Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Shumë seksi, shumë herët..!!

| E shtune, 16.08.2008, 11:53 AM |


Elona Demollari

Që në fillim duhet thënë diçka jo fort e parëndësishme: Tendenca për tu dukur seksi që në moshë fare të re, pothuajse fëmijë, në fakt nuk është vetëm një fenomen “shqiptar”, pra jo vetëm adoleshentët tanë sillen kështu. Bëhet fjalë për një tendencë të përgjithshme perëndimore, shkaqet e së cilës lidhen me imazhet e përcjella nga mediat (televizioni në mënyrë të veçantë) dhe fushatat e marketingut që i nxitin të rinjtë të jenë “seksi”.

Por si prindërit mund ti mbrojnë fëmijët e tyre?

Asnjëherë nuk është e lehtë të jesh prind. Por në ditët tona është bërë edhe më e vështirë. Një vëzhgim ndërkombëtar i vitit 2002 zbuloi që 76 përqind e prindërve mendonin se ishte shumë më e vështirë të rrisje fëmijë sot sesa në kohën kur ata vetë kishin qënë fëmijë; dhe 47 përqind thanë se sfida e tyre më e madhe ishte përpjekja për ti mbrojtur fëmijët e tyre nga ndikime shoqërore negative që përfshijnë imazhe ngacmuese dhe shqetësuese, dhunë dhe mesazhe të papërshtatshme për moshën që shfaqen në media.

Si do i ishit përgjigjur ju ketij vezhgimi? A po përjetoni dhe ju të njëjtën situatë të vështirë në përpjekje për të mbrojtur fëmijët tuaj nga ndikimet negative? A ju duket e vështirë për të vendosur dhe përforcuar kufijtë brenda të cilëve duhet të lëvizin fëmijët tuaj? Për të përcaktuar sa, kur dhe çfarë është e përshtatshme për ta?

E lehtë të bësh pyetje. E vështirë të gjesh përgjigjet e duhura. Prindërit e dinë që për disa gjëra duhet thënë shkurt “JO”! Por duke thënë thjesht ‘JO’nuk do zgjidhej problemi dhe nuk mund të thuash JO për gjithçka.

Duhet të gjejmë zgjidhje për problemet e fëmijëve, shpesh në çastet më të papritura dhe në mënyra të paparashikueshme. Për tia arritur qëllimit puna e parë që duhet bërë është të dimë dhe të njohim se kur dhe si jeta fëminore e përballur me seksualitetin ka ndikim tek fëmijëtnë moshe të vogël.

Një sërë librash të kohëve të fundit nga Shtëpia Botuese MAX si dhe të reja e raporte kërkimore kanë ngritur shqetësimin rreth qëndrimeve dhe sjelljes seksuale të shumë adoleshentëve sot dhe në mënyrë të ndjeshme të moshave nga tetë deri në dymbëdhjetë vjeç. Këto të dhëna shpesh na lënë të kuptojmë se sjellja në fjalë krijohet papritur nga hiçi kur fëmijët fillojnë shkollën e mesme (ose tetëvjeçaren).

Pothuajse kurrë nuk mendojmë për atë çka ka ndodhur gjatë viteve më të hershme në jetën e tyre të cilat kanë paraprirë atë çka po ndodh tani me këta adoleshentë. .

Në jetën e fëmijëve ka plot çeshtje dhe pyetje që lidhen me seksualitetin dhe vete seksin dhe është shumë e rëndësishme që të rriturit të tregojnë kujdes për ti njohur e për ti kuptuar ato. Rrëfimet e mëposhtme nga prindër dhe mësues na bëjnë të qartë faktin se nëse duam ta kuptojmë dhe ta trajtojmë çështjen e seksualitetit tek fëmijët duhet ta nisim punën tonë që kur fëmijët janë shumë të vegjël. (janë përdorur iniciale për të ruajtur anonimitetin e dëshmuesve)

Duke qarë në vaskë...

Xh. tregoi se një mbrëmje pak kohë më parë vajza e saj shtatë vjeçare H. filloi të qante në vaskë. E shqetësuar për këtë Xh. e pyeti se çfarë kishte. H. u pergjigj: “Jam e shëndoshë. Unë jam e shëndoshë. Dua të jem simpatike si I. (një vajzë shumë e dobët e shumë e njohur në klasën e H.)I.vishte rroba moderne të cilat Xh.-së i dukeshin krejt të papërshtatshme për një shtatëvjeçare. Xh. i hodhi dorën mbi shpinë H. duke i thënë se i pëlqente trupi i H. se ishte trup shumë i bukur për një shtatëvjeçaredhe se s’kishte pse të dobësohej. Por H. kishte vazhduar të qante dhe thoshte se donte të mbante dietë.

Xh. nuk dinte çfarë të thoshte apo çfarë të bënte pas kësaj. Sipas saj, H. kishte trup normal për moshën që kishte. Ajo që nuk ishte normale, - mendonte Xh., ishte se si nje fëmijë aq i vogël mund të mendonte për të mbajtur dietë, për të mos përmendur dëshirën që kishte për tu pëlqyer nga djemtë sepse ishte “simpatike” dhe “seksi”.

Ishte apo s’ishte normale një gjë e tillë, ajo që kishte kuptuar Xh. ishte se H. ishte me të vërtetë e shqetësuar dhe e stresuar dhe se duhej të bënte diçka për ta ndihmuar.

Teksa përpiqej të kuptonte këtë shpërthim emocional të vajzës 7 vjeçare, Xh. ia vuri fajin më të madh shoqeve të H. të cilat po ndikonin gjithnjë e më shumë tek ajo duke u bërë tepër të rëndësishme për të.

Kohët e fundit, kur H. ishte kthyer në shtëpi mbas një loje me kukulla, kishte treguar se si kishin zhvilluar nje sfilatë mode me kukullat e shoqeve të saj.Xh. shqetësohej sepse kur H. dhe shoqet e saj luanin së bashku ato shpesh improvizonin takime dashurie si dhe dasma me kukullat e tyre Barbi.

Por ajo që e shqetësonte më shumë Xh. ishte koha e gjatë që fëmijët kalonin në shtëpitë e njëri-tjetrit me kukullat e tyre, emrat e kukullave, pamja e tyre anoreksike, seksualiteti i tyre i dukshëm, garderoba me veshje ekstravagante si dhe rëndësia që i kushtohej shoping-ut dhe paraqitjes së jashtme si pika kyçe të lojës.

Kur Xh. shprehu mendimin se nuk i pëlqente që H. kishte ato kukulla, H. tha se gjithë fëmijët e tjerë kishin po ato kukulla dhe se asaj i pëlqente shumë të luante me to në shtëpitë e tyre. Asaj dhe shoqeve të saj iu pëlqente shumë ti vishnin kukullat, ti nxirrnin për shoping si dhe nëpër takime.

Megjithëse Xh. nuk u bind, ajo nuk dinte çfarë do bënte kur H. të kishte ditëlindjen muajin tjetër. Ajo ishte mëse e sigurt që ndonjë vajzë do ti sillte H.-së kukulla si dhuratë. Edhe sikur Xh. T’ia fshihte kukullat ajo e dinte që H. përsëri do të luante me to në shtëpitë e shoqeve të saj. Kohët e fundit H. kishte kërkuar madje (pas një bisede në shkollë) të bëhej pjesë e një komuniteti on line ku fëmijët mund të luajnë dhe të blejnë gjëra për kukullat e tyre me anë të internetit së bashku me fëmijë të tjerë.

Megjithatë, thellë, thellë në vetvete Xh. ndjente se ajo që e shqetësonte më tepër ishte se ku do ti çonte këta fëmijë gjithë ky interes për pamjen e jashtme e për të qënit i famshëm dhe seksi.

H. nuk pëlqente trupin e saj tani që ishte vetëm shtatë vjeç. Po kur të bëhej trembëdhjetë vjeç çfarë do mendonte vallë? Xh. kishte dëgjuar se sjelljet dhe veprimet e lidhura me seksualitetin tek fëmijët dhe adoleshentët ishin shumë të shpeshta dhe të hershme siç ishin gjithnjë e në rritje problemet e çrregullimet me të ngrënin, madje edhe tek vajzat e vogla. A mos vallë lotët e H. për trupin e saj ishin shenja e parë për shqetësime të tilla? Ç’lidhje kishte midis shqetësimit për imazhin e trupit dhe seksualitetit? Po çfarë donte të thoshte ajo në të vërtetë me të qënit “seksi”?

Duke e ditur se sa të vështira ishin këto pyetje Xh.-së iu duk pothuajse e pamundur të gjente menyrën e duhur për t’u pergjigjur. Ajo u merzit pasi ndiente pasiguri madje dhe shqetësim ngaqë nuk dinte se cila ishte gjëja e duhur për të thënë apo për të bërë.

Histori si kjo që na tregoi Xh. për vajzën e saj ka shumë. Këshilla të përgjithshme që vlejnë për të gjitha rastet, nuk ka. Secili rast meriton vëmendje dhe zgjidhje sipas specifikave dhe rrethinave të vetë fëmijës dhe familjes ku ajo rritet. E vetmja këshillë që vlen për të gjitha rastet është: Jepini fëmijës dashuri dhe vëmendje. Që në vogëli! Sigurisht që kjo nuk do t’ju shpëtojë nga të gjitha problemet, por nëse do mundeni ta bëni këtë, gjithçka do jetë më e lehtë më vonë.

Ja si shkruan një lexuese e Shekullit në Blogun online:

“Koha qe jetojme vertet qe kerkon qe prinderit te punojne dhe shume madje. Për mendimin tim duhet te gjejmë “rezervat” qe mund te kete secili nga ne (dhe në çift) per kohen që u japim fëmijëve. Absolutisht qe ka rezerva, por duhet të arsyetojmë vetë. E rendesishme eshte vemendja. Efektet e asaj që bëjmë sot me femijen, do ti ndjejmë shume vonë, kur ai/ajo te jetë rritur, por ateherë nuk mund të korrigjoni asgjë. E dini ate historine e bukur që një person kishte mundesine të kthente kohën pas? Sa here donte te korigjonte nje gje qe nuk e kishte bere mire e kthente kohën pas dhe mundohej ta korigjonte. Sa here qe kalonte nje çast te bukur e kthente kohen pas per ta rijetuar. Por kjo eshte nje fantazi e nje shkrimtari. Ne realitet, atë që bën sot do ta korrësh nesër...


---------------------

SONDAZHI I SH2

100 të rinj thanë:

Stafi i SH2 vendosi të zhvillojë një seri sondazhesh, rezultatet e të cilave do të bëhen të ditura çdo të shtunë në faqet e gazetës “Shekulli“.

Numri i të pyeturve do të jetë 100 dhe mosha në bazë të karakterit që do të ketë sondazhi. Sondazhi i kësaj jave është bërë në Tiranë me të rinj gjimnazistë dhe studentë të vitit të parë dhe të dytë, për një problem që tek ata është i përhapur në masë: Marrëdhëniet e tyre me prindërit.

Duke qenë se është një moshë delikate, problemi në fjalë është mjaft prezent si tek të rinjtë, por edhe tek prindërit vetë, të cilët në mjaft raste nuk dinë si të veprojnë. Po si janë marrëdhëniet e 100 të pyeturve të Shekullit me prindërit? Le të shohim rezultatet.

1. Jeni grindur javën e fundit me prindërit?

65- Jo;35- Po

2. Do donit të mos jetonit më prindërit?

52- Po;48- Jo

3. Flisni me ndonjë nga prindërit për të dashurin/ ën?

54- Jo;46- Po

4. Nëse do shkëputeshit nga prindërit me kë do jetonit?

41 - vetëm

36 - me të dashurën/ in

11-me shoqet/ kët

4 - me vëllain/ motrën

3 - me të fejuarin/ ën

2 – vetëm me mamin

1 – me xhaxhain

1 – vetëm me babin

1 – do martohesha

5. Nga prindërit do të donit më shumë lekë apo vëmendje?

54 - Vëmendje;46 - Lekë

6. Sa herë në javë dilni me prindërit?

31 - asnjëherë

29 - 2 herë

27 - 1 herë

7 - 3 herë

5 - 5 herë

1 - çdo ditë

Shekulli