E enjte, 28.03.2024, 12:18 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Një shfaqje e shkëlqyer

E diele, 15.05.2016, 08:33 AM



R e p o r t a zh

Nga Shkolla e mesme e ultë “Lidhja e Prizrenit” në Pejë

BOTA SHTAZORE DHE BIMORE ËSHTË JETA JONË...!

(Një shfaqje e shkëlqyer dhe me mesazh të lartë, në të cilën nxënësit apelojnë dhe ngrehin zërin për ruajtjen dhe mbrojtjen e botës shtazore dhe bimore në botë)

Nga Sejdi BERISHA

Peja është njëra prej qendrave komunale të Kosovës, e cila ka një traditë të begatë në zhvillimin e vlerave arsimore, kulturore dhe shkencore e historike. Kjo komunë, nëpër periudha kohore ka dhënë kuadro të shumta, të cilat sot, por edhe përpara, kanë qenë faktorë në zhvillimin e komunës, Kosovës dhe më gjerë. Kjo është arritur falë punës së lodhshme të punëtorëve të arsimit, të cilët ambiciet dhe vullnetin e tyre për t’i aftësuar dhe për t’i begatuar me dituri gjeneratat e reja, përveç procesit mësimor, ata, në kuadër të punës së tyre realizojnë edhe shumë aktivitete dhe programe kulturore, me të cilat afirmohen edhe krijuesit e rinj, por edhe sensibilizohet secili nxënës për t’u kyçur në ruajtjen e begative në të gjitha fushat. Në këtë aspekt, shquhet edhe Shkolla e Mesme e Ultë, “Lidhja e Prizrenit”, e cila për çdo vit me programet e nxënësve të saj nuk u prezantohet vetëm shkollarëve të këtushëm, por edhe opinionit të gjerë në kuadër të qytetit dhe më gjerë.

_______________

Këto ditë, në përmbyllje të ciklit të ultë shkollor, nxënësit e klasës së pestë (V/1), të mësueses, znj. Nevryze Taraku Sanaja, në Kino-Teatrin “Jusuf Gërvalla” në Pejë, shfaqen një program të pasur kulturor dhe me mesazh të veçantë për mbrojtjen dhe ruajtjen e florës dhe të faunës kudo në natyrë, duke pasur parasysh se prej viti në vit, ruajtja dhe mbrojtja e shtazëve por edhe e botës bimore, është në rënie. Pikërisht për këtë arsye, moshatarëve të tyre, prindërve por edhe qytetarëve të shumë ua prezantuan programin e larshmishëm, me mesazhin shumë aktual dhe të qëlluar për t’i mbrojtur begatitë natyrore.

Ata, duke interpretuar role të shtazëve të ndryshme, të cilat, si gjithnjë, nxënësit dhe fëmijët i duan dhe se për ta bota shtazore dhe bimore krijon shumë ëndrra, të cilat pastaj reflektojnë në ndërtimin e karakterit të tyre edukativ dhe arsimor.

Mësuesja, znj. Nevryze Taraku Sanaja, duke e hapur shfaqjen e nxënësve të klasës së V/1 të SHMU “Lidhja e Prizrenit” në Pejë

Në skenë, e cila ishte mirë e kombinuar me slajde filmike në bezin e bardhë (ekranin e kinemasë), dolën fëmijët të pajisur me gardërobën e qëlluar që imitonin shtazët e ndryshme, e që përmes rrëfimeve dhe interpretimit të tyre të shkëlqyeshëm, publikut ia prezantuan “hallet” e shtazëve, të cilat thuaja se drejtpërdrejtë ngritën zërin që të mbrohen nga dora e njeriut, i cili, shpeshherë pamëshirshëm në pyje, bjeshkë dhe në shkrepa të larta, me të cilat është i pasur vendi ynë por edhe bota, tinëzisht i vrasin ato, dhe prej viti në vit zvogëlohet numri i tyre.

-“Mos na vrisni, se ne jemi thesari dhe begatia e natyrës, e atdheut dhe botës”, dëgjohej zëri i arsyes dhe i protestës së shtazëve i dalë nga goja e ëmbël e fëmijëve, të cilët e madhështonin skenën me lojën e tyre.

Mirëpo, bota shtazore nuk përballet me probleme vetëm në male, pyje e shkrepa, por ajo përplaset me shumë dukuri negative të njeriut edhe në det dhe oqeane, pra, në botën nënujore.

Edhe në këtë segment, nxënësit e klasës së V/1 të Shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, na ofruan performansë të shkëlqyer duke interpretuar rolin e shtazëve që jetojnë në botën nënujore, siç janë peshqit e ndryshëm.

Një interpretim i shkëlqyeshëm i nxënësve me mesazhin për mbrojtjen dhe ruajtjen e botës shtazore dhe bimore

“Ne jemi zogj që i japim lumturi këngës, pikturës, luleve dhe maleve, e inspirojmë edhe shkrimtarin, edhe poetin...

Edhe në këtë pikë të realizuar mirë dhe duke na ofruar mesazhin e qëlluar, sikur për një moment na shkëputen nga realiteti, dhe u gjendem pikërisht me ta në botën e shtazëve që jetojnë në ujë... Sa bukur ishte... Të gjithë shikuesit u ndjen mirë me interpretimin e shkëlqyeshëm të nxënësve, që nesër ndoshta dikush prej tyre do të bëhet edhe aktor i shkëlqyeshëm...

Çfarë ishte edhe më interesant. Programi i këtyre nxënësve, nuk ishte i përqendruar vetëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e shtazëve dhe të botës bimore në Kosovë dhe as në trojet tjera shqiptare, por, ai ishte i sublimuar duke na dërguar në shumë vende të botës, si në Madagaskar, në Amazona, në vende të ndryshme të Afrikës etj.

Shumë prindër, nxënës por edhe qytetarë të tjerë, me kujdes ndoqën shfaqjen kushtuar mbrojtjes së florës dhe faunës...

Edhe kjo është shprehje e asaj, se mësuesja e kësaj klase, kishte qenë e kujdesshme që programi të jetë plotësisht gjithëpërfshirës, kur është në pyetje flora dhe fauna, sepse, toka është e të gjithëve, e të gjithë njerëzve ku jetojnë dhe veprojnë. Për këtë arsye, edhe pesha e shfaqjes ishte me veti e cilësi profesionale edukative, arsimore mbase edhe kulturore.

Këtë e përmbyllen si performansë madhore edhe prezantimi i fëmijëve në rolet e zogjve të ndryshëm, të cilët janë bukuria dhe madhështia e të gjitha bukurive natyrore kudo në botë, prej nga inspirohen edhe shkrimtarët, edhe piktorët, edhe këngëtarët....

Edhe interpretimi i përrallave përcollën mesazhin për ngritjen e vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit për mbrojtjen e natyrës, por edhe për të mësuar sa më shumë për vlerat dhe madhështinë e bukurive që i ka natyra

Mirëpo, realizimi i programit, që të mos bëhej monoton, ai ishte gërshetuar mirë edhe me kërcime dhe valle të shumta, të cilat, vërtet, shfaqjen e shndërruan në spektakël të vërtetë.

Edhe vallet e gërshetuara mirë me të gjitha pjesët e programit ia ngritën vlerat artistike shfaqjes së nxënësve

Pas përfundimit të shfaqjes, drejtori i SHMU “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, z. Rexhep Bogu, mësuesen, znj. Nevryze Taraku Sanaja, e përgëzoi duke ia dhuruar edhe një buqetë lulesh.

Ndërsa, duke përshëndetur këtë eveniment kulturor të fëmijëve, drejtori i Shkollës së Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, z. Rexhep Bogu, theksoi se punëtorët e arsimit të kësaj shkolle dhe nxënësit, jo vetëm sivjet, por për çdo vit shquhen me aktivitete të lira dhe kulturore, të cilat e kanë afirmuar punën e këtij institucioni arsimor edhe në nivel të qytetit por edhe në shkallë vendi. Dhe, jo vetëm me aktivitete të tilla, por edhe në garat e ndryshme të diturisë, nxënësit e kësaj shkolle janë nderuar me çmime të shumta, e këtë e dëshmon edhe rasti më i ri, kur nxënësja e kësaj shkolle, Andrra Haxhiislami, me sukseset e saja, arriti që shkollën dhe Kosovën ta prezantojë në Garat Ndërkombëtare të Diturisë që do të mbahen në Venecia.

Vlen theksuar se shfaqjet dhe programet e tilla, mbështeten edhe nga shumë organizata të ndryshme që angazhohen për mbrojtjen e natyrës dhe të ambientit dhe jo vetëm të këtyre dy faktorëve, e siç është, Kosova Vision Kontest.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora