E shtune, 20.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Një ditë ...(jo) e zakonshme plazhi

E shtune, 16.08.2008, 01:51 PM


Suzana Kuqi
Një ditë ...(jo) e zakonshme plazhi

Nga Suzana Kuqi

Nisemi për plazh, ditë e shtunë , ditë pushimi për mua dhe burrin tim të dashur ,sot, ditën e njëzetenjë vjetorit të martesës. Kohë shumë e bukur. Plazhi ynë , plazhi komunal ku shkojmë zakonisht është i ndarë në dy pjesë, njëra me shezlongje që jepen me pagesë për tërë ditën dhe pjesa tjetër e lirë ku njerëzit shtrojnë peshqirët e ngulin çadrat e diellit.
 Meqë shtëpia jonë ndodhet afër plazhit e kalojmë atje dy a tri orë, jo vetëm që nuk mendohet për të paguar shezlongun , por edhe çadrën e diellit nuk marrim mundimin ta marrim me vete. Dhe ja ku jemi të dy, vetëm ne të dy,fëmijët janë rritur e as nuk na e varin fare për të ardhur në
plazh me ne.Duhet të dalim ca herët përndryshe nuk gjejmë vend ku të shtrijmë peshqiret.Njerëzit sulen me mëngjes... ah sa e kursejnë paranë...e ne që mendonim se këtu jashtë shtetit paratë ..
. Lëre fare, mos ta hap këtë muhabet se më prishet humori. Unë për vete i gjëmoj rërës e jo shezlongut. Pale po një ditë një kolegu im i punës që e kisha parë tek zhgërryhej në rërë më thotë si me përçmim se si unë e bëja plazhin gjithnjë në të njëjtin vend. Në fillim desha t'i thoja se e kisha parë edhe atë aty, por nuk i thashë . I them me zë të lartë që ta
dëgjonin gjithë koleget që ishin në punë atë ditë : Pse atje majë shezlongut ngroh më shumë dielli ? I shkreti nuk dinte se si të përgjigjej pasi ja dhanë të qeshurit të gjithë.Pale kur tha një dite se ishte dobësuar me atë bark që i kërcente poshtë bluzës. Njëra i tha :
-Ndoshta je dobësuar nga trutë se nga trupi nuk dukesh.
Nejse se nuk desha të flisja për të. Shkojmë në plazh e kishte mbetur vetëm pak vend rreth koshit të plehërave. E meqë bëhemi shumë se më pas vijnë kushurinjtë e mij, burri i dashur spostoi pak nga e majta koshin dhe po nxirrnim peshqirët nga çanta.Nuk është se duhet shumë kohë,veç disa sekonda por sapo u bëmë gati për t'i hapur ... një burrë tjetër me tre kalamaj se nga kishin mbirë e sa hap e mbyll sytë kishin shtrirë peshqirët e tyre. Mbetëm në këmbë duke i parë se si vazhdonin të nxirrnin gjërat e tjera nga çantat e ... Nuk ja vlente të bënim fjalë me ta, po i shtrimë me urgjencë peshqirët nga ana tjetër e koshit, ku i dihej se ç'mbinte edhe andej..
Koha ishte shumë e bukur e uji i detit i mrekullueshëm. Pastaj erdhën  kushërinjtë e mij e vendi rreth koshit u gjallërua. Pas pak nuk e pashë më koshin, një kushëri imi e kish nxjerrë në cep të plazhit.Kërcitën tavllat, letrat, shakatë ... Prapë në ujë. Na zuri dreka e na mori urija. Koha për të ikur në shtëpi. Lahemi edhe një here ... Dola e freskët nga uji edhe se
kish kaluar ora një e drekës e vapa ishte në kulm. U ula në peshqir. Djathtas vëllai im e majtas burri i dashur. Të dy me gazeta në duar, gazeta të tjera te shpërndara nëpër peshqirë.Kish plasur ora e leximit Ndeza një cigare. Të bën dëm ta pish në diell, thonë ,se të dëmton lëkurën, por jo neve, këtyre të jashtëmve po,neve jo. E fundja kush e ka
ruajtur aq shumë veten nga ne, të paktën them për brezin tim. Mirë që vemë pak krem për të mos u djegur se më kujtohen ato vite në plazhin e Durrësit ku njerëzit rripeshin , biles rripshin njëri tjetrin e lëkura shqitej si copë gazete. Po për të tjerat ... më marrshin të keqen , jo po duhet
të kontrolloj ushqimet në etiketë sa kalori kanë siç bëjnë këtu ...Nejse e lashë tek cigarja.
E ndeza dhe po e shijoja. Sa t'a mbaroja do të vishesha e do të ikja në shtëpi. Në darkë do të dal e do të ulem të ha në ndonjë restorant, kam përvjetor martese apo jo ? Nuk i thonë shaka,njezetenjë vjet që e durojmë reciprokisht njëri tjetrin , unë dhe burri im i dashur.Eh sa
i bukur ishte fillimi... lëre mos pyet për fejesën...
- Zonjë ! Diçka po digjet !
Ishte një grup vajzash të reja , ndryshe si do të guxonin të më thërrisnin zonjë mua që siç isha zhytur në kujtime e shihja veten vajzë të re...Kthej kokën nga ato , e ato drejtojnë gishtin nga unë.E unë e bezdisur, ç'dreqin kanë me mua sot, jua rregulloj unë atyre, ndoshta i kanë vënë syrin vëllait tim që është aq i bukur...Por fytyrat e tyre ishin plot ankth...Ndjek shikimin e tyre e kthej kokën pas... një pëllëmbë , vetëm një pëllembë larg ndenjëseve të mija, ngrihej flakë, një gazetë me gjithë fustanin tim e kish kapur edhe një cep të peshqirit...
Do te mendoni se kërceva më kembë e ja dhashë ulërimës ? Jo, aspak. Ashtu e habitur siç isha pa luajtur vendit , zgjas dorën kap cepin tjetër të peshqirit e tërheq dhe i mbuloj duke i mëshuar fort, shumë fort derisa fillova t'ja zija  frymën flakës.
          - Mbuloji me rërë !- më tha im vëlla.
Po ku dëgjoja unë , me një dorë e vetëm me një, arrita t'a shuaj ndërkohë që mendoja, bo bo ç'figurë që bëra, sa turp, pale po të mos më kishin lajmëruar, zjarrfikset do të vinin e do të përfundoja në faqen e parë të gazetës...Po të mos ishin ato vajzat...
- Ju faleminderit vajza !- ktheva kokën nga ato. Ato qeshën të gëzuara, mungonin vetëm duartrokitjet.Në këtë moment burri i dashur mbylli gazetën.
- Vish fustanin , ikim !
- Fustanin? Po ti, nuk i kishe sytë në balle, nuk sheh se...- unë i tunda përpara syve atë pjesë të fustanit që më kishte ngelur.
- Cfarë !?
Unë i tegova atë që kishte ndodhur ndërkohë që ai po lexonte gazetën gjysmë metri larg meje.
- Po ç'bën moj e uruar, para njëzetenjë vjetësh e dogja unë shaminë e beqarit...Nuk arriti të mbarojë fjalën kur ra zilja e celularit. E mira, e bukura e mamit që kam më shumë se një muaj që nuk e shoh e më ka marrë malli.I tregova se ç'më kish ndodhur e ajo,vajza më e mirë e më e dashur e botës , që ju bëftë mamaja ma pat pa të keq:

- Si ka mundësi mama ? Të tilla gjëra vetëm ty të ndodhin ! Ku e ke mendjen ?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora