E enjte, 28.03.2024, 05:37 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

2 mijë lekë është një ditë burgu

E shtune, 16.08.2008, 02:51 PM


Shkruar nga Aulona Kadillari    

Për të llogaritur se sa do të vuajnë dënimin ata që nuk e kanë paguar gjobën e dhënë nga gjykata, atëherë duhet që të dinë se sa është një ditë burg. Sipas Kodit të Procedurës Penale, një ditë burgu është e barabartë me 2 mijë lekë të rinj. Kjo shifër më pas llogaritet edhe me gjobën dhe më pas kthehet në ditë burg. Por burime nga gjykata bënë të ditur se, para se të ishte kjo shifër parash me 2 mijë lekë të rinj, disa kohë më parë gjoba është llogaritur me 5 mijë lekë të rinj.
Kështu që, nëse një i dënuar ka marrë gjobën kur ka qenë në fuqi 5-mijëlekëshi, atëherë ditët e burgut do të llogariten me këtë shifër, ndërsa, nëse ai është dënuar kur ka hyrë në fuqi 2 mijë lekë të rinj për një ditë burg, atëherë gjoba do të konvertohet me këtë shifër parash.

Përllogaritja e ditëve të burgut
 
Nëse një i dënuar për gjobë nuk i paguan paratë në ditën e caktuar nga gjykata, atëherë prokuroria kërkon po në këtë organ kthimin nga para në ditë burgu. Kjo sjell më pas që dënimi është i kryer dhe i dënuari nuk ka më punë me drejtësinë shqiptare. Kështu nga i lirë, ai duhet të shkojë në qeli. Por burime nga organi gjykues bënë të ditur se, në disa raste, në këto ditë që kthen në burg llogariten edhe ato të masës së sigurisë. Kështu, nëse i dënuari ka qenë me masë sigurie "arrest në burg" e më pas ka dalë po nuk ka paguar gjobën, atëherë kjo e fundit kthehet në ditë burgu duke llogaritur masën.

Një ditë burgu ishte 5 mijë lekë

Deri para pak kohësh një ditë burgu llogaritej me pesë mijë lekë të rinj. Më pas kjo shifër është ndryshuar duke e ulur shifrën. Këto përllogaritje përcaktohen në Kodin e Procedurës Penale, në të cilin disa kohë më parë thuhet që qëndrimi 24 orë në qeli me pa të drejtë dëmshpërblehet me 5 mijë lekë të rinj. Gjithashtu edhe gjoba llogaritet në ditë burgu me 5 mijë lekë. Kjo përdoret edhe tani, por vetëm nëse dënimi është marrë në atë kohë kur ka qenë në fuqi kjo shifër.

Një ditë burgu është 2 mijë lekë

Tashmë ka ndryshuar qëndrimi, një ditë në qeli nuk llogaritet më me 5 mijë lekë, por me 2 mijë lekë të rinj. Burime nga gjykata bënë të ditur se kjo shifër ka disa kohë që ka ndryshuar dhe tani e tutje 24 orë në qeli do të llogariten me 2 mijë lekë të rinj.

Përballë gjobës preferojnë që të bëjnë disa ditë burg. Vetëm për këtë vit, Gjykata e Faktit në Tiranë u ka konvertuar dënimin 39 të pandehurve që kanë marrë një vendim në këtë institucion. Një ditë burg kushton 2 mijë lekë të rinj. Por nga të gjitha këto raste, vetëm katër janë femra. Burime nga gjykata bëjnë të ditur për gazetën "Tirana Observer", se vetëm gjatë këtij viti kjo gjykatë ka gjykuar 39 çështje për konvertim dënimi. Të njëjtat burime konfirmojnë se, në këto raste të gjykuara përshihen persona për të cilët u është kthyer dënimi nga gjoba që kanë marrë në vlerë monetare në ditë burg. Ndërkohë ka dhe raste kur janë lënë të lirë persona të cilët kanë vënë një garanci pasurore në këmbim të vuajtjes së dënimit. Por edhe e kundërta, nga ditë burgu në para.

Konvertimi

Burime nga gjykata bëjnë të ditur se, në rastet kur personat merren si të pandehur, në varësi të veprës penale që kanë kryer marrin si dënim një gjobë në vlera monetare. Kjo e fundit varion sipas natyrës dhe rëndësisë së veprës penale për të cilën do të mbajnë përgjegjësi dënimi, ku kjo gjobë mund të konvertohet në ditë burgu. Kështu, vetëm gjatë këtij viti, në Gjykatën e Faktit të Tiranës janë konvertuar nga dënim me gjobë në dënim me burg rreth 39 raste. Konvertimi varion në bazë të shumës së detyrimit që ka personi ndaj shtetit. Sipas legjislacionit që është në fuqi, në vendin tonë një ditë burg është e barabartë me 2 mijë lekë të rinj. Sipas burimeve nga gjykata, nëse një person nuk paguan detyrimet që ka ndaj institucioneve, është i detyruar që të qëndrojë në qeli duke konvertuar shumën e detyrimit në ditë burg.
 
Të pranuar

Kërkesa në gjykatë për të konvertuar dënimin nga gjobë në burg për 39 persona është bërë nga prokuroria. Sipas burimeve nga organi gjykues, mësohet se mospagesa në kohë e gjobës së dhënë ka detyruar akuzën që të kërkojë në gjykatë kthimin e saj në ditë burgu. Kështu nga 39 kërkesa janë pranuar për kthimin në ditë burgu të 12 personave, ndërsa të tjerëve pritet që t'u jepet përgjigjja në ditët në vazhdim. Ndërkohë, për 12 persona, gjoba e kthyer në ditë burgu i ka bërë ata që të qëndrojnë në qeli për disa ditë. Paratë janë kthyer në ditë burgu, ku 24 orë janë të barabarta me 2 mijë lekë të rinj. Këto llogariten edhe me gjobën duke dalë ditët e burgut.
Të pushuara

Për katër të dënuar Gjykata e Tiranës nuk ka qenë e të njëjtit mendim me prokurorinë për kthimin e gjobës në ditë burg. Një nga këta të katërt është edhe Luiza Hoxhaj, ish-drejtoresha e Postës Shqiptare. Ajo ishte dënuar me gjobë për shpërdorim detyre. 

Luiza Hoxhaj rrezikon qelinë

Mospagesa në kohë e gjobës së caktuar për pak sa nuk i ka kushtuar rikthimin në qelitë e burgut ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Postës Shqiptare, Luiza Hoxhaj. Prokuroria e Tiranës muaj më parë paraqiti në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për konvertim dënimi nga gjobë në burg, pasi e dënuara nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës dhe nuk e ka paguar ende gjobën e vendosur nga gjykata. Në këto kushte, akuza kërkon që pjesa e papaguar e detyrimit të shlyhet duke e rikthyer ish-drejtuesen 48-vjeçare pas hekurave të burgut. Ish-kreu i postës ishte dënuar me 1 vit heqje lirie dhe 700 mijë lekë gjobë. Ajo u shpall fajtore për shpërdorim detyre dhe për këtë arsye u dënua nga gjykata. Sipas vendimit, i cili mori formë të prerë pasi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, Hoxhaj duhet të paguante gjobën brenda datës 4 nëntor 2007. Por kjo kërkesë e prokurorisë nuk është pranuar nga organi gjykues i kryeqytetit duke e pushuar këtë çështje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora