Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Çertifikohen 10 studentë për gazetari

| E diele, 15.05.2016, 08:08 AM |


Foto e përbashkët, pasi studentët morën çertifikatat…

PESË VJET, PRAKTIKË DOBIPRURËSE E “MEDIA-KONTAKTIT”

(Çertifikohen 10 studentë, për gazetari)

Nga Prof. Murat Gecaj - publicist e studiues

Një ndër profesionet më të bukur dhe të pëlqyer, për të rejat dhe të rinjtë tanë të talentuar, është gazetaria. Siç dihet, pranë shkollave të larta janë hapur degë të tilla, të cilat i përfundojnë sa e sa studentë. Pastaj, shumë prej tyre, fatkeqësisht jo të gjithëve, ua shohim temrat në gazeta e në faqe të ndryshme të Internetit ose në median elektronike, pra në radio a televizione. Nuk po ndalemi këtu në aftësitë, që ata shprehin ose shfaqin në jetë, gjë që lidhet edhe me tërë punën e veprimtaritë, të cilat i kanë zhvilluar ata gjatë periudhës së studimeve disavjeçare.

Kësaj radhe, fjalën e kemi për një praktikë tjetër mjaft dobiprurëse, që ka nisur këtu e pesë vjet më parë, nga drejtues të Media-Kontaktit. Konkretisht, pas njoftimit të bërë, aty u paraqitën për të provuar aftësistë e tyre, në fushën e gazetarisë, rreth 100 veta. Prej tyre, u përzgjodhën 10 vajza, që premtonin më shumë. Pastaj, nën drejtimin e publicistëve të njohur dhe specialistëve të kësaj fushe, morën pjesë në trajnimin profesional 3-javor, me temë “Njohuri praktike për gazetarinë”.

Kështu, ata do t’i dëshmonin aftësitë e tyre për njohjen dhe realizimin e proceseve të punës në Televizionin Kontakt. Sigurisht, kjo gjë kërkonte aftësimin në disa procese pune, si: përdorimin e kameras, përgatitjen e tekstit  dhe realizimin e vidiomontazheve. Me rëndësi ishte edhe përzgjedhja e tematikës, pra se ku studentët do ta realizonin temën e tyre. Sigurisht, gjatë asaj kohe, ata u përballën me vështirësi të ndryshme, të cilat i tejkaluan,, me ndihmën e pedagogëve të fushës së gazetarisë e televizionit, si prof.Hamit Boriçi e gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilirian Agolli, Esat Teliti etj.

Në tërë këtë punë intensive, me vlera teorike e praktike, me Media-Kontakt bashkëpunoi e ndihmoi Instituti i Karrierës “Proteus”, institucion i njohur për trajnimet në fushën e gazetarisë.

Pas tre javësh punësh e veprimtarishë të dendura, u arrit që sot paradite të organizohej festa përmbyllëse. Veprimtaria u organizua në mjediset e Amfiteatrit të  Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Ishin të ftuar përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj elektronike, studentë  nga disa universitete të kryeqytetit etj.

Në fillim të veprimtarisë, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi shfaqja në ekran e një reportazhi njohës, për Media-Kontaktin. Kjo e filloi jetën 18 vjet më parë e gjatë kësaj kohe ka dhënë një ndihmesë mjaft të çmar në periudhën e vendosjes dhe konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. Më tej, ishin interesantë vidiomantazhet e shfaqura, të cilët i kishin realizuar vetë studentët e kursit trajnues.

Për punën  e bërë me këta studentë folën: drejtoresha e Media-Kontaktit Jolanda Lila, prof.Musa Kraja, gazetarët Ilirian Agolli e Shpresa Ukcama dhe Esat Teliti. Gjithashtu, i përgëzuan ata për punën e mirë dhe realizimin cilësor të vidiomontazheve të tyre. Me rëndësi ishte se studentët trajtuan anë të ndryshme të jetës, si familjen, botën fëminore, jetën qytetare me problematikën e saj etj.

Çast emocionues ishte koha, kur studenteve iu dorëzuan Çertifiktat përkatëse. Ndonjëri nga ata foli dhe falënderoi përzemërsisht, si nismëtarët e këtij kursi dhe pedagogët, që i udhëhoqën në ditët e kursit trajnues.

Shënojmë këtu se morën pjesë me sukeses në këtë kurs trajnues dhe merituan çertifikatat në fushën e gazetarisië, studentët: Erisa Sipri (moderatore e veprimtarisë së sotme), Alma Ismaili, Fjona Çela, Armela Malaj, Enxhi Beka, Krenita Xhaferri, Ledjana Mërtiri, Xhevrije Xhani, Anxhela Shurbi dhe Entela Hidri.

Pastaj, të pranishmit bënë fotografi të përbashkëta dhe morën pjesë në një kokteil, që ishte shtruar për të gjithë të ftuarit.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i përgëzojmë për realizimin, për herë të pestë të kësaj nisme dhe tërë veprimtarisë, Media-Kontaktin, me drejtoreshë Jolanda Lilën dhe pedagogët, që punuan për trajnimin e këtyre krsaantëve. Shpresojmë dhe presim që këta studentë do ta dëshmojnë me punë cilësore, përgatitjen e tyre profesionale dhe emrat e tyre do t’i shohim, me sa më shumë sukses,  në median e shkruar dhe atë elektronike!

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Tiranë, 14 maj 2016