E premte, 29.03.2024, 01:40 AM (GMT)

Kulturë

Shehu: Hafiz Hoxha midis Migjenit dhe Nënë Terezës

E marte, 10.05.2016, 07:22 PM


HAFIZ ELEZ HOXHA MIDIS MIGJENIT DHE NËNË TEREZËS…

Nga Qazim Shehu

Duke hulumtuar jetën e njerëzve të mëdhenj, zakonisht gjatë rrugës ndesh në fakte interesante kur kupton se në bashkëshoqërim me ta,  ndesh njerëz të tjerë të cilët i kanë mbështetur dhe u kanë ndenjur pranë atyre. Pas disa vitesh apo dekadash krijohet kështu kuadri më i plotë njohës dhe kupton përmasat e tyre  dhe kjo ndodh sepse njerëzit e mëdhenj në fund të fundit kanë qenë njerëz të zakonshëm me dritëhijet e tyre apo me ato veti që u spikasin vetëm në marrëdhëniet njerëzore. Kështu më ndodhi ndërsa takova Bilal Hoxhën , djalin e klerikut të nderuar të Pukës , haxhi,  hafiz Elez Hoxhës. Zakonisht , në veprën letrare të Migjenit kam ndeshur një përmbysje të miteve, qeveritarë, zyrtarë, fetarë, të miteve të vjetra,  gjë të cilën ai e shpalos në veprën e tij, po nga disa fakte mësoj se ai mikun më të mirë në Pukë paska pasur një klerik. Natyrisht,  këtu nuk shprehet ndonjë dyzim i Migjenit, as ndonjë kompromis i fshehtë i tij, por është ai raporti njerëzor që krijohet vetvetiu midis njerëzve,  të cilët për hir të shoqërisë dhe miqësisë së jetës së përdishme sikur “zhvishen “ nga atributet e tjera dhe qëndrojnë së bashku,  ashtu thjeshtë, duke përvijuar ato raporte njerëzore që mbeten të përjetshme. Po kush ishte haxhi,  hafiz Elez Hoxha?Ai lindi më 1910 në Pukë dhe vazhdoi medresenë e Tiranës   me diplomë të cilkluar nga Mehdi Frashër ish ministër i arsimit  asokohe, viti 1936. Rasti e sjell në këtë vit të njihet me Migjenin i cili kishte vajtur në Pukë dhe me të e lidh një miqësi e madhe. Kleriku përparimtar nuk ishte ndonjë fanatik i thekur dogmatik, po njeri përparimtar i cili synonte që duke përhapur idetë  fetare të shprehte përveç mirësisë së tyre edhe pikëpamjet e veta në një vizion zhvillimi. Duke iu qasur atij realiteti malësor të atyre viteve kur vajzat, veçmas myslimane,  nuk shkonin në shkollë, ai çoi motrën e vet së pari në shkollë, dhe ky shembull bëri që të ndiqet edhe nga vajza të tjera;po kështu marrëdhëniet e përditshmërisë së tij me Migjenin; dhe Migjeni duke parë tek ai njeriun përparimtar u vetpërcaktua në krah të klerikut kur Migjeni në një letër dërguar ministrisë së arsimit, si kryemësues që ishte,  propozon se mësimin e fesë në shkollë duhej ta jepte Elez Hoxha kjo, sipas letrës,  se shkolla e Pukës kishte 36 nxënës myslimanë dhe 6 katolikë.  Në letrën e Migjenit shprehet saktësisht ky propozim dhe kjo ka ardhë nga çfarë ai pa në personin e këtij njeriu të nderuar i cili krahas lëndëve fetare dha edhe matematikë,  fizikë e lëndë të tjera për nevoja të shkollës,  në mungesë të kuadrit arsimor. Haxhi,  hafiz Elez Hoxha ishte nga fshati Zezë dhe aty në oborrin e tij është sot një qershi 150 vjeçare. Në kujtimet e tij ai shprehet se Migjeni shkonte shpesh tek shtëpia e hafizit dhe rrinte me orë të tëra duke biseduar me të. Hafizi që e shkikonte që shoku i vet ishte anemik e nxiste të hante kokrrat e qershisë. Kuptohet se çfarë duhet të ketë ndjerë Migjeni duke ngrënë nga ato kokrra kur shihte përreth mjerimin e malësorëve dhe nga aty lindi proza e tij e mrekullueshme:”Qershiat’ një prozë sa drithëruese dhe me nivel të lartë artistik e cila vë në epiqendër fatin e një gruaje shtatzanë  që shikon qershiat si në mitin e Tantalit; po  kështu edhe e famshmja prozë”Legjenda e misrit” është nxjerrë nga një rrethanë jetësore në një shetitje me hafizin e nderuar. Në kujtimet e tij të lëna pas,  Elez Hoxha e tregon më së miri një episod me malësorët që kishin ardhë nga Qelza  për të marrë misër që shpërndante qeveria për njerëzit. Ata kthyen rastësisht dhe Migjeni pa një malësor që po tërhiqte zhabën-një thes prej lëkure,   po atë diku e kishte ngrënë miu dhe nga ky thes dilte një,  dy,  tre kokrra misri. Migjeni ndal dhe pyet hafizin:Çfarë bën ky njeri, pasi sheh sesi malësori ndalet,  i merr kokrrat e misrit, bën kryq dhe i puth duke i rifutur në thes. Hafizi i përgjigjet se kjo është një bestyt dhe nderimi për bukën është shumë i madh , se të mban frymën gjallë. Pas pyetjeve të Migjenit malësori i përgjigjet se kishte tre fëmijë dhe vetëm pasi ta bluante misrin do ta çonte në shtëpi t`u jepte bukë fëmijëve të uritur. . Migjeni u prek shumë po nuk tha gjë. Të nesërmen hafizi e pyet se mos do shkruante në gazeta  po Migjeni ishte shprehur se kjo ishte e tmerrshme. Vdekja e Migjenit i cili shërbeu si kryemësues në Pukë u prit me hidhërim të thellë nga hafizi i nderuar,  ashtu siç u prit nga gjithë bota intelektuale e asaj kohe.

Poezia dhe proza e tij e fuqishme , midis të cilës proza” Qershiat” dhe “Legjenda e misrit”  që lidhen me një rrethanë të caktuar të një njohjeje personale dhe të realitetit të asaj kohe,  dëshmojnë njëkohësisht mbi nxitjen dhe krijimin e motivit nga një çast i thjeshtë , po çfarë force të madhe marrin ato kur vihen në penën e një mjeshtri,  siç ishte Migjeni. Jeta e hafiz Elez Hoxhës është jeta e një kleriku patriot, i cili sipas fjalëve të Migjenit:”Çudi me qenë  një hoxhë kaq përparimtar në Pukë”,  shpreh konsideracionin e një njeriu të shquar pa komplekse që dinte të çmonte  miqësinë po më së shumti idetë përparimtare që hetonte tek tjetri. Janë pikërisht këto ide që e nxisin Migjenin që t`i propozojë ministrisë së arsimit të asaj kohe që hafizi të jepte mësim në shkollë. Hafiz Elez Hoxha ishte një njeri i kompletuar, ai zotëronte krahas mësimeve fetare edhe persishten, arabishten domosdo, por dinte edhe gjuhën angleze. Nga viti 1941 -43 ai kryen detyrën e myftiut në Delvinë. Duke ndihmuar Lëvizjen Çlirimtare , natyrisht që hafizi do shihej me respekt dhe do emërohet kryetar komiteti deri më 1946. Diku diku , sipas gjuetisë së shtrigave dhe survejimeve të ndryshme,  duke marrë ndonjë shprehje të hafizit atë e denoncojnë se hafizi paskësh thënë se ky pushtet i ka ditët e numëruara dhe për këtë dënohet nga një gjykatë ushtarake me 30 vjet,  por ai i kryen pesë vjet e shtatë muaj burg dhe lirohet nga një amnisti. Në vitin 1951, pasi lirohet ka punuar si kryemyfti në Pukë gjer në vitin famëkeq 1967. Pas këtij viti atij i japin punë në stacionin meterologjik dhe në kohë të demokracisë punon si myfti për Veriun.

Ai ikën nga kjo jetë në vitin 2002. Siç e shohim,  jeta e kërtij kleriku dhe patrioti të nderuar kalon në një kohë që përcillet midis tri sistemeve , por gjithmonë ajo mbetet një jetë dinjitare në shërbim të fesë, mirësisë e sidomos në kuptimin e drejtë të tendencave përparimtare të kohës, në punën e palodhur për t`i shërbyer njeriut për të mirën e tij. Edhe një rast tjetër fatlum , njohja me Nënën e Madhe Terezë,  shënon një tjetër shkëlqim në biografinë e ndritur të Elez Hoxhës kur ai jep leje për ndërtimin e kishës. I biri i tij , Bilali kujton se Nënë Tereza nuk ia ndante dorën asnjëherë Myftiut të nderuar. Ajo i fali kryqin duke i thënë:”Merre këtë kryq si kujtim, e di se nuk do e mbajsh, por falja ti ndonjë katoliku…”Ç`fjalë brilante të një Nëne të Madhe e cila kudo që shkonte përcillte fjalë të mençura dhe mirësi të jashtëzakonshme dhe çfarë kuptime të thella dhe të bukura mund të përcillen përmes këtij gjesti fisnik të kësaj Nëne të Madhe dhe përmes pranimit të heshtur e miratues të hafizit të nderuar i cili e mbajti kryqin si dhuratë të çmuar nga e shenjta Nënë Terezë. Zakonisht njerëzit me shpirt të gjërë dhe me vizion të caktuar merren vesh me njëri tjetrin dhe nuk duhen shumë fjalë apo kode të vështira për t`i konceptuar që t`i zbërthesh ato.

Gjeste të tilla merren vesh lehtë dhe krijojnë simbolikën e shumëkohshme të kujtesës që ndalet në këto kujtime dhe na krijon kuptime afatgjata mbi fjalët e zakonshme po me peshë të madhe,  siç është fjala dashuri, mirësi dhe harmoni. Këtë dijnë ta bëjnë vetëm ata që janë njerëz të mëdhenj,  të mençur dhe që de konceptojnë jetën jashtë dogmave, paragjykimeve dhe mentaliteteve që nuk ecin dhe bëhen pengesë. Njerëz të tillë trima, bujarë dhe të përkushtuar bartin vetiu tiparet më të mira të një populli të shumëvuajtur dhe fisnik,  dhe mbahen mend gjatë në kujtesën e popullit , siç ndodh me haxhi hafiz Elez Hoxhën, të cilit Bashkia Pukë ia ka dhënë titullin:qytetar nderi. Aktiviteti i zakonshëm që kryen një njeri, funksionar i fesë, në rastin konkret, apo intelektual a nëpunës admistrate, punëtor a bujk, natyrisht e bart vetiu edhe vështirësinë e të qenit human, po njerëz të caktuar siç është hafiz Elez Hoxha e tejkalojnë pritshmërinë e një koncepti të ngushtë të fjalës dhe marrin udhën drejt një simbolike se gjer ku duhet shkuar duke pasë si prioritet humanizmin dhe rracionalitetin për të kuptuar kohën , kahun më pozitiv të saj. Jeta e Migjenit në Pukë i cili ndodhej atje për arsye shëndetësore dhe në bashkëshoqërimin e motrës Cveta, e cila kujdesej për të , është jeta e një kryemësuesi të atëhershëm dhe e një njeriu të urtë që vuante nga dy sëmundje:sëmundja e mushkërive dhe nga superndjeshmëria e tij e lartë kur shihte fenomene dhe fakte skajshmërisht dramatike të varfërisë dhe mjerimit, të cilat i ktheu në një krijimtari cilësore dhe me energji të jashtëzakonshme të vargut dhe fjalës. Gjithashtu, portreti i Hafiz Elez Hoxhës ndihmon sa në ndriçimin e figurës së tij prej kleriku patriot dhe human aq edhe për të hedhur dritë mbi jetën e Migjenit, kolosit të letrave shqipe,  krijimtaria e të cilit shumë shpejt u bë e dashur dhe mbetet e freskët dhe aktuale edhe sot dhe lexohet me kënaqësi për vlerat aktuale që mbart. Po kështu,  ardhja e Nënë Terezës në Pukë , kërkesa e saj për ta njohur Hafizin , njohja me të, bisedat e tyre shpreh faktin tjetër, sa të gëzueshëm,  se çfarë mund të kuptohet nga veprimet dhe gjestet e njerëzve në përcjelljen e mesazheve humane që ato japin.

Zakonisht biografia e njerëzve të mëdhenj ndriçohet përmes jetës së njerëzve të tjerë, ajo jo vetëm që selitet nga biografët dhe studiuesit e shumtë nëpër libra voluminozë,  por edhe përcillet gojë më gojë nga njerëzit e tjerë, nëpër biseda tërastësishme dhe në rrugë apo ngjarje të tjera të jetës;kthehet në një lloj legjende urbane dhe rurale, dhe këtu nuk ka anjë mitizim, përveç faktit që ajo kthehet që vendoset si e tillë në shtratin e mirënjohjes së sinqertë për vlerat e veprës që krijojnë duke lartësuar estetikisht shpirtin njerëzor. Këtë e ndeshim kur lexojmë biografinë e artistëve, shkrimtarëve dhe humanistëve të mëdhenj, dhe pak nga pak ashtu si rruazat e një gjerdani, këto ngjarje dhe komunikime të hershme vendosen në gjoksin e kujtimeve dhe arrin shkëlqimin e përjetshëm. Figura e Hafiz Elez Hoxhës  midis këtyre dy dëshmive për dy figura të mëdha e krijon vetvetiu joshjen drejt besueshmërisë, së pari si klerik, së dyti si njeri bashkëkohës dhe së treti në atë çfarë thonë të tjerët mbi këtë. Dhe kështu i plotësohet historia dhe marrëdhëniet njerëzore midis njerëzve lartësojnë ata pavarësiht nga pesha që ka sejcili….



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora