E enjte, 28.03.2024, 07:45 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Të heqësh dorë nga duhani

E shtune, 16.08.2008, 11:50 AM


Duhanpirësit në fakt janë të shumtë. Ky është një problem social që e vuan e gjithë bota. Paksa ironike, sepse ishim vetë ne ata që e krijuam këtë helm vdekjeprurës dhe tashmë sorollatemi të heqim dorë prej tij. Duhanpirja si ves, varet nga shumë faktorë ambiental, psikologjik, psikik dhe gjenetik. Është e vështirë ta lësh duhanin, pasi disa pjesë të trurit, mbi të gjitha ato të lidhura me mekanizmat e memories, vëmendjes dhe kënaqësisë, janë tepër të ndjeshme nga nikotina. Ka një efekt kënaqësie kur sistemi nervor stimulohet. Kënaqësia e duhanit duket se vjen falë stimulimit fillestar dhe më pas vartësisë që të shkakton nikotina. Një kuriozitet thotë se gratë e kanë më të vështirë të lënë duhanin dhe janë akoma më shumë të dispozuara për ta rinisur atë. Sipas disa shkencëtarëve, gratë e kanë më të vështirë pasi sapo përvetësojnë një lloj sjelljeje, të mirë apo të keqe, e kanë më të vështirë që të kthehen pas. Por te gratë lënia e duhanit ka një të mirë mjaft të prekshme. Sipas disa studimeve të fundit, shumica e grave që kanë lënë duhanin, kanë pasur një përmirësim të ndjeshëm të lëkurës së fytyrës, duke rikuperuar rreth 13 vjet jetë biologjike. Por cilat janë motivimet për të hequr dorë? Sepse shkakton dëme serioze në 40 për qind të njerëzve që pinë duhan, motivimet shëndetësore në përgjithësi zënë vendin e 38.5 për qind, për lindjen e fëmijës 7.3 për qind dhe vetëm 0.4 për qind për mos t‘u bërë skllav i këtij vesi të dëmshëm. Por gjithsesi duhet edhe një vullnet i fortë. Ndërsa për sa i përket biznesit të medikamenteve që ndihmojnë në lënien e duhanit, fitimet janë kolosale. Madje këto vitet e fundit ato janë rritur ndjeshëm. Sipas statistikave në shtatë vende të botës (SHBA, Japoni, Gjermani, Britani, Francë, Spanjë, dhe Itali) fitimet nga biznesi i produkteve që ndihmojnë në lënien e duhanit ka arritur shifrën e 231 milionë dollarëve dhe mendohet që në vitin 2016, ato do të arrijnë në 4.6 miliard dollarë. Shifra të konsiderueshme. Por si të bëjmë që t‘i themi lamtumirë duhanit? Për ta kuptuar këtë duhet më parë të kuptojmë nëse jemi totalisht të varur ndaj nikotinës. Të pish duhan sapo zgjohesh nga gjumi apo të ndezësh një cigare në çdo gjysmë ore, është alarmi e rrezikut. Vetëm një në pesë duhanpirës mund ta kenë të lehtë ta lënë duhanin, pasi katër në pesë e kanë shumë të vështirë të marrin nga medikamentet alternative atë çfarë marrin nga duhani. Pra vesi bëhet gjithmonë e më shumë një varësi fizike e parezistueshme. Por gjithsesi edhe përdorimi i medikamenteve alternative nuk është fort i këshillueshëm, pasi shumica e këtyre farmaceutikëve kanë efekte dytësore, si tharje të syve, të gojës ose pagjumësi. Por megjithatë përdorimi i tyre deri sa të heqësh dorë përfundimisht nga duhanpirja, sigurisht që është më i shëndetshëm, edhe pse ato nuk të japin kënaqësinë e një cigare që e mban në dorë me gjithë qejf përpara një filxhani kafeje. Mjafton të mendosh për kancerin e mushkërive që shkakton tymi i një cigareje. Dhe këtu qëndron ironia, pasi përsëri nuk na bën përshtypje një gjë e tillë. Duke u eksperimentuar janë edhe dy lloje vaksinash, të cilat stimulojnë prodhimin e antitrupave nga ana e sistemit imunitar. Ndoshta këto do të jenë shpëtimtaret e të gjithë neve që pimë duhan, por gjithsesi disa mendojnë se edhe farmaceutikët, që aktualisht janë në treg janë mjaft efikas në qëllimin e tyre. Nëse nuk ja arrijmë që t‘ia dalim vetë, atëherë do të mbështetemi te këto mënyra alternative, ose thjesht do të vazhdojmë të pimë duhan si më parë. Disa studiues thonë se më e rëndësishmja është që të mos dorëzohemi pas tentativës së parë të dështuar për lënien e duhanit. Pasi ata që kanë provuar disa herë dhe kanë dështuar kanë 30 për qind më shumë të mundësive për të arritur me sukses qëllimin e shumëpritur. Të provosh e të riprovosh është si një lloj stërvitje. Madje edhe të kesh një partner ish- duhanpirës, ndihmon në heqjen dorë të këtij vesi të dëmshëm. Siç dëshmon edhe një studim ndërkombëtar që ka zgjatur për më se tridhjetë vjet, në më shumë se 12 mijë persona: le të marrim në shqyrtim tre persona (A, B, C) ku A është mik me B dhe B është mik me C, por A dhe C nuk njihen me njëri-tjetrin. Nëse C do të do ta linte duhanin, atëherë mundësia se edhe A do të bënte të njëjtën gjë rritet me 30 për qind, pavarësisht faktit nëse B është duhanpirës apo jo. Shpjegimi? Ky i fundit do të vepronte si një mjet jo vullnetar i një norme të re sociale. Edhe pse është e vështirë, nuk mund ta mohojmë diçka të tillë, të hedhësh tutje një paketë me cigare, duke vendosur përfundimisht heqjen dorë të atij vesi, përfitimi shëndetësor është i madh (këtë e dinë mirë ish-duhanpirësit): në tetë orë nivelet e nikotinës dhe monoksidit të karbonit në gjak, do të përgjysmohen dhe niveli i oksigjenit do të kthehet në normalitet; në 48 orë nuk do të ketë më asnjë shenjë të nikotinës në trup; në dy javë përmirësohen parametrat e qarkullimit të gjakut. Dhe kështu me radhë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora