Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Kërkohet reformë e sistemit të pensioneve

| E enjte, 19.05.2016, 08:30 PM |


Kërkohet reformë e sistemit të pensioneve    

PENSIONISTËT PËRKRAHIN NDRYSHIMET, POR KËRKOJNË REFORMË  RRËNJËSORE TË SISTEMIT  PENSIONAL

Nga Adil FETAHU

Kohë më pare, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vënë në diskutim publik Projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Shihet  qartë se ai Projekt-ligj është bërë në bazë të opsionit 3 të rekomandimeve nga një analizë e paradokohshme e Ministrisë, e titulluar: “Draft koncept-dokumenti për rregullimin e fushës së pensioneve”, ku dominonte përcaktimi që tashpërtash të bëhen vetëm disa ndryshime e plotësime të ligjit ekzistues. Projekt-ligji përmban tekstin për ndryshimin dhe/ose plotësimin e pjesërishëm ose të tërësishëm të  6 neneve të ligjit bazik (neni: 3; 7; 10;  12; 19; 24).

Çka ndryshohet a plotësohet dhe cilat kategori i tangon?

Ndryshimi i nenit 3 të ligjit bazik, konsiston në përkufizimin e emërtimeve, dhe plotësimin e disa kushteve shtesë. Kështu, emërtimi i deritashëm “pensioni bazik i moshës”, zëvendësohet me fjalët: “pensioni social i pleqërisë”, ndërsa emërtimi “pension i paaftësisë së përhershme”, zëvendësohet me: “pensioni i aftësisë së kufizuar”. Gjithnjë, në kapitullin e përkufizimit të shprehjeve në ligj, pas  pikës 13 të nenit 3 të ligjit bazik, janë shtuar dy pika (14 e 15),  për të sqaruar se çka konsiderohet “vendbanim i përhershëm”, dhe kushti që duhet plotësuar për t’u konsideruar si banor aktual. Neni 7 i ligjit bazik, që ka të bëjë me kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës së pensionit bazik të moshës (tash: “pensioni social i pleqërisë”), ndryshohet dhe plotësohet me elemente të reja, që kanë të bëjnë me dokumente valide për të dëshmuar se janë qytetarë  (ndoshta mendohet: shtetas), ose banorë të përhershëm në Republikën e Kosovës (së paku 10 vjet, prej të cilave së paku 5 vjetët e fundit me venbanim të përhershëm në Kosovë. Kjo vlenë edhe për shtetasit e huaj me vendbanim të përhershëm në Kosovë. Është përcaktuar se pensioni social nuk do t’iu paguhet personave të cilët kanë përfitime tjera nga buxheti i Kosovës,  atyre që marrin pension nga Trusti i kursimeve pensionale të Republikës së Kosovës, apo çfarëdo përfitimi financiar nga ndonjë vend tjetër, ose marrin të hyra tjera të rregullta mujore. Ministria do të nxjerr akt nënligjor lidhur me monitorimin dhe verifikimin e përmbushjes së kushteve të përmendura më sipër dhe masat që do të merr ndaj keqpërdoruesve eventualë. Projektligji ashpërson kushtet për njohjen e të drejtës së pensionit të parakohshëm, të parapara në nenin 10  par.1 të ligjit bazik, e që kanë të bëjnë me punëtorët e kompleksit “Trepça” dhe të minierave tjera, të cilët janë larguar nga puna pas datës  1 janar 1989, e që kanë pritur por nuk kanë gjetur punë në periudhën prej 1.07.1999 deri më 31.12.2004. Edhe për këtë kategori është thënë se të drejtat e tyre do të caktohen me akt nënligjor (gjë që nuk është në rregull, sepse të drejtat  dhe kushtet  caktohen vetëm me ligj, ndërsa me akt nënligjor mund të caktohet vetëm procedura e realizimit të të drejtave të parapara me ligj).  Edhe për pensionet familjare (neni 12 i ligjit bazik), është thenë se kjo e drejtë dhe procedura e realizimit të saj, do të caktohen me akt nënligjor të cilin e nxjerr Ministria! Pas nenit 12 të ligjit bazik, shtohet neni i ri (12/A),  në të cilin përcaktohen dokumentet që duhet paraqitur me rastin e aplikimit për cilëndo nga skemat pensionale të financuara nga shteti, ku janë numëruar taksativisht dokumentet kumulative ose alternative që do të konsiderohen të vlefshme. Me këtë plotësim të ligjit, ashpërsohen kushtet për realizimin e të drejtës së përfitimit nga cilado skemë e përmendur. Ndryshimi i pjesëshëm i nenit 19 të ligjit bazik, ka të bëjë me shkurtimin e afatit për të vendosur për kërkesën e aplikuesit, prej 60 ditëve, në 30 ditë. Edhe më tutje mbetet obligimi i lajmërimit të pensionistëve çdo gjashtë muaj, në zyrat e pensioneve, me dokumente përkatëse të identifikimit, që përcaktohet me akt nënligjor të Ministrisë, kurse aktet nënligjore duhet të nxirren në afat prej 6 muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet, e këto ndryshime e plotësime do hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Cilat ndryshime e plotësime do të mbeten, do të shihet pasi ato të miratohen në Kuvendin e Kosovës.

Qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve

Marrë në përgjithësi, me këtë Projekt-ligj synohet të vehet një rend, rregull, kontrollë dhe disiplinë më e rreptë në shfrytëzimin e mjeteve të buxhetit, të destinuara të drejtave të caktuara në skemat  pensionale të financuara nga shteti.  Janë detajuar dhe pakashumë janë ashpërsuar kushtet dhe kriteret për pensionin social, si për qytetarët e Kosovës, ashtu edhe për shtetasit e huaj që banojnë në Kosovë (10 vjet banorë, e 5 vitet e fundit me vendbanim të përhershëm në Kosovë). Veç kësaj, pensioni social nuk do t’iu jepet (nuk do t’iu paguhet) personave të cilët marrin çfarëdo pagese të rregullt mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, apo nga Trusti i Kursimeve Pensionale, ose çfarëdo përfitimi  tjetër (të rregullt mujor) financiar nga ndonjë vend tjetër e që është baras ose mbi nivelin e “pensionit social”.  Ministria do të monitorojë dhe inspektojë rregullsinë e përmbushjes së kushteve të caktuara. Në praktikën e deritashme është vërejtur se pagesa nga skemat pensionale të financuara nga shteti kanë marrë persona të cilëve këto pagesa nuk do iu takonin, ngase kanë pasur përfitime e pagesa mujore edhe nga burime tjera, qoftë nga buxheti i Kosovës, apo nga burime tjera brënda ose jashtë vendit, si dhe persona të cilët fare nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës. Me ndaljen e kepërdorimeve të vërejtura, do kursehen mjete të konsiderueshme, të cilat mund të përdoren për destinime të caktuara përfituesve të ligjshëm.

Për pensionet e kontributpaguesve, nuk ka ndonjë ndryshim esencial as plotësimi të ligjit në fuqi.

Pensionistët përkrahin ndryshimet, por edhe kërkojnë reformë të sistemit të pensioneve

Organet e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës e kanë shqyrtuar dhe mbështesin  ndryshimet e propozuara, për qëllime të vënies së një rendi, rregulli, drejtësie dhe disipline në shfrytëzimin e mjeteve të  buxhetit të varfër të Kosovës,  të pengimit dhe evitimit të keqpërdorimeve nga njerëz të pandërgjegjshëm, apo nga persona të cilët nuk do duhej të kishin të drejtë në pagesat që marrin, qoftë në bazë të kriterit të përfitimeve nga burime tjera, qoftë të kriterit të statusit civil qytetarit ose banorit (jo)resident në Republikën e Kosovës. Në Kuvendin vjetor të Lidhjes së Pensionistëve, që u mbajt më 14 maj k.v, në të cilin mori pjesë edhe ministri Arban Abrashi dhe foli për nevojën dhe qëllimin e ndryshimeve, pensionistët i dhanë mbështetje ndryshimeve të propozuara, por njëherit kërkuan  që sa më parë të fillohet me hartimin dhe miratimin e një ligji të përgjithshëm reformues të sistemit të pensioneve.

Pensionistët e Kosovës konsiderojnë se ky Projekt-ligj është vetëm një “harrnim” i përkohshëm i Ligjit në fuqi, i të ashtuquajturave “skema pensionale”, e nuk është zgjidhje e duhur, dhe se është e domosdoshme një reformë rrënjësore,  gjithëpërfshirëse e sistemit të pensioneve dhe sigurimit pensional dhe invalidor. Sepse, sistemi aktual i skemave pensionale, nuk është sistem pensional, por tërësisht është skemë e ndihmave sociale, derisa të gjitha paguhen nga buxheti i shtetit, në parametra të barabarta, e jo pensione që burojnë nga sigurimi pensional dhe invalidor dhe kontributi individual.  Fjala është për pensionistët nga marrëdënia e punës, të cilët gjatë punës aktive kanë paguar (dhe paguajnë) kontribute nga të ardhurat e tyre. Një ligj sistemor gjithpërfshirës për sigurimin pensional dhe invalidor, që do të krijonte një reformë të këtij sistemi, sipas modelit të bazuar në solidaritetin midis gjeneratave; modeli i Bizmarkut, që ka funksionuar dhe akoma funksionon me sukses qysh prej vitit 1839, dhe të cilin e kanë edhe sot e kësaj dite shumë shtete të zhvilluara,  dhe modaliteteve shtesë të kursimeve individuale, është më se i domosdoshëm. Fundi-fundit, eforma e sistemit pensional do të jetë obligim i shtetit të Kosovës edhe në procesin e stabilizim-asocimit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.

Reforma e sistemit të pensioneve, për shkaqe të njohura, është një temë aktuale edhe në shumë vende të zhvilluara, dhe është temë e ndieshme dhe e dhemshme, sepse përfshinë një popullatë të gjërë: pensionistët aktualë të të gjitha kategorive, dhe punëtorët aktualë (pensionistë të ardhshëm). Mirëpo, nevoja dhe arsyet e reformës janë të shumta. Sepse, sistemi aktual është i paqëndrueshëm dhe jo  i drejtë; është barrë e rëndë  dhe e papërballueshme për buxhetin e shtetit, ndërsa  niveli i pagesave aktuale  nuk siguron një jetesë të dinjitetshme të pensionistëve. Me një ligj të reformës së sistemit pensional, duhet të përfshihet e gjithë popullata me sigurimin pensional dhe invalidor: punëtorët në sektorin publik dhe privat, zejtarët, të vetëpunësuarit, bujqit, por edhe duhet të ashpërsohen kushtet për pension të parakohshëm dhe pension invalidor; të shtyhet gradualisht mosha e daljes në pension; të reduktohen të drejtat e kategorive të privilegjuara dhe lista e punëve me stazh të beneficuar; valozirimi vjetor i pesioneve të bëhet sipas formulës zvicërane: 50% me shpenzimet e jetesës dhe 50% me inflacionin, - e modalitete tjera të përshtatura nevojave, kushteve dhe mundësive të Kosovës.

Me ligj reformues të sistemit pensional-invalidor, duhet të sigurohen burime reale të mjeteve për fond të qëndrueshëm pensional-invalidor. Atom und të sigurohen në përqindje të caktuar nga çmimi i artikujve luksozë, duhani, pijet alkoolike, nafta e benzina, etj. Trusti i tashëm i kursimeve pensionale duhet të transformohet, ndërsa mjetet e lira të grumbulluara në Trust, të shfrytëzohen për pagesat e pensioneve vijuese, duke garantuar mekanizma të sigurtë që të mos dëmtohen kursimtarët e atij Trusti kur të arrijnë moshën ose  kushtet tjera të caktuara për shfrytëzimin e mjeteve të kursyera. Është jashtë çdo logjike që pensionistët të mos kenë kurrëfar përfitimi nga ndërmarrjet e privatizuara, në të cilat kanë punuar e kontribuar 30 a 40 vjet, ndërsa punëtorët që ishin në marredënie pune në kohën e privatizimit, vetëm me 3 vjet stazh, përfituan 20 përqindëshin, ndonëse nuk ishte ndonjë përfitim i madh, për shkak se ndërmarrjet u shitën me çmime tejet të lira. Prandaj, një pjesë (së paku 20 përqint) e mjeteve të grumbulluara nga procesi i privatizimit, do duhej të shkonte në fondin e pensioneve. Ka edhe shumë mundësi tjera të sigurohen burime mjetesh për fondin e pensioneve.