E marte, 19.03.2024, 09:19 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Zylo: Rama në Muzeumin e trashëgimisë së Hebrenjve

E enjte, 14.04.2016, 07:53 PM


Kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti fjalën kryesore në Muzeumin e trashëgimisë së Hebrenjve në Manhattan

Nga Keze Kozeta Zylo

Qindra shqiptarë të diasporës amerikane morën pjesë në aktivitetin e organizuar në mjediset e Muzeumit të trashëgimisë së Hebrenjve në Manhattan.  Ftesa e ardhur nga Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, shqiptari i parë që është zgjedhur në këto nivele kaq të larta në politikë, e pritëm me kënaqësi dhe kjo ka arsyet e veta.  Shqiptari Mark Gjonaj është kthyer në një tribun, ai ka rrëmbyer zemrat e votuesve dhe  të shumicës së Diasporës, ndaj dhe ne i mirëpresim ftesat e tij.

Aktiveteti u organizua nga Ansambleisti Mark Gjonaj dhe prokurori i Përgjithshëm Eric Schneiderman dhe kishte për qëllim njohjen e rolit të shqiptarëve në strehimin e hebrenjve gjatë holokaustit.

Z.Ilir Fundo, President, Fundo group Consulting, ishte moderator i aktivitetit.  Ai ftoi në skenë dy këngëtarë të mirënjohur z.Ergin Oda i cili interpretoi mjeshtërisht hymnin amerikan dhe sopranon e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu e cila interpretoi hymnin shqiptar.

Z.Fundo tha se ne jemi të nderuar të kemi midis nesh shkëlqesinë e tij kryeministrin shqiptar Edi Rama i cili do të mbajë dhe fjalën kryesore.

Ai falënderoi për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe z. Mark Levine, këshilltar dhe drejtues i grupit hebre në Këshillin e NYC, Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z.Ditmir Bushati, Ambasadoren e Shqipërisë në SHBA, znj.Floreta Faber, ish Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, z.Ferit Hoxha, Konsullin e Republikës së Kosovës, z.Fatmir Zajmi, si dhe Konsullin e Nderit te Republikës së Shqipërisë në NY, z.Sal Rusi, i cili me gjithë familjen e tij bënë sponsorizimin e plotë të këtij aktiviteti.

Në këtë aktivitet morën  pjesë gjithashtu Rabbi Joseph Potasnik nga NY, ne Bordin e Rabave, Imam Tahir Kukaj, At Pjetër Popaj nga Zoja e kishës Shkodrës, dhe Fr. Nathan Preston nga kisha e Shën Nikollës ortodokse.

Z.Fundo falënderoi gjithashtu dhe Z. Abraham Fox, ish-Drejtor Kombëtar i Anti-Defamation League për gati 30 vjet. Ai ndau historinë e tij në pjesën e dytë të programit.

Ceremonine e hapjes e bëri zonjusha Gledis Vogli një vajzë e edukuar në universitetet amerikane.

Në këtë aktivitet e morën fjalën dhe z.Eric Schneiderman, Prokuror i përgjithshëm i shtetit të Nju Jorkut, i cili shërben në këtë post qysh prej vitit 2011 dhe falënderoi thellësisht mikpritjen, gjenerozitetin e shqiptarëve që kanë kodin e nderit “Besa” dhe që sakrifikuan duke hapur portat për hebrenjtë edhe pse ishin të rrezikuar nga nazistët gjermanë.

Fjala e Ansambleistit Mark Gjonaj u mirëprit me duartrokitje të vazhdueshme, zemra e tij rreh dhe ndihet në çdo qelizë që punon për Shqipërinë dhe Amerikën, ndaj dhe njerëzit dhe dashamirësit e tij të shumtë ishin mbledhur për të dëgjuar se si hebrenjtë flasin dhe shprehin mirënjohjen e pakufishme për Shqipërinë.

Unë nuk mund të vija në takim me presidentin Obama pa ndaluar me parë tek ju në New York

Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë se në nëntor të këtij viti do të organizojmë samitin e parë të diasporës shqiptare në Tiranë.  Rama

Z.Mark Gjonaj ftoi në skenë kryeministrin e Shqipërisëz.Edi Rama i cili tha se: “Edi Rama ka qenë Kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013.  Në vitin 1998 deri në vitin 2000, ai shërbeu si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.  Z.Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës nga viti 2000 deri në vitin 2011. Ai kishte një sukses të jashtëzakonshëm dhe për këtë mori cmimin si kryebashkiaku i Botës në vitin 2004.

Z.Rama në fjalimin e tij midis të tjerash tha se:  “Ne i jemi shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikes pasi ata kanë qenë krah nesh qysh në shekullin e kaluar...

Ajo është perforcuar me përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar shoqërinë tonë të lirë, për të zbatuar sundimin e ligjit, por edhe gjatë udhëtimit tonë në Irak, në Afganistan, për çlirimin e Kosovës dhe në bashkëpunimin tonë të ngushtë në lidhje me aksionet e ndërmarra për sigurinë dhe sfidat e përbashkëta.  Të gjitha këto kanë çuar në nivelin më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe, partneriteti strategjik i nënshkruar vitin e kaluar. Ne jemi dhe mbetemi të prirur të vazhdojmë në këtë rrugë në të mirën e vendeve dhe kombeve tona.

Ky rrugëtim 25 vjeçar i Shqipërisë, edhe pse me një trashëgimi të vështirë, ka shënuar arritje madhore për shqiptarët kudo.

Sot, Shqipëria është një vend stabiliteti në Ballkan; një anëtare e NATO-s së bashku me SHBA-në dhe miqtë dhe partnerët e tjerë, kandidatë për anëtarësim në BE; por më shumë se çdo gjë, një demokraci gjithnjë e më të fortë, një shoqëri e lirë me një kohezion social të admirueshëm, një thellësi respekti mes besimeve të ndryshme, diçka që e tërë bota e admiron. Nga ana tjetër dua ta them dhe ta përsëris se ne shqiptarët nuk kemi qenë kurrë më mirë më parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Me një tjetër shtet shqiptar, Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Unë jam i sigurt se nuk e teproj, nëse unë them se pa diasporën shqiptaro-amerikane, kjo ëndërr do të kishte qenë shumë më e vështirë, në mos e pamundur për t’u arritur.  Çdo gjë që kemi bërë dhe arritur është së pari fryt i angazhimit tonë, i përpjekjeve tona, vendosmërisë dhe energjisë sonë.  Por ne nuk do të kishim qenë këtu po të mos kishim pasur mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çdo përfaqësues i shtetit amerikan që ka ardhur në Shqipëri flet me lavdërim dhe respekt për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kjo na bën të gjithëve ne shumë krenar. Për këtë, ju falenderoj shumë të gjithëve.

Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë se në nëntor të këtij viti do të organizojmë samitin e parë të diasporës shqiptare në Tiranë.  Puna për organizimin e samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike. Duke folur për qëllimin e organizimit të takimit të diasporës, Kryeministri nënvizoi se ai do të udhëhiqet nga nevoja për të ndërtuar një urë midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë, për të bërë më shumë në ruajtjen e gjuhës, imazhit dhe zhvillimit të identitetit tonë, si dhe nga nevoja për të ngritur strukturën e bashkëpunimit vazhdoi kryeministri Rama midis të tjerash.

Fjala e kryeministrit Rama u mireprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.

Pas ceremonisë zyrtare pjesëmarrësit ndoqën me plot emocion filmin dokumentar “Besa”.

Para shfaqjes së filmit znj.Majlinda Myrto drejtore ekzekutive e fondacionit “Eye contact” ka falënderuar gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në këtë event special.  Znj.Myrto njëherazi familja e bashkëshortit të saj ka strehuar dhe mbrojtur hebrenj,  tha se 14 vjet më parë Norman Gershman themeluesi i fondacionit dhe president i fondacionit “Eye Contact” duke kërkuar në Yad Vashem u trondit dhe u emocionua pamasë kur mësoi se myslymanët shqiptare kishin strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë nga nazistët gjermanë.

Ai mësoi se asnjë hebre nuk iu ishte dorëzuar nazistëve, fakti tregon se pas luftës hebrenjtë u shtuan 10 herë më shumë. Filmi dokumentar tregon historinë e 70 vjetëve më parë që bota duhet ta dëgjojë patjetër.

Pas zonjës Myrto kanë përshëndetur dhe klerikët si Imam Tahir Kukaj, At Pjetër Popaj nga Zoja e kishës Shkodrës, dhe Fr. Nathan Preston nga kisha e Shën Nikollës ortodokse.

Së shpejti TV “Alba Life” në bashkëpunim me Z.Amir Suka dhe z.Agron Ceka do të sjellin pranë jush reportazhin e përgatitur rreth aktivitetit në Muzeumin e trashegimisë së Hebrenjve në Manhattan.

10 Prill, 2016

Manhattan, New York



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora