Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Gjergj Kastrioti në artet figurative, shek.XV (II)

| E marte, 03.05.2016, 07:47 PM |


GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU,

NË ARTET FIGURATIVE TË SHEKULLIT XV. 2

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

Në këtë shkrim do të prezantoj tre medalje argjendi, me portetin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, të prodhuara në Venecia dhe në Romë, në shekullin XV.

Si rezulton në dokumentat e shekullit XV, Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujes, nga viti 1443 Dominus Albaniae – Signore dell’Albania (Zoti i Albania), ashtu si të gjithë fisnikët e asaj kohe kishte stemat heraldike: shqiponjën dykrenore, me yllin gjashtë cepash dhe flamurin e kuq, me shqiponjën dy krenore, si i përshkruan Marin Barleti. (1)

Stemat më të herëshme të dinastive arbërore i gjejmë në fillimet e shekullit XII me Progonet e Principatës të Arbërit e më pas në një vazhdimësi të pandërprerë, në të gjitha familjet patronomike albaneze:Arianiti, Balsha, Dukagjini, Dushmani, Engjëlli, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Kastrioti, Komneni, Maneshi, Martaseos, Matranga, Muzaka, Shpata, Skura, Spani, Topia, Vrana, Zaharia etj.

Heraldika albanese ishte origjinale dhe pjesë përbërëse e heraldikës evropiane me të gjitha karakte-ristikat, zhvillimet, ndryshimet dhe arritjet e saj.

Duke filluar nga shekulli XIV, krahas stemave heraldike, fisnikët europianë filluan të përdorin dhe medalje, të prodhuara për qëllime komemorative, murale dhe onorifike, që si kuptohet shprehnin origjinën fisnike të këtyre familjeve. (2)

Këto medalje ishin shprehje artistike e binomit personazh – imazh, pra ishin vepra të artit plastik, të cilat në formën më të zakonëshme pasqyronin aspektet historike të personazhit të realizuar në ikonografi. Këto dy elemente, kombinoheshin sipas qëllimit, që kishte artisti që i prodhonte, ose si ia kishte kërkuar, apo diktuar protagonisti.

Fillimisht, medaljet kishin karakterin privat, pra me përdorim personal dhe prodhoheshin me një estetikë të pëlqyeshme, por më vonë, për vlerat artistik dhe historike, përfunduan në muzeume dhe në koleksionet private, kësisoj u bënë pjesë e historisë zyrtare te shteteve.

Krahas koleksioneve të pasura private, në të gjitha muzeumet europiane, ekzistojnë pavione, ose seksione ku ekspozohen këto medalje, ashtu si shumë historianë, studiues të medaljonistikës dhe numimastikës, kanë realizuar studime dhe kanë botuar vepra të shumta.

Një ndër punimet madhore, me vlera të mëdha historike dhe artistike për medaljet, është vepra e studiuesit venecian Piero Voltolina: “Storia della Repubblica di Venezia attraverso le medaglie”, botuar ne vitin 1988 në Milano.

Në vëllimin e parë të kësaj vepre (shekujt XIV – XVI), autori prezanton një koleksion të pasur, me 840 medalje mbretërish, princash, papësh, klerikësh, fisnikësh, ushtarakësh dhe të institucioneve më të shquara të asaj kohe, duke filluar nga Venecia dhe ne vazhdim në Romë, Bergamo, Padova, Raguza, Albania, ishujt Jonikë e deri ne Qipro; nga kufiri me Austrinë, në Dalmaci e deri në Kreta, ku shtriheshin zoterimet e Venedikut, madje dhe me personazhe të Perandorisë Osmane. (3)

Autori Piero Voltolina, nëpërmjet këtij koleksioni medaljesh, ka paqyruar historinë e Venecias, me prestigjin dhe potencën politike, ekonomike, tregëtare dhe ushtarake të Serenissimës, një histori në këndvështrim specifik, nepermjet prezantimit te imazheve te protagonisteve të kohës, të plotësuara me informacione sintetike, kësisoj na ka dhënë dëshmi interesante të shumë figurave të shquara jo vetëm të Venecies, por dhe të vendeve të tjera fqinje dhe të aleatëve të largët.

Kjo vepër madhore i dhuron lexuesve njohuri kulturore dhe historike, por edhe emocione e krenari, sepse njihen me figura historike të vendit dhe trevave të tyre, si ndodh me ne shqiptarët, kur në brendësi të kësaj vepre madhore gjejmë dhe tre medalje me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, të cilat autori i ka rradhitur në kapitullin dedikuar medaljeve të shekullit XV, pra të periudhës kohore kur jetoi Gjergji dhe kur janë prodhuar medaljet.

Përfshirja e tre medaljeve në këtë vepër madhore, nuk lidhet vetëm me rrethanën se janë prodhuar në Itali, por me faktin historik, se familja Kastrioti bënte pjesë ne klasën e fisnikëve venedikas. Princi Gjon Kastrioti, në fillimet e shekullit XV ishte miku besnik dhe aleati i Venecias, madje së bashku me djemtë kishte nënshkruar disa marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën.

Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, si kuptohet këtë titull, e trashëgonin dhe djemtë e tij. (4, 5)

Në vitin 1416, Princi Gjon Kastrioti rezulton në listën e Patricëve Venetas, pra gëzonte nderimet dhe të drejtat e fisnikut venedikas, ndërsa në vitin 1417, Gjon Kastrioti ishte vasal i Venedikut (6).

Pas vdekjes të Princit Gjon Kastrioti më 1442, Principata e Arbërit ra nën pushtimin ottoman.

Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe rimori zotrimet e principatës të Arbërit.

Tre nga djemtë e Gjonit, vdiqën në mosh të re. Reposhi, murg në manastirin Hilanderit në Malin të Shenjtë pranë Selanikut, vdiq më 1431; Stanisha vdiq më 1446, ndërsa Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura. (4)

Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që ishte në zotërim të Venedikut, u mblodh kuvendi i princave  të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike - ushtarake për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Besëlidhjes dhe kryekomandant i ushtrisë, princat zgjodhën Gjergj Kastriotin.

Për kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër pushtuesve otomanë, në vitin 1445, Senati i Republikës së Venedikut e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar nderi i Veneto” (N. Sagredo).

Më 25 shtator 1463, Senati ua rikonfirmoi këtë titull Gjergj Kastriotit dhe të birit Gjoni II Kastrioti dhe i regjistroi në Librin e Artë të patricëve të Serenissima. (6)

Patrici i fundit i dinastisë Kastrioti, i regjistruar në Librin e Artë të Venedikut, rezulton Antonio Alfonso Kastrioti Granai, markezi i Atripalda, të cilin e vranë në vitin 1549, pas një festë në Murano - Venecia (Giuseppe Bettinelli: 1733 në: Giornale istorico veneto). (6)

E prezantova këtë aspekt të shkurtër e të njohur të jetës dhe të veprave të princit Gjergj Kastrioti, për të konfirmuar se nuk është rastësi, që tre medaljet me portretin e tij u përfshinë në katalogun voluminoz të Piero Voltolina, sepse Gjergj Kastrioti është pjesë edhe e historisë të Venecias, andaj

e ka renditur Gjergjin, në grupin e personazheve të shquar të shekullit XV, të historisë së Venecias.

Tre medaljet me portretin e Gjergj Kastriotit, janë prezantuar me numërat rendor 65, 66, 67 (faqe 85 - 87 të librit), me fotografi të origjinaleve dhe me informacionet më të domozdoshme, të për-mbledhura në menyrë sintetike ne skedën historike dhe në skedën teknike (metalet dhe teknika e prodhimit), të kompletuara me burimet bibliografike.

Të tria medaljet janë prodhuar në shekullin e XV saktësisht në vitet 1463 - 1466.

Prodhimi i medaljeve, realizohej nga artizanë të kualifikuar. Fillimisht vizatohej portreti sipas një pikture të mëparëshme, ose skicohej në prezencë të personazhit dhe në vazhdim imazhi modelohej në mermer, ose në argjilë (më pas piqej në furrë), me të cilat prodhoheshin format për stampimin e gjurmës, mbi të cilën derdhej metali i shkrirë, kryesisht argjend e baker, ose perzierje metalesh (argjend, bakër kallaj, plumb), jo rrallë praktikohej dhe larja me ar. (3)

Prodhimi i medaljeve kërkonte aftësi të larta teknike dhe mjeshtëri në artin plastik, pra metal-punuesi ishte dhe artist. Rreth këtyre mjeshterave mesjetar mungojnë informacionet, madje me përjashtime shumë të rralla, në përgjithësi, nuk njihen emërat e atyre që i vizatuan portretet dhe as emërat e artistave që i kanë prodhuar, kësisoj dhe për medaljet e Gjergj Kastriotit nuk dihen kush ishin piktorët, as kush ishin modeluesit e portretit në riliev, as mjeshtrat që i prodhuan.

Medaljet me portretin e Gjergj Kastriotit janë renditur sipas kohës të prodhimit dhe të tria janë shoqëruar me skedën teknike dhe me një skedë historike, ku në mënyrë sintetike janë prezantuar disa të dhëna të shkurtëra bibliografike mbi jetën dhe veprën e Gjergjit.

Të dhënat për Gjergj Kastriotin, autori Voltolina i ka marre nga Enciklopedia Italiana Treccani, botim i vitit 1929 dhe nga vepra e Fan S. Noli: Scanderbeg, Lecce 1993.

Vlen të preçizoj një pasaktësi të autorit Piero Voltolina, i cili ka shkruar Fan Sotir Noli, por ne fakt emëri i të atit të Nolit është Stilian.

Medalja Nr 65

Medalja e parë në rradhë e katalogut, e prezantuar me Nr 65, është prodhuar në Venecia dhe bën pjesë në koleksionin personal të autorit Piero Voltolina.

Në skedën historike, autori shkruan:

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEG

(1403 – 1468)

CONDOTTIERO

(ne shqip perkthehet: prijës, udhëheqës, komandant, kapedan, kryetrim).

EROE NAZIONALE ALBANESE

(Hero kombëtar albanez).

Autori Voltolina, vitin 1403 të lindjes të Gjergj Kastriotit, e ka marrë në Enciklopedia Trekkani, botim i vitit 1929, ndërsa shumica e historianëve shkruajnë se ka lindur në vitin 1405.

Mendoj se ky aspekt, nuk ka rëndësi të veçantë, përderisa nuk është gjetur ndonjë dokument, që të dëshmoi vitin e saktë të lindjes dhe as datën e pagëzimit të Gjergj Kastriotit.

Pjesa e pasme e medaljes është lisho.

Mungon emëri i mjeshtërit që e prodhoi medaljen.

Skeda e medaljes N. 65

GEORGIVS CASTRIOTT(VS): DE  SCANDERBEG. INVICTISS (IMVS)

Gjergj Kastrioti Skenderbeu – i pathyeshmi.

Busti me fytyrën me profil djathtas, me berretën rrumbullake, me buzë të dyfishta në pjesën e sipërme dhe të poshtëme, me mjekër të gjatë – e pa prerë dhe i veshur me mantel.

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Venecia.                                  Bibliografia e medaljes: Armand, III, p 165. E

Diemtri: 98 mm                                          Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001

Prodhuar me derdhje.                                dhe Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.

Metali: AE (Argjendi)

Koleksion i Piero Voltolina

Medalja ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm, me portretin në qendër, me profil nga e djathta, me tipare fizionomike të spikatura, me mjekër të gjate, me berretë rrumbullake (alla Caramagnola), veshur me mantel me supiera. Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur emëri, por me mungesë të një germë në mbiemërin Kastrioti:

Medalja është prodhuar ne punishte argjendarie, me argjend të derdhur në formën e riprodhuar sipas portretit të një pikture ekzistuese.

Të gjitha gjasat më nxisin të theksoj, se kjo medalje është riprodhuar sipas portretit të piktorit italian Gentille Bellini. Sipas Frederick Kenner (7), Gentile Bellini, e realizoi portretin autentik te Gjergj Kastriotit, me kërkesë të autoriteteve venedikase, pikërisht në në vitin 1463 kur Gjergji, vizitoi Venecian, për të marr pjesë në ceremoninë e shpalljes Qytetar Nderi i Veneto.

Në fakt, ka përputhje kohore të këtyre dy rrethanave historike, si dhe ngjashmëri të portretit të medaljes, me përshkrimin që i bën Kenner portretit të Gjergj Kastriotit, të realizuar nga Gentile Bellini: “Pamja ne profil nga e djathta, mjekra e gjatë e dendur, me berretën ‘Alla Caramagnola’ dhe i veshur me mantel stofi ngjyre skarlat ... të shtrenjtë”.

Vlen te theksohet, se kjo veshje ishte karakteristike e Gjergj Kastriotit, çka vertetohet në shume dokumenta të kohës (5, 8) ashtu si dhe në shumë gravura dhe piktura të shekujve XVI - XVIII, ku e prezantojnë Gjergjin me berretën “Alla Caramagnola”, me mjekër të gjatë dhe me mantelin me stof të shtrenjtë, me ngjyrë skarlat, si prezantohet ne portretin e kopjuar nga Cristoforo Dell’Altissimo.

Pra, kjo medalje cilësore, është prodhuar në punishte argjendarie në Venecia në vitin 1463.

Mjeshtëri i prodhimit të medaljes, gjatë punimit të modelit plastik të portretit dhe derdhjes të metalit ne formën e parapergatitur, ka respektuar portretin origjinal, si e përshkruan Kenner.

Në lidhje me shkrimin e emërit në kornizën e medaljes, artisti nuk e ka shfrytëzuar tërë hapsirën e rrethit të kornizës, por e ka lënë bosh në pjesën bazale të bustit.

Emërin, mbiemërin dhe titullin Skenderbeu, mjeshtëri i ka gdhendur në reliev, me germa të mëdha në gjuhën latine. Mbiemërin e ka shkruar në formë të shkurtuar CASTRIOTT, si praktikohej shpesh nga autorët e mesjetës, ndërsa në skedën shoqëruese te katalogut, Voltolina e plotëson, duke i shtuar germën A në kllapa: CASTRIOTT(A), ashtu si plotëson dhe cilësimin superlativ INVICTISS, që duhej të ishte shkruar INVICTISSIMUS.

Autori i medaljes, mbiemërin Kastrioti e shkruan me dy T, por në fakt ky nuk është gabim, pasi sipas rregullave të gjuhes latine, që të shqiptohej saktë duhen dy germa T, pasi Kastrioti  me një T para germës I, në latinisht shqiptohet Kastrioci. Ndofta mjeshtëri metalpunues e dinte se mbiemeri i Gjergjit ishte Kastrioti, andaj per te mos krijuar konfuzion ne shqiptim, e gedhendi me dy germa T, ndërsa Piero Voltolina ka ndjekur rrugën e autorëve italianë, që shkruajnë Castriota - Kastriota.

Medalja Nr 66

Medalja e dytë e Gjergj Kastriotit, e renditur me numër 66 në veprën e Piero Voltolina, është e prodhuar në Romë, por dhe kjo mbetet me autor anonim.

Skeda e medaljes Nr. 66

Në skedën historike, autori Piero Voltolina shkruan:

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEGVS

(1403 – 1468)

CONDOTTIERO.

EROE NAZIONALE ALBANESE.

D/GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS

Gjergj Kastriota Skenderbergus

Busti në profil nga e majta, me mjekër të gjatë, mbanë berreten të ulur përpara, është veshur me mantel i prodhuar me stofë të shtrenjtë.

Në faqen e pasme të medaljes është mbishkrimi i shkruar në tetë rradhë dhe i kufizuar me kurorë rrethore me gjethe dafine:

FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITVS ET T-HRACVM DO-MI (NA) TOR INDO-MABILI-S

(Mbrojtësi i panënshtrueshëm i fesë, triumfuesi i pamposhtur i thrakëve).

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Roma.                          Bibliografia e medalies: Armand, III, p 165. E

Diametri: 46, 3 mm                                                Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekkani, f. 1001

Prodhuar me derdhje.                                dhe Fan S. Noli: Scanderbeg, Lecce 1993.

Metali: AE – C. R. N Milano

Metali i prodhimit është marrë në Milano dhe përbëhet nga përzierje argjendi, kallaj dhe bakri, me mbizotërim të argjendit. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhjen e metalit, në formen sipas modelit te parapergatitur.

Medalja është rrumbullake, me diameter 46, 3 cm, me portretin në qendër në profil nga e majta,  me mjekër të gjatë dhe i veshur me mantel. Në periferi, portreti qarkohet nga korniza në riliev, me emërin dhe mbiemërin në brendësi: GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS.

Mbishkrimi është në gjuhën latine, i realizuar me teknikë jo shumë fine dhe mbiemërin me gabim orthografik, i gdhendur Skanderbergus, pra i ka shtuar dhe një germë R.

Ndërmjet kornizës rrethuese dhe buzës periferike te sfondit të medaljes, mjeshtëri ka realizuar një qark me granula të imëta dekorative.

Kjo medalje ndryshon nga e mëparëshmja e prodhuar ne Venecia, madje ka diferenca të dukëshme, sepse ka përmasa dy herë më të vogla, metali eshte me pak i çmueshem, pasi eshte perzierje me disa metale; teknika e punimit është me pak cilësore, portreti i Gjergj Kastriotit është punuar me profil majtas; grafika e mbishkrimit të emërit dhe të mbiemërit shtrihen në tërë qarkun e kornizës.

Kjo medalje ka një mbishkrim në faqen e pasme, me tekstin në tetë rradhë ne gjuhen latine: FI DEI DEFENNSOR INDOMITVS ET THRACVM DOMINATOR INDOMABILIS - Mbrojtësi i panënsh-trueshëm i fesë, triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”. Teksti është i rrethuar me kurorë gjethesh dafine, pra me “Corona triumphalis”, që shpreh triumfin e Gjegjit me nder dhe lavdi.

Teksti shpreh vleresime për kontributin e Gjergjit si mbrojtës i krishterimit dhe për rolin e tij si strateg dhe komandant i shquar në luftimet kundër hordhive barbare turke.

Nga mënyra e formulimit të tekstit, mendoj se kjo medalje ishte e porositur nga Vatikani, pikërisht në vitin 1465, kur Gjergj Kastrioti shkoi në Romë dhe takoi Papën Pali II, të cilit i kërkoi ndihma për vazhdimin e luftes kundër turqëve, që po sulmonin egërsisht trojet arbërore.

Kontributi i Gjergj Kastriotit në luftën kundër hordhive turke, është vlerësuar nga të pesë Papët, me të cilët bashkëpunoi dhe e mbështetën në luftë kundër hordhive turke.

Papa Calixtus III në vitin 1457 e quan Gjergj Kastriotin Difensor della Fede dhe e shpalli Kapiteni Gjeneral i Kuria dhe Kapiteni Gjeneral i Selisë së Shenjtë dhe i dha titullin Athleta Christi.

Papa Pio II, në vitet 1461 - 1462 theksoi disa herë: “Të marrim shembull nga vepra e Zotit të Albanise (dalla gesta del Signore dell’Albania), ushtarit trim të Krishtit (Christi Miles Intrepidus) dhe nga heroizmi i albanezëve, që po i rezistojnë sulmeve të egra turke”. (8, 9)

Teksti ne faqen e psme të medaljes shpreh dy aspekte thelbësore të kontributit të Skenderbeut:

Mbrojtia e rrënjeve kristiane të Europës - Europei, aut qui domine cristiano consentur.

Fitoret e Gjergj Kastriotit dhe te popullit shqiptar në luften kunder sulmeve barbare turke.

Nuk duhet të çuditemi pse autori i medaljes ka shkruar “triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”. Në kronikat e kohës dhe në shumë vepra të mesjetës, Gjergj Kastrioti njihej si Dominus Albaniae-Zot i Albanisë, por dhe princi i Albania, princi i Epirit, princi i Maqedonisë, andaj në medalje shkruhet “Triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”, pra i banorëve të Maqedonise të Aleksandrit të Madh., si shkruan Volterrano: “Skenderbeu ishte një burrë, pa pikë dyshimi pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emërin Aleksander”.

Ndonëse, medalja nuk e ka vitin e prodhimit, të gjitha të dhënat teknike, rrethanat historike dhe ato dokumentare, sugjerojnë se është prodhuar në vitet 1465 - 1466.

Natyrshëm shtrohet pyetja: Cilin portret të Gjergj Kastriotit përdori mjeshtëri argjendar, për prodhimin e kësaj medalje?

Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu, në faqen e fundit të kodit

De Romanorum Magistratibus” i 5 nentorit 1465

Në zgjidhjen e kesaj enigme na ndihmon botimi i Davis&Orioll: 20 New. End London. N.W.3, i vitit 1961, i plotësuar me studimin dinjitoz të historianit Ilia S. Karanxha, botuar në Zemrashqiptare në vitin 2014: “Skenderbeu autentik dhe modeli i Romes: De Romanorum Magistratibus”, i cili na dhuron një informacion të gjërë dhe kompetent për një portret të Gjergj Kastriotit të vitit 1465.

Studiuesi Ilia S. Karanxha ka meritat se na njohu me portretin e Gjergj Kastriotit në doreshkrimin “De Romanorum Magistratibus”, veper e Andrea Domenico Fioccho, perfunduar ne vitin 1465.

Studiuesi i apasionuar Ilia Karanxha, me të drejtë thekson se piknisja e ikonografise Skenderbeiane nuk eshte më viti 1510 me veprën e Marin Barletit “De Vita et Gestis Scanderbegi ...”, por viti 1465, me dorëshkrimin “De romanorum Magistratibus”, vepër që mbyllet me portretin në miniaturë të Gjergj Kastriotit. (10)

Në vitin 1962, Curt H. Reisinger gjatë prezantimit të kodit të A. D. Fioccho në Houghton Library të Universitetit Harvard, krahas evidentimit të cilësisë te hartimit të doreshkrimi humanist, komentoi portretin e Skenderbeut, të cilin e konsideroi: “Punim artistik i hollë, elegant me gusto të veçante”.

Në vazhdim Reisinger theksoi se ky portret u realizua ne vitin 1465, kur Gjergj Kastrioti ndodhej në Rome, per te kerkuar ndihma Papes Pali II. (11)

Portreti i Gjergj Kastriotit në miniaturën e dorëshkrimit të A. D. Fioccho, është në profil djathtas, me mjekrën të thinjur e të gjate, me berreten me ngjyrë skarlat, me palosje në pjesën e sipërme, ndërsa poshtë, shihet buza e kapuçit të bardhë nën berretë. Gjergj Kastrioti  prezantohet i veshur me mantelin ngjyrë skarlat, me zbukurime floreale. Sfondi i miniaturës është me ngjyrë blu. Portretit, është i rrethuar me kurorë me gjethe dafinash, njelloj si medalja e prodhuar në Romë. Pjesa anësore e miniaturës është zbukuruar me vizatime floreale shumëngjyrëshe dhe elegante.

Ne sfondin e miniatures, jane dy germa E dhe V, që sipas Reisinger janë inicialet Epirota Victoria (Epiroti fitimtar), ndërsa sipas Ilia S. Karanxha E (Epirotarum) V (Vicecomes).

Nuk ka dyshime, se ky portret është identik me portretin e medaljes Nr 66.

Shumica e studiuesve, me të drejtë insistojnë se kjo miniaturë duhet të jetë kopie e një portreti kontemporan dhe autentik i Gjergj Kastriotit, por nuk thonë kush ishte autori.

Rreth këtij argumenti, studiuesi Ilia Karanxha mendon se miniatura është riprodhim i një vepre të Gherardo Giovanni Maffei (1408 – 1466), i ati i Raffaele Maffei Volterrano (1451 – 1522). Këtë ide, Ilia Karanxha e bazon në ngjashmërinë e portretit në miniaturën e Fioccho, me vizatimin e më vonshëm të Raffaele Volterrano të portretit të Skenderbeut në veprën e Marin Barletit.

Ketyre opinioneve i shtoj dhe ngjashmërinë me portretet e dy medaljeve, që me nxisin të sugjeroj se portretet e medaljeve me Nr 66 dhe Nr 67, janë prodhuar sipas vizatimit të një portreti autentik të Gjergj Kastriotit, ndofta i Gherardo G. Maffei, që u riprodhua besnikërisht në vitin 1465 dhe në miniaturën e dorëshkrimit të A. D. Fioccho .

Skeda e medaljes Nr 67

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEGVS

(1403 – 1468)

CONDOTTIERO.

EROE NAZIONALE ALBANESE.

D/GIORGIVS CASTRIOTA SCANDERBERGVS

Gjergj Kastriota Skenderbergus.

Busti nga e majta, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara, i veshur me mantel të prodhuar me stofe të shtrenjte.

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Roma.                          Bibliografia medaljes: ----

Diemtri: 37, 4 mm                                      Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekkani, f. 1001

Prodhuar me derdhje.                                Dhe Fan S. Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.

Metali: AE – MC Venecia

Faqia e pasme: lishio

Medalja është prodhuar në një punishte argjendarie në Romë. Metali i prodhimit është marrë në Venecia dhe përbëhet nga përzierje metalesh, me mbizotërim të argjendit.

Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhje, në formën sipas modelit të parapërgatitur.

Medalja është rrumbullake, me diametër 37, 4 mm, me bustin në qendër në profil nga e majta, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara (mbi sy) dhe i veshur me mantel.

Portreti është punuar me plastikë të spikatur dhe me shprehje cilësore të fizionomisë të Gjergjit. Busti shtrihet deri në buzen e poshtëme te medaljes, i rrethuar me shkrimin në latinisht: Georgvs Castriota Scanderbergvs. Si shihet dhe në kete medalje, mbiemëri është shkruar me gabim ortho-grafik Skanderbergus, duke i shtuar një germë R, njëlloj si në medaljen Nr 66, çka na sugjeron se artisti i punimit të formës, është i njejti, që ka prodhuar dhe medaljen Nr 66.

Konturet periferike të medaljes, janë zbukuruar me granula të imëta, ne formën e një kurore elegante kufizuese.

Megjithë ngjashmerine me medaljen Nr 66, medalja Nr 67 ka disa veçori dalluese: metali i përdorur është më cilesor, pasi ka përmbajtje të lartë argjendi. Medalja ka diameter rreth 1 cm më e vogël, por teknikisht është më cilësore në evidencimin e portretit të Skenderbeut.

Kurora me granula dekorative është në periferi të kornizës, ndryshe nga medalja e mëparëshme, që e ka në brendësi të mbishkrimit. Busti i Gjergjit është pak më i madh dhe shtrihet deri ne buzën e poshteme, në ndryshim nga medalja e mëparëshme, që e ka qendrore, të kufizuar me kornizën rrethore. Faqia e pasme e medaljes është lisho, pra nuk ka tekst si medalja e mëparëshme Nr 66.

Nga prezantimi i këtyre karakteristikave teknike dhe artistike, mendoj se forma e medaljes është punuar nga i njëjti artist dhe është derdhur në të njëjtën punishte argjendarie të Romës, ndofta është riprodhim, për të korigjuar difektet e medaljes Nr 66, për ta prodhuar me cilësi më të lartë.

Portreti i Gjergjit në medaljen Nr 67, ka ngjashmëri të dukëshme me miniaturën e doreshkrimit të Fioccho, por nuk përjashtohet mundësia se miniatura mund të jetë riprodhim  i portretit autentik të Gjergj Kastriotit me autor Gherardo Giovanni Maffei.

Këto vakume informative rreth nje portreti tjetër autentik të Gjergj Kstriotit, nuk e përjashtojnë mundësinë se gjatë shekullit XV, kanë ekzistuar dhe portrete të tjera. Këtë hamendje e konfirmoj me një fakt tjeter. Mbi portën e Pallatit të Skenderbeut në Rome, ne pjesën qendrore të arkitraut, ndodhet afresku me portretin e Gjergj Kastriotit, i restuaruar në vitin 1843, i cili ka ngjashmëri me portretin në miniaturën e vitit 1465, ashtu si dhe me portretet në medaljet Nr 66 dhe Nr 67.

Portreti i Gjergj Kastriotit mbi portën kryesore të Pallatit të Skenderbeut në Romë.

Kjo ide është trajtuar nga Curt H. Reisinger, nga historiani Ilia Karanxha dhe në veçanti nga shumë historianë arbëreshë (12), të cilët insistojne se ky portreti është i vitit 1466 dhe prezanton Gjergj Kastriotin autentik, kur vizitoi Romën.

Më 12 dhjetor 1466, Gjergj Kastrioti i veshur thjeshtësi ushtar, i shoqeruar me një grup të vogël kalorësish, shkoi për vizitë në Romë, për t’i kërkuar ndihma Papës Pali II. (13) Në Romë, Gjergj Kastrioti banonte në rezidencën e tij, e njohur në ditët e sotme “Pallati i Skenderbeut”, madje dhe rrugica quhet “Vicolo Schanderbeg”. Nuk njihet autori, as viti kur u pikturua, por mbishkrimi në anën e majtë të portretit, thekson se ky portret u restaurua në vitin 1843, duke repektuar besnikë-risht portretin ekzistues “Ad Fidem iconis Restauratum...”.

Skeda e dorëshkrimit të Fioko “De Romanorum Magistratibus”, kur u shit në ankandin e vitit 1961.

Literatura

1. Marin Barleti: Historia de Vita et Gestis Scanderbegi. Epirotum Principis.

Botues Bernardino Vitali. Roma. 1510

2. Rizzoli L.: L’opera di G. H. Hill sulle medaglie italiane del Rinascimento e l’origine Padovana

della medaglia”. Istituto Italiano di Numismatica. Vol VII. 1932, faqe 128 – 141.

3. Voltolin Piero: La Storia di Venezia attraverso le Medaglie”. Volum I. Milano 1988. f. 85 – 87

4. Clement Clarke Moore: George Castriot, Surnam Scanderbeg, King of Albania, New York: 1850

5. Enciclopedia Italiana – Treccani: Roma 1929.

6. Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le venette patrizie famiglie.

Venezia, 1780, f. 48

7. Frederick Kenner: Vjetari i koleksionit te arkidukes Ferdinand i Tirolit.

Viena: vellimi XIX. viti 1898,

8. Fan S. Noli: Scanderbeg. Argo - Lecce 1993.

9. Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della famiglia dei Muzaka.

Napoli, 1510.

10.Ilia S. Karanxha. Skenderbeu autentik dhe modeli i Romes (De Romanorum Magistratibus)

Portali: Zemrashqiptare.net: Nentor 2014.

11. Davis & Orioll: 20 New. End London. N.W.3 – 1962

Printed in Egland by Robert Stockwell. L.T.D, 5 – 13 Baden Place. London S.E.I.

11. Gioacchino Volpe: Formazione storica dell’Albania. Botim i Real Accademia d’Italia. Roma 1940

12. Petta P: Despoti d’Epiro e principi di Macedinia. Esuli albanesi in Italia del Rinascimento.

Lecce, Ediz. Argo, 2000