Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: FYROM-land - No country for albanians

| E enjte, 28.04.2016, 09:30 PM |


FYROM-land: No country for albanians

Nga Elvi Sidheri

Të më falin puritanët e pastërtisë së artikullit të shkruar në gjuhën tonë të ëmbël dhe të dëlirë shqipe; për këtë anglicizëm të zgjeruar në formë titulli, por, kur m’u pat ngjizur ideja për këtë shkrim, në mend seç m’u fanit edhe një film amerikan “No country for old men”...

Përse vallë këto shajnitje reminishencash kinematografike në mendjen time, teksa vihem të mendoj dhe të kuvendoj me vetveten (në mungesë të interlokutorit) mbi fatin e IRJ Maqedonisë, dhe specifikisht shqiptarëve të atyshëm?

Të them të drejtën, kjo mbetet një mister ende i pazgjidhshëm edhe për mua vetë, e jo më për tjetërkënd; sadoqë e mira këtu gjithësesi qendron në faktin, se qysh prej thuajse një viti të plotë kalendarik, kujtdo që i kanë arritur në vesh lajmet dhe të rejat nga zhvillimet në Maqedoni, duhet t’i ketë dhembur jo pak veshi, nga mosprania thuajse totale e elementit shqiptar si faktor vendimtar në jehonën e këtyre lajmeve, shpesh tejet shqetësuese.

Faktor politik shqiptar në institucionet e Shkupit, domethënë ai faktor që nuk dredh çelësat e kashtës, apo  merret me profesionin e njohur të politikës shqiptare në FYROM-land, bërjen fresk ndaj padronëve sllavofonë, dhe hapjen e pandalshme të vrimave në ujë, të inauguruara me fanfara të mëdhaja, e fishekzjarre në qiejt blu të anës shqiptare të IRJ Maqedonisë, sa herë që popullit shumë qindra mijësh të këtij vendi, i ofrohet rregullisht sapuni për djathë nga përfaqësuesit e partive të veta në parlament, duke u pretenduar prej këtyre politikë-bërësve, që populli i tyre, këtë gjest “tepër dashamirës”, ta vlerësojë maksimalisht, me sqimë të lartë, duke e konsideruar sapunin elektoralo-politik, si një djathë ndër më të çmuarit dhe të stazhionuarit francez, italian apo zvicerian; të bardhë apo kaçkavall qoftë.

Shqiptarët në nivel politik së paku, në Maqedoni, janë zhdukur nga harta e rëndësisë dhe peshës si faktor jo më vendimtar, por as shtetformues, qoftë edhe në nivelin mashtrues të 25% të censusit të para 14 viteve pas luftës së 2001-it të fituar plotësisht nga guerriljet shqiptare të UÇK-së, mbi ushtrinë e Shkupit; dhe iu është tretur zëri, u janë mpakur fjalët dhe zhbërë krejtësisht grimat e fundit të peshës së rolit të tyre themelor për ekzistencën e këtij vendi, aq më tepër në një kohë krize  të stërzgjatur si kjo e fundit, që e ka gllabëruar Maqedoninë si vend, institucionalisht, politikisht dhe ekonomikisht, prej më tepër se një viti.

Regjimi i VMRO DPMNE-së së tashmë ish kryeministrit Gruevski, një njeriu, oligarku dhe satrapi tipik orientalo-ballkanik, të hipur majë kalit të pushtetit ? mbrapsht, nga ana e bishtit, si rëndom ndodh me autokratucët lindorë ?  me vërtikun e zakonshëm drejt stepave aziatiko-ruse, i ndihur nga mbështetja e fortë morale, politike dhe financiare e Kremlinit dhe putinizmit rus, nën tymnajat ndjellëse të pushtetit absolut, duke mëtuar të vërë nën zgjedhë të tërësishme, një vend të vogël shumëkombësh, dhe qendruar majë këtij kali dhe pushtetit autokratik, përmes sundimit mbi çdo hapësirë dhe skutë të shoqërisë maqedonase, përfshirë këtu edhe asgjësimin gati total, të përfaqësimit politik të shqiptarëve në vendin që sundon me grusht të hekurt, duke ua atrofizuar trutë dhe përqindjen e  mbetur të shqiptarizmit shumicës së përfaqësuesve poltikë të shqiptarëve në parlament dhe qeveri, dhe duke ia pamundësuar krejtësisht shqiptarëve në këtë formë, shprehjen legjitime të fjalës së tyre, lidhur me situatën alarmante në të cilën dergjet iRJ Maqedonia prej kohësh.

Thelbi i këtij thellimi pra, nuk është kurrësesi fati i mëtejshëm i IRJ Maqedonisë si shtet, as dëshira e marrë e një pjese të konsiderueshme të banorëve sllavofonë të këtij vendi, përtej origjinës së tyre bullgare, serbe, vllehe apo ish shqiptare të asimiluar, për t’u vetëngrehur porsi pallua përballë historisë dhe botës; sikur të ishin në mes të ndonjë procesi vetëharbimi eksitues në dehjen e ngazëllimit më të marrë sllavo-ballkanik...

Jo pra, aspak!

Çështja është tjetërkund.

Komuniteti sllavofon i IRJ Maqedonisë, dikur një popull i spikatur për luftërat shpesh njëdrejtimshe me shqiptarët, kundër armiqve të përbashkët turq e grekë, e më pas edhe serbë (dihet linja e njohur anti-turke dhe antiandarte e VMRO-së të vërtetë të dikurshme filobullgare, dhe çetave të komitëve shqiptarë të Themistokli Gërmenjit e Mihal Gramenos me shokë, apo edhe bashkëpunimi mes tre komuniteteve sllave, shqiptare dhe vllehe, në kryengritjen e Ilindenit, në qytetin trekombësh të Krushevës ? të banuar ndër të tjera edhe nga qindra banorë ortodoksë shqiptarë të dokumentuar në fillimet e shekullit të XX-ë nga gjeografi dhe historiani bullgar Vasil Kançov ?  në vitin 1903, apo së fundi, përpjekjet antiserbe nga vitet 1920 e më tej, të shqiptarëve dhe patriotëve bullgaro-maqedonas, në Maqedoninë e kohës dhe viset shqiptare e Kosovë, gjer në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore)... tanimë, qysh nga themelimi i republikës federative jugosllave nga Tito, është vetëtrushpëlarë, duke ngjizur në formën e vetëpallimit, një identitet të ri krejt “sui generis”, apo thënë më qartë, hemafrodit, pra, kombësinë “Maqedonase”.

Pasojat ogurzeza, sa edhe tragjikomike të të cilës shpërfaqen haptas që në qendër të Shkupit me Aleksandrin e Madh majë kalit Bucefalus (atij që rreket t’i ngjajë në mënyrën më të përçudnuar Gruevski prej 10 vitesh, një blasfemi historike kjo, që vendi që vuan nën zgjedhën e tij megallomane, po vijon ta paguajë fort shtrenjtë)... dhe vazhdojnë gjer te kriza e thellë identitare e banorëve sllavofonë të këtij vendi, të ndarë si me thikë mes atyre që janë akoma aq të shëndetshëm mendërisht sa ta dinë dhe njohin origjinën e tyre sllave, dhe gruevskistëve që vërtiten si “zombie” nëpër të katër cepat e vendit, deri në zyrat qeveritare të pushtetit vmro-ist, duke mishëruar skajshmërisht qenien e tyre hibride të supozuar (dhe asnjëherë verifikuar), maqedonase-antike sllavishtfolëse.

Prandaj IRJ Maqedonia gjendet në këtë krizë thuajse të pakthyeshme ekzistenciale.

Para së gjithash, një vend i dominuar nga një etnitet fals, pa baza apo origjina të mirëfillta historike, i krijuar si gjuhë dhe kombësi, në tavolinë në Beograd nga mendja dhelpërake e Josip Broz Titos, e ka ezaururuar ekzistencën e vet, qysh nga viti i largët 1980-ë, kur krijuesi dhe shpikësi i vet, reshti së frymuari.

Pra, IRJ Maqedonia, po shijon bonusin e saj të ekzistimit si shtet (dhe maqedonasit sllavofonë, të ekzistencës si komb) prej 36 vitesh me rradhë...

Autokracia gruevskiane, tentakulat e gjata të ndikimit rus, përballja SHBA – Rusi edhe në terrenin ballkanik, dhe përplasja e pashmangshme e interesave ruse në një rajon thelbësisht nën ndikimin amerikan (fenomen më i gjerë i vërejtur jo në pak raste edhe në Mal të Zi, Bosnje, Serbi dhe Kosovë), ciklet e përsëritura zgjedhore të vjedhura nga ana e partisë qeverisëse, mbytja e lirisë së shtypit dhe e zërave opozitarë, përbëjnë arsye të forta, por jo vetë bërthamën e problemit dhe arsyen përse kriza e gjithanshme në IRJ Maqedoni, ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Prej të paktën, vitit 2001 e këtej, nuk ka problem dhe krizë në këtë vend, që të mos prekë edhe shqiptarët dhe që të mos jetë, qoftë edhe tërthorazi në duart e shqiptarëve që ta zgjidhin ose t’i japin fund njëherë e mirë.

Por, një Zot e di përse, akoma nuk po e hedhin këtë hap.

Pa i hyrë me detaje qeverisjes dhe pranisë së vazhdueshme në qeveri, duke mbuluar edhe ministri të rëndësishme, si atë të mbrojtjes, të drejtësisë, arsimit apo shëndetësisë, të partisë shqiptare të dalë nga lufta e 2001-it, për të mos e zdërhallur shkrimin, do theksuar vetëm një fakt tepër i thjeshtë në kompleksitetin e tij madhështor.

Qeveri të VMRO-së, nuk mund të ketë, pa mbështetjen e partisë shqiptare...

Nëse, të themi, jo më larg se një vit më parë, partneri shqiptar në qeverisje i VMRO-së (prej vitesh, qysh në 2008-ën), do të largohej nga     qeveria pas ngjarjeve të përgjakshme të Kumanovës , majin e shkuar, Gruevski ? bashkë me planet e tij makabre që morën dhjetëra jetë shqiptarësh dhe terrorizuan një lagje të tërë të banuar, nën një plan të mirëorganizuar për të zgjatur jetën e tij në pushtet (rezultat që faktikisht u arrit, Gruevski është ende në pushtet), në kurriz të vrasjes dhe pushkatimit të dyshuar, me tradhëti të shumë shqiptarëve (si zakonisht) – nuk do të ishte më në pushtet.

Gjë që s’ndodhi!

Nëse pas gjithë kësaj krize, antiamerikanizmit, antishqiptarizmit të shfrenuar dhe antieuropianizmit të përdalë të sistemit autoritar gruevskian, parrullave dhe përçartjeve anti-BE dhe anti-NATO; qendrimit të hapur sfidues ndaj Departamentit të Shtetit amerikan dhe Brukselit zyrtar, si dhe shkeljeve të vazhdueshme të syrit për Kremlinin, partia shqiptare në pushtet, do të vendoste ta hiqte spinën nga priza për pushtetin shovinisto-oligarkist dhe tërësisht fashist sa u përket shqiptarëve, të VMRO-së dhe liderit të saj Gruevski, atëherë padyshim që ky pushtet do të shkërmoqej brenda ditës, duke ia pamundësuar përfundimisht Gruevskit, jetësimin e politikave të tij rrënuese për iRJ Maqedoninë, përqasjen e tij antiperëndimore dhe përçmimin e tij institucional ndaj shqiptarëve.

Por as kjo gjë nuk po ndodh.

Në të kundërt, mbështetja e heshtur me fjalë, por gjithaq uluritëse me gjeste, e partive të mëdhaja shqiptare në qeveri dhe (pseudo) opozitë, për Gruevskin, mbetet e njëjtë, duke i zhytur pikësëpari shqiptarët, bashkë me tërë IRJ Maqedoninë, në një pus të thellë katrani ekzistencial.

Lavirëzimi i Gruevskit me Kremlinin dhe politikat ruse, për interesat e mbijetesës së tij personale në pushtet, nuk do të duhej në asnjë mënyrë, të përhapej porsi pandemi vdekjeprurëse, edhe te partnerët e tij qeveritarë apo opozitarë shqiptarë, për të mirën e vetë këtyre partive, por edhe mbi të gjitha, të votuesve të tyre shqiptarë, që ngaherë, jetojnë dhe frymojnë në një vend, ku pandalur, ndihen dhe trajtohen, edhe pas fitores në terren në luftën e 2001-it, si qytetarë të dorës së dytë.

Marrëzia e një njeriu të mbyllur në kullën e tij të fildishtë të pushtetit, nuk do të duhej të bashkëndahej nga shqiptarët që e mbajnë atë dhe pushtetin e tij akoma në këmbë, duke ia zgjatur ditët sundimit të këtij satrapi antishqiptar.

Dhe në fund, në vend të qershisë mbi tortë, roli i shqiptarëve në nivel politik vendimarrës, i dëmtuar seriozisht vjet me marrëveshjen e Përzhinos, ku faktorë të vetëm përcaktues, patën qenë partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja opozitare, ndërsa shqiptarët e pozitës dhe opozitës, frynin sytë krejt pasivë; ka shumë mundësi të reletivizohet dhe të zerohet plotësisht, pas rënies të pritshme të regjimit gruevskian.

Defaktorizimi gjatë Revolucionit Shumëngjyrësh opozitar, i partive shqiptare, rrezikon të përkthehet në një të ardhme anonime të mënjanuar, për shqiptarët në IRJ Maqedoninë e nesërme.