E premte, 29.03.2024, 04:48 AM (GMT)

Kulturë

Naim Frashëri

E hene, 30.05.2005, 07:39 PM


Flet djali i aktorit të madh të kinematografisë

Anil Frashëri: Ju rrëfej jetën e babait tim

Blerina GOCE
Dorina TOPOLLAJ

Naim Frashëri

Është në atë moshë kur babai i tij ishte "në kulmin" e artit të tij dhe ashtu si ai, interpreton në skenën e teatrit. Pasardhësi i aktorit të madh Naim Frashëri, Anili ndjehet krenar, por jo dhe aq "i privilegjuar" se është djali i të madhit Frashëri. "Një Naim Frashëri i dytë nuk i vjen më Shqipërisë. Unë, pavarësisht se jam djali i tij, nuk jam aktor i atyre përmasave të thella dhe jam shumë larg tij", pohon Anili, teksa rrëfen "pengun" e të atit pas largimit nga teatri. "Ai realizoi dëshirën më të madhe të tij, të interpretonte rolin e Jonuzit te "Familja e peshkatarit", por largimi nga teatri e rrëzoi shumë moralisht", thotë Frashëri, në një intervistë për "Tirana Observer"...
Babai juaj njihet si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Çfarë do të thoshit ju për babain tuaj si artist dhe si lindi pasioni i tij për aktrimin?
Fillimi i karrierës së babait ka qenë impenjativ. Ai tregon shumë rreth kësaj në ditarin e tij. Kështu thotë: "Kur filluam të përgatisnim dramën e Shilerit, "Vilhelm Tel", unë luaja rolin kryesor. Shfaqja nuk u lejua për arsye që dihen dhe kjo ndikoi shumë tek unë që ta kuptoj më tepër rolin e teatrit dhe ta dua atë edhe më shumë. Në fillim të '44-ës u krijua Grupi artistik i Rinisë. Atje përgatitëm dramën "Partizanët" të Fatmir Gjatës, ku pata rolin kryesor. Shfaqja u dha premierë në Tiranë në 28-29 nëntor të 1944-ës". Por pasioni i tij për aktrimin ka lindur që kur ka qenë fare i vogël. "Monologu që kam recituar në moshën 7 vjeç para prindërve në shkollën fillore të qytetit të Kavajës dhe pas disa pjesëve të vogla që më jepnin gjatë luftës në lagjet e ndryshme të Tiranës, roli i komisarit në dramën "Partizanët", takimi im i parë me spektatorin dhe them se ishte debutimi im i parë në skenën e teatrit", shkruan në ditar babai. Duket edhe nga ditari që ka, se ai ka një pasion shumë të madh për filmat. Ta lexosh atë ditar tregon për çdo ditë filmat që ka parë dhe aktorët që kanë interpretuar. Pra, ai kishte pasion të madh për t'u bërë aktor.
Po për fillimin e jetës së tij në teatër ç'mund të na thoni?
Edhe për këtë ai flet vetë në ditarin e tij. Ja çfarë thotë ai:
"Në fillim rolet nuk më besoheshin dhe fillova të mos e ndiej veten mirë. Pas një viti kur erdhi nga Rumania regjisori Pandi Stidhi më besuan rolin e Mishës te "Portreti" dhe nuk pata sukses. Prapë filluan pikëpyetjet mbi perspektivën time. Kjo ishte periudha më e vështirë për mua. Besimi karshi vetes më gjeti përballë mosbesimit të një pjese të madhe të teatrit.
Por... më në fund prapë regjisori i dashur për mua, Pandi Stidhu, më besoi rolin e Fjodorit te "Inadimi", rol shumë i mirë, por edhe i vështirë. Mu desh një punë shumë e madhe, jo vetëm për krijimin e këtij roli, por edhe për të thyer murin e tmerrshëm të opinioneve dhe për të pasur një vend në kolektiv. Ia arrita qëllimit. Shfaqja u prit shumë mirë".
Çfarë tipi ishte babai juaj dhe çfarë marrëdhëniesh kishte me kolegët dhe njerëzit që e rrethonin?
Naimi nuk ka qenë kurrë kritizer. Nga veçoritë e tij, ai ishte një njeri që e shikonte krijimtarinë e kolegëve dhe të vetën me një sy që i vlerëson. Nuk kam hasur kurrë në materialet e tij, të cilat i ka me bollëk, të shajë ndonjë aktor. Kurse me veten e tij ka qenë gjithmonë i pakënaqur nga shfaqjet. Unë për herë të parë e kam lexuar ditarin e babait gjatë shkollës së lartë në Akademinë e Arteve.
Kur e keni parë për herë të parë të interpretojë babain tuaj?
Për herë të parë më është fiksuar te "Qielli i kuq" i Tefik Çaushit. Aty ka pasur rolin e kuestorit italian. Në atë kohë kam qenë shumë i vogël, por më është fiksuar pjesa kur "kuestori" merr në pyetje heroinën e shfaqjes. Atë potencën e tij aktoreske që e kishte të vetën dhe elegancën në rolin kryesor. Në atë moshë ne atë e kapnim. Kurse shfaqje të plotë që i kam parë për herë të parë ka qenë "Orët e Kremlinit", në rolin e Ribakovit.
Cili rol i interpretuar prej tij ju pëlqen më tepër?
Roli i Jonuzit te drama "Familja e peshkatarit". Atje theu një tabu që ai e kishte monopolin e vet, sikur ai ishte dashnori lirik, në rolet e dramaturgjisë botërore si Hamleti, ose Ferdinandi te "Intrigë e dashuri", më vonë të figurave të karakterit intelektual, të njeriut fisnik, të heronjve pozitivë. Ai në teatër mund të ketë pasur 3-4 role negative. Naimi mendohej mirë para se të merrte një rol. Ai nuk i futej kurrë një roli që e dinte se ishte i parealizueshëm për të.
Sa e vështirë ka qenë për ju të jetonit në familjen e një artisti të madh?
Në radhë të parë, kur babai kishte shfaqje në shtëpi nuk pipëtinte asgjë. Mamaja bashkë me motrën, e cila ishte më e madhe, na rregullonin dhe na ushqenin, që kur të vinte babai nga puna të ishte qetësi dhe të mos pipëtinte as miza. Për të çdo shfaqje ishte premierë, i përjetonte shfaqjet me të njëjtin emocion. Ishte një aktor që në çdo shfaqje ai binte 2-3 kile në peshë nga emocionet. Kur vinte babai para shfaqjes angazhohej e gjithë familja për të krijuar atmosferën e duhur. Na ishte bërë edukatë familjare dhe na ishte futur në gjak që zinim vendet dhe shtriheshim.
Po pas shfaqjeve, si e kujtoni babanë tuaj?
Pas shfaqjes vinte tepër i lodhur, thuajse i dërrmuar. Natyrisht që mamaja i shërbente dhe pasi hante bisedonte me nënën për shfaqjen se si shkoi shfaqja, si u prit nga spektatorët. Ai kishte dëshirë ta përcillnim kur shkonte në teatër dhe ta prisnim pasi të përfundonte shfaqja e të ktheheshim bashkë. Kur kthehej vetëm, gjithmonë bënte një pushim te parku "Rinia", ulej e pinte një cigare, qetësohej dhe pastaj shkonte në shtëpi. Mamaja ka ndikuar shumë në lidhje me ambicien profesionale të tij.
Ju jeni vetë aktor. Sa ka ndikuar babai juaj në zgjedhjen që keni bërë dhe mendoni se i përngjani ndopak?
Të gjithë në familje filluam të komfortoheshim me punën që babai bënte. Kështu, para çdo shfaqjeje, secilit prej nesh i takonte që herë pas here të bënte rolin e partnerit të babait. Në këtë mënyrë ai bënte një testim në vetvete, shikonte se si reagonte partneri. Babai, me sa duket, shikonte diçka tek unë për t'u bërë aktor dhe më piketoi. Thjesht kishim një komshi, të cilin unë e imitoja. Të them të drejtën nuk ishte zgjedhje personale e babait që unë të bëhesha aktor. Ishte zgjedhja ime personale. Unë fillova të interpretoja në skenë që kur isha në shkollën e mesme "Petro Nini Luarasi". Ai nuk ka ndikuar shumë te ne, se na la në moshën e adoleshencës, por mënyra se si ai punon, ndjenjat, emocionet që ne shikonim, mendimet e mamasë, të motrës që e kishin ndjekur gjithmonë në shfaqje, filmat e tij që i ndiqnim në atë kohë patën ndikim te ne. Por ndikimi më i madh ishte natyrisht serioziteti që kishte te puna, te roli, dashuria për artin në përgjithësi.
Të ç'natyre ishin marrëdhëniet që babai juaj kishte krijuar me kolegët e tij?
Nuk mund të them që kishte një klimë të qetë në rrethin shoqëror të aktorëve, pavarësisht se i kishte shokë, miq e i donte shumë. S'kam dëgjuar njëherë babain të zinte në gojë ndonjë njeri.
Si e kujtoni babanë tuaj përtej të qenit aktor?
Me modestinë më të madhe: një baba i mrekullueshëm, që pavarësisht se ne ishim në moshë të vogël, vitet e fundit u bë për ne shok. Një baba i mrekullueshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës. Një baba që nuk na ka kritikuar asnjëherë. Një baba që pavarësisht sa të ndërlikuara mund të ishin ngjarjet, momentet ruante qetësinë. Sinqeriteti i madh që kishte ai dhe me të cilin i merrte gjërat më bënte përshtypje të jashtëzakonshme. Kush e njeh babanë, njeh thjeshtësinë e tij. Madje, unë habitem që si ka mundësi që një njeri, që pavarësisht se vdiq i ri, kishte një background artistik të mahnitshëm, të kishte një fisnikëri të tillë që në veshje, që në mënyrën e komunikimit me njerëzit, qoftë me kolegët e tij, edhe me të rinj e kështu me radhë.
Kishte ndonjë pasion tjetër të veçantë përveç aktrimit babai juaj?
Babai vetë ka pohuar: Sikur të mos isha bërë aktor do të isha bërë patjetër dirigjent. Ai pëlqente jashtëzakonisht muzikën. Kjo vinte se edhe trungu familjar nga ana e gjyshes sonë nga Berati njiheshin si interpretues të shkëlqyer të muzikës popullore qytetare. Ai ka një fonotekë të tërë disqesh të kryeveprave botërore operistike. Gjithmonë para shfaqjes ai dëgjonte një nga këto melodi nga kompozitorët klasikë si Bethoveni, Grig, Çajkovski dhe gjithmonë para shfaqjes relaksohej duke i dëgjuar.
Si e kujtoni babain tuaj në vitet e fundit të jetës? Kishte diçka që i mbeti peng dhe nuk mundi ta realizonte?
Babai, që iku nga teatri dhe shkoi si pedagog në Akademinë e Arteve gjatë viteve të fundit të jetës së tij, për mua do të mbetet një pikëpyetje e madhe ky fakt. Pra fakti se pse u largua nga teatri, kur ai gjithë jetën e tij ishte në teatër. Madje, edhe fundi i tij ishte në teatër. Ai vdiq një javë pasi xhiroi "Familja e peshkatarit". Në lidhje me krijimtarinë ai realizoi çfarë ka dashur. Por ai vdiq në moshën 52-vjeçare, kur aktori është në kulmin e krijimtarisë së vet. Të paktën ai arriti të realizonte dëshirën e tij: interpretimin e Jonuz Grudës. Babai u rikthye në teatër vetëm për të luajtur atë rol, pavarësisht se mbylli sytë shumë shpejt. Periudha e fundit e jetës së tij është tepër e zakonshme, sepse ai vdiq nga një pankreas akut. Ishte një ditë tepër e zakonshme, dita e fundit e jetës së tij. Por dua të them që gjatë regjistrimit të dramës "Familja e peshkatarit" pati një stërmundim të madh.
Cila është arsyeja që Naim Frashëri u largua nga teatri?
Periudha e largimit nga teatri edhe për mua është një pikëpyetje e madhe. Ai ra shumë moralisht. Kur shkoja e prisja, pasi mbaronte mësimin dhe bënim pazarin, kishte një lloj meditimi në vetvete. Ai e përjetoi keq atë largim. Nuk e di për ç'arsye ai iku me dëshirën e vet. Unë më tepër besoj se në teatër u krijua një situatë e tillë ku ai e pa të udhës të largohej, ndoshta përkohësisht, ndoshta...nuk e di!

Pasardhësi i Aleksandër Moisiut

Aktori i madh, Naim Frashëri, padyshim që është edhe një prej njerëzve që diti ta bënte për vete spektatorin dhe adhuruesin e filmit. Për Miho Gjinin, që shkroi para disa vitesh një monografi, për aktorin ai është "Një meteor i skenës shqiptare", e për më shumë "Një pasardhës i denjë i Aleksandër Moisiut". Sigurisht, për Gjinin ishte një fatkeqësi për shqiptarët, që humbën në një moshë të re dhe kur kishte shumë për të dhënë një aktor me vlera të veçanta. Megjithëse, kur fliste për veten Frashëri thoshte se përsosmëria në art nuk arrihet kurrë, për shumë nga adhuruesit e ndjekësit e tij, ai e kishte prekur këtë përsosmëri. Pikërisht për këtë flet Gjini, në monografinë kushtuar aktorit të madh. Për autorin e monografisë, ai është aktor dramatik teatri e më pas edhe komedian me një humor therës e një aktor i shkëlqyer i kinematografisë shqiptare.

Pasaporta

Emri: Naim
Mbiemri: Frashëri
Datëlindja: 15 gusht 1923
Vendlindja: Leskovik

Në vitin 1936 hyn në Gjimnazin e Shtetit Tiranë
Në vitin 1942 inkuadrohet në rradhet e Rinisë Antifashiste
Në vitin 1945 hyn në Shkollën Dramatike që e drejton regjisori Sokrat Mio
72 është numri i roleve që ka interpretuar në teatër
Roli i tregtarit te "Revizori", roli i Mahmutit te "Halili dhe Hajria", togeri te "Toka jonë", Ferdinandi te "Intrigë e dashuri", roli i Hamletit, Jonuz Bruga te "Familja e peshkatarit" etj.
Aktori Naim Frashëri vdiq në moshën 52 vjeçare, më 18 shkurt 1975


Ka thënë ...

Kamera do lojën e saj. Dhe kjo, me ç'po mësoj, duhet të jetë lojë më e brendshme, e lirë, e shpenguar, sa më e vërtetë dhe e natyrshme, sa më bindëse. Aktorët në skenë duhet të flasin pastër, qartë, me zë të plotë dhe mbi të tëra të venë në pah siç duhet bukurinë, melodinë dhe ngrohtësinë e gjuhës sonë. Nuk mund të jesh Artist i Popullit po qe se nuk mishëron në art vetë atë popull që të çmon e nderon, vetë popullin tënd.

Fillimi ishte i vështirë, sepse ishim vetëm amatorë, ndërsa më vonë u ndesha në një vështirësi akoma më të madhe: në mosbesimin ndaj meje. Kam dy vjet në teatër. Kam marrë role në shumë pjesë. Por drejtoria dyshon në mundësitë e mia, në talentin tim. Sot doli lista e shpërndarjes së roleve. Çuditërisht më kanë dhënë rolin e Fjodorit. Rol kryesor dhe i vështirë; si ka mundësi, mua më cilësojnë si të patalentuar. Unë e ndjej se kjo s'është e vërtetë, por hajde mbushu mendjen atyre.

Kur marr rolin, unë nuk përpiqem të mësoj tekstin pa kuptuar rolin. Kam frikën e stampës. Kërkoj ato veçori që më largojnë nga stampat. Nuk më pëlqen matematika dhe fiksimi në ndërtimin e figurës, sepse nuk e kuptoj atë si diçka të ngurtë e të palëvizshme. Në jetën skenike, kur nuk e kam kuptuar fillimin e rolit, më ka shkuar gjithë shfaqja mekanikisht. Kur kam kapur "çelësin" e përqendrimit logjik emocional, roli më ka ecur mbarë.


Kanë thënë

Sandër Prosi
"E njoha Naimin në shkollë. Kanë kaluar 40 e ca vjet dhe dy gjëra kujtoj: drithërimin e zërit kur ai përshkruante verbërinë e të atit dhe sytë e tij të ndritshëm. Sytë e Naimit digjnin. E këta sy ndritën skenat e vendit tonë për 30 vjet rresht".

Drita Pelingu
"Në sytë e tij ekspresivë lexoje gjithçka që fshihej thellë në botën shpirtërore: gëzimin, hidhërimin, brengën, dualizmin, dashurinë e pafund, urrejtjen, xhelozinë, të shprehura në një forcë të fuqishme emocionale".

Margarita Xhepa
Pata fatin të isha partnere e Naimit, por edhe ai kishte dëshirë të luante me mua në skenë. Naimi qe një Hamlet i lindur. Në kompleksitetin e figurës së Naimit, predominonte mirësia.

Kadri Roshi
Shpirti i tij i zjarrtë rrezatonte me ngjyra nga më të ndryshmet, me nuanca të habitshme. Ai kishte lindur artist, por të madh e bëri puna e tij titanike.

Bujar Lako
Nëse Naimi do të ishte gjallë, do të ishte aq i madh edhe në kinematografi. Dhuntia natyrore e bënte të ishte çdo ditë i freskët. Në fillimet e tij qe brilant, te Pali tepër kinematografik, jo më poshtë se rusët".

TO - Maj 2005

 

Ditët e një 18-vjeçari, që përgatitej të bëhej një nga aktorët më të mëdhenj në Shqipëri. Datat dhe orët, dashuritë e tij, aktorët dhe filmat që ndiqte çdo ditë në kinema

Naim Frashëri, në fletët e një ditari lufte

Gazeta boton për herë të parë pjesë nga shënimet e aktorit në vitin 1941

Admirina Peçi

Naim Frashëri

Atë mëngjes, u ngrit herët, si zakonisht. I veshur me këpucët e reja, me ato pak lekë në xhep, që ia kishin falur prindërit për të blerë sheqerka, djali i vogël, Naim Frashëri mori rrugën për në kinema.

I la mënjanë sheqerkat. Nuk i donte. Bleu si gjithmonë biletën për në kinema dhe i kënaqur sa më s´ka, mori rrugën e kthimit, me orarin e filmit në kokë. I kishte ndodhur shpesh ta bënte këtë gjë. Bota e tij ishin aktorët, ato rrugë të boshatisura të fundviteve ´30-të e fillimviteve ´40-të, që të çonin në kinematë e kryeqytetit. Por në botën e tij futeshin edhe kujtimet, mbresat, që e kishte zakon t´i shënonte çdo mbrëmje në ditar. Një zakon që lindi dhe u rrit brenda tij që nga vitet e hershme e deri kur vdiq. Në njërin prej këtyre ditareve shënohen hollësi të çuditshme. Në pak rreshta për çdo ditë, vizatohet në mënyrë perfekte, bota dhe dëshirat e një 18-vjeçari, dhe atmosfera e kohës së luftës, në vitin 1941. Aroma e vërtetë e saj. Këtë ditar, së bashku me disa shënime të tjera, që aktori shkroi gjatë viteve të jetës, djali i tij, Anil Frashëri, e ka vënë në dispozicion të gazetës, një pjesë të së cilit po e botojmë për herë të parë. Por, çfarë përmban në të vërtetë ky ditar, i shkruar në një kohë të mbrapshtë? Kur italianët kishin pushtuar Shqipërinë, jeta “gëlonte” në Tiranë. Nëpër kinema shfa-qeshin filma çdo natë, djemtë e vajzat e reja shkonin në shkollë, lexonin dhe mendonin për rroba të reja, libra, apo aksesorë, i gëzoheshin orëve pushim në shkollë, luanin futboll me ushtarët…

Një ditar nga ´41-shi
Ai, është një ditar i vogël, me kapakë ngjyrë vishnje. Përmasat e tij janë afro 8 me 5 centimetra dhe nëpër faqe, datat, ditët dhe muajt shënohen me të kuqe. Aty janë hedhur gjtihë ndodhitë e ditëve të vitit 1941, që ka përjetuar aktori i ardhshëm Naim Frashëri. Atëkohë ai ishte vetëm 18 vjeç. Ende nuk ishte bërë aktor, por shkonte pothuajse çdo ditë në kinema. Nuk shihte kurrë dy ditë të njëjtin film dhe i ndërronte kinematë. Një ditë te “REX”, një ditë në “Savoja”, në “Skënderbej”, “Imperial”, “Rozafat” etj.

Në këtë ditar ai mbante shënim të gjithë hollësitë e ditës, kur blinte një palë këpucë, një unazë, kur qethej, kur blinte mish, kur nuk kishin për të ngrënë, kur mamaja e tij mungonte në shtëpi, kur dashuronte një italiane, e më vonë vajzën e quajtur Dorothe, kur bombardohej Durrësi dhe Tirana, kur erdhi Viktor Emanueli në Tiranë, atentati kundër tij, kur ra Beogradi dhe kapitulloi Greqia, dhe filma e emra aktorësh pa fund. Aty shfaqet dielli dhe shiu, retë, i ftohti dhe vapa, të katër stinët e vitit krahas përjetimeve të tij… madje edhe një lule e tharë, që vjen pikërisht nga ai vit, ngjitur në një prej faqeve të këtij ditari.

Gjendjet e tij bredhin ndër faqet e kësaj axhende në italisht, dhe lënë shenja në rreshtat e shkruara me stilograf. Në disa faqe shkrimi është i qartë dhe i shtruar e në faqe të tjera, është mjaft i çrregullt dhe i ngjeshur. Gjithçka në paralel me gjendjen shpirtërore. As edhe një ditë nuk kalon pa shënime, qofshin edhe shënime të thjeshta, vetëm për kohën, punët e rëndomta apo lekët e humbura në lojëra.

Shënimet e Naimit
Ky është vetëm një shembull për shënimet e Naim Frashërit. Kohë më vonë, në ditaret e tij zunë vend hollësi dhe ngjarje më të rëndësishme. Ai i ruante me fanatizëm shënimet e tij, fotografitë e pafundme, ftesa teatrosh e koncertesh, kujtime të shumta dhe hollësi marramendëse. Sepse, për të, ishte shumë e rëndësishme hedhja në letër dhe ruajtja me fanatizëm e kujtimeve. Një enciklopedi do ta quante dikush, një libër i madh, ku shënohet historia e teatrit dhe aroma e vërtetë e viteve, kur ai jetoi dhe shënoi. Ai kurrë nuk harronte datat, orët dhe minuta për ngjarje të caktuara në jetën e tij, të teatrit, filmit, apo ngjarje përtej kësaj bote. Kur i ndodhte të mërzitej për aksh punë, me dikë, apo për diçka, kur përjetonte, një humbje apo fitore, kur lexonte diçka mbresëlënëse apo gjente një disk, që e kishte kërkuar prej kohësh. Gjithçka e shënonte. Sepse e dinte se më vonë gjërat do të zbeheshin.

Cili nga aktorët sot i mban mend me hollësi xhirimet e filmit “Skënderbeu” në Rusi, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Tana” apo punën në teatër me “Hamletin”, “Mbretin Lir”, “Intrigë e dashuri”, “Familja e peshkatarit”? Në fletët e arkivit të tij mund t´i gjesh të gjitha. Për çdo mbrëmje ai mbante shënime.

Ditari, ku ai shënonte kujtime nga xhirimet e filmit “Skënderbeu”, siç thotë djali i tij, Anili, tashmë nuk e ka më në shtëpi. Por, prej atij ditari, Anili rrëfen përshkrimin që ai kishte hedhur mbi xhirimin e një skene të veçantë, kur xhirohej pjesa e ardhjes së Skënderbeut, për martesën me Donikën. Pali qëndron i mbështetur në një pemë. Fillimisht regjisori Jutkeviç kishte menduar që në plan të parë të dilte Skënderbeu. Por, kur u xhirua dubli i parë, dhe kur Naimi, që luante Palin, u kthye me fytyrë nga regjisori, ky i fundit pa se sytë e tij ishin me lot. Një befasi për regjisorin rus. Kishte takuar një aktor, që përjetonte thellë një rol, një aktor, me të cilin vite më vonë do të donte të realizonte film edhe Hamletin. I kishte thënë pas kësaj aktorit shqiptar: ”Me këtë gjendje emocionale që ti përjeton do të fikesh shpejt”. Por kjo e kishte bërë regjisorin të ndryshonte idenë e tij mbi atë skenë. Ai më pas vendosi që në plan të parë të dilte Pali, jo Skënderbeu, dhe në film u fiksua pikërisht kjo skenë.

Sipas Anilit, në shënimet e tij ka mjaft detaje të kësaj natyre. Një pjesë e këtij fondi të pasur sot gjendet në arkiva, në Kinostudio, në Arkivin e Teatrit, në duart e miqve të tij… dhe një pjesë e madhe në shtëpinë ku banonte aktori i madh. Anili thotë se pjesa më e madhe e këtij fondi nuk janë shfrytëzuar kurrë e kjo është pak e trishtueshme për të. Sepse ato mund të humbasin, e të lënë gropa pas...

Pjesë nga ditari
“Për herë të parë ndjeva dashuri për një italiane”

3 janar 1941, e premte:
Ditë e mërzitshme dhe e ngrohtë. Për drekë nuk kishim gjë të mjaftueshme. Për darkë u bëra unë makarona.
4 janar, e shtunë
Ditë e mërzitshme, kohë e mirë. E para herë që po ha bukë thatë për drekë. Në ora 5 vajta në kinema, pashë filmin italian “Riformatorio”.
6 janar, e hëne
Ditë e keqe, kohë shiu, prandaj qe shumë e mërzitshme. Mamaja mungonte.
8 janar, e mërkurë
Dite e parë e Bajramit. Koha e mirë dita qe e qetë mora këpucë, por s´më pëlqyen, prandaj i ktheva. Mamaja mungonte.
10 janar, e premte
Ditë shiu dhe ftohtë, mamanë e pritëm dhe nuk erdhi. Por muarëm telegram dhe thoshte se ishte mirë dhe vjen pas Bajramit.
13 janar, e hënë
Ditë e mërzitshme. Kohë e mirë, por shumë ftohtë. Mamaja erdhi e bleva unazën, bleva edhe këpucët.
21 janar, e martë
Ditë e mirë aspak e mërzitshme, koha e mirë dhe e ngrohtë. Mora mish….
23 janar, e enjte
Ditë e qetë. Nata qe me grindje. Kohë shiu.
27 janar, e hënë
Ditë e mërzitshme dhe melankolike, sidomos në mëngjes. Koha shumë e bukur dhe e ngrohtë.
5 mars, e mërkurë
Ditë e mirë, koha e keqe. Sot në ora 5 duallëm shëtitje dhe për herë të parë ndjeva dashuri për një italiane. Të shohim fundin.
6 mars, e enjte
Ditë e mirë koha e mirë. Mbasdite. Mbasditja qe melankolike. Në një shëtitje që bëmë pamë atë që më pëlqente mua. Por, ajo as më shikoj me sy.
7 mars, e premte
Ditë e mirë koha e bukur. Në ora 4 vajtëm në Rex… kur duelëm poqëm ato që s´na shihnin me sy.
10 mars, e hënë
Ditë e mirë koha e keqe. Duallëm shëtitje, por s´dolli gjë.
16 mars, e diel
Dita e mirë koha e bukur. Duallëm shëtitje. Në 4 të natës u bombardua Tirana.
17 mars, e hënë
Ditë e mirë, koha e bukur me 1 e gjysëm të natës ra alarm dhe u bombadua Durrësi.
19 mars, e mërkurë
Ditë e mirë, kohë e bukur. Mbrëmja qe me sherr. U zura me mamanë dhe u zemërova.
20 mars, e enjte
Ditë e mirë, koha e bukur. Mbrëmë në 4 të natës u bombardua Durrësi. Sot në mesditë u zishë më një ushtar.
31 mars, e hënë
Ditë e mirë, koha e mirë. Gjithë ditën e kalova në dyqan me Ushin, sot punova bahçen. Sonte frynte një furtunë e madhe.
10 prill, e enjte
Ditë e mirë, koha e keqe dhe ftohtë, Ushi qe sëmurë sot ra alarm. Sot ra Beogradi.
23 prill, e mërkurë
Ditë e mirë, koha e bukur. Duallëm shëtitje me Linin mbasdite. Sot kapitulloi një pjesë e Greqisë.
10 maj, e shtunë
Ditë e mirë, koha e keqe. Në ora 10 e gjysëm erdhi V.Emanueli i II në Tiranë, të cilin e pashë. Më 5 vajta në “Rozafat” dhe pashë “La grande renquista”. Më 8 vajta në “Savoja” dhe pashë “Madalena sara in condotta”.
17 maj e shtunë
Ditë e mërzitshme, koha e mirë. Sot iku dajua, me gjithë familjen dhe mua më erdhi shumë keq. Sot bënë atentat kundër Viktor Emanuelit në Tiranë, por s´dolli gjë. Në 5 vajta në “Rex”…
29 maj, e enjte
Ditë e mirë, koha e bukur. Dolla dhe psonisa. Sot bleva tre libra.
14 qershor, e shtunë
Ditë e mirë, kohë e bukur. Në drekë desh më shtypi një automobil.
17 qershor
Ditë e mirë, kohë e bukur në 7 vajta në “Savoja” dhe pashë “Ecco la felicita” me Michel Liman, Jacqueline Delubac, Micheline Presle.
21 qershor
Dita e mirë, koha e bukur më 4 vajta në “Rex” dhe pashë “Capitan Furia”.
25 qershor
Ditë e mërzitshme, mbasi qeshë shumë sëmurë me nxehtësi 40 gradë. Dje erdhi Rizaja. Kohë e bukur.
10 korrik, e enjte
Ditë e mirë, kohë e bukur. Vajta në campo. Bëmë ndeshje me ushtarët.
16 korrik
Ditë e mirë, kohë e bukur. Vajta në campo dhe bëra shumë qef. Më 5 luajtëm fotboll me c.tappa dhe i mundëm 2:1.
21 gusht, e enjte
Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot u nisa nga Tirana në 7 dhe mbërrita në Berat në orën 1. Teze Balen e C= (këtë shenjë e përdor edhe në shënime të tjera të kësaj kohe) i tremba shumë se u bëra si karabinier.
31 gusht, e diel
Ditë e mërzitshme dhe melankolike. Koha e keqe. Më 1 e gjysmë u nisa për Tiranë. Akba, Shequa me kompani dhe Sarua kishin ngelur 4 orë në rrugën afër Durrësit, pasi është prishur automobili i Saros. Mbërrita në Tiranë më 6. Me të mbërritur, vajta në “Savoja” dhe pashë “Mam Liberato” me Brigitte Harney.
3 shtator
Ditë e mirë, kohë e bukur. Vajtëm në shkollë. Mamaja në Berat. Kishte ardhur daiu.
6 shtator, e shtunë
Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot bleva historinë e gram.greqisht. Mamaja në Berat.
12 shtator, e premte
Ditë e mirë, kohë e keqe. Ra shi i madh. Në 6 vajta në “Rex” dhe pashë “Una notte dámore” me Grace Moore e Julio Carmonali.
22 shtator, e hënë
Ditë e mirë, kohë e bukur. Dje kishin grabitur “Savojën”. Në 8 vajta në “Skënderbej” dhe pashë “Una drama nel bosco” me Paul Vegener.
24 shtator
Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot e ndreqa stillon.
27 shtator, e shtunë.
Ditë e mirë, kohë e bukur. Në 6 vajta prapë në “Rex” dhe pashë “Strano comme Mischa”. Hyra me biletën e mbrëmshme, e cila ishte e nënshkruar.
15 tetor
Ditë e mirë, kohë e keqe. S´kam ftohtë. Bardhua shumë sëmurë nga zgjebia.
16 tetor, e enjte
Ditë e mirë, kohë e keqe. Shumë ftohtë. Bardhua sëmurë.
17 tetor
Ditë e mirë, kohë e bukur. Ftohtë. Sot qeshë melankolik dhe qava, mbasi ngordhi Bardhua. Më pas vajta në “Rex” dhe pashë “La forza brutta” me Joon de Lande.
18 tetor
Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot bëmë qef, mbasi dy orët e para nuk erdhën profesorët. Sot u qetha.
28 tetor
Ditë e mirë, kohë e keqe, sot u bë një demonstratë e madhe dhe u zunë me karabinierët…
13 nëntor, e enjte
Ditë e mirë, kohë e bukur, sot për herë të parë ndjeva dashuri për Dorothenë, nuk di si do të më dalë fundi.
19 nëntor, e mërkurë
Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot s´e di, por kam qenë me qef, aq sa Dorothea më ka shikuar më vërejtje.
20 nëntor, e enjte
Ditë e mirë, kohë e bukur, sot u bombardua keq Brindizi. I jam vënë mbrapa Dorothesë, por s´do si do t´më dali. Ikbali shumë sëmurë.
29 nëntor, e shtunë
Ditë e mirë, kohë me re. Mbrëmëm u vra ”Dedeja”. S´dihet kush e vrau, por duket se e vranë italianët.
22 dhjetor, e hënë
Ditë e mirë, kohë e bukur. Sot u zumë me Ikbalin. Sot më tha një gjë të keqe për Dorothenë. Neti te neve….

Panorama - 12-02-2004

Aktori në kujtimet e djalit të tij, Anil Frashëri. Kujtimet për role të veçanta, ato që i deshi dhe ato që nuk arriti kurrë t´i dashurojë

Naim Frashëri: Kjo është autobiografia ime

Shënimet që artisti i madh shkroi për veten në fundin e viteve ´60-të

Admirina Peçi

“Nëse një ditë do t´ju duhet të shkruani biografinë time, përdorni këto shënime që kam hedhur këtu”. Kështu shkruante pas një faqeje format, me laps plumbi, aktori Naim Frashëri, diku në fundin e viteve ´60. Janë një grumbull fletësh shkruar herë me laps e herë me bojë, ku ai ka hedhur autobiografinë e tij.

Momente jetësore dhe kujtime nga rolet, pikat kyçe të rrugës së tij si artist, një ëndërr që nisi dyerve të kinemasë dhe në shfaqjet e vogla nëpër lagje, që eci më tej me ndonjë shfaqje tek-tuk në kohën e luftës, me një periudhë mosbesimi dhe opinioni negativ në Teatrin Popullor dhe deri te shkëlqimi i tij. Gjërat e rëndësishme, ai i shkroi vetë ato që i pa si më të rëndësishmet. Detajet e tjera jetësore, i rrëfen në këto kohë, 29 vite pas ikjes së tij të dhimbshme, djali i tij, që është po ashtu një aktor në teatër.

Përpara shfaqjeve
Kur kishte shfaqje, pasditja e tij nuk ishte aspak e zakonshme. Ndiqte gjithmonë një ritual. Për gjysmë ore vetëm dëgjonte muzikë. Gjithmonë “Uverturën e Egmundit”. Ngrinte zërin e gramafonit në fund dhe humbiste brenda saj. Pastaj ngrihej vrik dhe me një shpejtësi të rrufeshme lahej, krihej e vishej. E gjithë pregatitja i kushtonte vetëm pak minuta. Kjo shpejtësi i shërbente atij për të vënë në lëvizje, karakteret dhe detajet e personazhit që po pregatiste, vinte në lëvizje fizikun dhe psikikën e tij.

Në momentet para se të nisej për në shfaqje, gjithmonë i çonim kafenë. Ato momente ai kurrë nuk fliste me askënd. Niste dhe bënte ushtrime për gojën, për artikulimin e pastër të fjalëve. Për t’u ushtruar gjithmonë këndonte arien e Figaros te “Berberi i Seviljes”. Madje, edhe kur e shoqëronin për në shfaqje (gjithmonë e shoqëronte njëri nga të familjes, gruaja, vajza, ose njëri prej djemve) gjatë gjithë rrugës këndonte me zë këtë arie. Kur ndonjëri nga ata i thonin, po të dëgjojnë njerëzit, ai nuk stepej. Nuk dëgjonte askënd. Sepse ato momente ai ecte drejt një tjetër bote, që kërkonte jetë prej jetës së tij, energji, zë, frymë dhe pasion nga ai i tiji. Dhe Naim Frashëri, vetëm kështu punonte, nuk njihte rrugë tjetër.

Siç rrëfen djali i tij, Anili, koha e pregatitjes së rolit ishte një kohë jo e zakontë në familje. “Kur punonte rolet në shtëpi, në shumicën e rasteve ishte mamaja ajo që i lexonte tekstin. Por shpeshherë na rastiste edhe ne fëmijëve, fillimisht motrës e më pas unë dhe vëllai. Po në familje ai i bënte edhe testim vetes. Mua më ka rastisur disa herë kur më merrte për të lexuar tekstin dhe e shihja teksa interpretonte. Vetëm kur lexonte në fytyrën time efektin e dëshiruar, atëherë bindej se puna e tij kishte ecur mirë. Dhe gjithmonë bënte kështu, për çdo rol dhe për çdo shfaqje a film që kishte. Në familjen tonë, ne dhe sidomos mamaja, i krijonim atmosferën që i nevojitej atij, kur ai kishte shfaqje e gjithë familja impenjohej. Mamaja, Violeta, ka një kontribut të veçantë. Ajo ka qenë në korin e Operas dhe muzika ishte një fushë shumë e rëndësishme për të. Ai këndonte shumë bukur dhe kishte në shtëpi koleksione të shumta disqesh, të cilat i siguronte sidomos kur dilte jashtë shtetit”.

Në shtëpitë e tij
Fillimisht jetoi si aktor, në një hyrje me tri dhoma, ku kishte vetëm njërën prej tyre. Në dy dhomat e tjera jetonin dy aktorë të tjerë, Kujtim Spahivogli dhe Lazër Filipi. Aty për disa vite pregatiti role, e kishte raste që ndonjëri nga “komshinjtë e tij” të pregatiste të njëjtin rol si ai, madje edhe të konkurronin mes tyre. Dhe një nga këto role ishte Hamleti. Kur pregatisnin këtë pjesë ishin tre aktorë që pregatiteshin paralelisht, Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Kujtim Spahivogli. Kur do të zgjidhnin aktorin e parë, u vendos që të tre të pregatisnin dy monologjet e famshme të Hamletit. Dhe regjisori rus, pasi i dëgjoi që të tre, e vuri gishtin te Naim Frashëri. Loja e tij virtuoze, i kishte bërë shumë përshtypje. Por, Naimi nuk dinte të luante ndryshe. Ishte pikërisht ai aktori, që regjisori i filmit “Skënderbeu” pikasi me herën e parë. Kur Jutkeviç kishte mbërritur një ditë në Teatrin Kombëtar, diku mes aktorëve kishte parë Naimin. Kishte pyetur për të dhe më pas e kishte parë edhe në një monolog të Hamletit. “Nëse ndonjëherë do të arrij ta bëj ‘Hamletin’ film, heroin do ta luajë ai djaloshi atje”, kishte thënë i vendosur regjisori. Zëri i tij ishte mbreslënës. Rusët e kishin inçizuar në rolin e Hamletit dhe zëri i aktorit shqiptar ruhet ende në Muzeun e Moskës.

Rruga drejt lamtumirës
Hamleti ishte një nga rolet më të mëdha të tij, por në autobiografinë e tij ai shënon edhe shumë role, të cilat i pati për zemër. Por, pikërisht, atëherë kur ishte në kulmin e karrierës së tij, iu krijua një trysni shumë e madhe, derisa e larguan nga teatri dhe e çuan pedagog në Akademinë e Arteve. Atëkohë, siç rrëfen djali i tij Anili, aktori ishte mjaft i rënë shpirtërisht.

“E prisja gjithmonë kur mbaronte mësimi, i dilja para te ‘Libri Universitar’. Hijerëndë, me pallton e tij dhe hapat e shtruar. Bënim ndonjë pazar të vogël dhe ngjiteshim në shtëpi. Hapësira që ishte krijuar në ditët e tij ishte e dhimbshme dhe ai e vuante shumë këtë gjë. Por ndodhi që ai u rikthye sërish në teatër. Luajti sërish shfaqjen ‘Familja e peshkatarit’, këtë herë në rolin e Jonuz Brugës. Me pasion, si gjithmonë. Kjo shfaqje edhe u regjistrua nga televizioni. Ato ditë punonte shumë, derisa puna me ‘familjen’ mbaroi”.

E fill pas kësaj, mbase vetëm tre a katër ditë, ai vdiq, mëngjesin e një të marte në muajin shkurt të vitit 1975.

Këto janë ndodhitë, kujtimet dhe dëshirat e jetës sime

Naim Frashëri, i biri i Servetit, jam lindur në Leskovik më 15 gusht 1923. Origjinë bejlerësh. Në vitin 1912, kur pasuria na u dogj prej grekëve, babai hyri në punë me detyrën e tagrambledhësit. Prej kësaj kohe filloi jeta e vështirë për familjen time, por, megjithatë gjendja shoqërore e tyre ka qenë prej qytetari të mesëm. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas lindjes sime. Pas vdekjes së babait më 1937, konditat e jetës u vështirësuan, kështu që u detyrua motra të hynte në punë. Vëllai në këtë kohë punonte në Post-telegraf, me një rrogë shumë të vogël. Me këto kondita kam vazhduar deri pas çlirimit. Në janar të 1945, mbas një prove hyra në shkollën dramatike, që ishte krijuar nga Drejtoria e Kulturës Popullore. Prej asaj kohe u bëra aktor teatri, ku vazhdoj të jem edhe tani. Gjatë regjimit të Zogut dhe regjimit fashist kam qenë student. Edukata ime në atë kohë ka qenë ajo që merrej në shkollë, d.m.th. borgjeze. Kam kryer shtatë klasë të mesme. Në lëvizjen N.Ç.L mora pjesë. Hyra në radhët e RK (Rinia komuniste) në prill të 1941-shit. Në shkurt 1949, u propozova si kandidat i partisë dhe u pranova. Pjesëtarët e familjes kanë qenë të gjithë me luftën. Dy motrat kanë marrë pjesë në lëvizje, njëra partizane dhe tjetra e re komuniste. Të dyja sot janë kandidate të partisë. Nuk jam prekur nga reforma e pushtetit, sepse që prej vitit 1912 nuk kemi patur asnjë pëllëmbë tokë dhe pasuri. Nuk kemi pasë tjetër veç rrogës së vogël të babait, më vonë atë të motrës dhe vëllait. Për punën time në teatër jam graduar në fund të 1947-ës, duke u bërë aktor i parë. Jam shpërblyer dy herë, kam marrë katër fletë lavdërimi dhe me rastin e pesë-vjetorit të teatrit m’u dha nga Presidiumi i Kuvendit Popullor medalja e punës. Punën e aktorit e kam dashuruar që në kohën kur isha në shkollë. Nuk kisha guxim të shfaqja dëshirën time me shokët, se më tallnin, mora kurajo në vitin 1943, kur m’u dha një nga rolet kryesore në dramën “Vilhelm Tel”. Prej asaj kohe fillova të interesohem për teatrin dhe të pregatis shfaqje në lagje. Më 1944, u thirra në Priskë në grupin artistik. Aty pregatitëm një dramë, të cilën e ç´faqëm më 29 nëntor 1944. Këtu u forcua lidhja me teatrin dhe tani kjo lidhje është bërë jetë për mua.

Autobiografia
E fillova karrierën profesionale si aktor në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin më lindi në vitin 1943, kur ne të udhëzuar nga rinia komuniste filluam të pregatisnim dramën “Vilhelm Tel”, të Shilerit.

Natyrisht, kjo çfaqje nuk u lejua nga fashistët të jepej. Ky fakt ndikoi shumë tek mua që të kuptoj thellë rolin e theatrit dhe ta dua më shumë. Në fillim të ´44-ës në mal (Priskë) u krijua grupi artistik i Rinisë. Atje i dërguar nga organizata e Rinisë, ku bënja pjesë organizuam grupin theatror dhe pregatitëm dramën “Partizanët” të Fatmir Gjatës, në të cilën interpretoja rolin kryesor. Çfaqja u dha në Tiranë më 28-29 nëntor 1944, me çlirimin e vendit.

Pas një monologu që kam recituar në moshën 7 vjeç, përpara prindërve në shkollën fillore të qytetit të Kavajës dhe pas disa pjesëve të vogla me 1 akt, që jepnin gjatë luftës, ndër lagjet e ndryshme të Tiranës, për banorët e këtyre, roli i komisarit në dramën “Partizanët”, ishte takimi im i parë me spektatorin, në një shfaqje të madhe dhe them se ishte debutimi im i parë në skenën e theatrit. Në këtë kohë vendosa t´i dedikohem profesionit të aktorit.

Ata nuk më besonin
Në maj 1945, me krijimin e theatrit profesionist të shtetit, u pranova anëtar i atij kolektivi.

Në fillim, rolet nuk më besoheshin dhe fillova të mos e ndjej veten mirë. Pas një viti, kur erdhi nga Rumania regjisori ynë Pandi Stillu, m’u besua roli i Mishës në “Portreti”. Nuk pata sukses. Prapë filluan pikëpyetjet mbi prespektivën time. Kjo është periudha më e vështirë për mua. Besimit që kisha karshi vetes, i dilte përballë mosbesimi i një pjese të madhe të theatrit… Por… më në fund, prapë regjisori i dashur për mua, P.Stillu, më besoi rolin e Fjodorit në “Invadimi”. Rol shumë i mirë, por i vështirë.

M’u desh një punë e madhe, jo vetëm në krijimin e këtij roli, por edhe për të thyer murin e tmerrshëm të “opinionit” dhe për të patur një vend në kolektiv. Ia arrita qëllimit. Çfaqja u prit shumë mirë dhe interpretimi im i rolit të Fedjas u ça mjaft dhe, siç ndodh zakonisht, rolet filluan të më ngarkohen njëri pas tjetrit.

Rruga drejt majës
I paharruar roli Teodorit do të mbetet për mua, jo vetëm për thellësinë dhe bukurinë e tij, por, sepse puna ime në këtë rol ishte vendimtare për të ardhmen time në artin theatral. Pas këtij roli m’u dha Valeri te “Tartufi”, Smith te “Çështja ruse”.

Me këtë rol filloi një etapë tjetër për mua. Nëpërmjet regjisorit sovjetik, Vladimir Dudin, u njoha me theatrin realist. Punova në bazë të shkollës së stanisllavskit dhe, megjithëse për një kohë të shkurtër, kuptova më kjartë kërkesat e mëdha që duheshin për të vazhduar profesionin e aktorit. Shfaqja korri shumë sukses. Rol të madh për pjekurinë time si aktor, ka luajtur repertori me pjesë të dramaturgjisë sovjetike. Meqenëse dramaturgjia jonë kombëtare sa kishte filluar të shënojë aty këtu ndonjë vepër. Kështu që kam patur rast të interpretoj role mjaft interesante nga pjesët më të mira të dramaturgëve sovjetikë si Borodskij në “Për ata që janë në det”, Stjepa në “Platon kreçiot”, Makdonal tek “Zëri i Amerikës”, Krivashein tek “Karakteri moskovit”, etj. Përshtypje më ka bërë roli i Nikollait tek “Armiqtë” e Gorkit.

Ky rol nuk do të më tingëllonte në qoftë se nuk do të pajtoheshim aq shumë me regjisorin e ri dhe të talentuar, Mihallaq Luarasi, në trajtimin e kësaj pjese. Punë interesante për mua ka qenë në rolin e Merrih te “Rrënjë të thella”, ku regjinë e kish A.J. Kriçkov dhe, sidomos faza e zbërthimit të rolit. Por mua më tërheqin shumë rolet që janë të ndryshëm nga plani dhe natyra ime si aktor. Po kështu, kënaqësi pata edhe në punën për rolin e Van der Lubos në “Procesi i Laipcingut” dhe në rolin e Ribakovit tek “Orët e Kremlinit” me regjisor V.Bratko, megjithëse këtë rol m’u desh ta pregatis brenda dhjetë ditëve, meqenëse në këtë kohë merresha njëkohësisht me xhirimin e filmit “Tana” jashtë qytetit. Evenimenti më i madh në punën time krijuese ishte pregatitja e “Hamletit”, vënë në skenë nga regjisori V.Bratko. Për këtë nuk mund të them asgjë. Hamleti im është akoma foshnjë normale dhe të shohim se si do të rritet me gjithë kujdesin e prindit nga ana ime.

“Intrigë dhe dashuri”
Një nga rolet më të mirë që kam është roli i Ferdinandit tek “Intrigë dhe dashuri”. Thonë se e loz mirë. Në këtë rol u laureova me çmimin e Republikës. Mund të them se ky është i pari rol me rëndësi në repertorin klasik. Ndodhesha përpara një prove të madhe karshi vetvetes. Kjo më shqetësonte shumë, nga ana tjetër më detyroi t´i përvishem një pune shumë serioze. Nuk më preokuponin aktet e para të kësaj drame, por akti i fundit, ku Ferdinandi vjen në skenë dhe krijon një atmosferë krejt të kundërt nga ato të parat. Sa ja dola, këtë nuk e di, por kritika e ka pritur mirë. Edhe unë e kam lozur më me pasion këtë akt, ku mbizotëron mbi të gjitha monologu i brendshëm, por… realiteti është se edhe vetë Shileri e ka shkruar këtë akt me shumë dashuri dhe dhimbje. Prandaj vendin më të madh të suksesit e zë vetë autori.

Kur xhironim “Skënderbeun”
Një nga fazat më të bukura të punës sime në art është koha e xhirimit të filmit “Skënderbeu”. Një grup ideal për të zhvilluar një punë krijuese. Natyrisht, kjo i dedikohet udhëheqësit të grupit, regjisorit, të dashurit, Sergej Jutkeviç, i cili me një forcë të çuditshme, krijoi me tërë kuptimin e fjalës, një atmosferë të atillë pune, që është vështirë të harrohet dhe e ruajti atë deri në fund. Por nga ana tjetër edhe vetë, të gjithë anëtarët e grupit, ishin të predispozuar për një punë të tillë.

Që në takimin e parë me të, (Jutkeviçin), kuptova se me cilin kisha të bëja. U dashurova me të dhe përpiqesha të krijoja çdo mundësi për të mësuar sa më shumë, por… fatkeqësisht ai ishte mjaft i zënë me punë, kështu që nuk e arrita atë që dëshiroja. Në kinematografi ishte debutimi im i parë dhe natyrisht si çdo gjë, që është në fillim e kisha të vështirë, por u ambientova. Punë interesante.

Mbusha 35 vjet dhe kam interpretuar në skenë 40 role, ndër të cilat më shumë se gjysma role kryesorë. (mestitujt janë të redaksisë)

Përshtypjet e aktorit mbi një shfaqje të vitit 1954


Si kam punuar me pjesën “Nderi i familjes”
Në fillim kur u ndanë rolet, roli që m’u caktua mua, nuk më ngrehu, me një fjalë nuk më pëlqente. Kisha dëshirë të interpretoja Bajramin, pasi ai ishte një rol i ndryshëm nga ato që unë kisha interpretuar më parë dhe tek ky rol unë shikoja se do të kisha një farë përparimi në zhvillimin si aktor. Mirëpo në realitet më ishte caktuar Ata dhe jo Bajrami.

Më paraqitesh një punë e vështirë përpara
1) Regjia që ishte e re dhe nuk e njihja punën e saj.
2) Roli që nuk më pëlqente.

Filloi puna. Me regjinë që në ditët e para u ambientova. Dhe e them me bindje se e kuptova. Puna e saj përqendrohej në logjikën, në interpretimin sa më thjeshtë dhe real, pa pompozitet, e të gjitha këto pajtoheshin me punën time të aktorit.

Kurse për rolin më duhej punë.

E para më duhej të gjeja emocione të atilla në rol, që të më bënin ta dashuroja atë dhe, pikërisht fillova me lirizmin që përmbante roli, pasi ajo qe më e afërt për natyrën time. Monologët mbi natyrën e Turkmenisë, dialogët me Zinën më lehtësonin punën, pasi ato i shkonin individualitetit tim. Duke përvetësuar këto momente, fillova të “dua” vendin, d.m.th Turkmeninë dhe me anën e Zinës të dua njerëzit dhe në radhë të parë pastërtinë dhe ndershmërinë e tyre.

Kur ia arrita deri diku këtyre, atëherë fillova të lehtësohem dhe pa vështirë si hyra në thelbin kryesor të rolit. Pas një pune të vazhdueshme, u bëra mik me rolin, por nuk arrita ta dashuroj.

Autori më pengonte mjaft. Kalimi nga një situatë tek tjetra ishte e shpejtë, nuk më lejonte që këto kalime të bëheshin organikisht. Kisha në ca momente nevojë të madhe për ngrohtësinë nga ana e figurës më të dashur për mua në pjesë, Zinën, atë nuk e kisha. Këto nuk më inkurajonin shumë. Kur filluam lëvizjet, në fillim kisha vështirësi me mënyrën e punës së regjisë. Ndalesat e saj të shpeshta më shqetësonin. Ndjeja nevojën të punoja shpejt skeletin e lëvizjeve të rolit tim dhe pastaj të hyja në hollësira. Kjo nuk zgjati shumë, pasi edhe regjisorja filloi deri diku të kuptojë natyrën time si individ. Ky kuptim reciprok solli si rezultat që të lindë një lloj inspirimi i përbashkët midis meje dhe regjisores. Nga kjo lindi, që regjisoria me pak droje filloi të më bëjë vazhdimisht vërejtje, të cilat për mua nuk ishin më të vështira t´i vija në zbatim. Kjo ishte puna ime me rolin e Atas.

Tiranë, më 19.1.1954
Naim Frashëri

Panorama - 21 Shkurt 2004



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora