E enjte, 25.04.2024, 11:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Ibrahim Gani: Shkrimtarët shqiptarë u përzunë

E merkure, 11.05.2016, 08:31 PM


Shkrimtarët shqiptarë, falë “ndihmës” të shtetit çakallos dhe “disidencës demokratike shqiptare” u përzunë sikur të ishin një bandë hajdutësh dhe kriminelësh.

E nderuara Ministre e Kulturës, Zonja Mirela Kumbaro,

duke ju uruar mirësi dhe mbarësi në detyrën Tuaj, përmes kësaj letre po u parashtroj se disa dukuri e qëndrime vazhdojnë të mos përfillin shkrimtarët dhe veprat e tyre. Një qëndrim i tillë i Ministrisë së Kulturës, si dje edhe sot rrezatohet dukshëm. Për gjykimin tim mosmarrja prej Jush e një takimi të gjerë me shkrimtarët e Shqipërisë që për një kohë të gjatë vazhdoni të drejtoni institucionin Tuaj, rrëzon çdo lloj justifikimi.

Ka një të vërtetë jetësore. Shkrimtarët shqiptarë menduan dhe pritën që shteti i ri “demokratik”, do t’i ndihmonte që në veprat e tyre të pasqyronin me vërtetësi të djeshmen dhe të sotmen. Por ndodhi e kundërta. nga institucioni i tyre sikur Shkrimtarët shqiptarë, falë “ndihmës” të shtetit çakallos dhe “disidencës demokratike shqiptare” u përzunë sikur të ishin një bandë hajdutësh dhe kriminelësh. Për rrjedhojë shpresat tona dhe kallai demokratik u tretën si vesa e mëngjesit në një ditë maji diellplotë.

Në ekranin e TVSH-së, në rrjedhje dekadash ende nuk kemi parë një takim të gjerë poetik. Dikur shkrimtarët tanë ngjiteshin në tribunë. Artistët recitonin poezitë e tyre, ndërsa anëtarët e kabinetit qeveritar zinin vend midis spektatorëve. Faktet pohojnë se në ditët tona ne nuk mund të bëjmë një takim të gjerë poetik. Sot pronari i mjedisit të kërkon lekët një më një. Më ndryshe do të ecnin problemet tona nëse shkrimtarët do të kishin mjedisin e tyre në Tiranë dhe në çdo prefekturë. Gjithashtu tronditës e plot dallgë turpi mbetet fakti  se kur vdes një shkrimtar apo artist, qeveritarët e shkallëve të larta me heshtjen e tyre “pikëlluese” hedhin dorën mbi arkivol. Një dukuri që të nxit të pohosh se ajo dorë sikur të thotë: “Udhë të mbarë! Na shpëtove nga një havale tjetër!”

Mendoj se është e domosdoshme që TVSH të përcjellë më shpesh në ekranin e vet takime të brezit të ri me shkrimtarët, shkencëtarët, artistët, sportistët dhe njëkohësisht t’u kundërvihet gjithë kanaleve televizive që përcjellin mesazhe hajdutërie dhe humor rrugaçërie.

Dihet fort mirë se askush dhe kudo në planetin tonë nuk është i përjetshëm. Dhe vjen një ditë kur qytetarët e rangjeve tuaj hedhin vështrimin pas e pyesin:

-Çfarë i lashë unë vatrës nënë?

Personalisht, nëse jeta do të më kishte dhënë postin dhe fatin tuaj, në bashkëpunim me autoritetet e larta shtetërore dhe Akademinë e Shkencave, do të propozoja që në mbarë trojet amtare, brenda dhe jashtë shtetit amë, dita e lindjes së poetit tonë të madh Naim Frashëri të shpallej me dekret të veçantë Dita e Poezisë Shqiptare. Gjithashtu, sipas gjykimit tim, ju mund të ndihmoni Tepelenën për të pasqyruar më gjerë vizitën e Bajronit në Tepelenë.

Në krijimtarinë time shumëvjeçare (këtë vit do të mbush 86 vjeç), kam botuar 11 vëllime poetikë, duke lënë në hije kontributin tim modest në publicistikë, dy vjet redaktor dhe tetë vjet sekretar kolegjiumi në gazetën “Luftëtari”. Së fundmi shumë poezi dhe poema me motive kosovare i kam përmbledhur në vëllimin “Brerorja e Prizrenit” dhe do të dilte në dritë në se Ministria juaj do të ndihmonte me 50000 lekë.

Pres me respekt ciladoqoftë përgjigjja Juaj.

Ibrahim Gani

____________

Ibrahim Gani

 

POETI DHE PUSHTETI

 

Poeti vdiq, tërë pushteti,

Në dukje zi putër e vetull,

Brenga e tij në ballë të shtetit,

Një blanjë e zezë që s’njeh të tretur.

 

Kodoshë partiakë e pushtetarë,

Sot e nderoni… ku ishit dje?

Poeti njomte buzën me dhallë,

Ju në gji vilash, seks, hare!

 

Shtinjakë mbi arkivol përkulur…

Hipokrizi kush ta gjen fundin?

Poeti mes dallgësh tejshkundur,

Larg poetit, mos i trandni gjumin!

 

Liderë partiakë e pushtetarë.

Pas vdekjes e dimë ç’do të lini,

Plagë, putana, qehallarë

Drogën bukëvalë e shtigje krimi.

 

Ndaj vdekja një rrasë do ju falë,

Me dy-tri shkronja te koka…

Poeti ngaditë prin në ballë

Pishtar blerimi në epoka!

Tiranë, 2012

____________

I nderuar z. Ibrahim e shumë i nderuar poet,

ju falenderoj përzemërsisht për letrën Tuaj dhe vëmendjen që keni ndaj zhvillimeve kulturore në vend.

Ndryshimet demokratike e kanë zbritur vërtet poetin nga tribuna për ta bërë bashkëudhëtar të rrugëtimit tonë në ndërtimin e një bote më të hapur dhe më të lirë, e në këtë rrugëtim gjithësecili, shkrimtarët në veçanti, japin ndihmesën e tyre.

Për dijeni Tuajën nismat e ndërmarra nga Ministria e Kulturës si: Fondi i Krijimtarisë Letrare dhe hartimi i katalogut dhe faqes në internet për letërsinë shqipe, janë një ndihmesë e drejtpërdrejtë për më tepër dukshmëri dhe përhapje të letërsisë shqipe si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Salla “Tefta Tashko” në Ministrinë e Kulturës është gjithashtu e hapur për promovime librash dhe takime me shkrimtarë e njerëz të letrave. Takime të tilla realizohen gati çdo javë, edhe pse prej shumëllojshërisë së aktiviteteve tona, nuk përcillen në të gjitha herët nga mediat. Gjithashtu, vetëm këtë vit, kemi mbështetur disa projekte ku në fokusin kryesor është promovimi i leximit, e që zhvillohen gjerësisht në ambjente jashtë ministrisë si: Projekti “Të lexojmë që të lexojnë”, ku shkrimtarë të njohur dhe përfaqësues të letrave shqipe realizojnë takime me nxënës të shkollave të mesme, projekti “Të lexojmë qytetin” ku nxënësit njihen me veprat monumentale të qytetit të tyre nëpërmjet rrëfimit të historianëve dhe shkrimtarëve, apo projekti “Festivali i shkrimtarëve të rinj”, “Klubi i leximit”, takimet letrare me shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj nga shoqata “Poeteka”, etj. Edhe pse nismat tona për nxitjen e leximit tek brezi i ri, ku protagonistë kryesorë janë shkrimtarët, nuk përbëjnë lajm për ekranet televizive, ju siguroj se japin frytet e duhura në edukimin e brezit të ri. Dhe janë pikërisht shkrimtarët dhe poetet që na ndihmojnë për një detyrë kaq fisnike dhe të pabujë, në përpjekjen tonë të vazhdueshme për më shumë kulturë dhe qytetari.

Përkrah idenë Tuaj për më tepër vëmendje në Televizionin Publik Shqiptar për emisione edukuese ku shkrimtarët të kenë një rol të rëndësishëm dhe besoj se drejtuesit e këtij institucioni po krijojnë dhe do të vazhdojnë të krijojnë hapësira për këtë qëllim.

Ju përgëzoj për krijimtarinë tuaj dhe ju ftoj të bëheni pjesë e projekteve tona të përbashkëta për nxitje të leximit dhe vëmendje ndaj shkrimtarit dhe librit.

Me respekt,

Mirela Kumbaro



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora