presidenti Berisha dhe Presidenti Nishani kanë patur në axhendën e tyre çështjet e të përndjekurve politikë duke organizuar ceremoni përkujtimore dhe duke dekoruar me urdhëra të larta ngjarje të shquara të lëvizjes antikomnuniste dhe shumë nga figurat më të shquara të kësaj  rezisatence. Shembullin e tyre duhet ta ndjekin edhe personalitetet e tjera.

Në bazë të të dhënave të nxjerra nga Instituti i  Integrimit të Përndjekurve Politikë, nga përndjekja politike e kanë pësuar rreth 500.000 persona, shifër që duke e krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë së  atëherëshme të Shqipërisë prej 2.000.000 banorësh, rezulton se përqindja e të përndjekurve politik është 25%, një shifër që mund të përmbysë gjithçka dhe që nuk duhet nënvlerësuar. Por nuk duhet harruar, jo të gjithë të përndjekurit politikë janë me Partinë Demokratike. Midis të përndjekurve politikë kanë qenë edhe pinjollët e komunizmit që vetë regjimi i burgosi për përplasje interesash dhe këta natyrisht do të votojnë për Partinë Socialiste. Nëqoftëse shifrës prej 25% i zbresim 5% që janë pinjollët e komunizmit rezulton se 20% e të përndjekurve do të votojnë për Partinë Demokratike në rast se ajo do të plotësojë kërkesat e tyre. Në të kundërt ata do të heshtin dhe nuk do të shkojnë në votime por kurrë nuk do të votojnë për Partinë Socialiste. Një parti serioze këto llogari duhet t’i bëjë.

Këto  ishin mendimet që më dolën para syve në çastin e refleksionit tim. Kush ka veshë le t’i dëgjojë, në të kundërt shumë shpejt do t’ia shohë pasojat. E theksoj, jam anëtar i Partisë Demokratike qysh në ditët e para të krijimit të saj dhe vazhdoj të jem edhe në ditët tona. Jam dhe do tjem përkrah saj, por jam edhe Kryetar i Degës së Tiranës të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë dhe si i tillë duhet të mbroj edhe interesat e kësaj shtrese. Dëshëroj që kjo parti të bëhet plotësisht një parti e djathtë europiane dhe të shkëputet plotësisht nga mentaliteti i majtë komunist që ekziston në një pjesë   të anëtarëve të saj.

Ju lutem të më kuptoni drejtë. Ky është botëkuptimi im. Kjo është rruga nëpër të cilën unë dua të eci.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora