E premte, 29.03.2024, 05:25 AM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Skendo, ik!

E premte, 15.08.2008, 07:47 PM


Adnan Abrashi
SKENDO, IK!

(Një e vërtetë e hidhur që patjetër duhet të thuhet publikisht)

Nga Adnan Abrashi

“Në kohën tonë të gjithë po merren me politikë, kjo punë ka bërë që të rinjtë të harrojnë zbavitjet e tyre, pleqtë - hallet e veta, gratë - qeverisjen e shtëpisë, adhuruesit-adhurimin, tregtarët - fitimin dhe mjekët - të sëmurit e tyre”. Kështu kishte shkruar në kohën e vet Sami Frashëri ynë i urtë. Dhe, si duket, me kuptimin e saj të plotë, kjo urtësi po shprehet  edhe sot në Kosovën tonë.
Një ditë, me tërë besimin në vete, një njohës i mirë imi më tha:
- Unë patjetër do të bëhem ministër i ardhshëm i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës!
- Edhe pse e di mirë anglishten, nuk i ke as gjasat më të vogla!- i  thashë unë prerë atij.
- Gabohesh rëndë! – mu gjegj me buzëqeshje përplot ironi bashkëbiseduesi. – Kur Skënder Hyseni mund të jetë sot ministër i Punëve të Jashtme, pse dikur të mos bëhem edhe unë?! 
Në këtë dialog ka edhe një koincidencë të çuditshme të rastit! Bashkëbiseduesi im ishte muzikant dhe njihej si virtuoz i vërtetë në interpretimin e instrumentit të harmonikës. 
E, po, mbase mu këtu e kam edhe fjalën. Tek ministri ynë aktual i punëve të jashtme, z. Skënder Hyseni.
Sigurisht se është momenti i fundit që edhe qendrat vendimmarrëse të Republikës së Kosovës, partia e koalicionit që e ka propozuar, dhe, së fundi, vetë z. Hyseni, ta kuptojnë se Ministria e porsaformuar e Punëve të Jashtme e Kosovës, nuk është aspak funksionale dhe frytdhënëse në punën e saj, dhe se, fajin kyç për këtë gjendje e ka pikërisht paaftësia e atij që gjendet në timonin udhëheqës të saj. Në vazhdim as që ka nevojë  t’i numërojmë si fakte të gjitha këto dështime, që duken aq sheshazi saqë mund t’i vërejë çdo laik më ekstrem në këtë zanat.
Po ashtu , në këtë rast as që duhet përmendur edhe faktin se sa rëndësi ka ky dikaster ministror i qeverisjes me Kosovën, e cila posa u shpall shtet.
Nga ana tjetër, edhe joeksperienca fillestare dhe “dhimbjet e para të paevitueshme të lindjes” që e karakterizojnë një “NEW BORN” , në asnjë mënyrë nuk mund ta arsyetojnë vendimin absurd të dikujt, që për trurin koordinues, apo, më mirë të themi, për njëshin e atij resori, ta caktojë dikë, të cilin, si të dëshirueshëm, më së paku e vlerëson populli i tij, e lëre më ashtu do ta vlerësojnë “dinozaurët” me eksperiencë të traditës së madhe diplomatike evropiane dhe botërore.
Më thoni, ju lutem, përveç atyre që për qëllime tejet të pakuptimta dhe misterioze e kanë propozuar dhe përzgjedhur atë në këtë post, kush është ai intelektual sado i thjeshtë i Kosovës, që në figurën dhe personalitetit e z. Skënder Hysenit , sheh vlera të larta profesionale dhe intelektuale, apo reflektim të një karizmi që është element shumë i rëndësishëm për këtë post, e mos të flasim për eksperiencën e domosdoshme diplomatike të cilin, në fakt, pak kush e ka në Kosovë. Arsyetimi i profesionalizmit të tij vetëm përmes njohjes së shkëlqyeshme të gjuhës angleze, dhe minimizimi i konditave tjera kyçe të virtytshmërisë adekuate për këtë funksion, aspak nuk e nënvlerësojnë injorancën, jo vetëm të atyre që e kanë propozuar, por edhe të atyre që e kanë aprovuar këtë propozim të pavend. Një dozë po aq të madhe të përgjegjësisë në këtë rast, unë ia kisha veshur edhe partisë fituese në këto zgjedhjet e fundit, e cila, edhe pse ka qenë e kushtëzuar  nga marrëveshja e koalicionit, ajo fuqishëm është zotuar se qeveria e ardhshme do të ndërtohet nga ekspertët adekuatë të profesioneve përkatëse.  
Bazuar në realitetin ekzistues, mendoj se ndoshta pikërisht këtu duhet të fshihet lajthimi im: tek kuptimi i mirëfilltë i domethënies së termit “EKSPERT”.
Mund edhe ta kem gabim, por unë për një njeri EKSPERT gjithnjë kam menduar se është: personi që ka titull akademik në lëmin e caktuar profesional; që ka një eksperiencë të duhur në këtë drejtim; që gjatë karrierës së vet të pasur profesionale ka dhënë rezultate të dukshme në atë fushë, dhe, patjetër, që është person me autoritet dhe i vlerësuar lart, në rend të parë, nga vetë kolegët e profesionit konkret.
A thua i përmbush këto kërkesa ministri aktual? 
Që ta gjeni përgjigjen në këtë pyetje dhe shumë pyetje tjera të kësaj natyre, fare nuk ka nevojë të bridhni aq shumë me krahasime, sepse atë do ta keni nga vetë rezultatet e punës së tij të gjertanishme si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. .
Thënë shkurt e shqip, Skender Hysejnit as përafërsisht nuk i ka hije që ta udhëheqë këtë ministri tejet të rëndësishme qeveritare, e posaçërisht  tash në fillim,  kur ajo duhet të funksionojë si më agile, më inteligjente, më profesionale dhe më agresive në veprim.
Derisa po i shkruaj këta reshta, duhet të pranoj se në brendinë time vazhdimisht ndjeja një konflikt kundërshtish, në mes të UNIT të vendosur që përherë më shtyn që pa ngurrim ta shpreh hapur të vërtetën  dhe vetëm të vërtetën, dhe EGOS si frikë se kjo formë konkrete dhe në dukje e ashpër e shprehjes, eventualisht t’ mos keqkuptohet nga dikush, e në veçanti nga vetë z. Hyseni.
Dominoi ajo e para. Fuqia e UNIT tim të sinqertë, e zhveshur tërësisht nga tendencioziteti i paragjykimit partiak, urrejtjes personale dhe prezencës së instiktive të ulëta të egos së shfrenuar. Por, pranoj se në këtë gjykim të gjertanishëm për këtë personalitet, nuk kam pasur mundësi t’i evitoj nga vetja anët subjektive të reflektimit negativ edhe të dukjes fizike të tij, megalomanisë paranoide, manireve artificiale të stilit të veshjes dhe sjelljeve mikroborgjegse me të cilat tenton të na imponohet si personalitet me kinse një edukatë perëndimore.
Qysh sa ishte në “Grupin e Unitetit”, z. Hyseni qe i padëshirueshëm nga populli i vet dhe pak kush mund të parashikonte atëbotë, se pas shuarjes së këtij institucioni famëkeq politik kosovar, ky njeri mund të arrijë gjer tek ky post i lartë shtetëror që e ka sot. Dihet çka ndodhi me të kur u emërua si ministër i kulturës. Vetëm ta kujtojmë se si atëherë reaguan ARTISTËT - njerëzit më kreativë të një populli...
Me të vërtetë është rëndë që ta them hapur këtë realitet të hidhur,  por i sugjeroj  z. Hyseni që sa më shpejt t’i braktisë aspiratat e veta karrieriste politike; të lirohet në tërësi nga figura e idealizuar që ka krijuar për veten, dhe, në të ardhmen, të provojë ta shikojë realitetin objektiv nga një perspektivë tjetër e këndvështrimit.
Populli për të ka thurur shumë barsoleta e batuta, dhe në to, porosia dominonte është e thjesht: SKENDO, IK!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora